Kulturë
Pilo Zyba: Shenjt Valentini
E hene, 15.02.2010, 09:37 PM

- Shenjt Valentini -
PORTET POETIK
Flokët e derdhur ujvarë dritëhëne,
Zëri i ëmbël, fllad i ëmbël mbrëmje.
Balli i larë nën një perde grimi,
Ku fshihet heshtja e shfaqet mendimi.
Vetullat dy presje, novelë dashurie,
Sytë dy lëndina, peizazh poezie.
Faqezat dy mollë nga kopsht’ i ndaluar,
Nuk dua ti puth veç ti shoh praruar.
Buza bashk me dhëmbë një kafaz i artë,
Gjuha kanarinë me zërin e lartë.
Dy metafora gjoksi i mrekulluar,
Burime për etjen që më ka pushtuar.
Rripi gërma O, nuk paska të dyt’,
Ti e mban në mes, mua po më mbyt.
Këmbëzat e drejta nëpër ulje ngjitje,
Duket se baresin dy pikëçuditje.
Goditjet e takës nën dritën e hënës,
Janë pika të vëna në fund të poemës.
Një pasthirmë nxjerr. Ah ! Q’ë kam në fyt,
Nga shpirti më del gjith portreti yt.
DËBORA E PARË
monologu i një vajze
Ra dëbora mbi pemë e oborrë
kostumin e bardhë kudo veshi,
na shkroi një ftesë me zëmër në dorë;
ejani,u pres të tërëve te sheshi.
Të gjithë me topa të bardhë godasim
me topa të bardhë të ftohtë
por zëmrat tona lozin e gugasin,
për ne çdo goditje një dhuratë e ngrohtë.
Kjo lojë e “çmëndur” me doreza,
goditjet në trup e në ije,
janë ëndërra të ndezura dhe shpresa,
mënyra shprehje dashurie.
VJOSA
- baladë -
Vjosa si Vjosa, si gjithë lumënjtë,
pi burimet, rrëketë dhe përrënjtë,
Rend tatëpjetë në rrugët me kthesa,
zihet me brigjet e digjet nga shpresa.
Hidhet mbi gurë shpaloset mbi shpella,
shkumëza e bardhë dhjetra fustanella.
Dhe si një vajzë shumë e dashuruar,
bëhet e rrëmbyer, e bëhet e shtruar,
Përplaset në brigje, vesë bie mbi fletët,
dhe margaritarë bëhet për poetët,
Vjosë, Vjosë, moj vajzë e çmëndur,
ç’kërkon e dalldisur shtratit duke rendur?
Ndalu pak të lutem, në Zae në Varre,
qetësoju pak, dhe vrapin ti ndale,
Me ujin që ke, me vrull e zhurmë,
forcën fantazinë, ti futu te unë,
Të lutem qëndro, të lutem ti prit,
të dy të ndërtojmë një lumë poetik,
Që njerzit në zyra, në rrugë në vreshtë,
ta pinë në prozë, ta pinë në vjershë,
Të çuditet Lidhja e madhe e poetëve,
e t’u flasë që poshtë profetëve:
“Ah! ky i lajthitur dhe shpirtin e Vjosës,
në vargje e pentagram ja dhuroi botës”.
SHQETËSIMI I MOTRËS
Si një copëz ëndërr kam një mbesë,
Flokët ujvarë, buzët plot me vesë.
Në pasqyrën varur çfaqet si një erë,
Herë si një lule, herë si pranverë.
- Prandaj të kam thirrur – pëshpërit motra,
Kështu nuk durohet, po dëgjon dhe bota.
Unë buzëqesh, i motrës shqetësimi,
Për dajën na qënka burim frymëzimi.
Në gjoksin e mbesës që ndjen se ësht’ rritur,
Ka hyrë vera, vjeshta, dhe ashtu pa pritur,
I bie violinës me nota të larta,
Pastaj ia nis kënga, e shoqëron harpa.
Se frytet kur piqen, vallë s’duhen mbledhur?
Fytyra e mollës është fjalë e shprehur.
Mbesa hidhet, qesh, kërcen pastaj luan,
Mulliri i motrës vetëm shqetsim bluan.
Shtëpia buçet si një pyll i gjërë,
Motra po më tretet si hënë e ngrënë.
- Më lutet – ti foli, ty të dëgjon,
Ndërsa zëri i mbesës sinfoni kumbon.
- Mbushe – i përgjigjem – një raki Përmeti,
Ajo psherëtin – po kjo punë, ç’na gjeti!..
Kraharori i mbesës si kafaz gëzimi,
Zogu që ka brënda, porsa çel agimi,
Këndon, fluturon, nuk di që të ndalet,
Do të shohë fushat, të pushtojë malet.
- Qetësohu motër, lëri ahet, ehet,
Cicërimë e saj diku do të prehet.
Në ç’degë gëzimi do kërkojë folenë ?
Më shkrehet ajo: – Ti më paske ngenë!
Motra e mërzitur në cep të shtëpisë,
Unë i gëzuar, i buzëqesh rakisë.
Mbesën e lexoj dhe ja kuptoj nazet,
Rri e mendoj, ku do gjëjmë sazet.
SAN MARINO
Një familje Arbëreshe ka një dyqan bizhuterish
Vjeshta duke ikur, gjethet zverdhur, rënë,
Një qilim i shtruar më ngjan kjo xhade.
Varur në një degë hënëza e ngrënë,
Kukamshefti luan, hyn e del në re.
Hapur rri një portë si të jetë zëmër,
Brënda ka unaza, varse, xhevahire.
Vetja më duket, në prrallë, në ëndërr,
Në këtë dyqan erë Arbërie.
Porsa futem brënda ëmbël përshëndes,
Si një italian ashtu lehtë me dorë.
Ata ma kthejnë të gjithë: “Mirmëngjes”,
Më bëjnë të mendohem e kërkoj fjalorë.
Nxjerrin nga sirtarët Skënderin, historinë,
Nga goja urimin e nga zëmra mallin.
Në dorë dhuratë më lënë dashurinë,
Buzëqeshjen trëndafil me dëshirë ma falin.
Më thonë; shesim, varse, byzylykë,
Ja këtu, këtu, në Adriatik përballë.
Dhe u qeshin buzët, u shkëlqejnë sytë,
Vështrimi i tyre deti valë – valë.
- Sa kushton ky gur? – u them i menduar.
- Thuaje në shqip – flet pronari vetë,
Papritur dhuratë ma lënë në duar:
- Gurin me fjalë floriri ju porsa e bletë.
San Marino vjeshtë .., 2007
Komentoni
Artikuj te tjere
Ylli M. Dilo: Vites
Sabile Keçmezi- Basha: Ajo mbeti e vetme në binarë
Marius Chelaru: Inserte pasionesh me vlera të jashtëzakonshme
Halit Bogaj: Aksioni i armëve
Cikël poetik nga Dritan Karadaku
Agim Gashi - Drenica: Mallë
Mehmetali Rexhepi: Veza e heshtjes
Sokol Demaku: Intervistë me mikun e shqiptarëve dhe njohësin e mirë të gjuhës, historisë dhe kulturës shqiptare Ullmar Qvick
Muharrem Blakaj: Misioni sekret...
Kalosh Çeliku: Atdheu burrë pa Grua (Cikël poetik)
Ilir Muharremi: Jetullah Haliti-Eti nderohet më pllakë të nderit
Martin Lleshi: Antropologjia e rrënjëve
Dy poezi nga Zef Mulaj
Petrit Malaj: Zgjedhja ime si rektor nuk është ndikuar nga politika
Sabit Rrustemi: Pritjen time nuk e blenë askush (Cikël poetik)
Memoriali i Nënë Terezës? Një sallë me muze brenda!
Poezi satirike nga Nehat Jahiu
Xhenc Bezhi: Azil në parajsë
Cikël poetik nga Lindita Agolli
Ramiz Gjini: Vdekja e shkrimtarit Nurce