E hene, 29.04.2024, 02:10 PM (GMT+1)

Mendime

Agim Vuniqi: Çka duam ne, Kosovën nënë apo Kosovën njerkë ?!

E diele, 23.08.2009, 01:31 PM


Në fokus

Çka duam ne, Kosovën nënë apo Kosovën njerkë ?!

Nga Agim Vuniqi

Qeveria e Kosovës ka vendosur që të kënaqet me prononcime politike, duke harruar se ajo duhet të zbatojë politikën e proklamuar më herët, që është e lidhur me premtimet e dhëna elektoratit     
Kosova, edhe njëherë, si shumë herë deri më tash, është shndërruar në arenë të luftës politike, fatkeqësisht jo më me qeverinë serbe, por ndërmjet dyshit politik, bartës të luftës çlirimtare. Loja e pranimit apo mospranimit të zgjedhjeve të reja në Kosovë, në një afat të arsyeshëm, nuk është aq shumë e rëndësishme, ngase kjo garë po bëhet me shumë kokëdhembje për qytetarët, të cilët janë strukur nga ky cirk, por edhe nga habia e kësaj estrade magjepse të VIP-ve politik, të cilët pandërprerë japin autograme nëpër librezat partiake, ata kështu po përqeshin më tepër elektoratin se sa njëri- tjetrin. Habia bëhet edhe më e madhe kur të kuptohet se Kosova gjendet në fund të listës së shteteve më të varfra në Evropë.

Prodhimi i ligjeve

Tash edhe UNMIK-u po mundohet ta gjejë veten në këtë  realitet, ndoshta pak më ndryshe, të modifikuar, atë të përkrahjes së parezervë të qeveritarëve serbë, të cilët kërkojnë zbatimin e përpiktë të rezolutës 1244 dhe përmbushjen e detyrimeve të 6- pikëshit të Ban Ki Munit, të cilin Qeveria e Kosovës e ka hedhur poshtë publikisht, duke e balancuar me 4-pikëshin, që të dy këto propozime kanë zënë vend në raportin e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së. Është plotësisht e kuptueshme se nuk ka pasur mundësi praktike për ndonjë reagim efektiv në Mitrovicën veriore, ngaqë Kosova nuk e ka stabilitetin e nevojshëm politik-institucional, është pra në pritje të veprimit më të fuqishëm ligjor të EULEX-it, por edhe të KFOR-it, edhe pse Kosova ka aprovuar Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e cila, tash për tash, po lë të hapura akoma shumë mundësi interpretimi; të zbatimit të marrëveshjes Ahtisari pikë për pikë, ashtu siç betohen liderët institucionalë, apo të zëvendësimit të saj me dekrete politike, siç janë mësuar qytetarët me vite t'u besojnë improvizimeve "shtetërore". Qeveria e Kosovës ka vendosur që të kënaqet me prononcime politike, duke harruar se ajo duhet të zbatojë  politikën e proklamuar më herët, që është e lidhur me premtimet e dhëna elektoratit. Mbledhjet e "rëndësishme" të këshillit të ministrave janë shumë pak të zëshme, ngase zëri i kryeministrit është shumë më i fuqishëm, ndërsa ministrat zuzar nuk janë aspak autonom në marrjen e vendimeve, jo pse për këtë i pengon z. Thaçi, por për faktin se ata rropaten nga mosdija për të qeverisur në mënyrë të pavarur me ministritë frymë ligjore, pra ata nuk duhet të shikojnë aq tepër në vetullat dhe nofullat e z. Thaçit, por duhet të shfletojnë më tepër ligjet, por edhe të jenë më azhur në prodhimin e ligjeve të reja. Në krejt këtë lëmsh politik- shumë pak ligjor, nuk ka ndryshuar shumë pasqyra e administratorëve lokalë as pas 15 qershorit, atëherë kur hyri në fuqi Kushtetuta e Kosovës, e cila po interpretohet me shumë paragjykime, varet cilës parti i takon kryebashkiaku, aq më keq që kësaj amullie i kontribuon edhe kriza globale financiare, por  edhe hamendjet e mëdha edhe në vet KB-ja.

Pasojat e krizës globale

Serbia, si zakonisht, shfrytëzon jofunksionalitetin institucional të Kosovës duke shfrytëzuar porozitetin konstitucional të saj. Serbia vrapon në rrugën e saj të pareshtur për të ndalur pranimet e reja diplomatike të Kosovës, e cila ka arritur në numrin 54. Sigurisht që kriza e tanishme financiare e shprehur në SHBA ka goditur tërë sistemin bankar në botë, duke detyruar qeveritë e shteteve më të zhvilluara t'u kthehen detyrave shtëpiake, për të zbutur dëmet financiare nga turbulencat financiare në 'Wall Street', por edhe për të stabilizuar tregun e punës, i cili është gati në kolaps. Qeveria e Kosovës-koalicioni qeverisës, por as opozita as që diskuton fare për krizën globale, e cila e ka përfshirë dhe mund ta përfshijë edhe më keq Kosovën, stabiliteti i së cilës varet edhe nga paqja sociale, e cila veç ka filluar të tronditet me paralajmërimet e sindikatave vendore, të cilat janë vënë nën thumbin e kritikës të anëtarësisë së saj, udhëheqjet e të cilave po mundohen të koekzistojnë me premtimet e qeveritarëve, por edhe me retorikën bajate të stabilitetit të përgjithshëm, askush nuk zotohet për përmbushjen e detyrimeve me afat, apo mospërmbushjen e tyre me dorëheqje, si akt moral. Edhe pse vazhdimisht në epiqendër të lajmeve janë ndërmarrjet publike dhe menaxhimi i dobët i tyre, kjo nuk është temë e debatit pozitë e opozitë, ata më tepër janë të fokusuar në libreza me ngjyra partiake, nuk më ra të dëgjoj të kishte ndonjë bashkëbisedim me qytetarët për të evidentuar hallet e tyre dhe përpjekjet për t'i ngritur ato në nivel më të lartë, aty ku bëhet lobimi për përmirësimin e politikave qeverisëse, në parlament, por debati po merr karakteristika të sjelljeve parazgjedhore, edhe pse ato janë shtyrë deri më vitin 2011. Ky vendim është komunikuar nga presidenti i vendit, çuditërisht vendimi në fjalë as që përfillet nga pozita e opozita, por as nga partia politike të së cilës i takon ai, lufta politike ka rrëshqitur nga godina e Kuvendit në rrugë dhe, nëpër lokale publike ku simpatizuesit politikë joshen me buzëqeshjet e të parëve të partisë, të cilët u japin libreza anëtarësie "falas". Aq më keq që këtij spektakli iu ka bashkangjitur qeveria dhe kryeshefi i saj, i cili veçse është akomoduar në lansimin e batutave publike, por edhe me lëshimin në opinion të deklaratave për korrupsion dhe abuzim të parave publike, duke mos ndërmarrë asnjë aksion të menjëhershëm ligjor për të përmbushur obligimin e tij, aq më keq që prokuroria e Kosovës  nuk është njoftuar më parë për skandalin e Hades, por kjo i lehet Ministrisë së Mjedisit, pse në këtë rrëmujë është lënë jashtë loje Prokuroria e Kosovës dhe kryeprokurori?!

Neglizhenca e tepruar

Si gjithherë, arsenali i kritikave vazhdimisht adresohet në KEK dhe menaxhimin e dobët, meqë rezultatet deri më tash ishin dekurajuese. Edhe pse shumica e ekspertëve në KEK kanë një eksperiencë të lakmueshme, nuk dolën me ndonjë studim cilësor për gjendjen e stabilimenteve në Termocentrale, por edhe në Mihjet sipërfaqësore, cilat janë pengesat dhe fytet e ngushta në prodhimtari, dhe çka duhet ndërmarrë për të eliminuar ato. Do të ishte shumë njerëzore që opinioni të njoftohet për punën titanike të punëtorëve të kësaj kompanie, të cilët punojnë në kushte shumë të vështira pune, kjo do të duhej të ishte edhe detyrë parësore e sindikatës; përmirësimi i kushteve të punës dhe pagesa e arsyeshme, do të ishte shumë motivues pikniku dhe vizita e grupeve politike, i nxënësve, i studentëve dhe qytetarëve  për të parë se në çfarë kushtesh punojnë ata. Duhet pra të përmirësohet imazhi, por edhe përshtypja se me KEK-un e udhëheq Qeveria, ndërsa personeli, apo kuadrot teknike në KEK janë servis i vendimeve të tyre. Pse nuk ka ndonjë plan operacional kohor se çfarë duhet ndërmarrë për të ardhmen për t'u sanuar gjendja e krijuar energjetike një kohë kaq të gjatë, dhe cilat ishin shkaqet e një qeverisjeje të deritanishme, dështake? Për të kaluar përfundimisht testin e pjekurisë se Kosova është e gatshme të qeveris me resurset e veta, këtë duhet ta dëshmojë qeveria aktuale. Ndoshta nuk është edhe keq që Qeveria të shtojë bashkëpunimin me institutet e pavarura shkencore për të kaluar nga faza deklarative në atë konkrete, për të profesionalizuar shërbimet në marrjen e vendimeve të rëndësishme. Sigurisht që kjo do të efektivizonte edhe punën shkencore kërkimore në universitet, duke i shtyrë pedagogët që më shumë të mendojnë për punë konkrete dobiprurëse dhe njëkohësisht fitimprurëse se sa të merren me ciklin e ligjëratave shterpe, aspak të dobishme për studentët. Nuk e shoh aspak të arsyeshme eks-komunikimin e universitetit dhe pedagogëve nga angazhimi i tyre permanent në hartimin e projekteve orientuese të zhvillimit tekniko-teknologjik të Kosovës, duke u mundësuar investitorëve lokalë një qasje më të moderuar të zgjedhjes, se sa të dyfishimit, apo trefishimit të kapaciteteve ekzistuese, pa ndonjë rregull të caktuar, ku më pastaj shprehen dukshëm efektet negative në afarizëm...
Neglizhenca e tepruar në këtë drejtim do të shtojë kokëdhembjet në të ardhmen, ngase Serbia nuk është tërhequr nga synimet për destabilizimin e Kosovës, kjo do të vërehet sigurisht më vonë, meqë Evropa veç i ka lënë të hapura dyert për te. Një ndër problemet kyçe të zhvillimit të industrisë së Kosovës nuk qëndron në lëndën e parë, meqë Kosova disponon me resurse te mjaftueshme, edhe pse nuk ka ndonjë doracak të përgatitur për një informim më detaj, por konsiston në zgjedhjen e lokacioneve të përshtatshme industriale, meqë janë shprehur anomali të shumta abuzive lidhur me pronën (shih rastin e Hades), pastaj në divergjencat e shprehura në mes të harxhimeve, fuqisë punëtore dhe produktivitetit, si dhe nga nevojat për pajime efikase të prodhimit, me shkallë tatimi joefikas stimulimi, duke ia bashkangjitur edhe detyrimet e larta doganore, që paraqesin probleme evidente që ngërthejnë në vete edhe tregun jostabil, për shkak të rënies së fuqisë blerëse, por edhe jostabilitetit institucional. Nuk ka ndonjë hulumtim të zhvilluar deri me tash për zgjedhjen e zonave industriale, të cilat duhet të lidhen kushtimisht me akset rrugore, për të lehtësuar punën e transportit. Me gjithë problemet e cekura më lartë, duhet studiuar nevojat e tregut dhe kërkesat për profilin e kuadrove që i përshtaten ndërrimeve teknologjike. Kosova është vend shumë i vogël të shpenzojë aq shumë në kuadro të dështuara, që më pastaj të sorollaten me diplomat e tyre. Edhe sistemi shkollor duhet t'u përshtatet kërkesave në tregun vendor, por edhe në atë evropianë. Çdo prodhim kërkon furnizimin me lëndë të parë dhe distribuimin e prodhimeve finale ne treg. Prandaj, është primare gjatë zgjedhjes së lokacionit të zonave industriale, te hulumtohet problematika e tërësishme e sistemit te transportit në nivel vendor dhe përreth, që përcillet me pako ligjore. Sa përcillet kjo nga projektuesit varet nga plani hapësinor. Shikoni deri më tash janë shkruar shumë artikuj për projektin TC 'Kosova C' apo 'Kosova e re', por nuk kam lexuar deri më tash se ku është paraparë lokacioni, sa është sasia e burimeve të ujit industrial dhe atij të pijshëm, gjë që do të duhej të ishte me shumë prioritet, meqë shihet ashiqare se sa dëme i kanë shkaktuar natyrës dhe rrethinës, por edhe ndotjes së ujërave nëntokësore, termocentralet tash të vendosura 'Kosova A' dhe 'Kosova B'. Është e kuptuar që gjatë përzgjedhjes se lokacionit të objekteve industriale duhet të matet distanca nga fabrika deri te liferuesi e shprehur në numra me lartësinë e shpenzimeve të transportit. Për këtë me ndryshimin e shpenzimeve relative ndryshon edhe itinerari i burimeve të lëndës së parë, mihjeve, veçmas për kompanitë e interesuara të investojnë, duke iu përshtatur nevojave reale të qytetarëve, pra duke plotësuar të gjitha parakushtet ekologjike dhe ato të sigurisë së përgjithshme.


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora