E hene, 29.04.2024, 08:25 PM (GMT+1)

Mendime

Mentor Nazarko: Frika nga dekonspirimi

E marte, 18.08.2009, 06:30 PM


Frika nga dekonspirimi

Nga Mentor Nazarko

Vrasja e 4 policëve vazhdon për fat të mirë të ketë jehonë në debatin publik, duke përfshirë jo thjesht forcat politike, por dhe ekspertë të ndryshëm apo sindikatën e policisë, një subjekt i ri, i krijuar për të mbrojtur interesat e policëve si punëmarrës përballë shtetit. Në këtë debat, me njëlloj mëdyshje për kompetencën personale në lidhje me trajtimin e kësaj çështjeje vendosa të përmbledh disa refleksione që stimulohen nga qëndrimet e palëve të ndryshme, kryesisht nga  institucionet shtetërore.  Në lidhje me ngjarjen prej tyre janë hedhur disa hipoteza, madje dhe disa alibi. Po merrem vetëm me disa prej tyre, duke operuar me sens komun, d.m.th. me arsyetim të kujdesshëm të një njeriu jo profesionist pa dashur të marr ndonjë pozë eksperti.
Që në krye të herës duhet thënë se debati që po vazhdon, i bën mirë shoqërisë dhe institucioneve në përgjithësi. Është një debat rreth ngjarjeve, dhe jo debat rreth fjalëve, apo fjalive, apo kuazingjarjeve që mjeshtra të manipulimit të opinionit publik i lëshojnë në eter për të prodhuar lajm ditët e verës dhe mbi të cilat ndërtohen debate të rreme. Mjerisht është një ngjarje e rëndë ajo që po komentohet, por do ishte më tragjike të harrohej. Tani po vijoj me alibitë që janë hedhur në qarkullim dhe me hipotezat e mia rreth tyre.
Nga ana e institucioneve shtetërore, madje nga kryeministri në vetë të parë, është thënë se nëpërmjet një operacioni të planifikuar u godit një bandë e rrezikshme, më e rrezikshmja në vend dhe operacioni u krye me sukses. Një pohim i tillë duket totalisht i pavend, megjithëse në debatin që po zhvillohet deri më tani askush nuk është marrë seriozisht me këtë tezë apo alibi. Pse? Nga aksioni i përfunduar tragjikisht në Durrës kemi parë të arrestohet Dritan Dajti dhe kunati i tij, i cili mund të jetë, por mund dhe të mos jetë anëtar i ndonjë bande të Dritan Dajtit. Edhe një person tjetër që u arrestua me ngut në Tiranë për të krijuar idenë e goditjes së njëkohshme të bandës u lirua prej gjykatës dhe derisa nuk kemi ndjekje penale ndaj tij ai është i pafajshëm. Në rastin më të mirë një argument i tillë është autolezionist dhe për konsum ditor. Kjo alibi na nxit të mendojmë se nëse ka ekzistuar vërtet një bandë e Dritan Dajtit, ajo është vëzhguar apo mbajtur në kontroll shumë dobët dhe operacioni është planifikuar dobët gjithashtu: nuk dihet kush janë anëtarët e tjerë të bandës, dhe as nuk janë goditur ata. Nëse për Dajtin u humbën 6 vjet, po për kapjen e të tjerëve sa do të harxhohen?
Alibia e dytë dhe më e rënda është ajo që lidhet me mosgoditjen e Dajtit gjatë operacionit. Edhe kjo është një pikë kruciale e debatit, dhe vetë kryeministri që do rol protagonisti në gjithçka është përpjekur t’i japë një përgjigje tragjikisht stahanoviste: viktimat nuk e asgjësuan Dajtin se donin të zbatonin ligjin! Ligji ka shumë nene, mes të cilëve disa për vetëmbrojtjen e domosdoshme apo të ligjshme, që i japin të drejtën e reagimit dhe qytetarëve të thjeshtë dhe jo më njerëzve të ligjit në kushtet kur u cenohet jeta. Në mosreagimin e shpejtë dhe të duhur të policisë është pika e dobët e gjithë operacionit dhe këtë duhet ta themi me zë të fortë, nëse duam të shpëtojmë jetë të tjera policësh në të ardhmen. Duhet të hapim një debat të vërtetë pikërisht rreth këtij momenti: si shpjegohet që një individ i vetëm si Dajti të arrijë të vrasë, jo një, jo dy, por katër vetë, madje pesë dhe askush të mos ketë patur kohën në dispozicion (vërtet gjithçka u zhvillua në 40 sekonda?) për ta asgjësuar apo neutralizuar më parë? Termat e debatit duhet të formulohen qartë dhe pa tabu: ishte dobësi profesionale e policisë, frikë apo çfarë?
Një hipotezë provokative
Në diskutimet e ndryshme me ekspertë policie të nivelit të lartë, por dhe duke i asociuar ngjarjes së Durrësit fakte të tjera nga veprimtaria e policisë, në lidhje me rezultatin tragjik të operacionit në fjalë, më duket më e besueshme një hipotezë provokative që i jep përgjigje kësaj pyetjeje. Veç arsyeve të tjera, njerëzit e policisë kanë patur frikë se mos dekonspiroheshin nëse ekzekutonin një individ si Dritan Dajti. Jam plotësisht dakord me hipotezën zyrtare se operacioni i Durrësit nuk u dekonspirua paraprakisht: po të ishte e vërtetë se do ishte dekonspiruar, mbase Dritan Dajtit që priste përgjigjen e apelimit të tij në Gjykatën e Strasburgut i leverdiste më mirë të ikte sesa të përplasej me policinë. Por e kam fjalën për dekonspirimin e pjesëmarrësve në operacion, a posteriori, pra pas operacionit. Ja një sprovë në mbrojtje të kësaj hipoteze.
Imagjinoj që mbi një njeri të ndjekur kaq fort në momentin final të ekzekutimit të operacionit duhet të mbaheshin të drejtuar 13 armë, nëse në operacion ishin 13 vetë. Dhe nëse asnjë prej tyre nuk ka qëlluar si reagim ndaj vrasjes së 2 kolegëve të parë, përveç hutimit apo pabefasisë, kujdesit për të mos krijuar viktima në një vend aq të hapur, duhet të ketë qenë një faktor i përbashkët - frika nga dekonspirimi. Ka disa episode që e mbështesin këtë hipotezë.
Episodi i parë: vrasja e një oficeri policie në Vlorë, dikur me shërbim në Berat, pas pjesëmarrjes së tij në një operacion që u mbyll me vrasjen e të kërkuarit në vitet ‘97-‘98. Në rastin e tij pati dekonspirim të pjesëmarrësve në operacion dhe këmbëngulja e të vëllait të viktimës për ta çuar hakmarrjen deri në fund çoi në ekzekutimin publik të oficerit Ngresi. Një episod i tillë apo të tjerë më parë ndikojnë në kurajën dhe forcën e njerëzve të policisë. Po vijoj në këtë pistë me episode të tjera. Një media ka folur për ngujimin e një polici apo ish-polici në Shkodër, por ky fakt që duhej të ishte tronditës për vetëdijen tonë shoqërore, rezultoi i injoruar nga mediat e tjera apo nga politika. Si ky person ka dhe të tjerë, që ose janë ngujuar, ose kanë ikur jashtë vendit me forcat e tyre, apo me ndihmën e shtetit, që në ndonjë rast i ka ofruar atyre viza për jashtë vendit. Për më shumë shteti nuk i ofron mbrojtje njerëzve të vet, madje dhe ish zyrtarëve të lartë që kanë qenë në vijë të parë të luftës ndaj krimit: normat ligjore nuk ofrojnë një mbrojtje të përshtatshme, ose mungojnë fare.
Si konfirmim i kësaj frike nga dekonspirimi, mund të silleshin këtu dhe rastet e pakta të kronikës policore me të vrarë kriminelë të rrezikshëm të kalibrit të lartë, që për hir të vërtetës në vitet e fundit janë arrestuar jashtë vendit.
A janë këto raste të mjafta për të treguar se një faktor kyç, sigurisht jo i vetmi, që ka përcaktuar mungesën e reagimit të vendosur të policisë ka qenë frika nga dekonspirimi i pjesëmarrësve dhe i ekzekutorëve të operacionit? Mundet që jo, por këto argumente ama janë të mjaftë që debati të orientohet dhe rreth këtij faktori: frika nga dekonspirimi! Që dëshmon se njerëzit e shtetit janë vërtet me kokë në trastë, se edhe kjo ngjarje e rëndë do të ndikojë në dobësimin e forcës reaguese të policisë. Unë si joekspert kaq mund të supozoj dhe për më tej le të flasin kompetentët.


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora