E enjte, 31.10.2024, 11:08 PM (GMT)

Mendime

Preç Zogaj: Ikja e Kadaresë..

E enjte, 28.10.2010, 07:46 PM


Ikja e Kadaresë..

 

Nga Preç Zogaj

 

Njëzet vjet më parë shkrimtari i shquar Ismail Kadare njoftonte nga Parisi vendimin e tij për të mos u kthyer në Shqipëri pa u vendosur demokracia, largimin dhe distancimin e tij nga regjimi i fundit komunist në Europë, opozicionin e tij të hapur më ketë regjim. Për ta thënë me një fjalë lugubre, por shumë të njohur dhe shumë të kuptueshme në epokën e izolimit, Kadare njoftoi arratisjen e tij, edhe pse nuk e zuri në gojë fjalën arratisje, ndoshta për të respektuar ata qindra dhe mijëra bashkatdhetarë që kishin ikur apo kishin tentuar të iknin ilegalisht përgjatë dekadave , si në një bast me vdekjen, nga toka dhe nga deti.

Për shkak të famës botërore të Kadaresë, largimi i tij baraspeshonte historinë dhe kurorëzonte me një shembull ekselent kryengritjen shumëvjeçare të shqiptarëve me emrin "Ikje". Kurse në planin e bujës dhe efekteve politike akti i tij ishte unikal, i pakrahasueshëm.

Ikja e Kadaresë në fund të muajit tetor 1990 u njoftua në një periudhë kritike për fatin e demokratizimit të Shqipërisë, kur regjimi i Tiranës , pas goditjeve që kishte marrë nga ngjarjet e ambasadave dhe përpjekjet për demonstrata në Shkodër, Tiranë, Kavajë e tjerë, po rrekej të hapte një të ashtuquajtur periudhë ristabilizimi, nëpërmjet disa ndryshimeve për fasadë që kishin për qëllim të siguronin vazhdimësinë e regjimit komunist dhe të privonin sërish kombin shqiptar nga takimi me Europën e vlerave të lirisë dhe demokracisë shumëpartiake .

Pikërisht në këtë kohë pezull të mbushur me zhgënjime, Ismail Kadare mori vendimin e tij historik, duke deklaruar botërisht distancimin e tij nga parodia dhe iluzionet e demokracisë në Shqipëri. Deklarata e tij e paharrueshme e largimit ishte jo vetëm njoftimi i një akti , por edhe dokumenti i një platforme luçide për të ardhmen demokratike të Shqipërisë se re dhe Kosovës së re. Me zërin e intelektualit të vet me të njohur kombi shqiptar i njoftoi mbarë botës aspiratat e veta për liri, demokraci, të drejta njerëzore , politike dhe kombëtare.

Historia nuk zhvillohet si një pjesë teatrale ku gjithkush mund te lexoje fundin para fillimit. Në jetë ngjarjet zbulohen duke ndodhur. Në ketë kuptim, ikja e Kadaresë në tetor të vitit 1990 ishte një akt politik dhe intelektual i guximshëm me efekte pozitive të jashtëzakonshme për kursin që morën zhvillimet demokratike të kohës.

Ne sot e kujtojmë sot ikjen e Kadaresë si një prej një prej ngjarjeve pararendëse me të veçanta dhe më të rëndësishme që paralajmëruan dhe përgatiten Lëvizjen historike të Dhjetorit 1990.

Ikja e tij ekspozoi më qartë se kurrë mashtrimin dhe kotësinë e ndryshimeve për ndryshime të regjimit të kohës; ikja e tij ndezi mendjet dhe shpirtrat e rinisë dhe jo vetëm të rinisë për një botë të re të lirive dhe të drejtave universal; ikja e tij përshpejtoi fillimin e lëvizjes demokratike studentore dhe mbarë popullore. Në të vërtetë, ikja e Kadaresë rezultoi të ishte fillimi i numërimit mbrapsht për diktaturën shqiptare.

Duke evokuar në largësinë e njëzet viteve aktin e Ismail Kadaresë , opozita e bashkuar dhe besojmë, mbarë qytetarët shqiptarë, kujtojnë me nderim të madh një akt qytetar që mbetet në vlerat më të mira të trashëgimisë sonë intelektuale dhe politike oksidentale. Ndërkaq gjejmë rastin ti shprehim sërish mirënjohjen tonë shkrimtarit Ismail Kadare, sikurse të apelojmë kundër harrimit të ngjarjeve të kësaj rëndësie nga institucionet qeveritare e shtetërore.

 



(Vota: 6 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora