E enjte, 01.05.2025, 09:54 PM (GMT+1)

Faleminderit

Qerim Vrioni: Thimi Raci, një fotograf i dalluar i traditës së rilindësve tanë

E diele, 20.02.2011, 08:58 PM


Thimi Raci, një fotograf i dalluar i traditës së rilindësve tanë

 

Nga Qerim Vrioni

 

      Këto ditë , më 2 dhe 4 shkurt u mbushën përkatësisht, 45 vjet nga vdekja, dhe 125 vjet nga lindja e Thimi Racit, fotografit të vjetër e të shquar dardhar. Përbën një detyrim e, po ashtu një nder përkujtimi i jetës dhe, sidomos i veprimtarisë së tij në lëmë të fotografisë. E, kur thuhet detyrim, kjo ka të bëjë me atë “borxhin” gjithëkohor të pasardhësve për të mos harruar paraardhësit e tyre të dalluar, ata që kanë shtuar qoftë një germë në historinë e kombit në përgjithësi, e atë të artit e kulturës në veçanti. Duke pasur bindjen se Thimi Raci i takon atyre njerëzve që u cekën nga fillimi i shkrimit, po paraqesim një panoramë, ende jo të plotë për figurën e tij.

    Thimi Raci është lindur në Dardhë të Korçës, më 4 shkurt 1886. Ky fshat, në atë kohë mund të “mburrej” se kish nxjerrë një disa breza ikonografësh, punimet (ikonat) e të cilëve stolisnin shtëpi, kisha e manastire në krahinë, por edhe në Greqinë fqinje. Por Dardha, prej gjysmës së dytë të shekullit XIX, e deri në ditët tona mund të krenohet edhe se ishte dhe është historikisht, fshati i parë në trojet shqiptare që ka lëvruar fotografinë, në saje të një dardhari tjetër të shquar, Jani Zengo (1832-1912).  Gjithashtu, fshati dallohej  për  jetesë të qytetëruar, kjo edhe si pasojë e lëvizjeve të dardharëve në qendra të tjera banimi edhe jashtë vendit, deri në Rusi e SHBA.

Rreth moshës 15 vjeçare, më 1901, Thimi Raci, pasi ka kryer pesë klasë të shkollës greke të fshatit, shkon në Rumani (Arkivi Vangjo Ilo). Atje kishte mjaft të mërguar ekonomik shqiptarë, sidomos nga krahina e Korçës. Djaloshi kryen aty punë të rënda fizike, por në të njëjtën kohë atij i kristalizohen  dhe shtohen ndjenjat atdhetare, siç ndodh rëndom tek të larguarit nga vendlindja. Për këtë, patën ndikim edhe veprimtaritë që organizonte Shoqëria “Drita” me qendër në Bukuresht e drejtuar nga patrioti, Nikolla Naço, po nga qyteti i Korçës. (Ismet Dërmaku-Nikolla Naço Korça, apostull i shqiptarizmit, Prishtinë, 2000). Në Rumani, Thimi kaloi me punë nga mosha e adoloshentit tek ajo e të riut të rritur, por dhe “arshivoi” një përvojë jetësore të vlefshme. Në një letër të koleksionistit Sotiraq Laço (dardhar tani me banim në Detroit, SHBA,dt.1932), veçojmë një takim të tij, rreth vitit 1959, me Thimi Racin, të cilin e ati e kishte shok edhe vëllam. Ky i fundit kish dëgjuar një natë më parë orkestrën sinfonike të Bukureshtit, çka ngacmoi kujtimet e Racit që të shprehet se:

         ”E kam parë e dëgjuar kur isha atje, megjithëse bileta ishte e shtrenjtë dhe ne paguheshim pak…..u kënaqa, ja, sikur e kam në vesh zerin e instrumentave që luanin me virtuozitet të madh” (Letër e S.Laços, 18.01.2011). Fakt interesant, një djalë i mërguar fshati që kryen punë të rendë e me pagë të lehtë, mbledh të holla për të dëgjuar një koncert sinfonik. Mbase për këtë e shtytën ca “shkëndijëza arti” që ndoshta ishin mbrujtur në shpirtin e këtij djali të paarsimuar, për të pëlqyer të bukurën. Më vonë, Thimi mësoi t’i bie violinës vetëm në sajë të “veshit për muzikë“, që themi se ishte brenda atyre dhuntive për art që i ishin dhuruar qysh në ngjizje. Gjithashtu, në këtë suazë, shënojmë se ai “në vitet 1906 ose 1908, luajti si amator në pjesën dramatike “Lufta e Trojës” në Dardhë“ (Niko Kotherja-Enciklopedi e fotografëve korçarë-Tiranë, 2010, faqe 15). Megjithatë, fotografia do të ishte ajo fushë, ku do shfaqej më dukshëm sensi artistik i Thimi Racit, ndonëse edhe këtu, jo si fryt i ndonjë kursi apo shkolle të posaçme, por natyrës së tij prej artisti të lindur.

    Pas qëndrimit disa vite në Rumani, Raci kthehet në atdhe, ku ushtron për një kohë të shkurtër në Korçë zejen e teneqexhiut të mësuar në mërgim e, mandej shkon në fshatin e tij ku mëson nga Pero Kaçauni (1870-1949) mjeshtrinë e fotografit, i cili kur u largua për në SHBA (1910), i dha dhe  të gjitha pajisjet e fotografimit. Një vit më vonë, 1911, në Dardhë kishte një dyqan me tabelën “Thimi Ratsi-teneqexhi dhe fotograf” (Arkivi i S.Laços), kohë kur studio fotografike kishte vetëm  në dy qytete, Shkodër dhe Korçë e, jo më në ndonjë fshat. Duhet të kujtojmë se në Dardhë kishte dhe dyqane të tjera shërbimesh si rrobaqepës, këpucar, zdruktar etj, pra ishte si një qytet në “miniaturë“. Fillimisht, Raci, si gjithë fotografët, kohën e harxhonte me fotografimin e komunitetit për raste të veçanta (fetare e familjare) apo kujtimi. Nga disa foto të Racit të periudhës së parë, vërehet përpjekje për të paraqitur subjektet sa më afër natyrës së tyre, kjo dhe me ndihmën e sfondit prej tekstili, të cilin e ndryshonte në përputhje me rastin, gjithmonë me kërkesa për punime të arrira. Madje ai shprehet vetë se:

        ”E para fotografi e mirë që bëra ishte ajo e vdekjes së Papa Naun Zengos (1916)” (Arkivi S.Laço). Nga kjo thënie e tij kuptohet si ai kishte krijuar një farë shkallëzimi cilësor për punimet e, kjo kur ai merrej me fotografim prej 4-5 vjetësh, çka flet për kërkesa jo vetëm teknike, por dhe artistike. Me të vërtetë fotoja që po shqyrtojmë, është kuadruar mjaft mirë, linjat kryesore janë diagonale, që në gjuhën e fotografisë shpesh herë shpërfaq dinamikë e lëvizje, këtu përcjellja e fundit e një njeriu shoqërohet me një vijë diagonale që e përbëjnë fëmijë të vegjël, si për të treguar që jeta vazhdon. Ndoshta, për këtë s’ka punuar gjatë mendja e fotografit, po intuita e tij prej artisti, që ka vendosur ku të qëndroj dhe ç’farë të fusi brenda objektivit të aparatit. Dikush tjetër, mund të fotografonte pamjen frontalisht dhe fotoja të kishte vlera dokumentare (siç ika dhe kjo), por jo dhe artistike si kjo e Racit.

      Ndërkohë, ai fotografon edhe në fshatra të tjerë si në Drenovë, Boboshticë, Sinicë, Qytezë etj (Gazeta “Përpara”-Fotografë dardharë të traditës-nga V.Ilo dhe K.Balli-17.12.1988)n). Gjithashtu, vlen të shënohet se ai, nisi të fotografoj “për qejf” edhe peizazhe, ngjarje e portrete të paporositura (pra të papaguara), që në fund të fundit e përmirësuan nivelin artistik të “shkrepjeve” të tij dhe sollën ngjitjen e Racit në një shkallë më të lartë se fotografë të zakonshëm e pa kërkesa artistike. Fotoja “Shkolla e Dardhës” e vitit 1935, tregon se ai, nga përvoja vetjake, kishte arritur të realizonte peizazhe urbane në një nivel mjaft të pëlqyeshëm. Kësaj fotoje, mendoj se mund t’i vesh posht emrin e ndonjë peizazhisti të njohur pa ngjallur habi tek shikuesi, sepse ai ka gjetur pikën e marrjes më interesante, duke i gërshetuar mjaft mirë objektet kryesore të fotos, si shkolla, muri, dy pemët, kisha, kodra. Edhe shpërndarja e bardhë e zisë në foto është e ngrohtë për syrin, pa kontraste të forta dhe me ekuilibër të gjetur dinamik.

 

     Dy foto të tjera të goditura të Racit janë edhe “Peizazh nga Dardha”(1935) dhe “28 Nëndor 1937”. Në të parën pasqyrohet pamja e përgjithëshme e fshatit nga një kodër, si të ishte fotografuar nga ajri, ndërsa e dyta dokumenton festimet e Ditës së Madhe të 28 Nëntorit edhe në një fshat të largët malor. Kur e sheh foton e dytë në padijeni të datës, mendon se paraqet një shkollë qyteti rreth 2-30 vjet më parë, e jo mbi 70 vite të shkuara. Ndërkohë, Raci fotografon ngjarje jo vetëm të fshatit, por edhe të krahinës, dasma e funerale, pikniket e shumta karakteristike dardhare, si dhe ditë të shënuara pagane e fetare, ku shpaloseshin veshjet origjinale të Dardhës si xibuni i grave dhe mandio e burrave. Ai ka fotografuar disa here, në largësi kohore prej shumë vjetësh, gratë e fshatit duke hequr të famshmen “Vallen e Dardhës”, foto që janë shtypur edhe si kartolina e qarkulluar në vend dhe jashtë.

       Përpos, punës me njerëzit e zakonshëm të fshatit dhe krahinës, Raci “me aparatin e tij ka fiksuar figura atdhetare si Sotir Peci e Hilë Mosi, dëshmorë të Luftës Na-Çl, luftëtarë të çetave atdhetare etj. (Gazeta “Bashkimi”-Një fotograf i vitit 1908-nga Rinush Idrizi-13.08.1984). Po ashtu, atë e tërhiqnin edhe  objekte të veçanta si ura, shtëpi të ndryshme nga të tjerat, ndonjë rrugë fshati etj. Nga ana teknike, Thimi Raci, ka përdorur aparatin me pllaka xhami të vendosur mbi trekëmbësh. Aftësia e fotografit që punonte me to, qëndronte edhe në përcaktimin e saktë të kohës së ekspozimit të imazhit. Kjo arrihej duke e hequr kapakun e objektivit e, mbajtur hapur atë për aq sekonda sa mendonte fotografi se ishin të nevojshme për një foto të pastër. Fotot e Racit, tregojnë se ai, e kish arritur gjetjen optimal të kohës së ekspozimit të fotografive, në saje të përvojës dhe aftësive të tij.

        Prurja tërësore e Thimi Racit, shumica e të cilës ndodhet ne pllaka xhami ne Arkivin e Shtetit, ngërthen gjithë historinë 5-60 vjeçare tç Dardhës, trajtuar me syrin e një fotografi të lindur siç ishte ai, madje dhe të një njeriu miqësor e mjaft dashamirës. Me fotot e tij është botuar më 1938, albumi turistik “Dardha”, i shoqërive dardhare “Bashkimi” në Bukuresht dhe “Shpresa”në Dardhë, nën patronazhin e Entit Kombëtar të Turizmit. Ballina e albumit që paraqet një vajzë nga fshati, është krijim i piktores së njohur Androniqi Zengo (Antoniu) (Albumi fotografik “Dardha”-Tiranë, 1938).  Thuajse, të gjitha punimet fotografike të Racit, u dorëzuan në Arkivin e Shtetit në pllaka xhami (thuhet se janë rreth 2000 copë), ndërsa aparatet fotografike iu falën Muzeut Historik Kombëtar. Shumë foto gjenden të shpërndara në njerëz të ndryshëm jo vetëm nga Dardha, por edhe nga qytete e fshatra të tjerë. Do ishte një punë vërtetë e lavdërueshme, hedhja në letër fotografike e pamjeve të pllakave, si dhe mbledhja e fotove të përhapura andje-këndej. Atëhere, mund të paraqitej e plotë vlera e fotografisë së realizuar nga Thimi Raci. Afër mbylljes së shkrimit, duhet theksuar dhe figura e pastër morale e tij, dëshmimi për këtë është edhe caktimi i tij epitrop (ekonomat, financier) i të ardhurave të kishës së Dardhës për një kohë të gjatë.(Arkivi S. Laço). Mjeshtërinë e fotografit Thimi, ia përcolli edhe të birit, Andreas, i cili u muarr mjaft me fotografinë, por pa arritur nivelin e të atit.

   Thimi Raci është ndarë nga jeta më 2 shkurt 1996 në fshatin e lindjes Dardhë, ku u përcoll me nderime të merituara nga bashkëfshatarët për në banesën e fundit. Le të jenë këto rreshta si një homazh që i bëhet këtij fotografi të dalluar të traditës shqiptare të “dhomës së errët”. Ndoshta për Thimi Racin shkon shumë thënia e fotografes së njohur amerikane Dorothe Lange se “Nuk është gjë e rastit që fotogrfai bëhet fotograf dhe nuk zgjedh profesion tjetër, ashtu siç nuk është e rastit që zbutësi i luanëve bëhet zbutës i luanëve”.   

 



(Vota: 16 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx