E hene, 29.04.2024, 04:20 PM (GMT+1)

Mendime

Agim Vuniqi: Politikanët e "Hyde Park-ut"

E marte, 25.08.2009, 07:12 PM


Politikanët e "Hyde Park-ut"
 
Nga Agim Vuniqi
 
E martja në Prishtinë është ditë pazari, edhe në qytetet tjera në Kosovë është koordinuar kjo ditë festive e blerjes me ditët tjera të javës, për të mos ia zënë vendin njëra tjetrës. Ky kalendar është i kahmotshëm dhe nuk ka ndryshuar as sot, këtë e dijnë të gjithë të interesuarit, ata që blejnë dhe shesin. Kjo ditë është pak a shumë ceremoniale për të dyja palët: konsumatorin dhe tregëtarin. Politika shqiptare në Kosovë ka zënë të përzihet edhe në punët e pazarit, nuk ka rregull, as kur ndërrohen partitë, si duket oferta dhe kërkesa janë në përballje, është më tepër një zënkë me levërdi, e cila po merr karakteristikat krahasuese të një zënke familiare, ku burrat zihen midis tyre për hatër të grave (ashtu siç bëjnë burri e gruaja, pasi që në Kosovë akoma vlen kjo lidhje, ndërsa ato tjerat me pole të njejta ende nuk janë promovuar publikisht) për të ndarë buxhetin dhe përgjegjësitë, por s'ja arrijnë dot, ngaqë edhe fëmijtë nga ana tjetër duan "hisen" e tyre. Kështu ndodhë kur pozita dhe opozita akuzojnë ndërsjelltas njëra tjetrën për shkelje ligjesh, apo marrje pushteti, në të njejtën kohë, kur asnjëra prej tyre nuk shprehet e gatshme për t'i respektuar ato, ndërsa partitë e vogla gërthasin se edhe ato duan pjesën e tyre. Proklamimet e tyre ditore për demokraci, ligj, antikorrupcion e postulate tjera janë llafe pazari, qytetarët mund të jenë vetëm vizitorë, si në ndonjë panagjyrë ku ekspozohen prodhimet, vetëm me i pa-jo me i shiju. Kur të ndodhë diçka e paplanifikuar, thirren në ndihmë miqtë ndërkombëtarë, se përndryshe mbesin pykë, telefonatat këshilluese janë përditshmëri. Kështu ndodhë kur harrohet fakti se pozita nuk bënë pa opozitë, e as opozita pa pozitë (këto rregulla janë univerzale pothuajse në tërë globin, përveqse në Kinë, në Kubë, e në ndonjë shtet tjetër komunist që shumë më rrallë gjendet në hartën globale politike). Eshtë brengosëse fakti se në Kosovë opozita nuk konsiderohet pjesë e përbashkët e sistemit, dhe pse po krijohet bindja politike se pushteti nuk ka nevojë për opozitë, apo për kritikë publike. Parlamenti që do të duhej të ishte vendi ku thehen shtizat, po bëhet gjithnjë e më tepër qendër e një mendimi të uniformuar, rrallë të dëgjosh ndonjërin nga pozita të bëjë ndonjë kritikë konstruktive, apo dikush të dallohet se përqon zërin e votuesve. Në përgjithësi, kudo, në rrugë, në opinionet online të lexuesve, në mjetet e shkruara të informimit dhe në ato audio-vizuele..., po manifestohet një inflacion i theksuar i fjalëve. Fjala në Kosovë ka humbur peshën, vlerën, sasinë, pra nuk ka njësi matëse me të cilën matet, rrej, fol drejt, kritiko, piskatë, shajë, njëjtë, nuk ka ndonjë dallim. Përpara shquheshin njerëzit që flitnin fjalë të urta, fjalë burrash, dhe kështu krijonin reputacionin e urtakut, dhe e tërë gjenerata e pasuesve të tyre identifikohej me ta. Populli dinte të jepte edhe llagape, të cilat nuk mund të fshiheshin aq lehtë, ato ishin kujdestari më i fuqishëm i moralit, bujarisë, fisnikërisë, por edhe i hajnave rrencave, spiujve... Tash fjala më përkdhelëse është hajn, rrenc, i korruptuar, athua edhe sa kohë do të sharron shoqëria në këtë lym..., këtu më ra të dëgjoj "derisa qytetarët merren me politikë, qeveritarët merren me hajni", edhe kjo është një retorikë inflative, dhe të gjitha këto të meta shoqërore të grumbulluara mund t'i pastroj vetëm drejtësia e bazuar në ligj. Kur...? Në kohën kur shtetet tjera të taborit ish komunist luftojnë të zënë radhën për t'u futur në Evrope, në Kosovë, akoma bën fuqinë ligji i më të fortit. Akoma nuk kemi një klasë politike të ndërgjegjësuar për të përmirësuar nivelin poltiko-ekonomik të vendit. Derisa vendet e tjera, me të cilat rrethohemi, po përpiqen të lënë përshtypje sa më të mira te komuniteti evropian, politika ka filluar të rebelohet, përfundimisht nuk ndërtohet politika shtetërore duke i qarë "mëkatet" e qeveritarëve që vinin nga pozita, sot, apo opozita, dje. Do të ishte i pajustifikueshëm komunikimi publik "Hyde Park", pa rregulla. (Në shekullin e 19-Hyde Park në Londër ishte bërë një vend popullor për takime. Në 1872, në përgjigje të trazirave pasi që policia u përpoq të shkrijë një tubim politik, u krijua një vend "Speaker's Corner" ku njerëzit lejohen të flasin lirisht. Këtu, çdo të diele qëndrojnë njerëzit në një sandëk në formë sapuni dhe shprehin pikëpamjet e tyre; politike, fetare ose çështje të tjera, ndodhë ndonjëherë të ndërpriten dhe të sfidohen nga audienca.)
Në fakt politika e Prishtinës ka filluar të bëhet më laramane se që ishte, madje pulenët partiakë kanë filluar të vdesin nga zilia se nuk përkdhelen, nuk ka kush t'i përqafojë apo t'i puthë në ballë, ashtu si heronjtë që krijohen nga filmaxhinjtë. Të mësuar të jenë të ndryshëm nga të tjerët, të kenë telefonat me mbushje të paras publike, me një fjalë të jenë VIP, të kenë kontroll mbi krimin e organizuar, pushtetin politik dhe mbështetjet politike, vënien e gjobave, por edhe "këshillat" e rrepta në telefon për biznesmenët e ndershëm që dridhen prej tyre; a janë ata më të fortë se ligji? Analogjia me pushtet aftësia për të zhvatur pasuritë e të tjerëve; aftësia për të vënë pasuri në emër të tjerëve. Deri sa në botë të tillët kanë kundër shtetin ligjor, në Kosovë ata janë politikëbërës, bëjnë ligjin! Me gjithë respektin, duke u kapur mbas liderëve, kanë farë vlere ata të cilët as që i lexojnë programet partiake, veçse i kanë si pika referimi, për të përparuar në karierë, janë mesuar t'i shohim si idhuj, njerëz, parrulla, emërtime, e të mbahemi me to (sëmundje virusale kurdoherë, kjo sipas meje) në vend që ne ti mbajmë vlerat universale e të çastit e t'i çojmë përpara, nuk është problemi te këto apo ato zgjedhje, por për çfar synohet në perspektivë të afërt, të mesme e të largët, po ç'ti bësh ..ne nuk kemi ndonjë ide akademike ..., ato janë deficit në Kosovë? Kjo më tepër se si një ndarje të partive në provinca, shihet më teper si një përpjekje e figurave politike për të ngritur bastione partiake dhe krahinore, si nje bashkim fronti dhe lëshime qe i bëjnë njëri tjetrit. Kuptohet që nuk harrojnë se zgjedhjet lokale janë në prag dhe ata kanë kohë që t'i mprehin dhëmbët për poste.... që për më tepër se si një post politik dhe të rëndesishëm për demokracine në Kosovë e shef më tepër si një "pension të artë". Kujtojeni këtu psh, reagimin e shterur të partive politike për sjelljen e butë të Gjykatës speciale për krime të luftës në Beograd, dhe lirimin e hartuesëve të eshallonit të vdekjes, u pa se sa po "interesohen" politikanët e mediat për rastin e gjykimit të përgjegjësve për krime kundër njerëzimit, në rastin konkret për masakrën e një familjeje shqiptare, të familjes Berisha. Derisa faqet e gazetave ishin të mbushura me vështrime "pro&contra" për raportin e "Freedom House" por edhe nga "kacafytjet" e analistëve e zënë Mirena - Matoshi, që pasoj menjëherë pas kritikës ndoshta të pavend të Argjentina Grazhdanit në cilësinë e shefes të Këshillit të Komisionit të Pavarur për Media në raportin kritik të "Freedom House". Kosova sigurisht që ka nevojë për debate të hapura, por shumë më tepër për ligje, apo ato zëvendësohen me një dukuri të re të plasimit të analizave të deputetëve (radhisin titujt në fund të shkrimeve autoriale) në rubrikën e lexuesëve "opinionistë", ata që do të duhej të ishin më të zëshëm nga bangat e parlamentit, janë bërë "yje" medial, nuk dihet a përqojnë ata mesazhin e votueve apo preokupimet e tyre, kështu ata pa vetëdije po keqëpërdorin detyrën zyrtare, ngase kanë përzier kompetencat e përfaqësuesve të popullit me ato të "opinionistëve", a duhet ata të kryejnë punën për të cilën paguhen, duhet të evidentojnë dhe t'i ngrehin në parlament problemet ekzistuese të popullatës, për këtë gjendje shumë pak fjalë. As në televizionin publik nuk transmetoheshin skenat trishtuese që do ta shoqëronin filmikisht gjykimin e kriminelëve për periudhën e zezë të njerëzimit, të vitit 1999, kur një familje fëmijësh, grash e burrash u ekzekutuan në Suharekë, për t'u dërguar pastaj në varrezat masive në Serbi. Dhe në prag të këtij gjykimi në Beograd, të një ndjenje të dhimbjes së përgjithëshme, "puthen" me mall politikanët shqiptarë me ekzekutuesit e politikës së Millosheviqit Momcillo Trajkoviq e Rada Trajkoviq, në një tavolinë të ngusht ku preken me "prapanica" serb e shqiptarë bashkë, duke e ngacmuar njëri tjetrin me batuta të "bashkim-vëllazërimit" për të mos frenuar "mallin" e nostalgjisë "titiste" të klasës politike shqiptare, në takimin e organizuar nga Projekti për mardhënie etnike në njërën nga sallat e OSBE-së, si harruan t'u thonë " ndal beg se ka hendek, jemi ne këtu pastaj te tjeret". Kjo tregon paaftesine e politikës shqiptare në Kosovë për të marrë tiparet karakteristike të një klase politike e aftë për te drejtuar një shtet. Dhe në të njejtën kohë nuk është e aftë të marr një rol stabiliteti konstitucional. Duke ditur potencialin e madh qe ka vendi yne, shtetet fqinje rreth nesh, nuk bëjnë ndonjë përpjekje të madhe për të kuptuar realitetin e ri politik, vejnë barrierë në mallrat me vulë të Republikës së Kosovës, ato më shumë na mbajnë me fjalë "bashkëpunimi" që të mos na dëgjohet zëri në Evropë, se sa të na shohin si partnere në rajon.


(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora