E enjte, 24.07.2025, 10:46 PM (GMT+1)

Mendime

Arif Molliqi: Cili politikan dhe qeveritar i Prishtinës i di kufijtë e Kosovës (?!)

E diele, 14.03.2010, 10:47 PM


CILI POLITIKAN DHE QEVERITAR I PRISHTINËS I DI KUFIJTË E KOSOVËS (?!)

Nga Arif Molliqi

            Ka kohë që po rrudhën kufijtë e Kosovës nga fqinjët tanë. Kjo lojë e fqinjëve me kufij tanë po vazhdon edhe sot pas pavarësimit të Kosovës, kështu qe në pikë të ditës, n´pik  me diell po na i han tenja kufijtë. Mitrovica, pjesa verior e Kosovës (term ky tashmë i zyrtarizuar ndër ne), si duket na ka mësuar që edhe për disa qindra mijëra hektar tokë Kosove në kufirin me Maqedoninë dhe kufirin me Malin e Zi, të mos na qojnë peshë.

            Askush nga qeveritarët nuk mërzitët të dijë se ku i ka Kosova kufijtë, sepse janë të paktë ata ose, hiq, që e kanë vizituar kufijtë e Kosovës. Më rëndësi për ta është që të mos u preken “kufijtë” e tyre qeveritar, të mos u preket prona e tyre ku mund ta vendosin një karrikë, ose aty ku e kanë ndërtuar shtëpinë e vet. Se sa janë të kushtuar rreth problemit të kufijve të Kosovës, po mundohem ti parafrazojmë disa mendime të tyre që i shfaqen në kohën kur u aktualizua vitin e kaluar problemi rreth kufirit Kosovë-Mali i Zi, atje tek Kulla në drejtim të Rozhajes dhe në Rugovë-Qakorr.

1.

  Në kohën përderisa kryeministri i Kosovës i vendoste tabelat ‘Mirësevini në Republikën e Kosovës’ në disa pika kufitare në Kosovë, por jo edhe në veri të vendit, këtë vit kanë filluar që të tjerët t’ia vendosin Kosovës tabelat, duke ia rrudhur territorin për disa kilometra, pat thënë diçka kështu Albin Kurti. Dhe, kështu ishte, sepse Mali I Zi vendosi tabelën më mbishkrimin “Mirë se vini në Mal të Zi”, 6 km. brenda territorit të Kosovës atje të kufiri i Kullës. Mirëpo, edhe para A. Kurtit, ishin qytetarët e Kosovës ( ata të territorit të Deçanit, Pejës dhe Burimit), që reaguan kundër këtyre tabeleve, pasi atyre po u prekej prona. Qytetarët e Kosovës ishin ata që tashmë ia dinin pretendimet e Malit të Zi, sepse ata edhe herëve tjera e kishin ndryshuar kufirin tonë.

            Pas reagimit qytetar, nuk vonuan dhe “reaguan” pa qenë në vendin e ngjarjes, pa e ditur se ku gjendet ky kufi edhe disa qeveritar e, asnjëherë parlamenti dhe deputetet. Reagimet e tyre zyrtare ishin të thata, të buta, me dell inferiori dhe diplomati kozmopolit, pa treguar asnjë version si të zgjedhjet kjo çështje. Gjithë atë që e thanë qeveritarët, deputetet, politikanët e Kosovës rreth uzurpimit të tokës së Kosovës nga Mali i Zi, janë  deklaratat e tyre që çdo lexues, sado pak të jetë i kujdesshëm, do ta kuptoj shumë lehtë pamaturin, neglizhencën dhe inferioritetin e tyre karshi fqinjëve tanë dhe karshi tokës se Republikës së Kosovës. Këtu, po sjell disa deklarata të tyre plot xhevahir rreth këtyre problemeve:

            Komisioni për Punë të Brendshme dhe Siguri i Kuvendit ka shqyrtuar raportin e MPB rreth njoftimeve te medieve për vendosjen e tabelave kufitare nga ana e autoriteteve të Malit të Zi brenda territorit të Kosovës...”, kryetari i Kuvendit të Kosovës.

            Përkitazi me vendosjen e mbishkrimeve nga ana e Malit të Zi në kufirin me Kosovës, kreu i Qeverisë së Kosovës Hashim Thaçi ka thënë:  "Republika e Kosovës e ka integritetin e vetë territorial të respektuar, garantuar dhe të njohur ndërkombëtarisht, të cilin e ka njohur edhe Mali i Zi. Dua të theksoj se raportet tona me fqinjët janë shumë të mira, edhe me Shqipërinë, edhe me Maqedoninë edhe me Malin e Zi dhe jemi të vullnetit të mira të punojmë edhe për raportet tona ndërshtetërore edhe me Serbinë", ka thënë Thaçi.

            Zëdhënësi i qeverisë së Kosovës Memli Krasniqi, që nuk e di as ku është ai kufi, deklaroi n´atë kohë se Prishtina nuk ka asnjë kontestim me Podgoricën në lidhje me kufirin; "Ne nuk kemi asnjë kontestim me Republikën e Malit të Zi. Ajo që është me rëndësi të theksohet është që kemi marrëdhënie shumë të mira.”

            Zëvendësministrja e punëve të jashtme të Kosovës, Vlora Çitaku pat deklaruar: “ ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi nuk ekziston kontest kufitar..” Kurse për 8 km. në Qakorr dhe, 6 km tek Kulla që ka hyrë Mali i Zi brenda territorit të Kosovës, nuk qenka problem?!

            Ndërsa Presidenti Sejdiu tha: “Kosova i ka kufijtë e vet të qartë dhe nëse ka ndonjë ngatërresë të vogël në kuptimin e pretencës së dikujt, jashtë asaj që është normale në relacionet ndërshtetërore, sigurisht që do të ketë përgjigjen e vet”

            Ministri i Brendshëm, Zenun Pajaziti, tha se me shtetin e Malit të Zi, kanë bashkëpunim të mirë dhe, sipas tij, me kohë do të nisin edhe bisedimet për demarkacionin e kufirit. “ Nuk shohim ndonjë telash në këtë drejtim. Kemi bashkëpunim të mirë me të gjitha vendet e rajonit”, ka thënë Pajaziti.

2.

 Shpesh thuhet se kufiri Kosovë- Mali i Zi , sipas  Kushtetutës se vitit 1974, ka qenë te vendi i quajtur ‘Varri i Nuses’, 29 kilometra larg prej Pejës dhe 18 kilometra larg prej Rozhajës. Kufiri tash është 24 kilometra larg prej Pejës, te ura te Qafa e Shkallës mbi Jabllanicës, 100 metra prej së cilës është vendosur tabela “Mirësevini në Malin e Zi”.

            Ndërsa, sipas Planit Ahtisari, çështja e kufirit me vendet fqinje, përveç me Maqedoninë, parashihet të zgjidhet duke marrë parasysh “vijat e dikurshme kufitare” në kuadër të ish-Jugosllavisë, më saktësisht ashtu siç kanë qenë më 31 dhjetor 1988. ( Historia e lëvizjeve të kufijve të Kosovës daton qysh pas Kongresit të Berlinit, por kësaj here jemi ndalur vetëm tek lëvizjet e fundit).

            Këto ditë, gjatë një punë, të mësoj rreth kufirit Kosovë-Mali i Zi, atje tek Kulla, hasa në disa shënime dhe tregime që sado pak tregojnë rreth këtij kontesti, por nga një qasje tjetër; qasje pronësoro-juridike, për të cilat shënime “besoj” se edhe ndonjë historian i yni, apo edhe komisioni i Kuvendit dhe Qeverisë  së Kosovës që merren me sigurinë e kufirit i posedon këto shënime.

            Në vitin 1928, në kohën e shtetit SKS ( Drzavom Srbe, Hrvata i Slovenaca), disa pronar shqiptar nga Kosova ( Deçani, Peja, Burimi), kanë udhëhequr një kontest gjyqësor pranë Gjykatës e shkallës së parë të Beranes e cila me aktgjykimin e vet nr. 11284-B-110 të datës 14 shtator 1928, ua ka pranuar paditësve shqiptarë nga Kosova të drejtën si pronar të patundshmërive kontestuese, prona këto që kanë qenë në territorin e shtetit malazez. Ky aktgjykim gjendet në Arkivin historik të Malit të Zi. .

            Kundër këtij aktgjykimi të shkallës se parë, ka bërë ankesë Shteti SKS, duke e dërguar lëndën në gjykatën Apelit në Shkup, si gjykatë e shkallës se dytë, Kjo gjykatë ka refuzuar ankesën e ankuesit dhe me aktgjykimin e vet nr. 2678 e datës, 25 maj 1929 e ka vërtetuar aktgjykimin e shkallës se parë të gjykatës se Beranes. Edhe ky aktgjykim i Gjykatës se Apelit të Shkupit gjendet në Arkivin historik të Malit të Zi.

            Mirëpo, pronaret shqiptar nga Kosova fitues nga gjykata e Beranes, i kanë shfrytëzuar këto prona deri në vitin 1949, kur qeveria komuniste e Malit të zi, nxori ligjin në “Gazetës Zyrtare” nr. 9/47 dhe 9/49, sipas të cilit ligj, përsëri shqiptarëve nga Kosova u merret e drejta e pronësisë në këto prona me kulturë  bjeshkë. Këto prona të shqiptarëve nga Kosova ju falen Ekonomisë Pyjore të Rozhajes.  Këto prona tani janë të evidentuara si prona shoqërore dhe janë shënuar në fletët poseduese nr. 33 KO Plunci II, 62 KO Daciqe, 142 KO Balotiqi, 143 KO Balotiqi, 250 KO Daciqi dhe 394 KO Boletiqi.

            Të gjitha këto prona fillojnë përgjatë kufirit të sotëm mes Kosovës dhe Malit të Zi. Fillojnë nga Kulla e deri në afërsi të qytetit të Rozhajes. Pran, nuk është kufiri as të “Varri i Nuses” që është aty tek qafa, as të Kulla që edhe ashtu është 2-3 km. në pjesën nga qafa ku është “ Varri i nuses” në drejtim të Rozhajes.

3.

            Atë që nuk e bëjnë as qeveritarët, as deputetet, as politikanët e Kosovës, e bëjnë qytetarët e Kosovës. Në vitin 2005, përsëri disa qytetarë, ish pronarët e atyre pronave kanë ushtrua kërkesë për rikthimin e  pronës se tyre legjitim. Kërkesën e kanë nënshkruar: Nezir Memaj, Arif Tahirukaj, nga Lluka e Epërm-Deçan, Daut Shala, Ramë Dinaj nga Raushiqi i Pejës, Sadri Rustemi nga Logja, Ramiz Zogu nga Kliqina, Ramë Ademi, Shaqë Avdija, Hasan Kameraj, nga Lëbusha, Osman fetahaj nga Strellci, Zymber Zeneli nga Doberdoli, Miftar Shala nga Barani dhe Emin Krasniqi nga Vranoci. ( Kërkoj falje nëse ndonjëri nga këta përsona në nderkohë kanë vdekur, dhe këtu iu përmendet emri)

            Gjer sot, Komisioni pranë Komunës se Rozhajes se Malit të Zi nuk ka marrë ndonjë vendim për rregullimin e pronësisë se këtyre pronave. Po, nuk po interesohet as Kosova që ti kthej 65oo hektar toke që Mali i Zi ia ka aneksua.



(Vota: 6 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx