E enjte, 10.10.2024, 03:45 PM (GMT+1)

Kulturë

Artistët shqiptarë të Luftës

E diele, 23.12.2007, 01:06 AM


Nga Admirina Peçi

Fotografi shkodran, Shan Pici nuk jeton prej vitesh. Kësisoj s’mund të na tregojë detaje për një histori që na intereson. S’mund të na rrëfejë për pasionin e një djaloshi, që i pëlqente t’i kalonte ditët e pushimeve në Shkodër, mbyllur aty në dyqanin e tij, ku laheshin filma e mandej dilnin në dritë fotografi të mrekullueshme. Por, djali i tij Nikolin Pici i mban mend si sot rrëfimet e të atit. Ndërsa na tregon një fotografi, ku shfaqet portreti plot dritë i Qemal Stafës, na thotë se ajo foto është realizuar diku në fillim të viteve ’30-të në studion e të atit. “Qemal Stafa, siç më tregonte babai, ishte shumë i apasionuar pas fotografisë. Im atë i detyrohej një nder babait të Qemalit, dhe si shpërblim kishte vendosur t’i jepte mësime dhe këshilla Qemalit mbi fotografinë. Deri vonë ka qenë në një muze edhe aparati fotografik që përdorte Qemal Stafa në ato kohë”, - tregon Nikolini, ndërsa shpjegon se djaloshi me shumë pasione e ideale, pëlqente që çdo vit, kur mbyllej sezoni i mësimeve, të shkonte në studion e mjeshtrit Shan Pici e të mësonte sekrete nga bota e fotografisë...

***

Kjo është veç një parantezë. Është vetëm një pjesëz e botës artistike, ku Qemal Stafa dhe shumë idealistë të tjerë si ai në moshën e adoleshencës, ndikuar mbase nga e gjithë fryma intelektuale e viteve ’30-të, ndjenin, krijonin dhe kishin një botëkuptim mjaft larg nga ai që mund të përfytyrohet sot për një 15 apo 16-vjeçar. Ndërsa pyesim për aparatin fotografik që mund të ketë mbajtur Qemal Stafa në ato vite në Shkodër, mësojmë se ai ishte i prirur dhe për muzikë. Në Muzeun Historik Kombëtar na thonë se ruhet ende sot violina e tij. Ndërsa Mehmet Gëzhilli, publicist dhe botues, na zbulon një thesar. Rastësisht ka nisur të mbledhë krijime artistike të djemve dhe vajzave të viteve ’30-të, të cilët më vonë përqafuan idealet komuniste, u ngjitën maleve për të luftuar dhe mbetën të vrarë. “Ata nuk mundën t’i zhvillojnë e kultivojnë talentet e tyre, por lanë gjithsesi gjurmë të qarta. Janë hartime shkollore, skica, poezi dhe proza të shkurtra, vizatime, piktura dhe punime të tjera artistike, si qëndisma e gdhendje në dru a metal, të cilat dëshmojnë talentet dhe botëkuptimin e tyre”; ndërsa na thotë këtë, Mehmet Gëzhilli ka nisur të na tregojë për një varg të gjatë emrash djemsh e vajzash të atyre viteve, që ushqenin ëndrra për artin, letërsinë dhe filozofinë. Na thotë se në shtëpinë e tij ruan prej vitesh një kolanë të tërë me vepra të të rinjve artistë, që mbetën të vrarë në luftë. “Prej shumë vitesh kam mbledhur gjithçka sa i takon krijimtarisë së tyre, letërkëmbimeve dhe ditarëve. Kam kërkuar nëpër muze dhe në familjet e dëshmorëve. Rezultati i kërkimeve ishte mbresëlënës. Portrete, vizatime, punime artistike, kujtime, ditarë, poezi, proza, studime, dhe projekte... ata ishin të papërsëritshëm... Djem dhe vajza me ideale, me ëndrra, tepër të kulturuar dhe të talentuar”. Gëzhilli thotë se që në vite të diktaturës u hodh ideja që ai material i pasur të botohej në pesë vëllime. Ideja u hodh nga kryetari i Akademisë së asaj kohe, Aleks Buda. Por nuk u çua kurrë në fund. Aleks Buda, një pjesë të mirë të tyre i kishte pasur dikur nxënës. “Ai shprehu idenë që të botohej kjo krijimtari në korpusin “Trashëgimia kulturore e popullit tonë”. Dhe tha se nuk nguronte aspak ta bënte këtë”, - thotë Gëzhilli, duke cituar profesor Aleks Budën: “Nuk kemi pse të druhemi se do të na thonë akademikët e botës, pse po botojmë krijimtarinë e këtyre çunakëve; përkundrazi, do t’i themi botës që ata do të ishin ekonomistët, këshilltarët, ideologët e sotëm. Ata do të ishin sot këtu në Akademi, por ata u vranë. Ishin ata nxënësit tanë që u hodhën të parët në barrikada, dhe për fat të mirë ne i ndoqëm pas, se po të mos i kishim ndjekur, kush e di se ç’rrugë do të kishim marrë!”
Por siç tregon Mehmet Gëzhilli, kaloi pak kohë dhe pas gjashtë muajsh prof. Aleks Buda u paralizua dhe u tërhoq nga aktiviteti i tij, e për fat të keq, ky projekt nuk u çua dot në fund.

***

Gëzhilli rrëfen sot, thuajse 30 vjet më pas këtij projekti, se fillesat e kësaj pune ishin shumë herët që në kohën kur ai ishte student. “Unë bashkë me një grup tjetër studentësh ushtarakë dhe një sërë kuadrosh të Ministrisë së Mbrojtjes vendosëm që të botonim disa vëllime me jetën dhe veprën e dëshmorëve. Filluam të grumbullonim materiale në të gjithë Shqipërinë. Në fillim ishim një grup shumë i madh rreth 50 vetë e në fund mbetëm vetëm përgjegjësi Resul Dedo, dy ushtarë dhe studenti Fluturak Gërmenji dhe unë. Botuam katër vëllimet e para, të cilat u shtypën shumë mirë në Kinë me titull “Yjet e pashuara”. Ishin ese të shkurtra, që plotësonin një boshllëk të madh për kohën. Ato libra mbeten pikë reference edhe sot”. Botuesi Gëzhilli thotë se që nga ajo kohë nuk reshti së kërkuari për materiale të tjera të këtij lloji, nëpër arkiva shtetërore dhe të familjeve të personazheve që tashmë iu kishte kushtuar gjithë impenjimin e tij. “Fillova të mbledh të gjithë materialet, sidomos ata që kishin të bënin me krijimtarinë letrare të tyre. Duke shkuar nëpër arkiva dhe muze, e në veçanti në familjet e dëshmorëve, u mblodhën aq shumë materiale sa kur i seleksionova ishte një korpus i tërë me 5 vëllime, poezitë e dëshmorëve, proza, letrat e tyre, ditarët dhe vizatimet e punimet e tjera artistike të tyre”.
Mandej, botuesi dhe publicisti Gëzhilli na tregon për një ekspozitë. Është pikërisht ekspozita për të cilën një ditë më parë mësuam në muzeun Historik Kombëtar, nga punonjësja Sotirulla Hoxha. Sipas Sotirullës, ajo ekspozitë ishte e tëra me vizatime e piktura të dëshmorëve si të Jordan Misjes, Vojo Kushit, Kristaq Tutulanit, etj. Realizuesi i kësaj ekspozite ishte vetë Mehmet Gëzhilli, i cili tregon se “në maj të vitit 1984 bëmë një ekspozitë shumë të thjeshtë në Përmet. Mbaj mend se nuk kishim kartonë për të ngritur ekspozitën dhe i morëm në fabrikën e trikotazhit. Në këto kartonë vendosëm vizatimet dhe i ekspozuam. Me rastin e Kongresit të Përmetit erdhën në festë edhe qeveritarë, të cilëve iu bëri përshtypje kjo ekspozitë dhe vendosën ta sillnin në Tiranë. Duke ditur që në Tiranë ajo ekspozitë do të prezantohej para një publiku shumë të gjerë, punuam rreth 1 vit e gjysmë dhe në 1986-ën, këtë ekspozitë e hapëm në Tiranë më 5 Maj, Ditën e Dëshmorëve dhe ishte programuar të qëndronte e hapur deri me 10 korrik. Por meqë kishte shumë interes, ajo u la deri në shtator të atij viti”.

***

Gëzhilli na tregon se në atë ekspozitë ishin përfshirë vizatime e krijime të tjera artistike që nga Qemal Stafa apo Jordan Misja që ishte një piktor i mirëfilltë (ai kishte studiuar për pikturë në Firence), si dhe shumë punime të tjera vizatime, qëndisma, punime artistike thjeshtë shpirtërore, të tyre”. Sipas tij kjo tregon se ç’shpirt artistësh kishin këta njerëz. “Vetëm njerëz me ideale të mëdha mund të bëjnë gjëra aq të mëdha siç ishte Lufta për çlirimin e vendit. Nuk ishte gjë e pakët të organizoje 25 brigada në këtë Shqipëri kaq të vogël dhe t’i vije përballë dy koalicioneve shumë të fuqishme siç ishte fashizmi italian dhe nazizmi gjerman”. Por nga ana tjetër cilët ishin këta njerëz? Ishin të gjithë të shkolluar, pjesa më e madhe nëpër gjimnazet e hapura në të gjithë vendin, si Liceu i Korçës, Normalja e Elbasanit, Gjimnazi i Shkodrës, i Tiranës, apo Gjimnazi i Gjirokastrës dhe Shkolla Tregtare e Vlorës.
“Një pjesë e tyre kishin studiuar jashtë vendit. Nëse do të kishin jetuar, ata do të ishin piktorë, shkrimtarë e poetët e ardhshëm të Shqipërisë, - thotë Gëzhilli, ndërsa përmend disa prej krijimeve të tyre. “Të shikojmë poezinë e Jani Dodes. Është një lirik i jashtëzakonshëm. Befasuese janë hartimet dhe skicat e Qemal Stafës. Vetëm po të shohim “Jetë e re lulëzon gërmadhash”, që ka zbërthyer dy vargje të Shilerit nga “Vilhelm Teli” kuptojmë se sa largpamës ishte ai dhe të gjithë të rinjtë e brezit të tij.
Gjikë dhe Thoma Kuqali kishin filluar Liceun e Korçës dhe mbaruan gjimnazin e Tiranës. Dy të rinj që e kthyen shtëpinë e tyre në një prej bazave më të rëndësishme të luftës. Shkrimet e Gjikës dominohen nga konciziteti dhe lirizmi. Shkrime shumë të shkurtra 1 apo dy faqe por mjaft domethënëse. Dhe askund nuk has mllefe, nuk ka grindje, dhe mëri. Të lexosh letrat e Margarita dhe Kristaq Tutulanit që ia dërgojnë nënës, janë gjëra sa intime e njerëzore, po aq edhe edukative. Edhe për të vajtur për të fjetur një natë te një shoqja e saj Margarita i shkruan së ëmës dhe i kërkon leje. Hartimet e Kristaq Tutulanit janë po ashtu mbresëlënëse. Por ai përveç shkrimeve ishte mjaft i talentuar edhe në pikturë e punime të tjera artistike. Shumë të bukura janë një varg vizatimesh të tij realizuar me laps.
Një djalë mjaft i talentuar ishte Pali Prifti nga Kolonja, cili na ka lënë një tufë vizatimesh, ku vlejnë të veçohen rreth 14 portrete fëmijësh, vajzash, pleqsh, gjë që tregon edhe prirjen e tij drejt portretit. Po ashtu befasues shfaqet Vojo Kushi. Të gjithë ne e kemi përfytyruar gjithmonë si luftëtar të egër, guximtar i pashoq që u hodh mbi tankun fashist. Vizatimet e tij janë kaq brilante, kaq fine sa shkaktojnë habi e kurrë s’mund të hedhësh një paralele me imazhin e tij heroik…” Por më mbresëlënësi sipas Gëzhillit është fakti se të gjithë këto krijime ishin përgjithësisht detyra shkolle, diku tek-tuk krijime të pavarura, poezi e ditarë, që rrëfenin të fshehtat e shpirtit të tyre. Ata ishin të gjithë 14 deri 18-vjeçarë. “Këta djem e vajza që ishin kaq artistë në shpirt, kur erdhën vitet e luftës rendën drejt idealeve të tyre, lanë shkollat, rrëmbyen armët dhe dolën të luftonin. Plot 280 studentë kanë ardhur me 28 nëntor të vitit 1942, nga Italia. Lanë shkollën, studimet, ëndrrat e tyre dhe u ngjitën maleve me partizanët. Mes tyre kanë qenë edhe Margarita e Kristaq Tutulani, që edhe pse fëmijë ministri, rritur në mirëqenie dhe edukuar që në fëmijëri në rrethet e shoqërisë intelektuale, nuk nguruan t’i braktisin studimet, e t’i bashkoheshin Luftës. Ajo që sot mund të lërë shijen e një veprimi donkishotesk, atëkohë ishte veprim që ushqente idealet e atyre të rinjve. Dhe ata nuk vinin asgjë mbi idealet. As ëndrrat dhe pasionet e tyre.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora