E enjte, 01.05.2025, 09:32 PM (GMT+1)

Faleminderit

Baki Ymeri: Revista „Shqiptari” kushtuar Dr. Xhelku Maksutit në 80 vjetorin e lindjes së tij

E diele, 20.02.2011, 08:59 PM


Ballina e revistës Shqiptari kushtuar Dr. Xhelku Maksutit (Nr.1-2011)
Ballina e revistës Shqiptari kushtuar Dr. Xhelku Maksutit (Nr.1-2011)

 

Revista „Shqiptari” kushtuar Dr. Xhelku Maksutit në 80 vjetorin e lindjes së tij

 

Nga Baki Ymeri

 

Kemi theksuar edhe më parë se i vetmi popull në botë fisëruar me rumunët përmes linjës trako/dako/ilire, është populli shqiptar. Këto ditë, në vigjilje të Ditës së Pavarësisë së Kosovës, pikërisht më 17 shkurt, në një vëllim prej 50 faqesh në kolor e pa dritën e botimit në Bukuresht një numër special i revistës “Shqiptari” kushtuar kryeveteranit të sotëm të komunitetit shqiptar, dr. Xhelku Maksuti. Që në faqet e para, Bashkësia Kulturore e Shqiptarëve të Rumanisë i uron mirëseardhje në Bukuresht Ambasadorit të ri të Republikës së Shqipërisë, Shkëlqesisë së Tij, Zotit Sami Shiba. Në këtë kontekst vlen të theksohet se më 7 shkurt 2011, Ambasadori i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Rumani, Zt.Sami Shiba, i paraqiti Letrat Kredenciale Presidentit të Rumanisë, Zt. Traian Basescu, gjatë një ceremonie zyrtare të organizuar në Pallatin Presidencial “Cotroceni”. Me këtë rast është zhvilluar edhe një bisedë e shkurtër miqësore, gjatë së cilës Presidenti rumun përshëndeti dhe i uroi suksese zt. Shiba në misionin e tij, duke vlerësuar marrëdhëniet shumë të mira dypalëshe, duke shprehur bindjen për përforcimin e mëtejshëm të tyre, duke evidentuar mbështetjen e Rumanisë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe për liberalizimin e vizave me BE.

 

       Në njërën nga fotografitë e panumërta jepet pamje nga salla presidenciale e Pallatit Cotroceni gjatë ceremonisë së dorëzimit të Letrave Kredenciale, pas të cilit pason një shënim mbi pritjen e ambasadorit shqiptar nga ana e zt. Bogdan Aurescu, sekretar shteti në Ministrinë e jashtme të Rumanisë më 18 janar, rast me të cilin, përveç dorëzimit të letrave kredenciale u diskutua për projektet e bashkëpunimit bilateral mes dy vendeve dhe relacionet rumuno/shqiptare që kanë një potencial të konsideruar zhvillimi shumëshekullor.

 

Pason urimi i redaksisë në adresë të profesor Xhelku Maksutit në 80 vjetorin e lindjes së Tij: “I dashur zoti profesor! Me rastin e tetëdhjetëvjetorit të lindjes Suaj (8 Mars 1931),  Ju urojmë nga zemra Gëzuar Ditëlindjen! Me këtë rast, përkujtojmë me respekt kontributin Tuaj pesëdhjetëvjeçar në fushë të afirmimit shkencor dhe publicistik të Komunitetit Shqiptar të Rumanisë (1948-2008), të riorganizmit të komunitetit shqiptar në gjirin e Bashkësisë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë (24 Maj 1990), si dhe të themelimit, pregaditjes dhe botimit të serisë së re të revistës Albanezul/Shqiptari (25 Gusht 1993) - tribunë e lartë e atdhedashurisë shqiptare e cila sivjet mbush 123 vjet nga botimi i saj me ndërprerje (1888-1903, 1993-2011). Në këtë kontekst, në vitin e tretë të pavarësisë së Kosovës, urojmë nga zemra që pena Juaj të na befasojë me kontribute të reja shkencore në fushë të ndriçimit dhe afirmimit të lidhjeve të lashta rumuno/shqiptare. Gëzuar Ditëlindjen, zoti profesor! Me respekt të përzemërt, stafi i redaksisë së revistës Shqiptari (Bukuresht).”

 

        Në njërën nga fotografitë e para duket Foqion Miçaço, Luan Qafëzezi, Xhelku Maksuti dhe Ismail Kadareja në Bukuresht, në maj të vitit 1974, pas të cilit pason një shkrim i shkurtë me titullin “Situata aktuale e shqiptarëve të Rumanisë”, sipas të cilit kuptojmë se shqiptarët e Rumanisë gëzojnë një atestim dokumentar prej mbi 400 vjet komuniteti të veçantë në trojet rumune, që nga koha e vojvodës së famshëm, Mihai Viteazul (Mihai Trimi), i cili në vitin 1595 i ka mundësuar një numri të madh shqiptarësh të kalojnë Danubin për t’u stabilizuar në Vllahi. 400 vjet më vonë, në vitin 1995, nën përkujdesjen e Bashkësisë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë (BKSHR), e themeluar më 24 maj 1990, në sallat mikpritëse të Muzeut Nacional të Historisë së Rumanisë, u mbajt në Bukuresht një simpozion ndërkombëtar me karakter histork dhe letrar, me pjesëmarrjen e një numri të konsideruar hulumtuesish nga Rumania, Shqipëria, Bullgaria, Maqedonia, Kosova, Serbia dhe Republika e Moldovës, të cilët sollën kontribute të rëndësishme për njohjen më të mirë të histrisë sonë.

 

         Para një viti, më 24 maj 2010, në sallat e Ambasadës së Shqipërisë në Bukuresht, u kremtua 20 vjetori i konstituimit të BKSHR, vazhdimtarja e organizatave të shqiptarëve të këtij vendi, të themeluara në gjysmën e dytë të shek. XIX, në Bukuresht, Konstancë dhe Brailë, me filiala në Plojesht, Xhurxhiu, kurse pas vitit 1918 edhe në Kluzh, Sibiu dhe qytete tjera. Para dhe pas vitit 1990, kemi patur përfaqësues të shquar në Konstancë, Sllatinë, Piatra Neamc, Krajovë dhe lokalitete tjera më të vogla. Nga viti 2000, pa kurrfarë beneficionesh materiale nga autoritetet shtetërore të Rumanisë apo Shqipërisë, në situatën në të cilën numri i shqiptarëve etnikë të këtij vendi shkon duke u zvogluar ndërsa komuniteti ndodhet në prag të shpërbërjes nga peisazhi i popullatës minoritare të Rumanuisë aktuale, familjet e moçme që i ruajnë me shenjtëri traditat e Komunitetit Shqiptar të Rumanisë, me mundësi materiale modeste, përpiqen të mbijetojnë përmes gazetës Albanezul (Shqiptari), e rithemeluar në gusht të vitit 1993 (seri e re), e cila fatkeqësisht, në mungesë të mjeteve, botohet gjithnjë e më rrallë.

 

         Në këto kondita, pason të rivijmë me një përmbledhjeje artikujsh, misioni i të cilëve ka të bëjë me atestimin e rektimeve të fundit të zemrës së Komunitetit Shqiptar në Rumani, një komunitet i ndodhur në fazën e shpërbërjes organizatorike, të cilin jemi duke e mbajtur gjallë përmes përpjekjeve tona simbolike. (Xhelku Maksuti). Pason një fotografi me pjestarë të familjes patriotike të Daut Memishit nga Sllatina e Oltenisë, ishambasadori Fran Zef Çukaj dhe pjesëmarrës tjerë në manifestimin shkencor kushtuar 400 vjetorit të ekzistencës dokumentare shqiptare në trojet rumune (1995). Në vazhdim, në emër të kryeredaktorit të Shqiptarit jepet një portret kushtuar Xhelku Maksutit në 80 vjetorin e lindjes me titullin:

 

Shqiptari që di ta mbajë gjallë shpirtin shqiptar në diasporë

 

Më 8 mars të këtij viti i mbush 80 pranvera lideri shpirtëror i shqiptarëve të Rumanisë, dr. Xhelku Maksuti, historian rumun me prejardhje kërçovare. Zoti Maksuti mbahet mend si autor i disa librave dhe qindra studimeve shkencore mbi historinë e shqiptarëve të Rumanisë dhe lidhjeve rumuno-shqiptare në fushë të historisë, kulturës dhe diplomacisë. Ai njihet edhe si njeriu që e themeloi Bashkësinë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë (1990), me një serë aktivitetesh të panumërta për afirmimin e etnisë sonë në veri të Danubit. Duke patur parasysh funksionimin e mbarë të shoqatës respektive, botimin e rregullt të revistës „Shqiptari” (1993-2001) me përkrahjen e Qeverisë rumune, pas Nikolla Naços, për Xhelku Maksutin mund të themi se ishte presidenti më aktiv dhe më i mirë që kemi patur deri tani në gjirin e diasporës shqiptare të  atdheut të dytë të rilindësve tanë. Për dallim nga një krokodil komunsit që erdhi pas vitit 1990 në këtë vend për t’i përçarë shqiptarët në baza konfesionale, merita elementare e dr. Maksutit bazohet në nxitjen e atdhedashurisë tek të gjithë shqiptarët, pa dallime fetare, krahinore apo politike.

 

         Pas vitit 2000, komuniteti shqiptar i këtij vendi u përball edhe me probleme, siç ishte skandali i krijimit të një organizate fantazmë, „Shoqata Liga e Shqiptarëve të Rumanisë” (ALAR), e drejtuar nga një persona nongrata e komunitetit shqiptar (Oana Manolescu), e cila i shfrytëzoi të gjitha metodat djallëzore për të hedhur kandidaturën që t’i përfaqësojë shqiptarët në Parlament, edhepse, de facto, në gjirin e shoqatës së saj nuk ka asnjë shqiptar, madje as në redaksinë e revistës së mykur „Miku i shqiptarit”. Që nga ajo kohë, përkatësisht, që nga viti 2001, si pasojë e tolerancës rumune dhe papjekurisë politike të parlamentarëve të këtij vendi, buxheti qeveritar i komunitetit shqiptar iu shkëput shoqatës që e krijoi dr. Xhelku Maksuti 10 vjet më parë, dhe filloi të derdhet në adresë të kësaj Lige të ligë. Shqiptarët e mirëfilltë thonë se kjo është një njollë e errët për mbarëvajtjen organizative të komunitetit shqiptar në këtë vend, njësoj siç mbetet një njollë e tillë edhe mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga klasa politike rumune që ka rënë në grackën e propagandave serbe lidhur me kërkesat e hungarezëve të Transilvanisë.         

 

         Dr. Xhelku Maksuti udhëhiqej nga parime të qëndrueshme dhe përpiqej ta bashkonte dhe reformonte komunitetin shqiptar, ngase pika më e fortë e tij ishte kuptimi i rolit udhëheqës dhe mënyra se si t’ua komunikonte vizionin e tij jo vetëm palës shqiptare, por edhe asaj rumune. Profesor Maksuti u lind në Plojesht, më 8 mars 1931, nga një baba shqiptar dhe një nënë rumune. Shkollimin fillestar, sekondar dhe special në fushë të teknologjisë së naftës dhe gazeve, i kreu në vendlindje, ndërsa Fakultetin e Historisë në Universitetin e Bukureshtit (1956). Në vitin 1948, mban kumtesën e parë mbi Ditën e Flamurit shqiptar në Bukuresht. Në vitin 1980, mbron në Bukuresht tezën e doktoratës me titull “Lëvizja e rezistencës shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore”, rast me të cilin iu dha titulli shkencor “Doktor në Shkencat e Historisë”. Vlen të përkujtohen dhjetëra manifestime masive që organizoi në Bukuresht, Konstancë e qendra tjera, në funksion të afirmimit të diasporës dhe lidhjeve shqiptare me botën rumune.

 

I konsideruar nga ata që e kanë njohur si Dalai Lama i shqiptarëve të Rumanisë, profesor Maksuti ka ndjekur shembujt e shenjtë të rilindësve tanë, duke e afruar, bashkuar dhe afirmuar komunitetin shqiptar, duke e përforcuar miqësinë konkrete ndërmjet Rumanisë dhe Shqipërisë, duke botuar në Rumani, Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni, mbi 400 studime dhe artikuj mbi lidhjet rumuno-shqiptare. Shquhet si autor kontributesh shkencore të historisë moderne rumune dhe universale. Disa nga studimet e tij e kanë parë dritën e botimit në revistat prestigjioze Magazin istoric, Studime historike, Gjurmime albanologjike dhe Historia. Është koautor i vëllimeve Rezistenca evropiane gjatë Luftës së Dytë Botërore, vëll. I, Bukuresht, 1973, dhe Afirmimi i shteteve te pavarura e të bashkuara kombëtare në Evropën Qendrore dhe Juglindore (1821-1923), Editura e Akademisë Rumune, Bukuresht, 1979. Në maj të vitit 1990, themeloi me një grup veteranësh shoqatën Bashkësia Kulturore e Shqiptarëve të Rumanisë (BKSHR), me një numër të panumërt aktivitetesh dhe botimesh. Në gusht të vitit 1993, themelon dhe boton serinë e re të revistës Albanezul / Shqiptari, duke dhënë kontribute konkrete për botimin e dhjetra veprave shkencore dhe letrare autorësh shqiptarë dhe rumunë, në kuadrin e BKSHR-së.

 

Në vitin 1995, profesor Xhelku Maksuti organizoi simpoziumin mbi 400 vjetorin e ardhjes masive të 15 mijë shqiptarëve në veri të Danubit (1595). Në vitin 1999 dha kontribut të denjë për organizimin e një manifestimi dinjitoz në shenjë solidariteti me Kosovën, NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E vetmja që nuk e nderoi këtë manifestim madhështor dhe kërkesën e Parlamentit për shfrytëzimin nga ana e NATO-s të hapsirës ajrore rumune kundër forcave kriminele të Millosheviqit, ishte deputetja joshqiptare e komunitetit shqiptar, Oana Manolescu. Fati i Bashkësisë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë filloi të shuhet që nga viti 2001, si pasojë e faktit se doli në skenë Liga e ligë e e udhëhequr nga një deputete e cila manipulon mbi dhjetë vjet  me buxhetin qeveritar në emër të interesave personale dhe merkanteliste. Në ndërkohë, profesor Maksuti botoi mijëra ekzemplarë të revistës Shqiptari dhe vjetarit Albanezul, me vlera të larta albanologjike, historike dhe letrare, si dhe këto vepra: Historia e Komunitetit Shqiptar të Rumanisë (Kriterion, Bukuresht, 1992), Mbi shqiptarët dhe Shqipërinë, Ararat, Bukuresht, 1995, Nën shenjën e shqiponjës (Ararat, 2001), Historia e Shqiptarëve të Rumanisë (Kriterion, 2003). Nga projektet e parapara për botim: një vepër për Skënderbeun në gjuhën rumune dhe një libër për Kosovën në Bukuresht.             

 

         Pasojnë fotografi me librin “Mbi shqiptarët dhe Shqipërinë”, Xhelku Maksuti me diplomatë shqiptarë dhe veteranë  të komunitetit në varrezat shqiptare të Bukureshtit, Shqiptarë nga Bukureshti dhe provinca në varrezat shqiptare të Bukureshtit, pamje nga revista “Shqiptari” në kohën e Xhelku Maksutit dhe fragment nga studimi i tij  “400 vjet bashkëjetese e shqiptare në trojet rumune”. Në një fotografi tjera vërehet dr. Xhelku Maksuti me dashamirët dhe familjen e tij, pas të cilës jeper një letës e zt. Maksuti me titullin “Dikush duhet ta shpie më tej qenjen e komunitetit tonë“, pason faksimili i një letre drejtuar presidentit Basescu dhe botuar më 2005 në faqet e “Shqiptarit” ku bëhet fjalë mbi dallaveret e deputetes joshqiptare Oana Manolescu e cila manipulon me buxhetin qeveritar të komunitetit shqiptar që derdhet në adresë të një organizate fantazmë e cila nuk ka asnjë shqiptar në gjirin e saj. Pason një letër e Skënder Zogajt nga Kosova i cili shpreh konsiderata ndaj profesor Maksutit dhe reputacionit të tij prej veprimtari të lavdishëm “gjë që, them se, sado që mund t'ju shqetësojnë hijet e këqija mashtrimtare, siç është rasti i pseudodeputetes, nuk kanë se çfarë ju bëjnë, sepse njerëzorja është gjithmonë fitimtare.”

 

         «Shqiptari » i Bukureshtit jep rumanisht një shkrim mbi Shqipërinë turistike, dy artikuj të Florentin Popescut mbi vlerat e mirëfillta të revistës « Kosova » dhe librin « Kosova letrare » të Monika Mureshanit, një fragment reçensioni të Fatbardha Demit me titull « Shqipëria e krasitur » (Albania ciuntita), një studim i dr. Luan Topçiut mbi Mitrush Kutelin, një faksimil të shkëputur nga Interneti me shpjegimin «5.880 euro në muaj për deputetetn joshqiptare të komunitetit shqiptar, e kontestuar nga komunitetit shqiptar.”, ndërsa në kuadrin e fototekës së revistës jepen në kolor fotografi të Gjergj Kastriotit,  Ismail Qemalit, Elena Gjikës (Dora D’Istria), Nënës Tereze, Gjergj Fishtës, Adem Jasharit,  Ibrahim Rugovës   Ismail Kadaresë,   Adem Demaçit, Viktor Eftimiut, aktorit Nicu Constantin dhe albanologut  Grigore Brënkush, për fatë të keq i harruar nga autoritetet e Qeverisë shqiptare, me gjithë përpjekjet permanente të diplomatit dr. Luan Topçiu që këtij Njeriu t’jepet një mirënjohje e merituar nga ana e oficialiteteve të Tiranës.

 

        Pasojnë fotografi tjera me Xhelku Maksutin, Maria Gushon, Luan Topçiun, një sesion shkencor kushtuar 400 vjetorit të ekzistencës shqiptare në trojet rumune (1595-1995), dr. Xhelku Maksuti me fëmijët e tij, Kristia Maksuti me ekipin e Televizionit të Kosovës, diplomati Gheorghe Bucura dhe gazetari i RTV të Kosovës, Kurtesh Devaja, Xhelku Maksuti, Edith Harxhi, Dashnor Dervishi, Gheorghe Micu, një faksimil me artikullin e dr. Maksutit mbi Skënderbeun, një mikroalbum me miq të kulturës shqiptare dhe një nga ballinat e revistës “Kosova” që del në Bukuresht, deri dje me përkrahjen e Qeverisë së Kosovës, ndërsa sot me kontribute vullnetare.

Dy faqet e para të revistës Shqiptari kushtuar Dr. Xhelku Maksutit
Dy faqet e para të revistës Shqiptari kushtuar Dr. Xhelku Maksutit

Kristia Maksuti me ekipin e Televizionit te Kosoves
Kristia Maksuti me ekipin e Televizionit te Kosoves

Nje nga faqet e revistës Shqiptari kushtuar Dr. Xhelku Maksutit
Nje nga faqet e revistës Shqiptari kushtuar Dr. Xhelku Maksutit

Një nga miqtë më të mëdhenj të Kosovës në Bukuresht, Gjergj Bukura
Një nga miqtë më të mëdhenj të Kosovës në Bukuresht, Gjergj Bukura

Paskopertina e revistës Shqiptari kushtuar Dr. Xhelku Maksutit
Paskopertina e revistës Shqiptari kushtuar Dr. Xhelku Maksutit



(Vota: 23 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx