E enjte, 01.05.2025, 09:09 PM (GMT+1)

Faleminderit

Ndue Dedaj: Imzot Kaçorri, protokolli (i paralajmëruar) i një burri shteti

E shtune, 12.02.2011, 08:32 PM


Imzot Kaçorri, protokolli (i paralajmëruar) i një burri shteti

 

Nga Ndue Dedaj

 

Ditën e diel paradite, domethënë nesër, në Durrës do të kryhet ceremonia e ri(varrimit) të Imzot Nikollë Kaçorrit. Vetëm pak ditë më parë eshtrat e tij mbërritën nga Vjena në Tiranë, për çka pati vetëm ca njoftime në gazeta dhe asgjë më tepër. Për ta pritur në Rinas, më 9 shkurt, një “shërbëtor të denjë të atdheut”, nënkryetarin e qeverisë së parë shqiptare, të Vlorës 1912, nuk kishte dalë ndonjë nga udhëheqësit e sotëm shtetërorë, siç do ta kërkonte rangu i të “ardhurit”. Ndërkohë që rikthimi i eshtrave të “Imzotit” të Flamurit ishte bërë me ndërmjetësinë e ambasadës sonë në Austri. As në Durrës, për ku u mbartën eshtrat, atë ditë nuk pati ndonjë pritje protokollare për këtë burrë shteti të Pavarësisë, përpos ndonjë shoqate dhe zotërinjve misionarë të Famullisë së qytetit, ku prelati i shquar pati shërbyer për shumë vite. Padyshim që deri këtu kemi të bëjmë me një protokoll të munguar zyrtar për këtë figurë të rëndësishme të shtetit shqiptar dhe kulturës kombëtare, dhe kështu do ta kishim shënuar dhe në titullin e këtij shkrimi, por nuk deshëm të paragjykonim ditën e nesërme. Ndoshta nderimet shtetërore për nënkryetarin e Qeverisë së Vlorës janë lënë pikërisht për nesër, kur tashmë do të bëhet varrimi “shqiptar” i tij. Në këtë kuptim, mbase protokolli nuk është bërë i ditur zyrtarisht, por ama ai mund të jetë menduar dhe të dielën në Durrës ne do të shohim një, apo disa nga drejtuesit e shtetit. Nuk na takon neve të vëmë gishtin, apo të hamendësojmë, se kush mund të jetë konkretisht nesër në Durrës: Presidenti apo Kryeministri, Kryetarja e Kuvendit apo kryetari i opozitës? Apo të gjithë këta? Paçka se një shtetar i vjetër, si Imzot Kaçorri, do të ishte mbase “personi” i duhur në këtë situatë politike të rënduar që do t’i ftonte për paqe e bashkëpunim burrat e sotëm të shtetit. Ndoshta!... Le të mos shtyhemi më tej në këtë qasje, por na duket e arsyeshme që lexuesin ta bëjmë me dije se të enjten pasdite u ndodhëm në Durrës dhe, nga biseda me monsinjor Damjan Kurtin, mësuam për meshën e planifikuar në Katedrale në orën 10.00, po jo dhe për praninë e mundshme të personaliteteve shtetërore me këtë rast. Megjithatë, sërish preferuam që të mos e paragjykonim protokollin shtetëror, duke e etiketuar atë si të munguar, pasi me të vërtetë dikush në Tiranë, në selitë qeveritare, mund të jetë duke punuar për rastin e papërsëritshëm, dhe se gjërat nuk na duken aq të thjeshta, se bie fjala, si do të mund të njoftohej trupi diplomatik, nëse ai do të ishte i ftuar në këtë ceremoni? Etj. Të gjithëve ju kujtohet kthimi i bujshëm, plotësisht i merituar, i Faik Konicës nga Amerika në vitin 1996, përmes një protokolli shtetëror të admirueshëm, por ndërkohë si mund të përkthehet heshtja e deritanishme shtetërore për kthimin e Dom Nikollë Kaçorrit, për fat të keq, duke operuar me dy standarde, për figura historike të një rrafshi. Konica, si me thënë, e zbuloi flamurin e vjetër të shqiptarëve, duke ua risjellë bashkatdhetarëve të tij ashtu siç ai kishte qenë valëvitur në shekuj qysh nga Gjergj Kastrioti, kurse Kaçorri u bë interpret i shpirtit liridashës shqiptar për pavarësi. Kolosë të ndritur që me atdhetari e diplomaci ditën të luanin në kohën e tyre, duke bërë punë të mbara dhe gjer sakrifica për atdheun. Por Imzot Kaçorri në të kaluarën si duket është ndjekur pas nga hija e të qenët prift katolik, ashtu si dhe të tjerë bashkëkohës të tij, pasi përgjatë regjimit komunist ai më shumë u la në heshtje se u përmend. Në vitin 1962, edhe pse burrë shteti i një formati e profili të veçantë, ai mundi të “meritonte” vetëm një medalje për veprimtari patriotike të klasit të dytë, si të kishte qenë ndonjë luftëtar i “dorës së dytë”, më saktë u vlerësua me aq sa ç’do të meritonte të vlerësohej cilido shqiptar që kishte brohoritur për pavarësinë. Postin e lartë të nënkryetarit të qeverisë ai nuk e përfitoi si dikush nga armata popullore e luftëtarëve, por si një nga prijësit e shquar të kryengritjeve për Pavarësi, sidomos në rajonin e Kurbinit, dhe se jo rastësisht kishte qenë firma e dytë në radhë në aktin e shpalljes së Pavarësisë dhe konstituimit të shtetit shqiptar më 1912. Për më tepër, Imzot Kaçorri ishte ndër njerëzit e elitës kulturore të kohës, siç paraqitet dhe në fotografinë zyrtare të Kongresit të Manastirit (1908) për alfabetin e shqipes, ku ai është në një radhë me Fishtën, Mjedën e të tjerë. Është e ditur se në periudhën e Rilindjes elita kulturore dhe ajo politike ishin të shkrira në një, pasi të gjithë shkrimtarë e politikanë ishin të përbashkuar rreth Flamurit për krijimin e shtetit të tyre. Ata nuk bënin asgjë që prapa t’iu vinte historia, siç ka një dëshirë shpesh të papërmbajtur ndër liderit e sotëm për të qenë, edhe me pushtet të korruptuar sot... edhe me historinë nga prapa nesër! A e keni vënë re, ne ende nuk jemi marrë vesh për liderit historikë të shtetit shqiptar, ndërkohë që përditë flasim për “liderin historik të së djathtës”, “liderin historik të së majtës”, që nuk janë as nga mbretërorët e dikurshëm, as nga grupet komuniste, por i përkasin këtij njëzetvjetshit të fundit, që gjithsekush e di se ende nuk ka hyrë në histori. Pa thënë pastaj se si do të hyjë ky tranzicioni ynë në të bekuarën histori? Me, apo pa merita!... Gjithsesi, nesër në Durrës është dita e Dom Nikollë Kaçorrit, prelatit të flamurit dhe të shtetit shqiptar. Të shohim se si do të jetë protokolli shtetëror. Si do të sillemi me njërin nga burrat e shtetit. Jo për t’i bërë ndonjë nder atij, tash pas 94 vjetësh nga koha kur është shuar, por për të marrë pak nga nderi dhe dinjiteti i tij për politikën e sotme dhe shtetbërjen. Së fundi, në vëmendje të lexuesit të gazetës, po sjellim pak nga kronika e varrimit të Imzot Kaçorrit me 29 maj 1917 në varrezat qendrore të Vjenës. Në ceremoninë e varrimit, përveç kolonisë shqiptare të atjeshme, morën pjesë dhe shumë zyrtarë të lartë ministrorë të Perandorisë Austro-Hungareze, ish-komandanti i krahinës së Tiranës e të tjerë. Kurora të shumta, të shndritshme, mes tyre ajo e shqiptarëve të mërguar, gërshetuar me lule të kuqe e vjollcë, me shirita të gjatë kuqezi, plot kushtime atdhetare, që e përshëndesnin për të mbramen herë misionarin dhe veprimtarin e madh kombëtar. Vdekja e Kaçorrit pati një jehonë të gjerë në shtypin austriak dhe atë vendas... Kështu përfundon kronika e asaj kohe. Po kronika e nesërme cila do të jetë? E një protokolli të munguar shtetëror? Apo e një protokolli të rregulluar në minutën e fundit?...

 



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx