E hene, 29.04.2024, 07:35 AM (GMT+1)

Mendime

Agim Vuniqi: A ka Kosova polikë të pavarur shtetërore...!?

E marte, 01.09.2009, 07:09 PM


A ka Kosova polikë të pavarur shtetërore...!?

Qeveria duhet me u parapri proceseve që në nismë, e jo të reagohet me vonesë, dhe pastaj të bllokohen nismat e çfarëdo projekti qoftë edhe ai protokollar

Nga Agim Vuniqi

Edhe pse ende nuk ka nisur vrullshëm fushata zgjedhore në Kosovë, rivaliteti garues ka filluar të kulmojë me një konkurencë të denjë të kandidatëve të kualifikuar për kryetar të komunave në Kosovë, asnjëra nga partitë politike nuk është e sigurtë për elektoratin stabil votues, për një arsye të thjeshtë, të mospërmbushjes së premtimeve të deklaruara më heret publikisht. Kutitë votuese janë ende të ftofta para fillimit të procesit të njëmendët zgjedhor, si tregues i mundshëm i sigurimit të biletës për hyrje në asamble komunale, por edhe për t'i kryesuar ato. Kutitë do të hapen në mesin e nëntorit (15), ndërsa dhuruesit vullnetar të gjakut votues do të joshin vetëm njërin nga kandidatët e mundshëm nëpër komuna duke përfshir edhe ato të rejat të parapara në bazë të kartës së decentralizimit të Kosovës. Do të jetë kjo një finale që do t'i mbajë të lidhur kandidatët por edhe votuesit për kutinë e votimeve, do të krijohet një partneritet i shkëlqyer që demonstron raportet e ndërsjellta, por që kanë detyra diametralisht të ndara por shumë të përgjegjshme. Meqë ky cikël i votimeve është individual-zgjedhja e kryetarëve komunal, ngase ai kolektiv është i ndarë, atëherë edhe kënaqësitë janë shumë më tepër të personalizuara, vetëm një kandidat do të përfitoj ofiqin “VIP”, ndërsa kandidatët tjerë do t’u rikthehen punëve tjera. Kandidatët do të jenë ende të fokusuar në atë se çka do t’i ofrojnë elektoratit, sigurisht që në këtë do të ndikojnë edhe koalicionet e mundshme të bartura edhe nga pushteti qendror, do të jetë ky një infuzion real për ta. Gati te të gjitha subjektet politike mbretëron skepticizmi se sa votues do të dalin në zgjedhje, ngase mund të krahasohen ngjarjet lidhur me zgjedhjet e fundit, ato të para dy viteve, nuk u përfolën vetëm nga vendorët por edhe nga ndërkombëtarët dhe atë nga nivelet më të larta të BE-së, për pjesëmarrjen e ulët në zgjedhje, ata ripërsëritën disa herë se zgjedhësit janë të zhgënjyer në udhëheqësit e tyre për politikën dështake në fushën e drejtësisë. Vendorët të preokupuar me zanatin e vjetër të futjes së dorës në xhepin popullor të euros publike as që i shihnin këto marifete. Disa nga skeptikët janë shumë të bindur se do të rifillojë matematika e vjetër e huas dhe borgjeve, sa do të jenë në nivel të detyrës kandidatët që do të propozohen mbetet të shihet, por sigurisht do të përballen me shumë vështirësi, që tash nuk bënë të përmenden meqenëse akoma nuk ka filluar fushata e njëmendët zgjedhore. Patjetër në epiqendër të angazhimeve të reja do të jetë edhe decentralizimi politik i Kosovës, i cili është në fushatën e mbjellje-korrjes, dy muaj e gjysmë para zgjedhjeve për kryetar të asambleve komunale. Përveq sekuencës zgjedhore ka edhe shumë observime të hapura dhe interesante për pavarësinë dhe sovranitetin. Nuk ishte edhe aq i lehtë, ngase pavarësia kërkonte njohjen e saj, dmth pranimin ndërkombëtarë. Për të vepruar njëanshëm duhej ditur edhe konstalacioni i forcave të brendshme, e ai ishte shumë stabil, edhe ashtu dihej se pavarësia nuk arrihet me shumë alternativa, ose duhej t’u besohej subjekteve që do të qeverisnin me Kosovën në t’ardhmen, sipas procedurës zgjedhore por edhe sistemit zgjedhor, dmth kandidimit, votimit dhe numrimit të votave, ose alternativa tjetër ishte shembja institucionale “domino” e të paknaqurëve (që nuk janë të paktë) dhe prishja e konfiguracionit politik-institucional çfarë është tash. Një gjë është evidente që faktori ndërkombetarë nuk ka kohë të mirret me kaq shumë alternativa, as tash, duhet pra me u parapri proceseve që në nismë, e jo të reagohet me vonesë, dhe pastaj të bllokohen nismat e çfarëdo projekti qoftë edhe ai protokollar, ngase BE-ja nuk do të tërhiqet aq lehtë nga investimet e deritanishme diplomatike, dhe çfarëdo tërheqje nga premtimet e tyre do të jetë katastrofale, sidomos humbja eventuale e përkrahjes, ngase atëherë do të sorrollaten udhëheqësit me çertifikatën e pavarësisë pa vulë ndërkombëtare. Patjetër duhet të ketë marrëveshje të zgjëruar dhe qeveria e Kosovës duhet të jetë të vendosur se çfarë kërkonë, dhe si mendon ta realizojë shtetndërtimin dhe sovranitetin e plotë territorial. Pra, ai që ka marr përgjegjësin për një akt të tillë madhor duhet të njeh mirë e mirë konstalacionin e forcave të brendshme, ngase shumë nga ata që kane qenë “te rebeluar” sot janë shumë paqesor, janë “majur” nga të mirat e hyqmetit, dhe cili do të na bind se ata do ti lenë anash aq lehtë, te mirat materiale që ua garantojë hyqmeti. Tashmë janë ndërruar rolet nuk ka opozitë të sinqertë, siç kishte më heret, këtë e kanë harruar edhe shumë nga ata që vuajtën burgjet më të rënda, ajo është edhe tash siç ishte përpara jashtë dyerve të Kuvendit të Kosovës, opozita e sotme e vetme është ajo e të rinjëve, në krye me disidentin politik Albin Kurtin, prandaj meriton të dëgjohet alternativa e tyre, nëse jo tash, do të jet më vështirë më vonë, ngase pakënaqësia po vjen duke u shtuar, me tendenca të rritjes dhe rrezikut të daljes jasht kontrollit. Realisht nuk duhet të harrohet as roli i PK-së, si forcë e paisur me armë të nxehta, se kah do të pozicionohet, a do të ket fuqi të mbetet nën kontrollin civil të institucioneve qendrore vendore me zingjir vertikal komandues, apo do të hamendet edhe nga kontrolli i ndërkombëtarëve, meqë ajo deri më tash ishte zbatuese e përkryer e vendimeve të nderkombëtarëve që janë në fuqi dhe faktikisht edhe e kanë themeluar atë. Të gjitha ata që mbështeten vetëm në faktorin e brendshëm, mund të jenë edhe të vrullshëm, a kanë ata informata të bollshme dhe sa janë duke menduar mirë dhe esull, duhet të gjykojnë vetë, por është pikëpyetje e madhe sesa Kosova do ta ketë përkrahjen e jashtme, dhe për këtë duhen investimet nga jashtë. Pra realisht pa një përkrahje të njemendët të SHBA-së, e cila do ta përkrah fuqishëm dhe do të shtyej përpara njohjen ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës nuk do të ketë pavarësi të njemendët, për atë është e domosdoshme puna me Washingtonin, e të gjitha forcave politike por edhe e diasporës shqiptare, se lufta diplomatike koordinohet në Prishtinë dhe në Washington, me mirëkuptim të palëve të cilat janë të interesuara të bashkëpunojnë dhe jo të armiqësohen, fjala është për konstalacionin e brendshëm politik të pozitës dhe opozitës legale, por edhe asaj reale e cila tash për tash është jasht institucionale, këto mund të konsiderohen se janë në rivalitet politik që kanë një qëllim shtetndërtimin e Kosovës, prandaj duhet te flaken inatet dhe gërryerja e zorrëve të njëri tjetrit.


(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora