E marte, 06.12.2022, 02:30 PM (GMT)

Kulturë

Elvira Dollomaja: “Presidenti i Planetit të Kuq”

E merkure, 15.04.2009, 05:24 PM


Këto ditë në libraritë shqiptare dhe së shpejti në Panairin e Librit në Gjenevë, « The Best Seller » i letërsisë shqiptare për fëmijë, romani fantastiko - shkencor  i shkrimtarit Bedri Dedja,
 
“Presidenti i Planetit të Kuq”

Nga Elvira Dollomaja
 
Veprat e mëdha i kanë rrezistuar gjithmonë kohës, për hir të vlerave të tyre të mëdha. E kemi rastin të marrim në duar një vepër të tillë, e cila e ngre në një stad të ri letërsinë shqiptare për fëmijë të shekullit XXI.
Botimi i librit “Presidenti i Planetit të Kuq” i shkrimtarit Bedri Dedja vjen për lexuesin e vogël shqiptar me një format të veçantë dhe mjaft cilësor. Romani fantastiko-shkencor është ndarë në 40 kapituj dhe shoqërohet me ilustrime interesante, që ngacmojnë imagjinatën e fëmijëve gjatë leximit. Ndërsa subjekti mjaft interesant ka një vijueshmëri lineare të ngjarjeve.
Historia fillon me frazën e hasur shumë shpesh në përrallat e vjetra: “Na ishte një here…”
Kjo fjali, së bashku me personazhet që vijnë nga veprat e mëparshme të autorit (“Fatbardh Pikaloshi” dhe “Një Udhëtim i Rrezikshëm”), të lënë përshtypjen se kjo histotri buron nga thellësitë e shekujve, së bashku me misteret e tyre. Gjuha e shkrimtarit është e thjeshtë, e qartë dhe duket sikur kumbon jehonën e tyre. Kjo histori është një histori sa e vjetër, aq edhe e re. Ngjarjet duket sikur vijnë nga lashtësia, mbushur me mistere dhe vendosen në kozmos në bashkëkohësi. Lufta mes së mirës e së keqes është një luftë e gjatë që kapërcen shekujt e që përsëritet e ripërtërihet vazhdimisht. Kjo temë madhore, në qëndër të veprës vjen e pozicionuar në një shekull të ri e në një dimension të ri. Brezat evolojnë e bashkë me ta, edhe mjetet e argëtimit.
Për t’iu përshtatur këtij zhvillimi shumëdimensional, Bedri Dedja ka sjellë një libër sa bashkëkohës, aq edhe vizionar për të ardhmen. Ai duket se e njeh në thellësi botën e fëmijëve dhe kërkesat e tyre, mbasi në këtë roman ai ka ndërthurur dijen, fantazinë, shkencën, ëndrrat dhe edukimin.
Për ta paraqitur më konkretisht ndërtimin e kësaj vepre madhore, unë e kam ndarë atë në tre boshte kryesore :
 
Së pari, boshti kryesor ku mbështetet ky libër është fantazia, që arrin majat më të larta, duke i pozicionuar të gjitha ngjarjet dhe temat më të mprehta aktuale, në kozmos. Fantazia është shumë e rëndësishme dhe e shëndetshme për botën e fëmijëve ; prandaj shkrimtari Bedri Dedja, nëpërmjet saj e ka pasuruar veprën e tij të fundit me shumë imagjinatë dhe ide kreative. Mund të themi se personazhet e vegjël lundrojnë në një det plot ngjyra e fantazi ashtu si Saturni që shpalos përpara shkencëtarëve të vegjël ylberin e ngjyrave të tij.
 
Së dyti, boshti tjetër është dija. Ky libër shërben edhe si një libër shkollor, sepse u transmeton fëmijëve dije shkencore e shumë të vërteta për galaktikën tonë. Ata mund të mësojnë shumë mirë duke u argëtuar nëpërmjet këtij libri. Leximi i ngjarjeve ngjall shumë emocione, i argëton fëmijët por kërkon edhe një punë mendore për të zbuluar misteret e shumta. Ky aktivitet i trefishtë gjatë leximit ndihmon nga ana tjetër edhe në aftësimin dhe zhvillimin mendor të tyre. Në fushën e pedagogjisë bashkëkohore synohet drejt hartimit të këtyre librave, që ndërthurin dijen me argëtimin ; prandaj do të thoja me bindje të plotë se ky libër i psikologut dhe shkrimtarit të madh për fëmijë Bedri Dedja është ideal për të mësuar dhe argëtuar njëkohësisht lexuesit e vegjël.
 
Së treti, boshti tjetër është edukimi. Nëpërmjet këtij libri, Bedri Dedja do të mbjellë farën e së mirës në ndërgjgjegjen e çdo lexuesi. Ai kërkon tu tregojë atyre rrugën e drejtë që duhet të ndjekë sejcili, humanizmin, trimërinë, zgjuarsinë dhe pasionin për shkencën dhe të vërtetën. Shkrimtari transmeton në mënyrë të natyrshme frymën pozitive për të kontribuar sejcili nga ne për të mirën e vëndit, botës sonë dhe mbarë njerëzimit. Mesazhi më domethënës që transmeton vepra është :
« Sistemi diellor duhet të shkojë vetëm përpara… gjithnjë nga e mira dhe e mbara ».
Duke shfletuar faqet e librit, kuptojmë qartë se autori i tij, Akademiku Bedri Dedja ishte një dashamirës i madh i shkencës, zhvillimit dhe përparimit të njerëzimit. Pra kuptohet qartë se këtë zhvillim të saj, Ai e do në dobi të njerëzve e vetëm në shërbim të tyre.
 
Këto tre boshte kryesore ku mbështetet ndërthurja e subjektit të romanit fantastiko-shkencor « Presidenti i Planetit të Kuq », i japin kësaj vepre vlera të padiskutueshme artistike, pedagogjike e humane.
Maksim Gorki ka thënë se «…Libri është një nga çuditë njerëzore, i cili më jep mundësinë të kuvendoj me njerëzit. »  E Bedri Dedja, nëpërmjet këtij libri kuvendon me lexuesit e vegjël ashtu si me fëmijët e tij. Por ai siguron edhe një komunikim alegorik me lexuesit e rritur, sepse të gjitha mesazhet që transmeton kjo vepër madhore, vlejnë për lexuesit e të gjitha moshave, mbasi janë mesazhe shumë të forta, që të bëjnë të mendosh e të reflektosh thellë.
Vepra mbyllet me ëndrrën. Ato janë shpresat që shtyjnë sejcilin nga ne të luftojë e të ndryshojë botën. Këto ëndrra nuk ka rëndësi nëse i ka një i rritur apo një fëmijë; mjafton që ato t’i shërbejnë qëllimit më suprem: zhvillimit dhe së mires, mbasi e nesërmja do t’i bëjë realitet.
Shkrimtari Bedri Dedja, nëpërmjet kësaj vepre transmeton nuancat më të bukura të sistemit të unazave që rrethojnë artin me botën e fëmijëve, duke e transformuar artin e tij në një ylber shumëngjyrësh që tërheq vëmëndjen e fëmijëve. Dhe bota e fëmijëve vjen në këtë libër si një ylber me mistere e bukuri kozmike që mund t’i zhbirojë sejcili duke e lexuar e rilexuar me ëndje romanin “Presidenti i Planetit të Kuq”.
Shijojeni pra, këtë mrekulli që e gjeni vetëm një here!



(Vota: 6 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora