E premte, 02.05.2025, 01:27 AM (GMT+1)

Faleminderit

Sabir Krasniqi: Yjet nuk shuhen...

E diele, 20.02.2011, 08:58 PM


 

YJET NUK SHUHEN...

 

Shkruan: Sabir KRASNIQI

www.sa-kra.ch

 

Në përkujtim të profesorit Bajram Kurti, që u nda nga ne fizikisht më 14 shkurt 2011 - intelektualit mendjendritur, veprimtarit të devotshëm për çështje kombëtare, aktivistit të paepur të pajtimit të gjaqeve, autorit të shumë shkrimeve, e në veçanti të 20 veprave voluminoze për dëshmorët e kombit "Gjaku i Lirisë", i cili i motivuar nga qëllimet më fisnike, më sublime, për asnjë çaste nuk pushoi se vepruari me gjithë qenien e tij, në shërbim të dijës, në shërbim të atdheut, në shërbim të bashkimit kombëtar.

 

Jeta është një rrugëtim!... Rrugëtim nga një skaj, në tjetrin! Proces i natyrshëm i ligjit universal... ritëm i përhershëm i ndryshimeve - lindjes, zhvillimit dhe shpërbërjes...

 

            Shumëkush këtë rrugëtim e mat me hapa! Shumë të tjerë e peshojnë me kohë -  sekonda, orë, ditë, vite të llogaritura në letër... por edhe të tillë që e kalojnë të zhytur në melankoli!... Jeta nuk matet me hapa, as nuk peshohet me kohë, as s'ndalon me vajtime, por me gjurmë - gjurmë të trasuara me bardhësinë e  shpirtit dhe ngrohtësinë e zemrës, gjurmë të trasuara me mprehtësinë e mendjes dhe forcën e veprimit, gjurmë të trasuara me vullnetin e çeliktë dhe sakrificat më sublime... gjurmë të trasuara me vlerat më të larta, më të pastra, më të çmuara, më fisnike: morale, intelektuale, njerëzore e hyjnore... GJURMË QË MBESIN NË PËRJETËSI...

 

            Çdo rreze drite e nxit një shkëndijë... çdo shkëndijë e ka një burim... e kur burimi është i pastër si kristali, natyrshëm, edhe shkëlqim pastaj, nuk mund të jetë tjetër, përpos reflektim madhështor i gjurmëve të arta gdhendur ndër shekuj në obeliskun e pavdekësisë, në majën e të cilit qëndron përherë ndezur flakadani i lirisë - udhërrëfyes brezash në vazhdimësi, që e sollën titanët e kombit, sikurse Prometheu nga Olimpi i shenjt.

 

            TITAN I KOMBIT ishte edhe profesor BAJRAM KURTI - mishërim i dashurisë ndaj lirisë dhe atdheut, intelektualit, pajtimtarit, por edhe guximtarit e rezistuesit - SIMBOL I BUJARISË, MENÇURISË, VENDOSMËRISË DHE SAKRIFICËS. I pathyeshëm sikurse Prometheu, u rezistoi të gjitha sfidave të kohës... padrejtësive, dhunës dhe terrorit barbar, dhe asnjëherë nuk u nënshtrua, nuk u mposht... Nuk iu zbeh për asnjë çast krenaria, as motivi, as vullneti e as dashuria për të shpërndarë dritën e diellit, dritën e dijës, rrezet e arta të lirisë, në çdo cep ku frymon e flitet gjuha e bukur dhe e bekuar shqipe.

 

            Barbarët nuk e dërguan shqiponjën, siç veproi Zeusi  me Prometheun, për t'ia thyer krenarinë, se ky shqiponjë ishte vet, por korbat e zinj të ardhur nga Karpatet që silleshin si sundimtar mbi mbretërinë e shqipeve! Korba në qiell e çakaj në tokë...  vasal, kameleonë, kolaboracionist e mercenar që përpiqeshin të shlyenin çdo gjurmë të lavdishme të historisë... të zhbënin çdo gjë të shenjtë të kësaj toke dardane... ta shuanin flakadanin e ndezur që ndriste, ngrohte dhe ushqente shpresat e vegjëlisë...  dhe në çdo përpjeke për ta shuar, ai shpërthente me fuqishëm, se ishte i gatuar ndër shekuj... me djersë, punë, sakrifica por edhe me barot e gjak!

 

            ...Drita e artë këtij flakadani një ditë praroi qiellin e Kosovës... dhe ngrohu zemrën e vuajtur të kësaj toke dardane... ngrohu edhe zemrën e këtij Titani fisnik. Dhe me ngjyrën e kuqe të penës la gjurmë në histori - përjetësoi bijtë më të devotshëm, ata që mbi supet e tyre dhe me gjakun e tyre mbajtën të ndezur vazhdimisht këtë pishtar shprese, krenarie e guximi...  GJAKU I LIRISË vazhdon të rrjedh në dejtë e çdo shqiptari!

 

            Të pakët janë ata Yje që, edhe kur shkëputën poshtë, i'u bashkëngjiten yjve të mëdhenj të përjetësisë, atje lartë në pafundësi - arrijnë të rreshtohen në panteonin e mendjeve më të ndritura të kombit PËR TË MOS U SHUAR KURRË!

 

I lehtë i qoftë dheu i tokës mëmë që aq shumë e deshi!

 

Ngushëllime të thella familjarëve, farefisit, miqve dhe gjithë atyre që patën nderin ta njohin profesorin mendjendritur Bajram Kurti!

 

Regjistrimet e mëposhtme (ku mes urtakve, intelektualëve e atdhetarëve të kombit, shkëlqen edhe mendja e ndritur e profesor Bajram Kurtit) janë bërë gjatë viteve të Lëvizjes Gjithëpopullore për Pajtimin e Gjaqeve, në Zhur, Billush dhe Murademe (Komuna e Prizrenit) në janar të vitit 1991 me kamerë time amatore. Megjithëse kualitet i dobët teknik, mbeten dëshmi e një lëvizjeje historike ku në emër të atdheut, në emër të lirisë, në emër të bashkimit... u shtrinë duart e pajtimit, u shtrënguan dhe u bënë grushte të fuqishme për pushtuesin që me shekuj e kishte mbjell e kultivuar me çdo mjetë, mes nesh, këtë farë vëllavrasëse. Video incizimet prezantohen publikisht për herë të parë.

 

 

http://www.youtube.com/watch?v=AFxp2RXUquo

bajramkurti1

 

http://www.youtube.com/watch?v=DEMth2krLhI

bajramkurti2



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx