Faleminderit
Sabile Keçmezi- Basha: Disidentja e parë shqiptare - Musine Kokalari
E enjte, 17.12.2009, 11:00 PM
DISIDENTJA E PARË SHQIPTARE - MUSINE
KOKALARI
Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi- Basha
Vala e gjyqeve të inskenuara në Shqipëri kishte filluar
menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Gjatë kësaj periudhe u
organizuan shumë procese gjyqësore[1],
ku në bankën e të akuzuarve u ulën intelektual të shumtë, dhe kryesisht, ishin
ata, të shkolluar në shtetet perëndimore, dhe që nuk ishin të kënaqur që vendi
i tyre ngeli në lindje. Edhe pse, armata e të pakënaqurve ishte tejet e madhe
që Shqipëria pranoi sistemin komunist, pushtetarët megjithatë nuk hiqnin dorë
nga regjimi i sapo instaluar.
Një nga
organizatat opozitare ilegale më të hershmet e më të mëdha që u formua dhe
punoi për të vendosur në Shqipëri një sistem politik pluralist në kundërshtim
me përpjekjet që bënte udhëheqja e PKSH për të vendosur një sistem njëpartiak,
ishte organizata “Bashkimi-demokratik shqiptarë ”[2]
Fillimisht, ata,
filluan fshehtas të shprehnin pakënaqësitë e tyre, që më vonë për të kaluar në
formimin e grupeve e organizatave të para të formuara ilegalisht. Në këtë
mënyrë, lindën edhe bërthamat e para të opozitës shqiptare, në jetën politike. Në fillim formohet
“Fronti i Rezistencës”, e më vonë fillojnë të lindin edhe organizata te tjera ilegale.
Në skenën politike shqiptare dalin intelektualët e shquar që nuk ishin të
kënaqur me rrjedhat politike, pastaj vijnë e marrin hov edhe
patriotet nacionalist që ishin të shumtë në tokën shqiptare, dhe në ndërkohë
filluan të bashkëpunonin ngushtë me social-demokratet, që në vete kishin përfshirë
emra të rinj e të nderuar si: Sami Qeribashi, Qenan Dibra, Musine Kokalari[3]
e shumë të tjerë.
Në radhët e
opozitës shqiptare të pasluftës nuk mungonin as emrat e njohur të cilët kishin
marr pjesë dhe e përkrahnin me besnikëri Lëvizjen Nacional-Çlirimtare, e ata
nuk ishin të pakët. Dëshpërimi nga ana e udhëheqësve komunist që kishte pasua
menjëherë pas lufte i detyroi ata që të tërhiqeshin dhe të merrnin qëndrim të kundërt. Me kohë u vërejt se nuk u
respektuan qëndrimet e Mukjes dhe të
Bujanit[4].
Andaj çdo qëndrim i mëtejshëm në këto pozita për atdhetarët që donin një
Shqipëri të bashkuar e demokratike ishte fyes për ta. Musine Kokalari
Ata demokrat, duke e parë nevojën, se vetëm si të
bashkuar, do të lëviznin diç nga zeroja që e kishte kapluar Shqipërinë filluan
të vepronin. “ Në verën e vitit 1945 kam hyrë në lidhje me grupet e tjera
antikomuniste të kryesuara nga Sami Qeribashi e Qenan Dibra dhe kemi hartuar
memorandumin që do t’iu dërgohej misioneve ushtarake aleate të akredituara në
Tiranë e që ishte miratuar në mbledhjen e 6 nëntorit...[5]”
kështu do të deklaronte Musineja gjatë hetuesisë. Në memorandumin e tri partive
antikomuniste ishte edhe një kërkesë që tek hetuesit kishte ngritur reagime të
papara. Fjala ishte për kthimin e kufijve etnik. Ngase në hetuesi Telat Drini
kishte deklaruar se “ne jemi takuar me Qenan Dibrën, ku kemi shtruar çështjen e
sigurimit të Kosovës dhe të Çamërisë...[6]”.
Në takimin e verës 1945, u bashkua “Partia Social-Demokrate”, që kryesohej nga profesoresha
Musine Kokalari, “Partia e Legalitetit” (zogiste), që kryesohej nga avokati
Qenan Dibra dhe “Fronti i Rezistencës” (indipendent), që e udhëhiqte avokati
Sami Qeribashi, duke formuar një organizatë më të madhe, më të fortë e më të
fuqishme antikomuniste që e quajtën “Bashkimi Demokratik Shqiptar”. Me formimin
e kësaj organizate, intelektualët e shumtë filluan të frymonin më lehtë dhe në
të aderuan një numër i madh i patriotëve të pa angazhuar gjerë më atëherë në
partitë politike[7].
Pas një aktiviteti të lakmueshëm dhe kur u mendua se
organizatës së sapo formuar iu dha e mbara, organet e hetuesisë e zbuluan atë.
Në vitet e para të pasluftës në Shqipëri u vu një “rregull” nga organet
hetuese. Çdo gjë survejohej me besnikëri nga njerëzit e pushtetit. Ishte krejt
e natyrshme që një organizatë aq e madhe dhe aq aktive siç ishte “Bashkimi
Demokratik Shqiptar”, që të mos bie në sy. Në janar të vitit 1946 anëtarët e organizatës
ilegale shqiptare një nga një u zbuluan, dhe një nga një u arrestuan, dhe numri
i tyre arriti në 37 veta. (Koinçidenc e çuditshme. Po ashtu, në Kosovë, në
Gjykatën e Qarkut në Gjilan, në të njëjtin vit, para trupit gjykues dalin 37
veta të organizatës patriotike atdhetare të NDSH-së).
Procesi i anëtarëve të “Bashkimit Demokratik Shqiptar”
Me 17 qershor
1946, e hëne ora 8.30. Në kinemanë “Nacional” sot “17 nëntori, në prani të një
populli të “zgjedhur” mes zhurmës së altoparlantëve...Ishte ndër ta vetëm një
femër”[8].
Para trupit gjykues të Tiranës, përpara prokurorit Nevzat Haznedarit, në bankën
e zezë u ulën patriotët, dhe intelektualët më të devotshëm të asaj kohe. Në
listën e të akuzuarve ishin: Sami Qeribashi (61 vjeç), tregtar nga Gjirokastra.
Dënohet me pushkatim. 2. Xhahit Koka (40), Ellasone ( Larisa, Greqi), ekonomist
i mbaruar në Bukursht, dënohet me pushkatim 3. Hivzi Gole (36 vjeç), kishte
mbaruar fakultetin juridik në Paris, dënohet me vdekje- pushkatim. 4. Qenan
Dibra, (36 vjeç). Dibër e Madhe, kishte të mbaruar jurisprudencën në Paris. U
dënua me pushkatim. 5. Tut Mahmut Meniku (41), Tiranë, ushtarak, u dënua me
pushkatim 6. Telat Drini, (37), Dibër e
Madhe, nëpunës poste, dënohet me pushkatim. 7. Mehmet Ali Beshiri, (42 ),
Tiranë, kishte mbaruar shkollën tregtare në Austri. Dënohet me pushkatim. 8.
Ali Kavaja, (36), Kavajë, kishte të mbaruar shkollën teknike te Fulcit me
sukses të shkëlqyeshëm, dënohet me vdekje. 9. Shaban Balla (42), Krujë,
gjeometër. Dënohet me vdekje- pushkatim. 10. Jorgji Çoka, profesor (38), Tiranë,
tregtar. Dënohet me vdekje- pushkatim. Pas tyre në listën e gjatë të të
dënuarve vinin personat që ishin të dënuar me burg të përjetshëm (101 vjet, ata
ishin: 11. Gjergj Kokoshi (42), Shkodër. Doktoron në Paris letërsinë. Dënohet
me 30 vjet burg, vdes në burgun e Burrelit. 12. Suat Asllani (43 vjeç), avokat
nga Libohova. Studimet i kishte mbaruar në San Demetrio Korone dhe në Napoli të
Italisë, dënohet me 15 vjet burg. 13. Musine Kokalari (28 vjeçe), e lindur në
Adana të Turqisë, doktoron në Romë për letërsi. Dënohet me 30 vjet burg. 14. Anesti
Orollogai (49 vjeç), Korçë. Dënohet me 25 vjet burg. 15. Kolë Rodhe (63 vjeç),
Korçë. Dënohet me 30 vjet burg[9].
Me burgim të
përjetshëm në këtë proces gjyqësor u dënuan këta persona: 16. Lluka Bibi,(46
vjeç), jurist nga Përmeti, 17. Anton Dukagjini, 54 vjeç , pensionist nga Puka,
18. Enver Hasa, 27 vjeç, ish- oficer nga Dibra, 19. Abdullah Muça, 30 vjeç,
inxhinier nga Tirana.[10]
Të dënuarit
me 30 vjet burg ishin: 20. Nefail Shikuli, 30 vjet, ish- oficer nga Dibra, 21.
Qemal Biçaku, 26 vjeç, tregtar nga Elbasani, 22. Reiz Hasho, 22 vjeç student
nga Gjirokastra.[11]
Me nga 25
vjet burg u dënua vetëm 23. Myrteza Beli, 44 vjeç nëpunës nga Korça. Ndërsa me
nga 20 vjet u dënuan: 24. Hasan Kalaja, 36 vjeç, shegert nga Kruja, 25. Stefan
Bumçi, 33 vjeç ish- oficer nga Shkodra, 26. Vahid Vërdalli, 60 vjeç bujk nga
Korça dhe 27. Haki Gjinishi, 53 vjeç, financier nga Peqini.
U dënuan me
10 vjet burg: 28. Haki Karahoda, 34 vjeç, punëtor nga Elbasani, 29. Pali
Terova, 37 vjeç, nëpunës nga Korça, 30. Niko Beça, 33 vjeç, tregtar nga Tirana,
31. Musa Dizdari, 33 vjeç, profesor nga Shkodra, 32. Llazar Papapostoli, 31
vjeç, nëpunës nga Bilishti. Me 5 vjet burg u dënua 33. Semiramise Verlaci, 62 vjeç, shtëpiake nga Elbasani.
Ndërsa me 1 vjet burg u dënuan: 34. Pjerin Shala, 26 vjeç, ish- oficer nga
Shkodra, 35. Nesim Starova, 39 vjeç, nëpunës nga Pogradeci. Dhe vetëm dy
persona u shpallën të pafajshëm: 36. Xhevat Miluka, 38 vjeç, ish- oficer nga
Dibra dhe 37 Taqo Ruqi, 42 vjeç, ish, oficer nga Kolonja.[12]
Kush ishte Musine Kokalari?
Në mesin e të
arrestuarve ndodhej edhe patriotja e shquar, poetja e mirëfilltë dhe doktorija
e parë e shkencave filologjike, kryetarja e parë e partisë Social-Demokrate-
Musine Kokalari. Ajo ishte e lindur në Gjirokastër, më 1917 në një familje
intelektualësh. Vëllai i saj, Hamiti, është njëri nga përkthyesit tanë më të
mirë dhe autori i librit shkencor “Kosova- djep i shqiptarizmës (1943)[13].
Banonte në Tiranë. Ishte vajzë e vetme e juristit të shquar nga Gjirokastra.
Shkollën e mesme e kishte mbarua në Institutin “Nëna Mbretëreshë”. Për ti
vazhduar studimet e larta për letërsi në Universitetin e Romës. Më 28 nëntor të
vitit 1941 merr titullin doktorë e shkencave të letërsisë po në këtë
universitet dhe në të njëjtën kohë i ofrojnë vend pune.
Në vitin 1943
s’bashku me Skënder Muçon krijon partinë e re social-demokrate që llogaritej se ishte
fraksion i dal nga Balli Kombëtar. Nga organet e shtetit zbulohet dhe
arrestohet me 12 nëntor 1944, mbahet 17 ditë në arrest dhe lirohet ngase vetëm
4 ditë më herët, i pushkatohen pa gjyq dy vëllezërit e saj Muntazi dhe Vesimi,
që me dhjetë persona të tjerë përfundojnë në një varr të përbashkët, aty mbrapa
hotel Bristolit. Më 1945, Mysines i ofrojnë që të bëhet anëtare e Lidhjes së
Shkrimtarëve të Shqipërisë, por ajo e revoltuar me vrasjen e dy vëllezërve dhe
me shumë padrejtësi të tjera, refuzon. Nga dokumentet që i kam hulumtuar në
Arkivin Qendror të Shqipërisë[14]
kam hasur në korrespodencën e saj me vëllezërit e saj dhe nga ato shihet se sa
Mysineja ka qenë e lidhur me vëllezërit e vet dhe sa rëndë e ka ndjerë humbjen
e tyre. Dhe pas kësaj organet hetuese edhe më tepër shtuan përcjelljen ndaj
saj. Dhe nuk vonoi shumë, ajo me 23 janar 1946 arrestohet dhe në procesin e
mbajtur me 17 qershor 1946 nga prokurori dënohet me 30 vjet burg, ndërsa nga
gjykatësi me 20 vjet. Dhe sipas dokumenteve thuhej se, tërë jetën që e bëri në Shqipërinë
komuniste, e bëri në pranga dhe në internime. Lirohet nga burgu më 1961 dhe
internohet përjetësisht në Rrëshen të Mirëditës[15].
Punon punëtore krahu në fermë, në ndërtim duke e ruajtur e përgjuar nga
sigurimi deri sa dhe u sëmur nga kanceri.
Vlen të
përmendim se Musine Kokalari veç që merrej me politikë, ajo më herët por edhe
më vonë u morr me krijime letrare. Qysh si nxënëse e shkollës fillore, ajo
filloi të merrej me krijimtari dhe kishte botuar shumë skica e tregime letrare.
Shkrimet e saja u çmuan lart nga qarqet krijuese. Më 1941, kishte botuar për
herë të parë vëllimthin “Siç më thotë nënua plakë”, që më vonë kjo përmbledhje
e shkrimeve të ndryshme i siguroi vendin meritor të një shkrimtareje të
talentuar. Këtë sukses të saj më vonë e konfirmojnë edhe dy vëllimet e reja siç
ishin : “Rreth vatrës” dhe “Sa u tund jeta”, më 1944. Kritikët letrar
vlerësonin se ajo ishte pa dyshim shkrimtarja femër më e talentuar e letërsisë
shqiptare.
Angazhimi i saj opozitar
Edhe pse
merrej me letërsi, ajo në asnjë moment nuk la anash aktivitetin politik dhe
luftën e saj për një Shqipëri demokratike pro-perëndimore. Më 1943, ajo kishte
formuar Partin Social-Demokrate në Shqipëri. Më vonë mu ky aktivitet i dendur
politik i saj, i kishte sjellë edhe pasoja të pa imagjinueshme. Sipas shkrimeve
të shumta që u bënë për të, thuhej se me 1944, për Musine Kokalarin mbyllet
edhe cikli i parë dhe i vetmi i jetës së lumtur. Nga ky vit, kur ajo ishte në
kulmin e krijimtarisë dhe në kohën kur lëvizja e rezistencës ishte në hovin më
të madh, po nga këtu fillon golgota tragjike e jetës së saj. Ndaj saj nis një
persekutim mizor dhe një torturë tepër e zgjatur jetësore. Ajo grua finoke e
tepër e brishtë, mbajti 16 vjet burg të rëndë nëpër kazamatet shqiptare. Pastaj
20 vjet qëndroi në internim që do të thotë se qëndroi deri në ditët e fundit të
jetës.
Trim Gjata me
të drejt konstaton: “Asnjë femër nuk është përndjekur, tek ne më egërsisht e më
gjatë se ajo- Musine Kokalari. Ajo qëndroi krenare dhe kurrë nuk u përkul dhe
nuk pranoi propozimet dinake që të kërkonte “lehtësime”[16].
Nga sa u tha më lartë mund të shihet se Musineja vërtet ishte një martire e
kauzës së demokracisë dhe e pluralizmit politik. Por, njëkohësisht ishte edhe
luftëtare e pa epur, absolutisht e pa manipulueshme nga monizmi që mbretëronte atëherë. Me një fjalë
ajo ishte një karakter i çeliktë prej femre. Që të fitonte bukën e gojës iu
desh të punonte punët më të rënda duke
filluar nga ato bujqësoret, në ndërtimtari dhe si punëtore krahu. Shumë shkrime
të saja edhe sot nuk dihet se ku kanë tretur dhe se ku ndodhen, apo ndoshta
janë zhdukur nga “kujdestarët” e sistemit tërësisht. Por, vlen të citohet vetëm
kjo që është e marr nga ditari i saj i nxjerr nga burgu, ku shkruan: “Njoha
kulturën demokratike, tragjedinë e përmbysjeve të mëdha revolucionare, gjyqin
special, 16 vjet burg e 20 vjet internim, punën e punëtorit në bujqësi e
ndërtim, vetmin e vetë kërkuar, shoqërinë e rastit në burg, ndryshimet tërmet
për konsolidimin e diktaturës dhe kam 38 vjet që kam harruar çdo të thotë
familje...”[17]
Përcjellja e saj e fundit- në një kamion
me zhavorr të mbushur
Pas shumë
peripecive të jetës së mundimshme, prej fshati në fshat, prej internimi në
internim, ajo nuk mundi të duronte më... Më 13 gusht të vitit 1983, mbylli sytë
përgjithmonë, duke shkuar nga kjo botë për të mos par kurrë se, ëndrra e saj
dhe e shumë gjeneratave ngeli e pa realizuar. Autoritetet shtetërore e varrosën
pa pranin e miqve. E varrosën dy-tre veta, duke e ngarkuar në një kamion zhavorri.
Dhe kjo ishte fyerja e fundit që iu bë asaj. Musineja tërë jetën bëri luftë të
paepur, vetëm e vetëm që të ndryshojë diçka, e ajo diçka ishte shumë e
rëndësishme për Shqipërinë dhe shqiptarët. Por, tërë ajo ishte e kot. Ata u
munduan t’ia thyenin shpirtin, dinjitetin dhe krenarin, por, kurrë nuk ia
dolën. Ajo mbeti në kujtesën e njerëzve, krenare dhe atdhetare që edhe sot e
ruajnë me krenari në kujtesa gjenerata e gjenerata.
[1] Georges Herman Hodos, Inskenimet
(Proceset politike dhe spastrimet staliniste në Europën Lindore 1948-1956),
Tiranë, 2000, f. 21.
[2] Demir Durmishi, Veprimtaria e bandave dhe
e organizatave opozitare ilegale në Shqipëri (1944-1948), Tiranë, 2003,f.173
[3] Dr. Pjetër Pepa, Dosja e diktaturës,
Tiranë 1995, f. 77
[4] Elmas Leci, Eliminimi I lidershipit
ushtarak, Tiranë 2002, f. 68-80
[5] Deklarat e Musine Kokallarit dhënë në
hetuesi, 1946. AQSH. Dos.1080/2, f. 224.
[6] Deklarat e Telat Drinit dhënë në hetuesi
më 1946
[7] Dr. Pjetër Pepa, Dosja e diktaturës,
Tiranë. f. 77. 1995
[8] Po aty.
[9] AMPB, Fondi Dosjet gjyqësore, viti 1946,
dos. 1081/5, f. 30-40.
[10] Po aty.
[11] Po aty.
[12] Po aty.
[13] Trim Gjata, Musine Kokallari (1917-1983),
Bota shqiptare, nr. 1. 1993, Tiranë
[14] A.Q.SH. Fondi 437, dosja 81 .
(Korrespodencë e Musine Kokallarit)
[15] Josif Zegali, Rrëfime nga burgu I
diktaturës komuniste, Tiranë 1999, f.197
[16] Trim Gjata, “Bota shqiptare” nr. 2.
Tiranë 1992.