Faleminderit
Sabile Keçmezi- Basha: Nënë Hatixheja – Grua trim e Mulla Idriz Gjilanit
E enjte, 31.12.2009, 08:56 PM

Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-
Basha
Një kaptin të veçantë në historinë e popullit shqiptarë pa dyshim zënë edhe
gratë. Ajo, asnjëherë nuk u pajtua me padrejtësitë, që i ndodhën gjatë
historisë. Jo vetëm që nuk u pajtua me të, por lirisht mund të thuhet se ishte
pjesëmarrëse aktive në të gjitha lëvizjet dhe organizimet, që u ndërmorën për
daljen nga robëria shekullore, që populli shqiptar me sakrifica të mëdha pagoi
çdo gjakim të lirisë. Ajo me dashurin që kishte për lirinë, gjeti mënyra dhe mundësi
për tu aktivizuar në të gjitha format e rezistencës që u ndërmorën për lirinë e
popullit, herë në mënyrë direkt, e herë në prapavijë, ajo me një dinjitet të
lartë ishte aty, ku ishin burrat dhe ku vendosej për fatet e mprehta të vendit.
Pas vitit 1945, Gruaja
shqiptare ishte po ajo grua e Rilindjes Kombëtare, vetëm ca më e avancuar në
kuptimin e ngritjes arsimore. Ajo nuk mundi të qëndronte duarkryq duke i parë
sulmet e një pas njëshme dhe masakrat e shumta, që ndodhnin ndaj popullsisë
shqiptare. U angazhua duke treguar trimëri të rrallë në organizatat
nacionaliste dhe luftoi me këmbëngulje për realizimin e qëllimeve më të larta
kombëtare.
Numri i tyre, që dolën për të mbrojtur pragun e shtëpisë
dhe lirin aq shumë të pritur ishte i madh. Vepruan ato, në mënyrë të
organizuar, por edhe aty ku e lypte nevoja. Me formimin e organizatës Nacional
Demokratike Shqiptare, në kuadrin e saj, në komitete komunale të NDSH-es, si
formë organizimi, u aplikuan edhe komitetet e grave të NDSH-së, që vepronin
kryesisht me gra, ndonëse ato vepronin edhe në forma të tjera, ngase në disa
pjesë të Kosovës organizimi i tyre nuk ishte edhe aq i mundshëm.
Sipas shumë shënimeve që kemi, në Anamoravë nuk kishte
ndonjë organizim të veçantë të grave. Por, duke hulumtuar në terren, del se
gratë e kësaj pjese të Kosovës më tepër vepronin në kuadër të NDSH-së, por
aktiviteti më i madh i tyre vije në shprehje në prapaskenat e veprimtarisë së
NDSH-së, duke iu ndihmuar burrave në mënyra të ndryshme.
Vlen të përmendim se porosi e profesor Ymer Berishës dhe
e krerëve tjerë të Lëvizjes kombëtare ishte dhe kërkonin me këmbëngulje që në
radhët e NDSH-së të angazhohen dhe të përfshihen sa më shumë gra. Dhe si detyrë
primare shtrohej që ato të angazhohen në bartjen e postës, në mbledhjen e
ndihmave, në shpërndarjen e tyre, në shpërndarjen e afisheve në qytet, në
grumbullimin e materialit sanitar, në vizitat e shumta që do t’u bëhen
familjeve të anëtarëve që ishin të arratisur në male, që ishin të pushkatuar etj.
Gruaja shqiptare rol të veçantë luajti në aspektin e propagandës, duke iu dhënë
zemër grave të tjera se liria është afër dhe shumë shpejt do ta gëzojmë atë.
Në vitet 1945-1947, me zbulimin e anëtarëve të NDSH-së, u
zbulua edhe aktiviteti i dendur anti-jugosllav i grave të Anamoravës. E dhe ato
u ndodhën në bankat e zeza të gjyqit duke u dënuar me pushkatim dhe me vite
marramendëse burgu[1].
Vlen të përmendim procesin gjyqësor në
Prizren të Marie Shllakut, ku me 24 nëntor u ekzekutua me tre bashkëvendës të
saj.
Një vit më vonë, në Gjilanin e Idriz Seferit, filloi një proces tjetër po
aq makabër se ai i Prizrenit, ku para gjyqit dolën 36 atdhetar, për tu dënuar
me vite drakonike nga pushtuesi jugosllav. Para trupit gjykues, në bankën e
zezë me një krenari të paparë gjerë më atëherë, qëndronte kokëlartë amvisja e
më vonë aktorja e njohur e Teatrit Kombëtar në Prishtinë, nga Ferizaj, Katarina
Josipi- Pjetri, motra e devotshme e atdhetarit, Lazër Josipit, që edhe ai
dënohej po në këtë proces gjyqësor. Gjykata e akuzonte se “ka qenë e ndërlidhur
me organizatën e NDSH-së dhe në shtëpi e saj e ka fshehur ilegalin Hamdi
Berishën si dhe armatimin e shumtë, municionin dhe materiale tjera të cilat
ishin dedikuar për organizatën e NDSH-së[2].
Në kohen kur organizohej procesi, Katarina kishte vetëm
23 vjet, e martuar, por megjithatë rrezikoi çdo gjë vetëm e vetëm që ti ndihmoj
lëvizjes së NDSH-së. Maria, Katarina e shumë të reja shqiptare dolën para
gjyqit dhe në mënyrën më të vrazhdë u ballafaquan me realitetin historik, se
liria megjithatë, pa sakrifica nuk mund të fitohet. Por, çfarë të thuhej për të
gjitha ato gra që në mënyrë të tërthorët, duke qëndruar në prapavijë, e
ndihmuan popullin, i fshehën dhe u kujdesën për krerët dhe anëtarët e tjerë të
lëvizjes së rezistencës. Mund të themi se gruaja e Anamoravës gjatë tërë
periudhave të historisë kishte zgjedhë një rrugë më pak ekspozuese, por që epte
një kontribut të jashtëzakonshëm në lëvizjet kombëtare. Ajo me një devotshmëri
u kujdes për fëmijët që ti edukojë në tabanin kombëtar, ruajti me krenari
postulatet e të parëve për luftërat kundër robërisë, mbrojti familjen si gjënë
më të shenjët dhe çdo gjë që nënkuptonte atributet më sublime etike e
kombëtare.
Nëna Zarife nga Gjyrisheci i Dardanës ishte shembulli më
tipik i një gruaje që sakrifikoi çdo gjë vetëm e vetëm që njëherë e
përgjithëson ta shoh vendin e saj të lirë. Ajo edhe me kusht të flijimit të
jetës dhe të tërë familjes, u kujdes dhe e ruajti me trimëri Mulla Idrizin- nga
Gjilani, në sarkofagun e bërë në mur me gjatësi 397 cm e gjerësi 80 cm.[3]
Në këtë sarkofag e ruajti plotë dy vjet luftëtarin e lirisë. Falë trimërisë dhe
dashurisë së madhe të nënës Zarife, që kishte për atdheun, ajo u kujdes me
devotshmëri për të, sikur ta kishte anëtar të familjes më të ngushtë. Zbulimin
e hoxhës dhe arrestimin e tij, nëna Zarife e përjetoi rëndë. Ajo në momentin e
arrestimit, duke mos e kuptuar qëllimin e mirë të Mulla Idrizit ndaj familjes
së saj, ai dorëzohej pa e shkrepur asnjë fishek. E befasuar nënë Zarifja nga
kjo sjellje e hoxhës, ajo kërkon nga ai që të mos dorëzohej ”pa luftë” dhe
kërkon “hoxhë, pushka top le të bëhet, të lutem mos u dorëzo”. Duke mos ditur
se hoxha me atë sjellje të qetë e të urtë, në të njëjtën kohë po e kursente atë
dhe familjen e saj nga tragjedia më e madhe që mund të ndodhë.
Pas kësaj ngjarjeje edhe nënë Zarifja nuk u kursye nga
fyerjet, maltretimet dhe ecejaket nëpër burgjet e ndryshme të Gjilanit e të
Kamenicës. Ndërsa djemtë e saj u kalbën nëpër kazamatet jugosllave si
bashkëpunëtorë dhe bashkëveprues të patriotit.
Nuk ishin rastet e rralla, kur gratë e luftëtarëve
merreshin në burgje si peng vetëm e vetëm për të zbuluar burrin, vëllanë,
djalin se ku fshihej ai, apo në ç’kohë ai vinte në shtëpi, apo nga ato kërkohej
që të tregonte kush janë bashkëpunëtorët e tyre e shumë fshehtësi të tjera, e
që në dosjet e UDB-es, ngelte pyetje pa përgjigje. Kishte raste të shumta kur
nënat shqiptare me vite të tëra pritnin burrat që tu ktheheshin në shtëpi, duke
i rritur dhe edukuar fëmijët me një taban kombëtar, dhe duke iu treguar atyre,
se baballarët e tyre janë trima, se këta duhet të mburrën që janë fëmijët e
tyre. Kishte raste edhe më tragjike, kur ata nuk ktheheshin fare nga burgjet
jugosllave dhe as varret e tyre nuk arrinin ti mësonin[4]
. Me depërtimin e një pjese të ilegales shqiptare për Greqi, shumë gra mbetën
pa burrat e tyre, dhe për të gjallë kurrë nuk arritën të shiheshin ndërmjet
veti, por ato, megjithatë u bënë ballë furtunave të jetës. Ato ishin të
vetëdijshme për fatin e tyre, dhe e lanë amanet brez pas
brezi se kush ishte
shkaktar kryesor i fatkeqësisë së tyre familjare e kombëtare në përgjithësi.Nënë Hatixheja
Gratë shqiptare sikurse edhe burrat, qëndruan nëpër
birucat e ndyra e të pista edhe, si peng për burrin, djalin e babanë. Rasti më
flagrant, i cili gjithsesi duhet përmendur është ai i gruas së madhe të Mulla
Idrizit- NËNË Hatixhes nga Gjilani.
Nënë Hatixheja ishte e lindur më 1915, në Gjilan. Ishte
bija e Bajram Rexhep Nallbanit, një familje që ishte e njohur me traditë
patriotike. Megjithëse ishte e pa shkolluar, por pas martesës me Mulla Idrizin,
ajo mësoi shkrim-leximin nga burri, sepse ai ishte dashamirë i madh i arsimimit
të femrave, ngase shpesh thoshte, se pa grua të shkolluar nuk mund të ketë as komb të ngritur, se
mëkati më i madh i njeriut është po qe se gruan e lëmë të pa shkolluar.
Prej vitit 1937, ajo iu bë shoqe e ngushtë e jetës[5].
Ajo me sjelljen e një gruaje të pjekur, priti e përcolli shokët e burrit, e që
nuk ishin të paktë si ata fetar e po ashtu edhe ata të lëvizjes patriotike
kombëtare. Pranë burrit të vet, ajo u brumosë edhe më tepër me trimëri e
përkushtim më të madh për çështjen atdhetare. Më 1944, respektivisht pas sulmit
të Gjilanit, dhe arratisjes së burrit pa gjurmë, nënë Hatixhja ishte gruaja më
e persekutuar në anën e Gjilanit e më gjerë. Në mungesë të burrit nënë Hatixhën
e arrestuan, duke menduar se në këtë mënyrë më lehtë do të zbulohet Mulla
Idrizi. Por u mashtruan. Gruaja e Mulla Idrizit qëndroi e fortë para torturave,
dhe maltretimeve që i bënë UDB-ashët. Edhe pse ishte shtatzënë, ata nuk e
kursyen nga presionet e shumta si fizike, po ashtu edhe nga ato psikike. Sa
qëndroi në burgun e Gjilanit, atë e vendosën të qëndronte në një dhomë me
burra. Ajo qëndronte, stoike. Në shtëpi kishte lënë tre fëmijë të vegjël së
bashku me nënë Hysnijen, e cila vizitorët më të shpeshtë i kishte UDB-ashët dhe
sa herë që e vizitonin i kërcënoheshin asaj se atë- plakën, do ta likuidojnë së
bashku me fëmijët, ata që i kishte në shkollë do t’i përjashtojnë nga shkolla,
e shumë të zeza tjera do t’iu bëjnë po
qe se nuk tregojnë se ku fshihet Mulla Idrizi. Nënë Hatixheja ishte e njoftuar
për të gjitha këto, por ajo me një qëndresë të paparë iu bënte ballë të gjitha
këtyre mundimeve ngase ishte e vetëdijshme se edhe këtë qëndresë që e bënte , e
bënte për burrin, për fëmijët dhe në fund e bënte për atdheun që aq shumë e
donin ajo dhe burri i saj- Mulla Idrizi. Pas dy javëve të kaluara në burgun e
Gjilanit atë e transferojnë për në burgun e Ferizajt. Edhe aty e vendosin në
një dhomë me burra, që vetëm e vetëm të bënin presion të vazhdueshëm në të.
Por, siç thamë edhe më lartë, gratë shqiptare ishin raste
të shpeshta, të cilat arrestoheshin si pengë për burrin e vëllamin e tyre. Andaj
edhe nënë Hatixhe në këtë burg nuk mbeti e vetme, si peng që ishte marrë, në mungesë
të burrit. Në këtë burg iu bashkëngjitën edhe dy gra tjera , që ishin arrestuar
po me të njëjtin qëllim si Nexhibe Tërpeza, gruaja e Hysen Terpezës nga Terpeza
dhe dy gra të urta që ishin nga anë e Pejës dhe i kishin marrë si peng për
burrat e tyre, e këto ishin Sofija dhe Maria, gra të patriotëve, i kujtohej
nënë Hatixhës më vonë.[6]
Edhe ato në fillim i kishin vendosur në një dhomë me burrat, por më vonë i
vendosin në një dhomë gjëja se të veçantë, në të vërtet i ndante një mur pa
derë për mbyllje. Vlen të cekim se sa qëndroi nënë Hatixheja në burgun e Ferizajt, ajo asnjëherë nuk e
hoqi mbulesën e fytyrës (peqen) dhe as dorëzat nga duart. Asnjëherë nuk u shtri
për të fjetur, por zakonisht gjumin e bënte ulur, me duar të kryqëzuara para
gjoksit që mezi nxirrte frymëmarrjen. Këtë grua që fati e sprovoi kaq keq,
kishte një karakter të fortë, dhe pikërisht kjo qëndresë e saj në një mënyrë
edhe burrave të burgosur iu dha forcë për rezistencë të mëtejshme.
Edhe pse vazhdimisht e merrnin në pyetje, në kohë e pa
kohë, ata asnjëherë nuk arritën, t’ia shohin fytyrën, nuk arritën t’ia shohin
mishtë e duarve, ata asnjëherë nuk arritën as t’ia dëgjonin zërin, e se çfarë
ngjyre kishte. Asnjëherë nuk doli në oborr të burgut për t’u shëtitur. Në
vizitë nuk i vinte askush, jo që nuk e donin apo e kishin harruar, por nuk
kishte kush t’i vinte.Mulla Idriz Gjilani
Nga ana e burrit gati të gjithë ia kishin vrarë. Vetëm
një vëlla i kishte mbetur Mulla Idrizit, por edhe atë ia kishin burgosur. Nga
ana e nënës nuk kishte mbetur askush. Andaj edhe i mungonin vizitat, ushqimi e
rrobat e lara e shumëçka tjetër. Vetëm familja e Abdyl Durës e kishte vizituar,
i kishin sjellë bukë dhe i kishte treguar se nuk është e harruar.
Pas pesë muaj qëndrimi në burg, e palarë, e paushqyer, e
torturuar, UDB-ashët e nxorën nga burgu, e hodhën në rrugë, pa i siguruar as
kthimin në shtëpi.. Një njëri e kishte njohur rastësisht se ishte gruaja e
Mulla Idrizit , i pagoi një fiaker për ta sjellë në Gjilan. Nga papastërtia e
madhe që mbretëronte në burgjet e atëhershme, e kishin mbuluar morrat dhe e
kishin bërë mish të gjallë. Flokët i kishin rënë nga ushqimi i dobët. Kishte
mbetur asht e lëkurë, dhe nëna Hysnije, kur e pa që hyri në derë, mendoi se i
parafytyrohej e bija, por u gëzua fortë kur kuptoi se vërtet ishte e bija e
saj. Fëmijët nuk e njohën. Punëtorët e UDB-es edhe pse e kishin lirua nga
burgu, torturat ndaj saja nuk i ndërprenë. E detyruan që në fshatrat e Gallapit
të dal për të kërkua burrin. Të kota ishin bredhjet e gruas së gjorë. Pas dy
javëve kërkese në fshatrat më të thella të Gallapit, ajo u kthye në Gjilan me
këmbë të ënjtura e të gjakosura. Pas këtij tentimi thuajse në një masë u
qetësuan shpirtrat e UDB-ashëve, dhe gruaja e gjorë më në fund mendoi se do ta
lënë të qetë. Por, u gabua, ato hije të zeza ishin të pranishme gjithkund, kudo
që ndodhej nënë Hatixheja. Nga burri rrallë merrte ndonjë letër, edhe atë të
adresuar nga Turqia. Ajo ishte e vetëdijshme se letrat që i merrte së pari i
kontrollonte UDB-eja, dhe çuditej pse e kërkonin Mulla Idrizin kur e dinin se
ai ishte në Turqi. Por në vitin 1947, diku në fillim të pranverës, në hanin e
Hasan Nallbanit u duk një njeri nga Gallapi me një porosi që vetëm nënë Hatixheja
e kishte kuptuar, dhe gëzimi i saj ishte i pa përshkruar, sepse më në fund ajo
u bind se burri i saj për të cilin kishte menduar se është në Turqi, apo
ndoshta i vdekur, ishte i gjallë, dhe diku fshihej në fshatrat e Gallapit..
Por, pas porosisë që e kreu gruaja, nuk vonoi shumë, shtëpia e tyre u rrethua
me forca të mëdha policore. Në ndërkohë e njoftuan se Mulla Idrizi është
arrestuar dhe është mirë që ti sjellin rroba e ushqim i thanë ata. Koka nuk i
pushonte së menduari duke i shtruar njëmijë e një pyetje që në pamundësi
ngelnin pa përgjigje. Athua çfarë do të ndodhë me të? Athua do e malltretojnë?
Athua do ta pushkatojnë? Çfarë do të ndodhë me fëmijët? E shumë pyetje të
tjera. Dilemat, që e munduan nuk kaloi një kohë e gjatë e ato u sqaruan me 29
nëntor 1949, Mulla Idrizi u dogj i gjallë në burgun e Gjilanit. Shtrohet
pyetja, se athua vërtetë Mulla Idrizi dogji veten, apo edhe kjo ishte vepër e
kurdisur nga vetë UDB-ashët. Dhe, vërtetë edhe më tutje ngelin dilema. Por, një
gjë është e vërtetë se vetë organet e UDB-es së Gjilanit i krijuan të gjitha
kushtet që Mulla Idrizi të bëjë një vepër të tillë.
Nënë Hatixheja edhe më tej jetoi, po jetë i thënçin.
Jetoi në mes jetës e vdekjes, në mes dhunës dhe qëndresës tamam ashtu siç iu
pati hije grave tona të traditës. Por, mbi të gjitha ajo, deri në fund qëndroi
trime e bujare. Me të mburreshin dhe mburren fëmijët dhe mbar populli shqiptar.
[1] Dr. Sabile Keçmezi- Basha, Formimi dhe veprimtaria e Oranizatës Nacional Demokratike, Kosova 18/19, Prishtinë, f. 171-184.
[2] Procesi gjyqësor I Hamdi Berishës, P.Nr. 18/47, Gjilan
[3] Dr. Muhamet Pirraku, Mulla Idriz Gjilani dhe Mbrojtja Kombëtare e Kosovës Lindore 1941-1951, Prishtinë 1995, fq.266.
[4] Deklarat e marrë nga djali I Mulla Idrizit me 26 janar 1998, Gjilan.
[5]
[6]