E shtune, 25.05.2024, 09:22 AM (GMT+1)

Kulturë

Demir Krasniqi: Vallja e Gjilanit

E hene, 15.02.2010, 09:38 PM


Nga thesari i folklorit tonë muzikor:

VALLJA E GJILANIT

Nga Demir KRASNIQI

            Vallet popullore burimore nga regjioni i Anamoravës , pa dyshim se janë ndër  perlat më të bukura të artit të vallëzimit popullor  në trojet shqiptare . Ato përbëjnë një thesar shumë të çmueshëm dhe të begatshëm në trashëgiminë tonë kulturore e shpirtërore.

            Arti i vallëzimit tradicional popullor në regjionin e Anamoravës , ka qenë shumë i zhvilluar brez pas brezi dhe kjo traditë vazhdon të ruhet e të kultivohet me besnikëri të madhe edhe në ditët e sotme.

            Regjioni i Anamoravës , duke përfshirë këtu qytetet: Gjilan, Viti, Kamenicë, Bujanoc, Preshevë, Kumanovë, Malësinë e Karadakut deri te Shkupi dhe Malësinë e Gollakut deri tek Medvegja, është shumë i pasur me valle të ndryshme popullore , që kanë një kolorit shumë të begatshëm si nga ana melodike, ashtu edhe nga ana ritmike. Ato dallojnë dukshëm edhe për kah mënyra e vallëzimit , nga vallet tradicionale të krahinave tjera shqiptare .

            Meloditë e valleve popullore të Anamoravës janë shumë të zhvilluara , kurse ritmet i kanë të përziera dhe në masat katërpjesore , në të cilat karakteristikë e veçantë është përdorimi i vazhdueshëm i triolave , të cilat ua shtojnë edhe më tepër begatinë e tyre artistike .

            Vallet popullore të Anamoravës , kryesisht janë valle burrash me karaktere luftarake dhe ato vallëzohen në rresht: krah për krahu, brez për brezi dhe dorë për dore.

            Në mesin e dhjetëra valleve popullore burimore nga regjioni i Anamoravës, të cilat kryesisht mbajnë emërtimet në bazë të vendbanimeve prej nga kanë lindur ato , pa dyshim se vallja më e bukur, më e preferuar dhe më e popullarizuar është “Vallja e Gjilanit”.

            Kjo valle është e krijuar në masën ritmike 4/4 e cila fund e krye është e zbukuruar  me triola . Ka një melodi shumë të zhvilluar në katër fraza muzikore e cila shtrihet në një ambitus brenda një oktave. Ka karakter luftarak dhe luhet ekskluzivisht nga grupet e burrave. Ajo përcillet zakonisht me surle e tupan , por edhe më bukur tingëllon kur përcillet me formacione orkestrale nga instrumentet e fabrikuara .

            Arsyeja kryesore e cila më shtyri që të merrem me këtë temë, është fakti se këtë valle të bukur autoktone shqiptare , kohë pas kohe janë munduar që ta përvetësojnë si pronë të vetën :serbët, maqedonët, turqit dhe romët ?!

            Duke  pasur parasysh këto tendenca si dhe trendët aktuale të rrymave të muzikës moderne elektronike , të cilat herë pas here po i lënë nën hije vlerat e mirëfillta tradicionale , më lindi ideja që melodisë së kësaj valleje të bukur t’ia shtoi edhe një tekst adekuat, ku gjatë vallëzimit të kësaj valleje – valltarët mund edhe të këndojnë.

            Me aplikimin e tekstit të kësaj valleje, shpresoj se do të ringjallet një këngë e bukur e vallëzuar e cila do t’ia zgjas jetën së pakut edhe për një shekull “Valles së Gjilanit!”

            Pra, teksti i adaptuar në bazë të melodisë së kësaj valleje , përfshinë një tërësi prej katër strofash , mu ashtu si që i ka katër fraza melodike , në këtë mënyrë që tërësia prej katër strofave paraqet  një bllok si strofë    parë  të këngës :

                                                I.

Jehojnë  fushat dhe bregoret

Në Moravë e në  Malësi ...

Plot  dasmorë janë  mbushë oborret ,

Valon shqipja  kuqezi  .

T’ rijë  e t’ reja dorë për dore ,

Krah për krah e brez për brez ,

Hedhin vallet burrërore

Që nga mbrëmja deri n’ mëngjes .

Krismave të tupanit , hej ,

Larg  u shkon jehona ...

Vallja e Gjilanit , hej,

Asht valle e jona !

T’ rijë e t’ reja do t’ vallëzojmë ,

Qysh na  mësuan  të parët tonë ,

Ne traditat s’i  harrojmë ,

Ruajmë  me mburrje çdo zakon !

            II.

Vallet tona janë krenare ,

Plot me art e trimëri,

Kujtojnë luftërat  çlirimtare

Për Kosovë e  shqiptari  !

            T’ rijë e t’ reja dorë për dore

              Preshevë  e Karadak ,

            Hedhin vallet burrërore

            Në Medvegjë e në Gollak ...

Krismave të tupanit , hej ,

Larg  u shkon jehona ...

Vallja e Gjilanit , hej,

Asht valle e jona !

            T’ rijë e t’ reja do t’ vallëzojmë ,

            Valon shqipja lartë mbi ne ,

            Pushkët prej dorës nuk i lëshojmë ,

            Mbrojmë kufij e mbrojmë Atdhe !

 

Gjilan, më 14.02.2010.



(Vota: 7 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora