| E hene, 15.02.2010, 08:38 PM |
Nga thesari i folklorit tonë muzikor:
VALLJA E GJILANIT
Nga Demir KRASNIQI
            Vallet popullore burimore nga regjioni i Anamoravës , pa
dyshim se janë ndër  perlat më të bukura
të artit të vallëzimit popullor  në
trojet shqiptare . Ato përbëjnë një thesar shumë të çmueshëm dhe të begatshëm
në trashëgiminë tonë kulturore e shpirtërore.
            Arti i vallëzimit tradicional popullor në regjionin e
Anamoravës , ka qenë shumë i zhvilluar brez pas brezi dhe kjo traditë vazhdon
të ruhet e të kultivohet me besnikëri të madhe edhe në ditët e sotme.
            Regjioni i Anamoravës , duke përfshirë këtu qytetet:
Gjilan, Viti, Kamenicë, Bujanoc, Preshevë, Kumanovë, Malësinë e Karadakut deri
te Shkupi dhe Malësinë e Gollakut deri tek Medvegja, është shumë i pasur me
valle të ndryshme popullore , që kanë një kolorit shumë të begatshëm si nga ana
melodike, ashtu edhe nga ana ritmike. Ato dallojnë dukshëm edhe për kah mënyra
e vallëzimit , nga vallet tradicionale të krahinave tjera shqiptare .
            Meloditë e valleve popullore të Anamoravës janë shumë të
zhvilluara , kurse ritmet i kanë të përziera dhe në masat katërpjesore , në të
cilat karakteristikë e veçantë është përdorimi i vazhdueshëm i triolave , të
cilat ua shtojnë edhe më tepër begatinë e tyre artistike .
            Vallet popullore të Anamoravës , kryesisht janë valle
burrash me karaktere luftarake dhe ato vallëzohen në rresht: krah për krahu,
brez për brezi dhe dorë për dore.
            Në mesin e dhjetëra valleve popullore burimore nga
regjioni i Anamoravës, të cilat kryesisht mbajnë emërtimet në bazë të
vendbanimeve prej nga kanë lindur ato , pa dyshim se vallja më e bukur, më e
preferuar dhe më e popullarizuar është “Vallja e Gjilanit”.
            Kjo valle është e krijuar në masën ritmike 4/4 e cila
fund e krye është e zbukuruar  me triola
. Ka një melodi shumë të zhvilluar në katër fraza muzikore e cila shtrihet në
një ambitus brenda një oktave. Ka karakter luftarak dhe luhet ekskluzivisht nga
grupet e burrave. Ajo përcillet zakonisht me surle e tupan , por edhe më bukur
tingëllon kur përcillet me formacione orkestrale nga instrumentet e fabrikuara
.
            Arsyeja kryesore e cila më shtyri që të merrem me këtë
temë, është fakti se këtë valle të bukur autoktone shqiptare , kohë pas kohe
janë munduar që ta përvetësojnë si pronë të vetën :serbët, maqedonët, turqit
dhe romët ?!
            Duke  pasur
parasysh këto tendenca si dhe trendët aktuale të rrymave të muzikës moderne
elektronike , të cilat herë pas here po i lënë nën hije vlerat e mirëfillta
tradicionale , më lindi ideja që melodisë së kësaj valleje të bukur t’ia shtoi
edhe një tekst adekuat, ku gjatë vallëzimit të kësaj valleje – valltarët mund
edhe të këndojnë.
            Me aplikimin e tekstit të kësaj valleje, shpresoj se do
të ringjallet një këngë e bukur e vallëzuar e cila do t’ia zgjas jetën së pakut
edhe për një shekull “Valles së Gjilanit!”
Pra, teksti i adaptuar në bazë të melodisë së kësaj valleje , përfshinë një tërësi prej katër strofash , mu ashtu si që i ka katër fraza melodike , në këtë mënyrë që tërësia prej katër strofave paraqet një bllok si strofë të parë të këngës :
                                                I.
Jehojnë  fushat dhe bregoret
Në Moravë e në  Malësi ...
Plot  dasmorë
janë  mbushë oborret ,
Valon shqipja  kuqezi  .
T’ rijë  e t’
reja dorë për dore ,
Krah për krah e brez për brez , 
Hedhin vallet burrërore 
Që nga mbrëmja deri n’ mëngjes .
Krismave të tupanit , hej ,
Larg  u shkon
jehona ...
Vallja e Gjilanit , hej,
Asht valle e jona !
T’ rijë e t’ reja do t’ vallëzojmë ,
Qysh na  mësuan  të parët tonë ,
Ne traditat s’i 
harrojmë ,
Ruajmë  me
mburrje çdo zakon !
            II.
Vallet tona janë krenare ,
Plot me art e trimëri,
Kujtojnë luftërat  çlirimtare 
Për Kosovë e  shqiptari  !
            T’
rijë e t’ reja dorë për dore
            Në  Preshevë 
e Karadak ,
            Hedhin
vallet burrërore
            Në
Medvegjë e në Gollak ...
Krismave të tupanit , hej ,
Larg  u shkon
jehona ...
Vallja e Gjilanit , hej,
Asht valle e jona !
            T’
rijë e t’ reja do t’ vallëzojmë ,
            Valon
shqipja lartë mbi ne ,
            Pushkët
prej dorës nuk i lëshojmë ,
            Mbrojmë
kufij e mbrojmë Atdhe !
Gjilan, më 14.02.2010.