Mendime
Dorian Koçi: Trojka e ambasadorëve dhe integrimi
E diele, 31.07.2011, 07:58 PM
Trojka e ambasadorëve dhe integrimi
Nga Dorian Koçi
Në ceremoninë e betimit të kryetarit të ri të Bashkisë,ku mori pjesë dhe pjesa më e madhe e trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri, mediet vizive dhe të shkruara nuk mënuan që të pasqyronin në mënyrë të veçantë praninë e ambasadorit ë OSBE-s, si dhe të Zv-ambasadorëve amerikanë dhe atij të Bashkimit Evropian. Në hyrje të ambasadorit të OSBE-së për në Bashkinë e Tiranës, një grup simpatizantësh dhe fansash të kryetarit të ri të Bashkisë e përshëndetën me ovacione duke i quajtur praninë e tij, një ogur të mirë ashtu si dhe dashi i bërë kurban pak kohë më parë se të vinte z Basha në Bashki.
Sigurisht,në fitoren e një kauze apo konfirmimi në një posti të rëndësishëm si është ai i kryetarit të ri të bashkisë ka vend dhe për entuziazëm dhe për ovacione,por entuziazmin e njerëzve që ishin aty por dhe të shumë të tjerëve që ndiqnin nëpërmjet televizionit përpoqën ta ftohnin disa komentues që dërgimin e zëvendësve dhe mospraninë e ambasadorëve u munduan që ta zbërthenin si kumt politik që ambasadorët dëshironin të përcillnin. Edhe pse konstatime të tilla nuk rezultuan që të jenë të vërteta, pasi komuniteti ndërkombëtar deri më tash është përpjekur që të qëndrojë korrekt përkarshi krizës shqiptare,ajo që bie në sy është dëshira thuaj e ethshme tashmë e opinionit publik që çdo aksion politik në Shqipëri ta lidh dhe me përkrahjen e mundshme apo të refuzuar ndërkombëtare. Si për ta përforcuar këtë bindje, lideri i opozitës Edi Rama, i cili gjatë gjithë kohës u bënte thirrje miqve dhe partnerëve ndërkombëtarë për ta ndihmuar në betejën e tij për kreun e Bashkisë së Tiranës, nuk mënoi dhe kësaj radhe pasi procesi elektoral ishte mbyllur të shkruante një letër Baroneshës Ashton dhe Komisionerit Fuhle ku tu kërkonte që të tregonin sipas tij prishësit e vërtetë të zgjedhjeve vendore në Tiranë. Përtej dëshirës ambicioze që mund të ketë çdo lider për ta ndërkombëtarizuar çështjen e vet, besoj dhe si unë dhe një numër i madh shqiptarësh se ky turravrap i politikës dhe politikanëve shqiptarë sa herë hasin probleme serioze në vend drejt ndërkombëtarëve, na bën të skuqemi kur kujtojmë se pas një viti do të festojmë njëqind vjetorin e pavarësisë.
Mungesa e thellë e kulturës politike do të bënte të mundur që konfliktet e ndezura për zgjedhjet në Shqipëri ti shuanin llërët e përveshura të ambasadorit amerikan apo buzëqeshja e zakonshme e ambasadorit të Bashkimit Evropian. E ashtuquajtura trojkë e ambasadorëve , që na kujton me fakt trojkat e presidencës evropiane, në vend që të jepte këshilla dhe asistencë për modernizimin e Shqipërisë dhe të ekonomisë së saj për të qenë nesër një vend i denjë që do hyjë në Bashkimin Evropian po harxhon energji dhe durim për të siguruar gjënë më elementare në demokraci, dialogun politik midis palëve.