Faleminderit
Murat Gecaj: Bir i paharruar i vendlindjes, Malësi e Gjakovës
E merkure, 23.12.2009, 10:00 PM

(Kujtojmë studiuesin dhe pedagogun, Prof. Dr. XHELADIN GOSTURANI)
Nga Prof. as. Dr. Murat Gecaj
publicist e studiues-Tiranë
Mbaj mend se në një ditë të zakonshme, si shpesh më parë, erdhi të më takonte në zyrë e, si i thonë fjalës, të pinim bashkë një kafe bashkërahinasi im, Xheladin Gosturani. Meqenëse ishte i pamundur nga gjendja shëndetësore, më parë, i kishim bërë vizita në shtëpi dhe pedagogut e mikut tonë të përbashkët, Prof. Dr. Mahir Domit-Akademik. Nga një takim i tillë, ruaj edhe këtë fotografi të rrallë, që po e publikoj tani, bashkë me këtë shkrim-nderimi për jetën dhe veprimtarinë e tij të pasur.
Me atë thjeshtësinë që e dallonte, pasi shënoi autografin, Xhela, siç i thërrisnim në afërsi, më vuri përpara librin e tij të ri: "Ali Ibra dhe Lidhja Shqiptare e Prizrenit". Siç është e natyrshme, u gëzova shumë dhe e urova nga zemra për këtë punë të tij të çmuar. Gjithashtu, më tregoi se kishte në procesin e shtypit një vëllim me studime dialektologjike dhe priste që Komisioni i Kualifikimit Shkencor t'i jepte atij titullin "Profesor". Rasti e solli që njoftimin për miratimin e këtij titulli e mora vesh menjëherë dhe shkova ta takoja në zyrën, ku punonte, në Institutin e Gjuhësisë e Letersisë, pranë Akademisë së Shkencave dhe t'i uroja suksese të mëtejshme.

pas kaq vjetësh kur shkruaj këto radhë, sjell ndërmend me mall, dhimbje e krenari jetën e tij, veprën e mirë që ai la pas.
Kishte lindur më 11.06.1942, në fshatin Gosturan të krahinës së Gashit, në Malësinë e Gjakovës (Tropojë). Shkollën 7-vjeçare e përfundoi në vendlindje, ndërsa të mesmen pedagogjike në qytetin e Shkodrës, më 1961. Pastaj shërbeu mësues në shkollat 8-vjeçare: në qytetin "Bajram Curri" e në fshatin Tpla, të atij rrethi. Ndërsa në vitin 1964 i nisi studimet në degën gjuhë-letërsi shqipe, të Universitetit të Tiranës. Pasi i kreu aty studimet me përfundime shumë të mira, dy vjet, pra deri në vitin 1970, punoi mësues në shkollën 8-vjeçare të fshatit Buçaj, në vendlindjen e atdhetarit të njohur Ali Ibër Neza, i cili do t'i shërbente më vonë për të shkruar një libër për të.
Në vitet si mësues dhe student, Xheladini shfaqi interes të veçantë për hulumtimin, mbledhjen dhe studimin e dëshmive dialektologjike. Për këtë arsye, në shtator të vitit 1970, atë e caktuan bashkëpunëtor shkencor në departamentin e gramatikës dhe të dialektologjisë, të Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë, pranë Akademisë së Shkencave, ku ishte deri në fund të jetës së tij.
Gjatë kësaj periudhe, duke vlerësuar punën e frytshme në studimet dhe botimet e ndryshme, ai mbrojti desertacionin në fushën e dialektologjisë dhe mori gradën "Doktor i Shkencave". Ndërsa, siç përmendëm më lart, pak para se të ndahej nga jeta, Komisioni i Kualifikimit Shkencor, pranë Këshillit të Ministrave i dha atij titullin "Drejtues Kërkimesh", i barazvlershëm me titullin "Profesor". Këtë gjë e meritonte plotësisht se, me ngulm e pasion, iu përkushtua studimeve në fushën e gjuhësisë shqiptare e më gjerë.
Ndër punimet më të rëndësishme gjuhësore të Prof.Dr. Xheladin Gosturanit janë librat: "Atlasi Dialektologjik i Gjuhës Shqipe" (bashkautor dhe që u botua më vonë), "Historia e Gjuhësisë Botërore gjatë shekujve dhe disa çështje teorike te saj" (Tiranë, 1998), "Historia e Albanologjisë"(Tiranë, 1999) dhe "Studime në fushën e dialektologjisë shqiptare"(Tiranë, 1999).
Në pjesën e parë të librit "Historia e Albanologjisë" ( kushtuar Prof.Dr.Mahir Domit-Akademik), me titullin "Gjuha shqipe gjatë shekujve", ka pasqyruar në mënyrë të përmbledhur tërë zhvillimi historik të gjuhës shqipe, që
nga lashtësia, duke e vështruar atë si një gjuhë indoevropiane. Në vijimësi , ka trajtuar lidhjet e shqipes më gjuhët e gadishullit të Ballkanit, gjë që çoi në formimin e njësisë gjuhësore të kësaj treve ose afrinë kulturore ballkanike. Me interes janë paraqitur në këtë pjesë të librit marrëdhëniet e ndërsjellta: rumune-shqiptare, sllave-shqiptare dhe greke-shqiptare.

Po kështu, në këtë libër të terheq vëmendjen edhe periudha e fundit, pra pas Luftës së Dytë Botrërore, ku nënvizohen arritjet kryesore të gjuhësisë shqiptare në këtë lëmë, duke u qartësuar dhe qendrat albanologjike kryesore, si dhe studiuesit më të përmendur sot në Botë.
Ndërsa në librin "Historia e gjuhësisë botërore gjatë shekujve", autori. Gosturani u ka paraqitur lexuesve, pedagogë e studentë të shkollave të larta, mësues, studiues dhe intelektualë të tjerë, të interesuar për këtë fushë të dijes, një vepër të parë të këtij lloji në gjuhën shqipe nga fusha e linguistikës, mjaft e dobishme për një rreth të gjerë lexuesish. Aty flitet për natyrën e gjuhës në përgjithësi, lidhjen e saj me mendimin, botën shpirtërore të njeriut dhe përbërjen strukturore të saj, për rrymat dhe shkollat e ndryshme gjuhësore që nga lashtësia e deri në ditët e sotme, për ndihmesën e dhënë nga një plejadë gjuhëtarësh botërorë, si: Rask, Bopp, Gtim, Humbold, Shlajher; për metodat e disallojshme, që përdoren për studimin e gjuhës, si dhe për klasifikimin e gjuhëve të Botës.
Librit ia shton rëndësinë kapitulli i fundit, me titull:"Gjuha shqipe në shekuj", që plotëson kuadrin e përgjithshëm të çështjeve dhe e njeh lexuesin tonë me historinë e gjuhës së vet. Aty jepet përgjigje për disa pyetjeve dhe shqetësime, që kanë lindur e lindin gjatë periudhave të ndryshme historike. Në botimin në fjalë, dëshmohet edhe për ndihmesën e popujve dhe dijetarëve të njohur, në zhvillimin dhe përparimin e dijeve njerëzore.
Gjithashtu, Xh.Gosturani kishte përfunduar tri monografi e gjashtë studime të thelluara në fushën e gjuhësisë, sidomos për të folme të Malësisë së Gjakovës dhe të krahinave të tjera. Ka botuar dhjetëra artikuj studimorë në gazeta e revista, kryesisht në ato shkencore.
Me vlera të veçanta janë edhe librat e Prof.Dr. Xheladin Gosturanit për figura të shquara atdhetare e ngjarje të mëdha historike, si: "Atdhetari e luftëtari Jakup Ferri" (Tiranë, 1982); "Heroi i Popullit Ramë Sadri Metaliaj"(bashkautor),Tiranë,1985; "Ali Ibra dhe Lidhja Shqiptare e Prizrenit" (Tiranë, 1999). Janë domethënëse fjalët që ka shkruar në hyrjen e librit të tij të fundit: "Populli Shqiptar ruan kujtimin e veprës së madhe patriotike të atdhetarëve të tillë si Ali Ibra, të cilët nuk kursyen asgjë në luftën për të siguruar unitetin kombëtar e shtetëror të popullit tonë. Prandaj gjithmonë do t'u rezervojmë nderim e admirim, respekt e mirënjohje".
Prof. Gosturani u dallua, gjithashtu, në punën e pasionuar si pedagog i jashtëm për lëndët dialektologji e sintaksë të gjuhës shqipe, në Fakultetin Histori-Filologji, të Universitetit të Tiranës. Udhëhoqi me sukses diploma universitare e pasuniversitare.
Atë e karakterizonte korrektësia, vullneti e përkushtimi në punë, serioziteti dhe aftësia argumentuese në temat e tij të studimeve e botimeve, si në fushën e gjuhësisë dhe në atë të historisë sonë kombëtare. Kurdoherë, pati shembull frymëzimi në punë pedagogët e gjuhëtarët tanë më të shquar. Veçanërisht, ishte i ndjeshëm e i përkushtuar për trajtimin e të folmes dhe historisë së vendlindjes dhe të Kosovës, të cilat i njihte aq mirë. Megjithëse kishte shumë vite më banim në Tiranë, vazhdimisht shkonte për punë ose me pushime në Malësinë e Gjakovës (Tropojë) dhe çmallej me tokën e të parëve, me të afërmit, me kolegë e miq të dashur. Pranadaj është i natyrshëm vlerësimi, që iu bë Xheladin Gosturanit në vendlindje, pas vdekjes, duke i dhënë emrin e tij një shkolle 9-vjeçare.
Disa herë kishte kaluar edhe nëpër fshatra e qytete të Kosovës dhe kishte qëmtuar, si bleta nektarin, fjalën e lashtë e të vyer të popullit. Pastaj, me saktësi shkencore, kishte bërë analizën dhe studimin e nevojshëm të dukurive dialektologjike, duke realizuar kështu një studim voluminoz, me mbi 600 faqe, të cilin Xheladini e kishte gati për botim. Në vitin 2005, në botimin shkencor “Dialektologjia Shqiptare”-VII, u publikua studimi i tij me vlera, në 155 faqe, “Struktura gramatikore e së folmes së Elbasanit dhe leksiku i saj”.
Shpesh, me atë heshtjen e tij, Xheladin Gosturani fliste dhe dëshmonte shumë, në radhë të parë njeriun e punës, atdhetarin e spikatur, që mbi gjithçka vë interesat e popullit të vet. Ai do të mbetet i paharruar jo vetëm për të afërmit, por dhe për ish-nxënësit e ish-studentët e tij, për kolegët dhe gjithë të dashurit e të njohurit e tij. Trupi i tij tani prehet i qetë në vendlindje, aty në fshatin Gosturan, rrëzë malit të lartë të Shkëlzenit dhe kundruall Kosovës martire, për të cilat dëshmoi përherë zell e përkushtim.
Komentoni
Artikuj te tjere
Xhelal Ademi: Mefail Selimi–Braja, roja e fundit e komandantit të Ballit Kombëtar Mefailit të Madh
Ramiz Dërmaku: Dr. Ibrahim Rugova kishte fuqinë e gjeniut të popullit
Emil Lafe: Fjalë kujtimi e nderimi për Prof. Selman Rizën
Adem Berisha: Abdyl Krasniqi u varros por nuk vdiq
Murat Gecaj: Prof. Zihni Sako - ''xhaxhai'' i mirë i folklorit shqiptar
Halit Bogaj: Adem Mikullofci
Ramiz Dërmaku: Pa dashuri dhe flijim jeta s'ka kuptim
Mexhid Yvejsi: Mulla Sadri Prestreshi (1917-1002)
Ramiz Dërmaku: Kështu e njoha Xhemail Mustafën
Halit Bogaj: Nënë Terezës
Isa Berçani: Luftëtari Jahë Sadrija
Sabile Keçmezi- Basha: Disidentja e parë shqiptare - Musine Kokalari
Kalosh Çeliku: Hoxha me k?sul?n e bardh? t? Bajram Currit
Jahë Sadrija: Si u anashkalue mësuesi e martiri i kombit Mehmet Syla
Halit Bogaj: Filip Shiroka
Murat Gecaj: Fatbardha Gega - ''Mësuese e Popullit'' dhe edukatore e talentuar
Halit Bogaj: Ahmet Krasniqit
Halit Bogaj: Zeqir Gërvalla
Virion Graçi: Duke përkujtuar Musine Kokalarin
Ndahet nga jeta normalisti më i vjetër i Elbasanit