E hene, 29.04.2024, 07:04 PM (GMT+1)

Mendime

Valmir Elezi: Fluturimi për në “botën tjetër”?

E diele, 16.08.2009, 03:42 PM


Fluturimi për në “botën tjetër”?

Ata që po kalojnë nga një parti në tjetrën, normalisht që për t’i bërë përshtypje shefit të ri shajnë atë që dikur i shfaqnin “besnikëri”. Mënyra më e përshtatshme dhe ndoshta edhe e pëlqyeshme prej shefit të ri, është diskreditimi i politikës së vjetër, pjesë e së cilës ishin edhe vet.

Nga Valmir Elezi*

“Fluturimi” i njerëzve nga një parti në tjetrën këtu te ne po ndodh në mënyrë qesharake. Ose, thënë më mirë, ata që po i ndërrojnë partitë janë njerëz palaço. Ndërsa atyre që i pranojnë anëtarët e rinj, kjo iu mundëson rrahjen e gjokseve para çdokujt prej nesh, duke i paraqitur ata, së pari si shumë babaxhanë, dhe, së dyti, si shumë të uritur dhe njerëz që janë të gatshëm të përpijnë gjithçka. Këta palaço (sikur të jenë punëtor cirku), do të marrin vetëm një buzëqeshje nga shefi gjatë prezantimit në partinë e re. Thjesht, sa për sy e faqe. Njerëz që përdoren për ta manipuluar dhe konstruktuar opinionin publik. Politika të tilla mendohen të jenë dritëshkurtra, por në rastin tonë është vështirë e përcaktueshme kohëzgjatja e saj.
Ata që po kalojnë nga një parti në tjetrën, normalisht që për t’i bërë përshtypje shefit të ri shajnë atë që dikur i shfaqnin “besnikëri”. Mënyra më e përshtatshme dhe ndoshta me e pëlqyeshme prej shefit të ri, është diskreditimi i politikës së vjetër, pjesë e së cilës ishin edhe vet. Madje, janë në gjendje të tregohen të vëmendshëm që t’i rrinë gati egos së bosit të tyre, sikur tjetërkujt dikur. Të gjithë këta, këtu, po e bëjnë këtë.
Duke u munduar ta paraqesin dëshirën e tyre (të brishtë) për një politikë më të mirë, sesa ajo që dikur ishin pjesë e saj, këta njerëz po dalin edhe më keq. Pak e rëndësishme është për ata ideologjia e partisë. Teorikisht, këtu, një Simone de Beuavoir mund të kalojë në një parti ku elementi bazë i ideologjisë së saj është superioriteti i mashkullores. Pra, edhe nëse do të ishte një feminist i pandreqshëm, ai, do të ishte i kujdesshëm të uronte në stilin e ri (që nuk e ka në qejf): “Me një djalë”.
Dikush do të thotë se ndërrimi i partive është normal, demokratik, vendim individual, etj. Dakord! Por, është shumë i turpshëm pretendimi i X individi për ta paraqitur partinë A (që dikur ishte pjesë e saj) si vend ku “sorra ashtin mos ta qoftë”. E, të njëjtin opinion (dikur) e kishin për partinë nga e cila tash presin përmbushjen e interesit të tyre personal, dhe jo interesit publik, siç e thonë në mënyrë demagogjike. Ata që ikin prej një X subjekti politik në ndonjë parti tjetër, thonë se nuk ka demokraci brenda saj. Ngjashëm, edhe ata që vijnë në këtë parti i tregojnë përparësitë e saj dhe ndjehen të shqetësuar për “të zitë e ullirit që kanë hequr” sa ishin diku tjetër.
Për politikën antipolitike që mendojnë ta gjejnë në partinë ku shkuan…, për politikën që nuk e ka karakterin e manipulimit dhe artin e përshtatjes, manovrimit apo intrigës, është utopi. Rrugë që nuk e ndryshon gjendjen ekzistuese. Sepse, e gjithë shtresa e politike te ne është e ngjashme. E mbushur me makiavelizëm. Vrapues pas interesave personale. Interesat e publikut janë dytësore. Për mua kjo është e natyrshme dhe nuk do të prisja diçka tjetër.
Por, tentimi i disave për ta paraqitur një parti më ndryshe sesa tjetrën, larg intrigave të zakonshme, është pikërisht fotografim i vetvetes si intrigant a manipulues, që këta individë arrijnë ta shohin, apo pranojnë, këtë përbuzje me vetëdije. E ngjashme sikurse në Evropën mesjetare, ku çdo njeri ia detyronte postin e tij në hierarki dikujt tjetër. Nul homme sans seigneur. Kur fisniku binte nga posti, ai që përkrahej prej tij gjithashtu ishte në rrezik të madh, sigurisht nëse nuk arrinte brenda kohës së nevojshme t’i shfaqte besnikëri bosit të ri.

*Autori është gazetar nga Prishtina


(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora