E premte, 25.06.2021, 11:41 AM (GMT+1)

Kulturë

Demir Krasniqi: Gjenitë e shekullit u lindën në Gjilan

E hene, 13.04.2009, 02:00 PM


Gjurmëve të talenteve të rinj muzikor:

GJENIT E SHEKULLIT   U LINDËN NË GJILAN

Nga Demir KRASNIQI

Nuk është thënë rastësisht, se talentet e rrallë lindin njëherë  brenda një shekulli!
Se është vërtetë kështu , më së miri dëshmon fenomeni i rrallë i dy talenteve të rinj , të cilët më 28 Mars 2009, për herë të parë në jetën e tyre ,  u ngjiten në skenën publike para artdashësve të muzikës popullore, në sallën e Teatrit  të qytetit të Gjilanit, në kuadër të një Koncerti të muzikës popullore të organizuar nga Ansambli Muzikor “Gurra” nga Gjilani .
Vërtetë, salla e përmbushur përplot me adhurues të këngëve dhe valleve tradicionale popullore, thua se frymonte në heshtje, të cilën herë pas here e thyenin duartrokitjet që i bëheshin solistëve të këngës popullore dhe të  asaj folklorike .
Pa pritur , në skenë para publikut u paraqiten dy fëmijë të vegjël, të veshur me kostume kombëtare, me plisa të bardhë dhe me tupan në krah, të cilët i shoqëronin me ritme të gjalla meloditë e surleve dhe grupin valltarë të burrave, të cilët i vallëzonin vallet e rënda tradicionale të Anamoravës, Malësisë së Karadakut dhe Luginës së Preshevës !
Me të paraqitur në skenë, të këtyre dy djelmoshave – fëmijë, publiku i pranishëm në sallë, sikur u “zgjua nga gjumi i heshtjes “ dhe u ngritë i tëri në këmbë nga befasia e pa pritur dhe nga kureshtja për t’ i parë këta dy fenomen të rrallë , që deri më tani nuk janë parë , as imagjinuar në skenat e muzikës sonë popullore!
Të gjithë u mahnitën me këtë mrekulli të Zotit, u ngritën në këmbë duke iu duartrokitur , duke i prekur hundët që të mos iu bien mësysh dhe duke brohoritur me zë:”Mashalla ! Mashalla!”
Të gjithë të pranishmit mundoheshin që t’ i bëjnë nga katër palë sy e veshë , për t’i parë dhe dëgjua mrekullitë e Zotit! Të gjithë i nxorën nga xhepi foto-celularët, foto-aparatet dhe foto-kamerat, që t’i fotografojnë dhe t’ i xhirojnë këta dy talent . Madje, në sallë filloi një rrëmujë e madhe nga ana e adhuruesve, të cilët shtyheshin në mes veti se cili më parë do të fotografohet me këta dy fëmijë dhe cili do t’i puthë e përqafojë më parë?!
Qytetarët - adhurues dhe njohës të vlerave tradicionale muzikore, dolën nga salla të mahnitur dhe secili prej tyre, uronte nga zemra për këta dy fëmijë:”Zoti i ruajt! Zoti ju dhëntë shëndet dhe paçin jetë të gjatë!”
Që nga aj moment, qytetarët pjesëmarrës të këtij Koncerti, shkonin duke komentuar dhe duke i thënë  njëri – tjetrit:
 “Gjenit e shekullit u linden në Gjilan!”
Gjurmëve të hulumtimit të këtyre dy talenteve – gjeni, u vu edhe autori i këtij shkrimi dhe në vazhdim për lexuesit tanë të respektuar, po ju sjellim disa të dhëna më të hollësishme , për të shpjeguar se kush janë këta dy gjeni?!
Gjeniu i parë, quhet:

Ernes (Driton) Aliu

 Është i lindur më datën 05 Gusht 2006, në Gjilan. Pra, ka vetëm 2 vjet e 7 muaj jetë.
 Rrjedh nga një familje me prejardhje nga fshati Depcë i Malësisë së Karadakut, komuna e Preshevës, të cilët jetojnë në Gjilan. Kjo familje brez pas brezi është marrë me kultivimin e muzikës tradicionale burimore.
 Gjyshi i Ernesit - Abdullah Aliu , ka luajtur me def, darabuk, tupan dhe është instrumentist shumë i dalluar i këtyre anëve. Po ashtu, edhe daja i babait të Ernesit – Dritonit, Murat Baliu ka qenë instrumentist i Ansamblit “Kastriotët” nga Ferizaj, ku ka marrë pjesë në shumë koncerte e festivale, si kitarist, kontrabasist dhe instrumente tjera muzikore.
 Edhe dajallarët e gjyshit të Ernesit – Abdullahut:Halit Isufi, Arif Isufi,Besnik Isufi dhe Bujar Isufi, tradicionalisht janë marrë me kultivimin e muzikës dhe luajtjen në instrumente muzikore, si: mandolinë, violinë, def, tupan, lodra, saksofon etj.
 Babai i Ernesit – Dritoni, luan për mrekulli me tupan, në duet me të vëllain – Agronin. Edhe djali i hallës së Dritonit – Mefail Ibrahimi, është interpretues solistik i këngës popullore.
 Vogëlushi Ernes Aliu, që kur i kishte 12 muaj jetë, jepte shenjat e para të interesimit dhe talentit të tij , ndaj muzikës, e në veçanti vërehej dëshira e tij për të luajtur me tupan.
 Në moshën 14- mujore , i ka ditur së pakut 20 valle të ndryshme popullore, të cilave ua  përcillte me përpikëri ritmet, duke e dëgjuar mikun e shtëpisë – Behlul Rexhepin, se si i luante ato valle me surle.
 Në moshën 18 mujore , i ka përvetësuar thuaja se të gjitha vallet e rënda popullore të burrave, të cilat tradicionalisht kultivohen në Anamoravë, Malësinë e Karadakut dhe Luginë të Preshevës.
 Ernesi i vogël, për çdo ditë mbyllet në një dhomë dhe ushtron me tupan, pa u lodhur asnjëherë . Kur dikush e pengon gjatë ushtrimeve, ai bëhet shumë  nervoz dhe proteston para atyre që e pengojnë!
 Gjatë ushtrimeve me tupan, Ernesi ushtron duke dëgjuar muzikë nga radioja, incizimet e ndryshme, por ushtrimet më të suksesshme i bënë gjatë kohës kur i dëgjon gjyshin, babanë dhe shokët e tyre, se si ushtrojnë ata!
Babai i Ernesit, tregon me përgjegjësi të plotë, se asnjëherë në jetë askush nga familjarët e tij, nuk ia ka imponuar ushtrimet muzikore, as lojën me tupan, djalit të tij !
 Mirëpo, kur gjyshi i Ernesit – Abdullahu, i këndon këngët dhe meloditë e valleve (me gojë), Ernesi luan saktësisht me tupan, duke ua perceptuar rrënjësisht ritmet e tyre, madje jo vetëm ritmet e thjeshta, por edhe ritmet e përziera, të cilat nganjëherë as të rriturit nuk mund t’ i kapin !
Dhe vetëm atëherë kur ushtron me gjyshin, ndihet shumë i lumtur, i disponuar dhe tamam si “Mbret i vogël i muzikës!”
 Para masës publike, luan me tupan pa u frikësuar, pa u habitur dhe pa e humbur ritmin në asnjë moment! Nuk ekzistojnë ritme të muzikës sonë tradicionale popullore , që e dëgjon Ernesi vetëm njëherë, e të mos ia kapë veshi dhe t’ mos ia luajnë duart!
 Publiku kudo e  mirëpret në mënyrë madhështore, nga se nuk kanë pa këso fenomenesh . Disa , mbase mbetën edhe të habitur me talentin e tij kur e shohin në skenë kaq të vogël! Është interesante se si ky vogëlush, aq me përpikëri , maturi dhe mjeshtri di se si dhe kur të dilet në skenë, si qëndron para publikut dhe si kthehet nga publiku, pa u habitur asnjëherë!
 Ndaj njerëzve është i butë, i dashur, i afërt dhe i patrembur . Me Arditin janë shumë shokë të mirë, të pandashëm , të dashur dhe shumë herë ushtrojnë së bashku . Edhe kur dalin me prindër në kafene , ata që të dy pinë lëngje së bashku nga e njëjta shishe, nga se nuk duan që të pinë ndaras !
 Gjeniu i dytë, quhet:

Ardit (Behlul) Rexhepi
 
Është i lindur më datën 20 Shtator 2004, në Gjilan . Pra, ka vetëm 4 vjet e 6 muaj jetë. Rrjedh  nga një familje e cila tradicionalisht është marrë me kultivimin e muzikës popullore autoktone. Familja e Arditit, ka prejardhjen nga fshati Burincë i Malësisë së Karadakut, komuna e Gjilanit.
 Gjyshi i Arditit – Rizahu, ka kënduar bukur dhe ka luajtur me fyell e kavall . Babai i Arditit – Behluli, qysh në moshën 14- vjeçare ka marrë pjesë në aktivitetet e lira muzikore në Shkollën fillore “Selami Hallaqi” në Gjilan, ku luante mrekullueshëm me fyell. Pastaj , ka luajtur me çifteli, kurse aktualisht luan me surle dhe është mjaftë aktiv në jetën muzikore amatore dhe gazmendet e ndryshme familjare.
 Ka marrë pjesë në shumë aktivitete kulturore, si në Shkollën fillore “Selami Hallaqi” në Gjilan, pastaj në SHKA “Rreze dielli” të fshatit Remnik, komuna e Vitisë, kurse 6 vitet e fundit është anëtar aktiv në Ansamblin “Gurra” të Gjilanit, si dhe në SHKA “Kemajl Azizi” në Viti.
Arditi , që në moshën 3- vjeçare tregonte interesim të madh për muzikën, sidomos në luajtjen me tupan. Kur babai i tij – Behluli, nuk ia lejonte tupanin që të luante në te, Arditi i vogël , nga mllefi ia merrte kovat e turshive dhe duke ushtruar me to si në tupan, ia shponte të gjitha, derisa babai ia lejoi tupanin !
Babai i Arditit, është mjeshtër i vërtetë i  lojës me surle, por asnjëherë nuk ka luajtur me tupan. Por, biri i tij, Arditi i vogël e dëgjonte me vëmendje, sa herë që luante me surle dhe e shoqëronte me ritmet e tupanit. Për një kohë të shkurtër i mësoi të gjitha ritmet e valleve tradicionale popullore, të cilat i luante me surle babai dhe ky e shoqëronte vazhdimisht me tupan.
Arditi i vogël, për herë të parë ka dalë në skenën publike si instrumentist me tupan, më datën 25 Mars 2009, në Festivalin “Flakadani i Karadakut” në Viti, kurse më 28 Mars të po këtij viti, mori pjesë në Koncertin e muzikës popullore, të cilin e organizoi Ansambli “Gurra” në sallën e Teatrit të qytetit në Gjilan.
Arditi, ushtron me tupan, së pakut nga 4 orë në ditë, pa ia imponuar askush. Ai, i ushtron ritmet e këngëve dhe valleve popullore, kryesisht duke i dëgjuar programet e radios, ose incizimet e ndryshme.
Por, ushtrimet më të suksesshme dhe më të dashura për te, janë atëherë kur i thotë nënës së tij:”Nënë, ti këndo e unë do të përcjell me ritmet e tupanit!”
Është fëmijë shumë i urtë, i dashur, i sjellshëm dhe shumë komunikativ me njerëzit, anëtarët e ansamblit dhe publikun kudo që është i pranishëm.
Në skenat publike, del pa kurrfarë treme dhe asnjëherë nuk e humb ritmin, as qëndrimin para publikut.
Është interesante të ceket veçantia talentore si e Ernesit, ashtu edhe e Arditit, nga se ata që të dy, i perceptojnë me përpikëri të gjitha ritmet tradicionale të këngëve dhe valleve popullore, si ato të thjeshta, ashtu edhe ritmet e kombinuara të “Valleve të rënda të burrave” të cilat janë karakteristike në Anamoravë, Karadak dhe Luginë të Preshevës, e që këto ritme nuk e kanë të lehtë t’i kapin shumë nga instrumentistët e moshuar më me përvojë!
Le të shpresojmë se me këta dy gjeni të vegjël të muzikës tradicionale popullore, në një të ardhme të afërt, do të mburret jo vetëm Gjilani e Kosova, por mbarë populli shqiptarë kudo që jetojnë e punojnë! Por, edhe historia e muzikës tradicionale shqiptare, një ditë do të pasurohet me veprat artistike të cilat do të dalin nga duart dhe veshi i këtyre dy gjenive të rrallë të muzikës sonë!



(Vota: 6 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora