E merkure, 30.04.2025, 05:15 PM (GMT+1)

Mendime

Sadbere Karimani: „Ballkani“ dhe „Klani“

E diele, 14.03.2010, 10:38 PM


„Ballkani“ dhe „Klani“

Nga Sadbere Karimani           

Nga  NDR,Info e pakuptuar dhe e dëmshme për firmën Ecolog dhe Familjen Destani
NATO rishqyrton biznesin e saj me firmën gjermane

Kur disa fjalë shkrihen me të tjerat krijojnë në bashkëngjitjen e tyre një të vërtetë të mëvetësishme. Këtë e mundëson kreativiteti i gjuhës, andaj hë për hë nuk ka se çka të thuhet më shumë. S’ka gjë, le të jetë ashtu. Por kur ato shkrirje krijojnë vargëzime asociative, të cilat shikuar në aspektin sociologjik e psikologjik dendësohen dhe pretendojnë të jenë vetë realiteti, atëherë ato bëhen problematike. Ndikimi i tyre bëhet edhe më i fuqishëm kur me ato fillojnë të shërbehen edhe mas-meidiet. Përdorimi i tyre vërtetoi ditëve të fundit se as edhe mediet serioze nuk janë të pandikuara nga to. Në kuptim-shprehjen e tyre fjalët janë shpeshherë jo të qarta dhe pikërisht paqartësia e tyre turbulluese shpie deri te lëndimi i njerëzve. 
Togfjalëshi semantik “Ballkan” dhe “klan” paraqet një pretendim ca të tepruar të meidiave në formë të sistemit të zgjerimit të rrathëve, përhapjes e shtrirjes së tyre për të shprehur një realitet në kuptimin bindës “Kështu është-topi s’e luan”, njëjtë si topi i  borës, i cili sa më shumë rrokulliset, merr me vete më shumë borë dhe bëhet një grumbull i madh.  
Për ta kuptuar se a është vërtet kështu, duhet pyetur çka shpreh fjala  “Ballkan”? Çka kuptohet me të? Në aspektin gjeopolitik nuk ekziston ndonjë vështirësi përcaktimi, sepse me të nënkuptohen shtetet pasrendëse të ish-Jugosllavisë dhe fqinjët jugorë të tyre Shqipëria dhe anëtarja e BE-së Greqia. Duke i marrë parasysh kulturat e ndryshme të këtij rajoni, fjala Ballkan bëhet një adresë e vrazhdë, por e pranueshme për zhvillimet historike të qindvjeçarit të fundit, në qoftë se me këtë term shprehet tendenca e përsëritshme politike e formimit të shteteve etnike. Në këtë kuptim “Ballkanin” e gjejmë edhe në Irlandë, edhe në Spanjë, edhe në Belgjikë, edhe në shtetet e ish-Bashkimit Sovjetik. 
Me fjalën “klan” përshkruhet në të folmen bashkëkohore një rrjetë marrëdhëniesh në mes anëtarëve të familjeve tradicionale, të organizuara në mënyrë hierarkike, dhe të kryefamiljarit të tyre. Pjesëtarë të klanit llogariten edhe pjesëtarët e farefisnisë së largët, shokët e personat e tjerë, të cilët kanë marrëdhënie biznesi me ndonjërin nga anëtarët e familjes. Kuptimi i gjerë i fjalës “klan” ia humb asaj  saktësinë, sepse ajo do të thotë më shumë se çka në të vërtetë përcakton apo shpreh. Lidhshmëria me fjalën “Ballkan” e instrumentalizon atë sikur shtypja e një suste, nga e cila lexuesi e dëgjuesi krijon me togfjalëshin “Ballkan e klan” asociacione të formave të qëndrueshme organizative, të cilat në procesin e transformimit, nga tradicionalja në moderne, tregohen solidare për brenda, agresive për jashtë: bandat familjare, shqiptarët, kriminaliteti, trafikimi me qenie njerëzore e me drogë etj. Bashkëlidhja “Ballkan e Klan” gati se nuk është e mundur të kuptohet në mënyrë asnjanëse. Relativizimi ose përpjekja e objektivizimit të domethënies së tyre vë në pah vetinë e të qenit i plogësht, i të qenit i pafuqishëm për ta mposhtur energjinë e paragjykimeve. Para se të forcohet skematizmi, le të pyesim për kë e për çka bëhet fjalë në termin klan, me të cilin lëndohen më shumë njerëz se sa çka synohet, ose pas lëndimit të tyre kërkohet falje për t’i korrigjuar e ndrequr gabimet d.m.th. për ta shfajësuar veten. Shikuar realisht, pariteti “Ballkan e Klan” është tejet ideologjik, sepse në të përfshihet e vërteta dhe e pavërteta, pa mundësi të përcaktimit të raportit të vërtetë mes tyre. Në këtë kontekst ky paritet e ka rangun e njëjtë me teoritë e mbështetura në supozime tendencioze dhe mostrat me domethënie të dyshimta. 
Aktualisht shihet, dëgjohet e duket se kjo gjë po përsëritet në mediat. Edhe redaksitë serioze, si ajo e ARD-së dhe NDR-së, nuk janë të pandikuara nga përdorimi i ca bashkëngjitjeve të fjalëve, të cilat janë të njëjta me gjykimet parakohëshe. Nga këto është i prekur edhe biznesmeni shqiptar Nazif Destani dhe familja e tij, e cila që shumë vjet jeton në Düsseldorf.  
Në dhjetorin e vitit të kaluar, më vonë edhe më 26 shkurt 2010, është përsëritur pas mesnate në Radio-NDR lajmi se NATO është duke i shqyrtuar marrëdhëniet e saj biznesore me firmën gjermane, sepse sipas gjeneralit Rahm, koordinator i verpimit - ISAF- në Afganistan, ekziston ndaj firmës Ecolog të familjes së Nazif Destanit dyshimi që ajo të jetë e përfshirë në veprimtari të palejueshme.  “Ekziston mundësia që ajo është marrë me trafikimin e drogës dhe me më shumë gjëra të tjera të palejueshme” është shprehur në një intervistë, dhënë korrespondentit të NDR Christoph Heinzle, gjenerali Rahm. 
Pavarësisht nga mundësia që shumica e dyshimeve nuk mund të dëshmohen, ose janë të kota, mund të mendohet e thuhet se nuk ka asgjë të keqe në deklarimin e tij, ose në formulimin e tij në raport me personin apo organizatën për të cilën dyshohet, ngase shprehja e dyshimit nuk duhet të  kuptohet automatikisht si gjykim parakohor, por vetëm si një supozim, i cili mund të flaket ose të vërtetohet. Megjithatë është informata shtesë ajo që në mënyrë të rafinuar e transporton gjykimin parakohor me vete. Në lajmin informativ të Radios thuhet se prapa shërbimeve të firmës në fjalë qëndrojnë anëtarët e një klani, i cili është i përfshirë në kriminalitet. Për këtë duhet shtruar pyetjen dhe duhet shqyrtuar çështjen e përshtatshmërisë “A është Ecologu partner i përshtatshëm për ne?”. 
Ecologu është firma e biznesmenit Nazif Destani nga Düsseldorf-i, e cila i ka  qendrat (selitë) e saj të veprimit ndërkombëtar edhe në Maqedoni, në Turqi, në Shtetet e Bashkuara, në Kuvajt, Afganistan dhe në Dubaj.  Dyshimi është shfaqur ndaj një bashkëpunëtori të caktuar të firmës Ecolog, i cili në kohën që atij i mvishet një veprimtari e palejueshme, nuk ka punuar për Ecologun. Pavarësisht nga mundësia e vërtetimit ose mosvërtetimit të dyshimit të shfaqur ndaj ish punëtorit të kësaj firme, ai paraqitet si anëtar i klanit Destani, thuajse ekzistenca e tij është e lidhur gjithnjë me klanin. Këtu duhet shtruar pyetjen, vallë a nuk është e mundur që dikush të veprojë krye në vete, për llogari të vetë, pa urdhër apo detyrim nga firma? Një nëpunës, i cili për vete e për ca kolegë të tjerë e siguron konsumimin e drogës, duhet  të përgjigjet vetë për veprën e vet. Në këtë rast nuk mund të pohohet se punëdhënësi i tij ka qenë njëkohësisht ai që e ka ngarkuar me kryerjen e këtij shërbimi. Korrektësinë e njëjtë duhet aplikuar edhe ndaj klanit, edhe në qoftë se ai trajtohet si çështje sociale totalitare. Përshkrimi i mësipërm i domethënies së fjalës klan shpreh keqkuptimin e një veprimi me përmasa guximi tejet pretendues. Duke pasur parasysh prejardhjen dhe historinë e familjes në fjalë jam e gatshme, që si shqiptare me prejardhje nga Maqedonia, ta nënvizoj këtë me empati të lartë. Natyrisht se, si kudo tjetër në vendet tradicionale ekzistojnë klane edhe në Maqedoni e në Kosovë.  Paradoksi i tyre qëndron te procesi i transformimit të vendeve tradicionale drejt modernizimit, sepse gjatë këtij procesi forcohen strukturat e brendshme të klaneve dhe njëkohësisht internacionalizohen.   
Një gjë e tillë mund të vërehet edhe te familjet kineze, të cilat jetojnë në Shtetet e Bashkuara. Ato ditë për ditë krijojnë rrjete klanore solidare, të cilat e tejkalojnë farefisninë familjare. Kështu sektori i fuqishëm financiar amerikan përcillet edhe nga qarqet klanore. Marrëdhëniet komplekse sociale brenda klanit janë të pranishme edhe në Maqedoni. Këtë e dëshmon më së miri biografia e familjes Destani, e cila sa është shembullore, është edhe po aq individuale. Shembullore për atë se familjet e këtij rajoni janë të lidhura në bashkësi sociale, të cilat këtu quhet klane. Kështu familja Destani nuk paraqet kurrfarë përjashtimi. Ajo edhe para përhapjes së komunizmit në Jugosllavi ka gëzuar referenca komunikuese pozitive. Edhe në kohën e formës jetësore agrokulturore ajo ka gëzuar në Maqedoni prestigj të lartë moral dhe kapacitete të mjaftueshme materiale për të zhvilluar një jetë të qetë qytetëruese. Fjala është pra, për një familje të pasur patriarkale, konform civilizimit të atëhershëm. E drejta për kultivimin e marrëdhënieve kuptimplote brenda familjare e ndërfamiljare nuk është cenuar as në Jugosllavinë e Titos. Qendrat lokale komuniste janë treguar në këtë drejtim të mençura, ngase nuk i kanë dobësuar kapacitetet integrative të kryefamiljarëve, gjegjësisht të kryesuesve të klaneve, në qoftë se ato veç se kanë ekzistuar. Gjyshi i kryefamiljarit Lazim Destani ka qenë një njeri me prestigj të lartë në këtë rajon. Me shpërbërjen e shtetit shumetnik është prishur shumëçka që është ndërtuar më parë nga institucionet shoqërore, kurse klanet jo. Si forma rrjetash të zhvilluara gjatë historisë ato e kanë kompensuar zhbërjen e institucioneve dhe e kanë mundësuar normalitetin e përditshmërisë. Kështu familja Destani ka arritur që me ndihmën e rrjetit ekzistues të klanit, të vetiniciativës e të angazhimit individual ta krijojë një firmë të madhe dhe t’i sigurojë vetes një jetë qytetëruese. Unë personalisht i njoh vetëm ca farefis të largët familjes Destani në Maqedoni dhe sipërfaqësisht ca më të afërt të saj, por megjithatë e njoh mirë botëkuptimin dhe mënyrën e jetës së familjeve në Maqedoni. Pikërisht familja Destani është ajo që qëndron prapa parimeve qytetëruese dhe e kundërshton fuqishëm përfshirjen e klanit në kriminalitetin e organizuar. Ajo distancohet bindshëm nga të afërmit e saj dhe partnerët e biznesit, të cilët janë të përlyer me veprimtari të palejueshme. 
Familja Destani jeton në Gjermani që nga vitet e shtatëdhjeta. Instancat e drejtësisë të shtetit gjerman ajo i ngre lart dhe i merr për shembull,  jo vetëm nëpër forumet e lëvizjes politike civile në Maqedoni, por edhe në rrethet interne familjare. Megjithatë është e çuditshme se si një raport i KFOR-it e jep një vlerësim dhe pasqyrim sipërfaqësor negativ për këtë familje. Personalisht jam e bindur se KFOR nuk i ka marrë parasysh tri momente, gjegjësisht tri çështje,  të cilat kanë çuar deri te një vlerësim i gabuar. Së pari është mendimi i vargëzuar semantik i lexuesve të trajnuar nga mediat, i cili shpesh ftohet të vallëzojë në taktin trehapësh Ballkan-Klan-Kriminalitet. Pastaj është struktura komunikuese e formës “kam dëgjuar-thonë të tjerët”, njëjtë si mostrat perceptuese në një bashkësi fshati, në të cilën zilinë, xhelozinë dhe pretendimin për njollosjen e emrit të mirë të dikujt i bashkon qëllimi i marrjes së ndonjë pjese apo thërrime nga kulaçi perëndimor.
Meqë KFOR flet për fat të keq vetëm anglisht, kurse banorët vendorë, bile edhe ata të cilët mund të pohojnë se janë poliglotë e kozmopolitë, flasin “vetëm shqip” do të ishte e udhës që mos të përhapen supozime tendencioze mbi bazën e asaj që dikush ka dëgjuar dhe e ka marrë si të vërtetë, por të pritet në rezultatet e hetimeve gjyqësore dhe t’u besohet atyre. 
E kam dëgjuar njëherë një bashkështetas timin nga Maqedonia, i cili punon për një firmë gjermane, duke ofsharë e thënë se “Bankat dhe ndërmarrjet me përbërje të plotë gjermane e kanë lehtë ta përjashtojnë një punëmarrës të tyre, në qoftë se ai është përfshirë në veprimtari të palejueshme, që për shkak të tij mos të njolloset i tërë klani”. Duke marrë parasysh bankat, të cilat e kanë shkaktuar krizën financiare mund të zëvendësohet togfjalëshi “Ballkan dhe klan” lirisht me “Bankë e Klan”. Këtij zëvendësimi do t’ia vlente, në qoftë se edhe më tej mbretëron bindja e njëmendtë se Ballkani ekziston vetëm prej familjeve shumë anëtarëshe e klaneve familjare.   

Këtë nuk mundem e as nuk dua ta besoj.

Shënim: Shkrimi botohet pasi firma Ecolog fitoi gjyqin kunder NDR për njollosje publike të saj.


(Vota: 5 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx