Kulturë
Pirro Loli: Metodë për leximin e hirit (I)
E diele, 28.11.2010, 08:18 PM
Piro Loli u lind në Zagori të Gjirokastrës, më 10 shtator 1945. Arsimin fillor e kreu në vendlindje, ndërsa tetëvjeçaren në Durrës. Në vitet 1960-1964 mbaron shkollën pedagogjike në Elbasan. Mësimet universitare i kreu në Tiranë (1964-1968) në Fakultetin Histori–Filologji, dega Gjuhë-Letërsi. Ka filluar të merret me letërsi që në vitet 70`. Në vitin 1993 emigron në Athinë familjarisht. Shkruan poezi, prozë, kritikë letrare dhe esse. Librin e parë e ka botuar më 1974 “I dhjeti nga tanët” me tregime.
Për 15 vjetë iu hoq e drejta për të botuar, por pas viteve 90` u rikthye me këto libra:
POEZI:
DRITA E VETËTIMËS (shqip dhe greqisht)
DHIMBJA E URËS (shqip dhe greqisht)
DRITARET E SHIUT
VDEKJA E TRËNDAFILËVE
URDHRI I LOTIT
ESSE:
ITAKA BRENDA MEJE
KOSOVA, SAGA E BALLKANIT (bashkëautor)
si dhe dhjetra esse, botuar në shtypin periodik në Greqi dhe Shqipëri.
ROMANE:
LOTËT E DIELLIT
INTERVISTË ME NJË GUR
QENI PLASTIK
PIRAMIDA PREJ MJALTI
DASHNORJA MISTERIOZE.
PIRRO LOLI
METODË
PËR LEXIMIN
E HIRIT
METODË PËR LEXIMIN E HIRIT
Nëpër duar po ua lë lëndën e ftohtë
Hermetik është hiri
dhe Koha e shkuar
Nëse doni të lexoni fletët e hirit
Dhe kujtimet e zjarrit
Ringjallni barishtet, degët e gjethet
Trungjet e trashë që kam djegur,
Temperaturat. Gjeni flakët e kaltra
prushet dhe flakët e puthjeve
ku dimrat ngrohin duart.
Edhe me një qiri në cep të syrit
Mund të shikoni zambakët
të çelur. Metafora të shuara pemët.
Ndoshta,
me një fije shkrepse ndizet çarçafi i diellit
E merr trajtë vdekja e poetit
E butë
Fosforeshente
Që fëshfërin e mëndafshtë
Në një natë të bardhë
Prej hiri
Dhe letre....
POEZIA NE VETEN E PARE
Jam re e bardhë
Që më shtyn era
Rrëshqas para pasqyrës
Për pozën e çastit
Dhe ndryshoj sërish
Në sallonin e modës.
Në asnjë pasqyrë nuk më duken
kapilarët e gjakut As pesha e diellit të shkrirë
mbi shpinë.
Ëndërrat prej shiu
ma përmbytin shpirtin.
Qarkoj në vetvete dhe nuk ia tregoj as pasqyrës
sisët që më varen në qiell
Për të ushqyer buzët
e gurit
me qumësht.
PERVOJE VETVRASJEJE
QE PERFUNDON ME KITARE
Diçka i mungon tablosë sime
Ndoshta era tek një qime floku
Një zog përtej kornizës
Apo një ulërimë qeni në periferi të qytetit
E grisa, e shpova me gozhdë
E çava me thikë
E pështyva telajon dhe pasqyrën.
Kokën e fsheha në barkun e kitarës.
S’ka lindur akoma djalli që ta kurorëzoj vetveten.
Në këtë përleshje ngjyrash.
Të mposhtin mungesat
Pres
Të më trokasë djalli në xhamin e dritares
Ta nis përsëri kryqëzatën
Të hyjë era dhe zogu
Dhe ulërima e qenit
Ta përplas pas murit kitarën.
VARRI I ZOGUT
Ai e ka zemrën te krahët
orë e çast
ndërton skelete të reja fluturimi
dhe nuk i dihet as gjethja e gjumit
As pllaka e varrit
kish një brengë
Që ia dogji gushën
E diku mbeti si tingull Si një pikë diell
Që shuhet e shuhet e shuhet
Shpirt i pushtë me pupla mëndafshi
Më kot ta kërkova varrin në tokë
S’t’i gjeta dot ato pesë kocka të holla pentagrami
hapur si partiturë cicërimash
në ajër
DETI GENJESHTAR
Më kishe premtuar një sirenë zëëmbël,
Të ma nxirrje në breg lakuriq
vetëm zërin i doja
Le të ishte sirena e vdekjes
Por, ti, më dole i pabesë, o det...
Gjuha jote gënjeshtrambushur, dallgët e tua njera pas tjetrës
Zhurmojnë tërhiqen turfullojnë e shpërbëhen në shkumë.
Vetëm sirenën zëëmbël doja
Nuk të kërkova
As yje të argjentë, as rubinë e thesare
Ti,
Nga buzët e ujta pështyn leshterikë të zinj
Alga të kalbura e gëlbaza të kripura
Prej honesh të thellë
O det, o det!
nëse nuk ma sjell sirenën
Pingul do hidhem mbi ty,
prej gryke do të të kap të të mbyt..
PËRROI I KRIMBIT
(brezit tim)
Do ta marr zemrën tënde,
Ta hedh si ftua të kalbur në një shportë vjeshte !
Keqas është plagosur që foshnje
në një lulekrimbi
që në syth.
S’e kapërceve dot përroin e krimbit
Ai krimb i dhjamur pa sy pa veshë
Si ushtar prej plumbi
lirshëm të lëviz Nga veshka në barkushë.
Rrëkera me gjak të ndryshkur qarkullojnë në zemër
Në mish të vetvetes Më kot jep e merr
thika e kirurgut.
Përroi i krimbit s’kapërcehet me hap.
ABORT
Poeti është një grua që aborton
Mos më pyesni për seksin As Për ato copa diejsh
këputur nga mitra e poetit Që shprishen e shprishen
sa mezi dallohen dy sy me gjak të pabërë
dhe dy buzë plastike.
Me barkëzën time prej letre
Lundroj në një det mëkatarësh
Besoj vetëm këtë kryq në qafën time
Këtë kryq. Si zemrën e një foshnjeje
Që më thërret të mbytem.
Të mbytem Në krahët e një batice
Ku
Me njëqint stile spektakulare
Puthen dy delfinë të dashuruar.
SYRI ME MBETI NGA DETI...
Nuk ka ishulli im
as ngrica as furtuna të nënujshme
Të ma këputin spirancën.
Më shtrëngon në fyt Ky zinxhir metalik,
i përjetshëm E monoton.
Sytë më mbetën nga deti Enden
nga një barkë në tjetrën
Fshehtas hodha dorashkat dhe këpucët në dallgë
Dhe buzët i nisa në në një sqep pulbardhe
Mu kthyen duart prej uji
Këmbët e saj si barka të përmbytura
Dhe këmishën nuk di ku e shpuri shkuma.
Në dhëmbët e dyshimit
Pezull valavitem
Në spirancën e florinjtë
Atëhere, shkula zemrën E hodha në det
dhe u mbyta.
KEQKUPTIMI I CASTIT, RRËNJËT
E vetme është kupa e qiellit mbi tokë
Dhe nën këmbët e mia
Një pikë qielli është dhe kjo pemë
Ku kam hipur. Gjethet dhe dhe zogjtë
Që më rrethojnë
Keqkuptimi i çastit janë rrënjët
Vjen një erë e lehtë
E pema kë - ngë - zon,
Drithërohet dega
dhe gjethja bëhen zog...
dhe unë Para se të bëhem krejt i kaltër
Dy tre cicërima do lë në sqepin e erës
Që ti lehtësisht të ma gjësh portën
Në ajër.
PULSI I DHIMBJES
Të përpikta lëkurët e njeriut në garderobë
Nga e para deri tek e shtata Të trasha e të rrëshqitshme
Të papërshkueshme
nga shigjetat, ngjarjet, situatat.
Unë e çvesha në heshtje lëkurën time
E vara në pemë ta hanë mizat.
Dhe mbeta mish i freskët
Me dhimbjen lakuriq.
E prushtë dhimbja
Shkumëzon në mua
Dhe e djeg palcën e gurit.
Tani mund t’i falem copës sime të bukës
Si dhimbjes Dhe ju
mund të ma mbërtheni kyqin e Krishtit
mbi shpatulla ta mbaj
Peshën që më takon .
GURET E URREJTJES
E shtërngova në grusht gurin tim
Deri në përgjakje
Që guri të mos përplaset me gurë
Le të flerë urrejtja në vezën e gurit
Dhe nëse e çel e nxehta e korrikut,
Si zog ogurzi
do ta lë të vdesë.
Shtrirë të mbeten krahët e mi
Deri te kufiri i gurit dhe i gjarprit
Të më rrjedhë gjaku nëpër gishta
T’i mbulojë bari
gurët klimaterikë Dhe distancat.
JASHTË VARREZËS
Të vrarët e kampeve kundërshtare
U rreshtuan me të mundurit
Nga të dyja anët.
Ata nuk ankohen për plagët e dhimbjet
Përqafuar rrinë, kafkëshpuar
Me njeritjetrin
në paqe.
Krimbat e lavdisë
Krimbojnë mbi plagët imagjinare
Si krimbat e nëntokës…
Pa sy
Pa veshë
Jashtë varrezës
Sqepojnë në mish.
KAPROLL GUSHËBARDHË
E arta rreze dielli
Ra si tingull mbi ballin e kaprollit
Dhe e zgjoi
Brofi me një flutur në sy
E turbulluar Pllajës së bredhave
vrulltas u hodh Nëpër mjegull.
Në shtegun e bardhë
Ballëpërballë me mua gjahtarin
Buzëqesh gushëbardhi i habitur
M’u drodh qerpiku i syrit
Dhe shtanga
Me njëmijë diej në bri
Mua më vrau kaprolli
TRADHETIA SI VARIANT
Alternativa e fundit tradhëtia. Si vdekja
Që nuk të gënjen.
Në fillim tradhëtojnë sendet
Dhe kur i ke në dorë. Lagrohen pak nga pak
Nipat dhe djemtë. Dhe dashuria për atdheun
Bëhet vdekjeprurse. Mish i këputur.
Torturë e shkurtër. Tradhëtia
Mbushur me ankthe duelesh të humbur.
Dikush në breg hingëllin egër e shkumëzon
I gatshëm t’i kryqëzojë shpatat
Por unë, si kalorës mesjetar, shtërngoj frerin
largohem fisnikërisht
T’i ruaj distancat.
KUNUPI
Bashkë me ajrin e kulluar Në dhomën time
hyn dhe një kunup Që e tërheq drita e vonuar
Tërë natë vjen vërdallë,
imcak
Që s’ta sheh syri
Tinëzisht
Ma ngul thumbin në mishrat e përgjumura
I bezdisur zgjohem,
e shoh triumfatorin
Në mur.
E shtyp me çka më ndodhet në duar e
Mbetet njolla e vockël e pistë
Si vulë
Shkruar me zorrë milimetrike kunupi
Ku shquhet qartë vetëm
Pika e gjakut që kishte thithur nga unë.
ELEGJI PER PEMET
Njerëz të përsosur.
Vuajnë burgimin e përjetshëm. Në heshtje. Rrënjët
Si pranga në kyçet e këmbës. Deri në palcë duruar.
Varreve të thellë ku humbet zëri.
Ua dëgjoj pulsin e dhimbjes
Gjakun në vena dhe frymëmarrjen
Mua , e dashur
më tmerron ajo klithma e tyre e heshtur
Dhe paralajmëroj
të ardhmen tragjike të pemëve
Panjat dhe bredhat ende të pakorruptuar
Nuk dinë të mbrohen
As të shajnë as të intrigojnë Pemët
Por ti, mundohu t’i ikësh fatit
Mbetmu panjë e bardhë
Dhe unë si bredh
Të të qëndroj rreth shtratit.
EMBRIONI
I porsaardhuri është i huaj Si bebe e syrit embioni
Pak nga pak rritet në mua Si përbindësh i verbër
Së pari sheh e prek atë Që do të mohojë
Tradhëtar i dashur është
Si Juda
do të më shesë me të puthur
...
Mbi poezitë e vrara shkruhen poezi të reja
Vazhdon shkatërrimi i botës….
Po muzgu i habisë sime
Nguron për të ikur.
SHALLI I YLBERTE
Historinë e Nojës e përpiu harresa
Nuk do të ketë më përmbytje totale
Në të dyzetën ditë
Shkrepi dielli dhe si firmë surrealiste
Midis dy brigjesh U var shalli i ylbertë.
Shtatë ngjyra lagin shirat
Shtatë duar krehin flokët e tua
Shtatë lule plagësh djegin trëndafilat.
Kjo foshnjë në barkun tënd
Garant për të gjitha nënat
Do të jetë i bukur
si Krishti
Në gushën e bardhë
Akoma pa lindur
ka shallin e ylbertë.
RËNIE
Parashutë lidhur me njëqint fije
Krahëhapur lëkundem majtas e djathtas
Zemërngrirë në ankthe sekondash
Vetëm në
R
Ë
N
I
E
ekzistoj
Tek zbres për t’i njohur të gjitha
Qorrsokaket, korridoret, humnerat
Dhe varret.
TEATER ABSURD
Salla e parlamentit plot e përplot me të gjallë e të vdekur
Aktorë e spektatorë, pa mish në faqe
me skelete kockash Të etur për role historikë
Kocka të holla gishtash
Brinjë të thyera në traun e ekuilibrit
Vertebra të shtrëmbëruara “strategjike”.
Teatër absurd. Në kërkim
të një regjisori. E lashë skeletin tim.
të copëzuar jashtë porte E në duart prej mishi
Mbajta vetëm kockën e rrumbullaktë të ballit
Për mirëkuptim.
HARRESA
Ky lumë nuk e arrin kurrë detin
Mbyturazi mërmërin Në kafka kujtese
mbi heshtjen Dhe asgjënë.
Jo të vdekurit por të gjallët
E pijnë lumin e Lethes*me dëshirë
dhe ujët e mallkuar ua errëson damarët.
Gjarpërinj të hirtë
ëndërrojnë këmisha të harruara stërgyshësh.
klithin hardhuca prejhistorike
Dhe dinosoarë modernë.
Gëzhoja të shuara. Nën rërë.
Heshtin fosilet e krimit
ngjarjet dhe sendet.
*Lumi i harresës.Sipas legjendës,më i madhi lumë i skëterrës.
FRIGORIFER
Kanë zënë brymë
Të gjithë demonët e dashurisë në frigoriferin tim
Dhe buzët dhe puthjet. Të detyruar jemi
Orë e çast t’i falemi tiranisë së dimrit që
Me mirkuptim po na i merr të gjitha stinët.
Bula djerse çelin limonatat e ftohta
Dhe mollët. Me akull është mbuluar mishi
Në katin e sipërm.Vdiq nga torturat
Pjeshka me pushin në faqe.Plasi një shishe birre
E harruar.
Zgjatemi nëpër katet e borës Sadopak
Dimrin ta zbutim
Me frymën e duarve tona.
DJALLI DHE POETI
Thika që rrotullohen
Në teh të njera tjetrës
Demon që çel nga lulet
Apo lule që çel nga demoni
Ai i hoqi maskat
E dashura ime
Diku përtej bregut më kot më lutet
Ta ndajmë së bashku vdekjen
TRE LITARE MA SHTERNGOJNE FYTIN
Erdhi flutura e
Fap e fup me peshqir të bardhë
fikte dritat në lulet e qirshisë
Pastaj u harrua në një puthje
Tek vathët e varura gushës së jargavanit
Qirshia u deh e u shkri si diell
nga rrënja në gjeth. Si zile
Tringëllinë vathët e jargavanit
Trekëndësh varur në qiell
Tre litarë ma shtërngojnë fytin
Flutur, qirshi, jargavan.
DERRAT E ODISESE
Odiseja me ndihmën e Hermesit
Përsëri i ktheu derrat në njerëz
Por,
Nuk e mendoi pengesën e re :
Rrebelimi i erdhi nga derrat :
“Nuk e duam fytyrën e njeriut - i thanë
Ishim më mirë derra të zhytur në llucë
Pa asnjë ide për vdekjen dhe perënditë
Pa ankthin e tmerrshëm të kthimit.
Na i kthe lëkurën e trashë
Qimet në trup dhe katër këmbët…
Na i kthe bishtin e vogël për të trembur mizat
Dhe dhëmbët e dalë në nofull, imzot
Pse s’na le të hamë bar dhe rrënjë shkurresh
Urithë të ngordhur dhe zhardhokë në govatë
Imzot, ne nuk e duam kthimin në Itakë..”
E VERTETA
Ma çau syrin e vërteta
U ul tek unë si në shtëpine e vet
këmbëkryq në retinë.
Më kot e ushqeva me çokollata
M’u mpak e m’u hollua si fije peri
Deri në mosnjohje. E vërteta.
Një lumë i tërë mbledhur në bebe të syrit
Që nuk del dot nga vrima e gjilpërës…
Hetuesit hetojnë aktin e fundit:
Kur ajo mblodhi krahët
Qëndroi në zgrip të qerpikut
Dhe vertikalisht u hodh në humnerë…
NJË VIZITË NË ARDHMËRI
I tepërt u ndieva
atje ku humbet kufiri dhe lumi
atje ku vdekja trokon me potkoj të florinjtë.
Më kot i paskam dashur lulet dhe zogjtë
(nuk e paskam hapur dot një dritare në pemë)
Atje më mungonin të gjithë të njohurit :
“Nderet e Kombit”, putanat, shkencëtarët e poetët.
Hije kishte.Vetëm hije
thonjtë u ishin rritur pas vdekjes
dhe ca qime të hirta në mjekër.
Mora xhaketën dhe u ktheva
Nuk e pashë dot fytyrën e ringjalljes sime.
MEDALIONI I NERONIT
Në tregun e arit Shiten dhe medalonët e Neronit
derdhur në varse për çelsa
Dhe çakmakë për të ndezur cigaren Dhe kryqe Krishti
për t’i varur në gushë Dhe orë me akrepa
si thika të holla gijotinash.
Të florinjta, të argjenta
Lodrojnë mbi kafkën e Neronëve modernë.
Dhe zogu im ka një unazë hekuri
Me inicialet e Neronit në këmbë.
Vjeshta m’i hëngri gjethet e hardhisë
Dhe unë, zogu këmbëlidhur, sqepoj kokrrat e rrushit
Si saçmat e derrit të egër më mbeten në grykë…
KERKESE PER VETVRASJE
Qysh herët zbriti drakulla nga përrallat
Ku mbante ndër dhëmbë rrënjët dhe burimet
Dhe e sigurtë u strehua në një shpellë të mishtë
brenda njeriut.
Dhe nuk ka asnjë kërkesë, fjala vjen
Që ta shqyejë trurin dredharak dhe zemrën e zezë
U mësua me organet e brendshme si me vetveten
Dhe nuk e sulmon as tigri as luani as gjarpri atë shpellë.
Ia njohin kurthet e fshehta sytë e zjarrtë
dhe dhëmbët prej drakulle.
Herë pas here vetëm poetët dhe artistët
varin nekrologjitë e tyre në shtyllë
Pa dhënë spjegime pse varën veten.
KUJTIMET
I vrava të tëra kujtimet
Që nga palca e kockës
Gjer në rrëmb të syrit Milingonat
M’u duk se shpëtova nga hijet
Por fillova të vdisja dalngadalë. Gjaku m’u ftoh
I mbytur po zhytesha në një lumë të thellë
E asnjë fije kashte nuk gjeta dot
Të kapja dorën. Në çastin e fundit
Thirra përsëri milingonat e dashura
Që kishin shpëtuar nën lëkurë
Hamëni - u thashë - pickomani trupin
Që përsëri të ndjehem
I gjallë.
SHPELLAN NË SHPELLINË
E frikshme
Kjo shpellë ku digjen lulkuqet
e pikturoj zogj të ngrirë
zogj historikë
Sqepkyçur nga e pathëna.
Kuq e zi
Një e kuqe e nxehtë
mbi të zezën valë.
I rëndë ky mallkim kuqezi mbi mua
Shpellan në shpellinë
Rrethuar nga hije
e statuja.