E hene, 29.04.2024, 06:35 PM (GMT+1)

Mendime

Naum Prifti: Shpifjet nuk janë dokumente

E hene, 17.08.2009, 08:34 PM


REPLIKË

SHPIFJET NUK JANË DOKUMENTE

Në vazhdën e një diskutimi për Fan Nolin  fashist  dhe  komunist

Nga Naum Prifti

Nga studiuesit marksistë dhe promarksistë kemi dëgjuar shpesh se Fan Noli ka qenë komunist. Sigurisht ata e renditnin Nolin në krahun e tyre me synime të caktuara, kryesisht për të theksuar dashurinë e tij ndaj ideve komuniste.
Ndoshta edhe mendonin se ai qe komunist por rroba fetare nuk e lejonte të bënte deklarata që do ta vinin në pozitë të vështirë.
Të njëjtën gjë ka pohuar edhe  krahu tjetër antikomunist, nacionalistë dhe legalistë, me qëllim që ta ekstradonin prej Shteteve të Bashkuara, ose ta rrëzonin si peshkop të Kishës
Ortodokse Shqiptare në Amerikë, por se paska qenë dhe  fashist, s’e paskeshim ditur para se të lexonim një artikull sensacional te  Gazeta Shqiptare.
Reagimet ndaj këtij pohimi denigrues kanë qenë të forta, sidomos nga biografët e Fan Nolit Prof. dr. Koço Bihiku dhe Prof. dr. Nasho Jorgaqi, të cilët argumentuan se kjo akuzë nuk ka asnjë bazë historike, se Noli nuk ka shfaqur kurrë simpati për fashizmin si ideologji, se urrejtjen kundrejt fashistëve e ka treguar hapur para dhe pas pushtimit të Shqipërisë dhe gazeta ka rënë viktimë e sensacionit, ose vuan nga mungesa serioze
profesionale.
Zoti Dashnor Kaloçi në emër të redaksisë përgjigjet se qëllimi i gazetës nuk ka qenë denigrimi i ndonjë figure dhe personaliteti të kulturës shqiptare. Po këtë e kemi vështirë ta besojmë kur lexojmë artikullin e  tij. Ai thotë:  hapja e arkivave dhe publikimi i shumë materialeve e dokumentave që para viteve ’90 kanë qenë ‘mollë e ndaluar’ jep mundësi për ridimesionimin ose çmitizimin e shumë ngjarjeve, fenomeneve e figurave të ndryshme të politikës e historisë shqiptare.  Pra ai beson sinqerisht se duke botuar një letër shkruar më 31 tetor 1944 nga një i ashtuquajtur  grup intelektualësh shqiptarë  në Detroit, Michigan, i bën shërbim kulturës shqiptare dhe studimeve për Nolin. Deri sa atë paçavure e cilëson dokument atëhere e vlen të diskutojmë seriozisht rreth konceptit dokument.
Qysh nga titulli i gazetës mbi letrën e  B.O. Konicës  PSE NOLI PERKRAHU FASHISTET DHE KOMUNISTET  dhe ca më tepër nga nëntitulli  Intelektualët shqiptarë në Amerikë denoncojnë Peshkopin në Departamentin e Shtetit   duket prirja antifanoliste e  gazetës, në mos edhe interpretim dashakeq i  dokumentit.
Zoti Dashnor Kaloçi pohon se dokumenti është marrë prej librit të  Z. Miron Hyseni   Nga letërkëmbimi i Nolit më 1939-1945.  
Redaktori i  Gazetës Shqiptare  duhet ta dinte se shpifjet nga çdo burim që të merren e nga çdo anë që të vijnë nuk mund të cilësohen dokumente. Shfaqim keqardhjen që mendimi kritik i disa gazetarëve nuk është pjekur deri në atë shkallë sa të bëjë
dallimin midis të vërtetave historike dhe shpifjeve. Të marrësh për vlera akuza të ulta dhe keqdashëse, qoftë dhe të intelektualëve dhe të entusiazmohesh nga shkëlqimet e rrema, do të thotë të vihesh në një rend me shpifësit dhe t’i shërbesh dizinformimit të lexuesve. Sigurisht kjo vjen edhe nga një lloj naiviteti dhe idealizimi të komunitetit shqiptar në Amerikë dhe të organizatave të tyre. Ndërprerja e komunikimit midis diasporës
dhe atdheut për më se pesëdhjetë vjet, luan rol të madh në krijimin e një mjegullnaje çoroditëse. Amerika njihet si vendi me demokracinë më të përparuar dhe më të stabilizuar, por jo akoma si vend ku liria dhe demokracia shpërdorohen në mënyrën më
të paturpshme nga disa kategori për interesa dhe qëllime të ndryshme.

DOKUMENTI I DETROITIT

Letra e vitit 1944 prej 12 pikash dërguar shefit të zyrës së Informacionit të Luftës në Washington, është një mish mash faktesh historike të parashtruara keq dhe të argumentuara ca më keq, me sulme kundër Vatrës, kundër kryetarit të saj Vasil Pani
dhe editorit të Dellit Peter Tiko. Letra firmoset nga B.O.
Konitsa, kryetar, ne emër të një grupi shqiptarësh intelektualë në Detroit, Michigan.
Lind pyetja, kush ka qenë B.O. Konitsa,  a njihet në komunitet dhe çfarë gjurmësh ka lënë? Nuk rezulton të jetë ndonjë person i njohur me emër e mbiemër dhe trifjalëshi B.O. Konitsa ka të ngjarë të jetë akronim  Bachelors Officers of Konitsa , pak a shumë ithtarët ose pasuesit e Faik Konicës.
Letra kërkon prej qeverisë Amerikane të njihet qeveria e Mbretit Zog në mërgim dhe t’i jepet përkrahja e mundshme prej Amerikës e ndërkohë akuzohet Noli se po përkrah komunistët, në një kohë kur Shqipëria ende nuk ishte çliruar. Aty dëshmohet se Noli paska dërguar Koço Tashkon  si agjent të tij pranë partizanëve në Shqipëri. Kushdo që e njeh pak a shumë historinë e grupeve komuniste e di se Koço Tashkoja qe riatdhesuar para se të pushtohej Shqipëria  dhe ishte zgjedhur  kryetar i grupit komunist të Korçës. Në letër pohohet se Noli  përmes Vatrës do t’i bëjë kërkesë zyrtare Departmentit të Shtetit për ta njohur Qeverinë Partizane të Shqipërisë,  një pandehmë e firmatarëve të
letrës, sepse merret si fakt diçka hipotetike që nuk ka ndodhur akoma.
 Faktet janë pak më ndryshe. Sikurse dihet Enver Hoxha u tërbua kur mësoi se Noli, në një takim mes përfaqësuesve të komunitetit shqiptar dhe një zyrtari amerikan më 1943, kishte pranuar kthimin e Zogut në Shqipëri. Ai nuk ia fali Nolit atë gabim politik dhe
me kritikat e tij zvogëloi  dukshëm përmasat e 100 vjetorit të lindjes së Fan Nolit më 1982. Noli pranoi kthimin e Zogut, sepse arsyetonte se ai kishte tapinë e Shqipërisë me kufijtë e njohur administrativë të 1913, kundër rrezikut të copëtimit të Shqipërisë nga, Grekët dhe Jugosllavët, por e braktisi Zogun sapo mori vesh se në në atdhe kishte një lëvizje komuniste që ishte rreshtuar në anën e Aleatëve të Mëdhenj dhe luftonte kundër
nazifashistëve. Loja dhe manovrimet e tij janë të lexueshme dhe në pajtim me interesat kombëtare. Për të shpëtuar Shqipërinë, pranoi Zogun, kur pa se kishte një forcë tjetër republikane, e braktisi idenë e kthimit të Mbretit. Në fillim Noli shprehu mirëdashje ndaj komunistëve duke thënë se edhe ata bij të vendit ishin, por u zhgënjye shumë shpejt prej tyre për shkak të politikës së jashtme prosllave dhe antiamerikane. Sigurisht dhe nga politika e brendshme shtypëse që ushtruan sapo e muarën pushtetin. Disa nga miqtë, shokët dhe bashkëpunëtorët e Nolit si Bahri Omari, Kolë Tromara, etj. u pushkatuan nga komunistët qysh në vitin e parë të çlirimit.
Nga teksti dhe konteksti i letrës një gjë duket qartë se ajo është nxitur, hartuar dhe shkruar nga përkrahësit e Konicës dhe të legalistëve që vazhdonin ta shihnin Nolin me paragjykimet e vitit 1924. Sipas tyre Noli qe kundërshtari më i rrezikshëm dhe më me ndikim në Amerikë, prandaj duhej mënjanuar me çdo kusht që t’i hapej rruga Zogut. Ja pse nuk kursehen keqinterpretimet dhe shpifjet. Po citojmë një prej tyre:
 Ai (Fan Noli) kundërvepronte duke bashkëpunuar me Rusinë Sovjetike dhe e pat ftuar Komisarin Sovjetik në Tiranë. Shqipëria në këtë kohë kishte një fond prej 100 mijë dollarësh për zhvillim për të forcuar edhe më shumë Organizatën e Partisë Komuniste në
Ballkan, me Tiranën si bazë kryesore.  Së pari kjo bie krejtësisht poshtë sepse  asnjë  grup komunist nuk dihet të ketë patur në Shqipëri në vitet 1923-24, së dyti qeveria e Fan Nolit
ishte aq ngushtë nga ana financiare sa nuk arrinte të mbulonte shpenzimet e delegatëve të saj në Lidhjen e kombeve në Gjenevë, prandaj kërkonte ndihma nga Vatra dhe shqiptarët e Amerikës dhe jo më të financonte lëvizjen komuniste në Ballkan; së treti Tirana kurrë nuk u caktua si qendër e Partive Komuniste të Ballkanit, për faktin e thjeshtë se një organizmë e tillë nuk ka ekzistuar.

RELATAT SHQIPTARO-SOVJETIKE MË 1924

Zotëron mendimi i gabuar sikur Qeveria e Fanolit  vendosi marrëdhënie diplomatike me
Rusinë Sovjetike, çka përdoret si akuzë për  Kryeministrin Noli si komunist ose për prirje bollshevike. Për fat të keq asnjë nga historianët shqiptarë nuk ka kryer ndonjë studim serioz rreth këtij subjekti. Po të kishim një pasqyrë të shteteve me të cilët kishte lidhje diplomatike Shqipëria nën qeverisjen e Nolit dhe në anën tjetër cilët shtete e kishin njohur Rusinë Sovjetike deri në atë kohë, gjykimi ynë do të ishte më i saktë. Përveç një
takimi me një delegacion rus që ndodhej rastësisht në Durrës, ku çështja mund të jetë biseduar në parim, marrëdhënie diplomatike nuk u vendosën kurrë. Po qe se  Komisari Sovjetik   do të ishte ftuar posaçërisht, sikurse thotë promemoria,  bisedimet do të ishin zhvilluar në Tiranë ku ishte selia e qeverisë.
Pse ngrihet ky problem kur dihet se që nga kohët më të lashta shkëmbimi i përfaqësive diplomatike nuk implikon njëjësimin e sistemit ose të qeverisjes? Edhe Amerika vendosi marrëdhënie diplomatike me Bashkimin Sovjetik, Kinën dhe vendet e Evropës Lindore    dhe askush nuk e akuzoi Presidentin e saj për prirje bollshevike.. ShBA gjithmonë kanë patur relata me shtetet e diktaturave më të këqija politike dhe ushtarake në Evropë dhe Amerikën Latine.
Nuk duhet harruar se Shqipëria në vitet ’20 qe i vetmi vend në Ballkan me sistem republikan, prandaj nuk gëzonte përkrahje nga monarkitë që e rrethonin, Itali, Greqi, Rumani, Bullgari, Jugosllavi. Në ato rrethana qe e natyrshme që qeveria shqiptare t’i forconte lidhjet në arenën ndërkombëtare me çfardo lloj vendi dhe sistemi. Sidoqoftë Shqipëria ka meritën të jetë e para qeveri republikane në Ballkanin e mbretërive.

SHOQATAT LETRARE NË AMERIKË

  Gazeta Shqiptare  bën një gabim trashanik kur pohon  Intelektualët shqiptarë në Amerikë denoncojnë Peshkopin, sepse kësisoj jep idenë e gabuar sikur të gjithë intelektualët shqiptarë në Amerikë ishin kundër Fan Nolit, çka nuk është aspak e vërtetë. Cilët ishin intelektualët e të ashtuquajturit grupim të B.O. Konitsa, nuk dihet, sepse përveç letrës së 31 tetorit 1944, ky  grupim s’ka në aktivin e tij asnjë aktivitet tjetër. Pra ose ka qenë një organizatë fiktive, sikurse ka edhe tani plot të tilla, ose ndonjë pseudointelektual e quajti shoqatë për t’i dhënë më tepër peshë. Edhe tani kemi
plot pseudoshoqata apo organizma të vetëshpallura, pa anëtarë, përveç kryetarit që e përdor titullin për të zbukuruar bizneskartën. Në ShBA kohë pas kohe ka patur përpjekje, disa herë serioze, për të krijuar shoqata intelektuale, studimore, letrare, por nismat kanë mbetur në mes të rrugës për shkaqe të ndryshme dhe vendin e tyre e kanë mbushur shoqata të dyshimta, të krijuara me synime djallëzore nga grupime rivale brenda komunitetit.
Përpara tetë vitesh, (1992) Z. Peter Minari më dorëzoi në Tiranë një  Raport mbi gjendjen në Kishën Ortodokse Shqiptare përgatitur nga anëtarët e Shoqatës Letrare Shqiptaro-Amerikane, prej 13 faqesh të daktilografuara, përgatitur në Boston më 1958, të cilën e ruaj në dosjet e mia. Nuk kam guxuar ta botoj qoftë edhe si kuriziotet të luftës së pa princip kundër Peshkop Nolit, e jo më si dokument një paçavure të mbushur nga krei në fund me shpifje, me çerek të vërtetash dhe me interpretime  të gabuara historike.
Shoqata të tilla si  Albanian-American Literary Society , ishin një alibi ideale për njerëz ambiciozë, për pseudo intelektualët, të cilëve u jepej mundësia të përdornin emrin e shoqatës si megafon për mëritë personale dhe rivalitetet e tyre. Disa nga këto shoqata janë dalluar për aktivitet antikombëtar, përçarçës dhe diversionist. Mbetet e paqartë nëse u krijuan nga shqiptarë miopë dhe mendjengushtë, apo prapa tyre fshihej dora e rretheve të caktuara shoviniste greke. Qe koha kur përgatitej terreni për të  sjellë në Amerikë  një dhespot grek si Mark Lipa. Ai u dërgua nga Patrikana e Stambollit për t’i futur kishat Ortodokse Shqiptare në Amerikë nën mitrën e Peshkopit Grek. Përpjekja nuk pati sukses falë mbështetjes që gjeti Fan Noli te shqiptarët e të gjitha besimeve në Amerikë.
Po qe se z. Hyseni dhe Kaloçi do ta njihnin më mirë përbërjen e komunitetit shqiptar në Amerikë dhe historitë e shëmtuara të pseudoshoqatave, nuk do të kishin shkarë në një gabim të tillë, të na servirinin shpifjet e ndonjë kundërshtari anonim të Nolit si dokument.

F u n d

Komenti ynë

Gazeta Shqiptare- nuk është hiç shqiptare! Kjo lëpushkë (pesëkacidhëshe!) - antidemokratike ka kohë që po boton artikuj prçarës të bashkim koplikëve me kompani. Ajo kaherë ka rënë me krye në hi! Që ta vajtojnë i moshuar dhe i ri! Shqiptari nuk e gënjen e nuk mashtron, ata që gënjejnë e mashtrojnë, nuk janë shqiptarë.
Njato fjalë që i thatë pare, kthejani vetes të zezën marre!
A po ban 30-vjet thmi e të tjerat axhami!?-(popullore)

Kadri Mani


(Vota: 5 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora