E hene, 29.04.2024, 04:58 PM (GMT+1)

Mendime

Besnik Mustafaj: Një kambanë alarmi

E premte, 21.08.2009, 06:30 PM


Një kambanë alarmi

Nga Besnik Mustafaj

U njoftua këto ditë në media për një foshnje dymuajshe, të gjendur në trotuar në një lagje periferike të Tiranës. Për fatin e mirë të foshnjës, disa kalimtarë  të rastësishëm nuk e bënë veshin shurdh ndaj të qarave të saj dhe lajmëruan policinë. Për fatin e mirë të mbarë shoqërisë tonë, foshnja ishte fare mirë me shëndet.  Një dëmtim në shëndetin e foshnjës në këto rrethana, jo thjesht në mënyrë figurative, do të ishte gjithsesi një gand për atë që quhet ndërgjegjja humaniste e shoqërisë. Më tej, në njoftimet publike u mësua se policia i kishte identifikuar pa vonesë  prindërit e foshnjës dhe ishte vënë në ndjekje të tyre, siç ia kërkon detyra.
Shpresoj fort se ata dy prindër, emrat e të cilëve njihen tashmë, të kapen sa më shpejt. Shpresa ime si prind dhe si qytetar nuk ka farë lidhjeje me arsyen e shprehur në media, në citim të burimeve policore, e ku thuhet se do u kërkohet fillimisht prindërve ta rimarrin fëmijën e tyre në banesë. Nëse ata nuk pranojnë, po sipas këtyre burimeve, të dy prindërit do të ndiqen penalisht nën akuzën e braktisjes së foshnjës dhe rrezikojnë dënimin me burg. Shpresa ime për kapjen e shpejtë të dy prindërve lidhet vetëm me dërgimin e tyre para drejtësisë. Si njëri dhe tjetri, të dy prindërit kanë kryer së bashku një vepër kriminale të mirëfilltë dhe meritojnë ndëshkim serioz.
Në vazhdën e një kureshtjeje të keqe, kureshtje e ngjallur nga indinjata, po shtroja nëpër biseda me të njohurit e mi pyetjen se kush ishin këta prindër. Sigurisht që mua nuk më interesonin posaçërisht dhe as madje nuk më interesojnë fare emrat e tyre, të cilët, për më tepër, gjendeshin të plotë nëpër kronikat e raportuara në media. Pyetja ime synonte dhe synon në thelb vetëm të nxjerrë në pah përçmimin ndaj atij mashkulli e asaj femre, të cilët me çfarë kanë bërë, kanë dëshmuar se nuk ngjiten dot në lartësinë e burrit e të gruas. Si e tillë, pyetja ime në të vërtetë nuk kërkonte përgjigje. Megjithatë, ndër bashkëbiseduesit e mi kam dëgjuar shumë komente, të cilat sigurisht që janë hamendje. Ndër to po veçoj dy, që më duket se meritojnë vëmendjen e opinionit të gjerë publik.
            Hamendja e parë çonte në përfundimin se të dy prindërit ishin të rinj, çka nënkupton se janë ende të papërgatitur për të marrë përsipër përgjegjësinë jashtëzakonisht të madhe të qenies baba e nënë. Ka krejt mundësi që të jetë kështu. Por mosha e tyre nuk përbën justifikim të mjaftueshëm për krimin. Madje, në kuadrin e një shoqërie të lirë, ku gjithçka rregullohet përmes ligjit, krimi nuk ka asnjë justifikim. Ama mosha e fajtorëve, nëse ajo është vërtetë e re, tingëllon si një kambanë alarmi për mbarë shoqërinë e veçanërisht për një radhë institucionesh shtetërore. Siç edhe e përmenda më lart, ne jemi tashmë një shoqëri e lirë në kuptimin e gjerë të kësaj fjale, gjë që nënkupton jo vetëm këputjen e zinxhirëve shtrëngues të politikës, por edhe rrëzimin e shumë tabuve të së kaluarës, një ndër më kryesoret e të cilave është edhe ulja e moshës kur të rinjtë fillojnë marrëdhëniet seksuale. Ky fakt nuk është i keq në vetvete. Por do marrë parasysh se ai shoqërohet me një mori problemesh të ndërlikuara, lënia pas dore e të cilave ka ndikim të madh jo vetëm në fatin individual të njërit apo tjetrit nga të rinjtë, por edhe në stabilitetin moral të mbarë shoqërisë.
E vërteta është se një aspekt mjaft thelbësor i këtij fakti ka tërhequr vëmendjen e disa institucioneve të specializuara si dhe të shoqërisë civile. E tillë është rrezikshmëria nga SIDA apo sëmundje të tjera seksualisht të transmetueshme, ndaj të cilave është e ekspozuar rinia për arsye të lirisë që gëzon tashmë në marrëdhëniet e saj dashurore. Për t’i bërë parapritë kësaj rrezikshmërie, zhvillohet njëfarë propagande edukative, e cila rezulton e dobishme. Por ngjarja në fjalë na dëshmon se kaq është pak. Shumë pak, madje sepse mbeten jashtë kujdesit të rinjtë e tjerë dhe nuk janë një e dy, të cilët për një mijë arsye nga më të ndryshmet, qoftë të natyrës psikologjike, kulturore apo edhe të natyrave të tjera, e që ata vetë i dinë, me dëshirë apo pa dëshirë, shtyhen, pa u menduar gjatë për pasojat, drejt vendimit për t’u bërë prindër. Nuk janë të rralla dramat nga më të rëndat që vijnë në vazhdim. Jetë të shkatërruara fëmijësh. Jetë të shkatërruara prindërish. Në dijeninë time nuk ekziston asnjë rrjet këshillimor, qoftë në linjën shtetërore, qoftë në atë të shoqërisë civile, për të rinjtë që kanë zgjedhur të bëhen prindër. Nuk është fjala këtu për mjekët gjinekologë, roli i të cilëve është i përcaktuar qartë, por për institucione të specializuara me psikologë e sociologë, të cilët të shqyrtojnë në personalitetin e prindit të ardhshëm përgatitjen e tij për të marrë përsipër përgjegjësinë që e pret dhe ta ndihmojnë atë kur kjo përgatitje mungon. Nuk duhet harruar se ne jemi ende një shoqëri e mbisunduar nga moshat e reja, çka e bën problemin edhe më të mprehtë. Ç’vlerë kanë rrugët apo termocentralet që po ndërtojmë, në qoftë se ato ua lëmë trashëgimi një brezi mendërisht të tronditur?
            Hamendja e dytë thoshte se të dy prindërit do të kenë qenë rom. Nuk ka asnjë rëndësi nëse kjo hamendje afrohet apo jo me të vërtetën e ngjarjes konkrete. Rëndësi shumë të madhe duhet të marrë fakti se mjaft njerëz, madje edhe të shkolluar, e çojnë nëpër mend një mundësi të tillë nisur nga një prapavijë e shëmtuar, një prapavijë që nuk ka emër tjetër veç raciste. Ata që shprehen se “do të kenë qenë rom”, nxjerrin në pah jo vetëm një mentalitet përçmues ndaj kësaj pjese të shoqërisë sonë, që janë romët, pra, një vlerësim superior për “racën” e vet, por nënkuptojnë edhe se as ligji e as shteti nuk ia vlen të merret fort me “çnjerëzinë” e tyre. Një shoqëri, ku lëvrijnë mentalitete të tilla, është një shoqëri e sëmurë dhe ka nevojë urgjente të merret me veten. Nga ana tjetër, veçanërisht sivjet që është shpallur nga OKB viti botëror i romëve, kërkohet një reflektim thellësisht serioz lidhur me kuptimin shumë kompleks të fjalës “integrim” përsa i përket këtij komuniteti. Integrimi i tyre i vërtetë nuk do të duhej të kishte lidhje me krijimin e ndonjë standardi “më të butë” të zbatimit të ligjit ndaj veprimeve të tyre. Përkundrazi, romët duhet të ndërgjegjësohen se të barabartë me të tjerët si qytetarë bëhen vetëm para ligjit. Të lidhur sidomos me këtë mentalitet racist e shoh edhe mundësinë e parashikuar nga policia, gjithnjë sipas mediave, që prindërve fajtorë, me t’i gjetur, t’u kërkohet të rimarrin fëmijën në banesën e tyre. Mua vetë më rrëqeth një zgjidhje e tillë. Fundin e kësaj ngjarjeje simptomatike duhet ta shënojë vetëm gjykata, e cila jo vetëm do të përcaktojë masën e ndëshkimit penal për të dy prindërit, në qoftë se ata kanë vepruar në bashkëpunim, por duhet të marrë menjëherë në mbrojtje fëmijën, që do të thotë t’ua heqë të dy prindërve çdo të drejte të kujdesen për të derisa foshnja të mbërrijë në moshën madhore e të vendosë vetë për veprimet e veta. Në një shoqëri të lirë e humane, shkëputja e fëmijës nga prindër të tillë është e detyrueshme. Ne jemi një shoqëri e lirë. Çështja është se sa jemi humanë.


(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora