Udhëpërshkrim
Ishulli i Zvërnecit, mrekullia e harruar
E hene, 16.07.2007, 06:00 PM
Në perëndim të qytetit të Vlorës, rreth 13 kilometra larg, në mes të lagunës së Nartës, larg zhurmës së qytetit, ndodhet Ishulli i Zvërnecit, i mbuluar nga pisha të larta e shkurre me gjelbërim të përhershëm. Për të ardhur këtu duhet t’i bësh 9 nga këto 13 kilometra në një rrugë në mes të pemëve të pyllit të Sodës. Kjo e bën më të këndshëm, për shkak të freskisë dhe ambientit që kalon dhe të njëjtën kohë të dhimbshëm për shkak të rrugës tejet të amortizuar.
LAGUNA
Kur mbërrin afër Lagunës së Zvërnecit, makinën duhet që ta mbyllësh dhe të përshkosh një urë druri disa metra deri në ishullin e Manastirit. Kalimi në urë është një tjetër pikë e veçantë, për shkak se ura është aq afër me ujin e lagunës, sa mund të dallohen peshqit që kalojnë nga njëra anë e saj për në tjetrën. Pas përshkrimit të urës, vjen ishulli, ku hyrja në të, të jep përshtypjen e një ishulli të virgjër dhe të pabanuar, për shkak se përveç monumenteve kulturore (1 kishë dhe një manastir), nuk ka asnjë banesë. Flora me fauna janë të ruajtura më së miri.
MONUMENTET
Ishulli i Zvërnecit është bërë i njohur jo vetëm për bukuritë natyrore, por edhe për vlerat monumentale. Objektet më të rëndësishme të këtij ishulli janë Kisha e Shën Mërisë dhe Manastiri. Nisur nga vlerat arkitektonike, forma, përmasat dhe kultura e trajtimit, Kisha e Shën Mërisë datohet e shekullit të 13. Nëpërmjet një bajati të mbështetur në kolona guri, hyhet në Naos (vend brenda kishës), i cili është mbuluar me një qemer cilindrik. Prej andej kalohet në Narteks, planimetri e të cilit ka formën e kryqit. Në skajin jugor të kishës ndodhet Bema (pjesa e jashtme e kishës), ndërsa në perëndim gjendet dhoma e pagëzimit, e ndërtuar më vonë. Në muret e brendshme të kishës ruhen fragmente origjinale të pikturuara në murale, që i takojnë shekullit të 16-17. Vlera të veçanta ka ikonostasi, i trajtuar me dru të gdhendur, ku mbizotërojnë elemente të kulturës bizantine, si figura zoomorfe e floreale. Në sallën e parë të kishës ndodhet kapaku i një varri, ku mbi një pllakë mermeri është shkruar: Aty prehet Kont Karanxha, njeriu i lindur me rrënjë që vjen në një nga degët fisnike. Në lindje të kishës ndodhet Manastiri, që i takon shek të 18. Është i ndërtuar me dru dhe ambientet e tij janë të tipit çardak. Pranë kishës ndodhen dhe dy ndërtime të tjera: rezidenca kishtare dhe trrumbullaku (vendi ku sipas legjendës kuroheshin të sëmurët).
MITET
Mjafton që të shkoni dhe ta vizitoni ishullin e Manastirit, dhe do të dëgjoni dhe mjaft histori të tjera “mitologjike” të mëdha që ruan ky ishull i vogël, ku ndërmjet tyre është një histori që flet për të bijën e një mjeku të pasur, e cila vizitonte shpeshherë ishullin bashkë me të atin. Por vajza u sëmur rëndë dhe pas disa kohësh vdiq. Vajza e vogël u varros në ishull dhe mbi varrin e saj ishin shkruar fjalët: “Ti kalimtar mos u habit, aty ku ke qenë ti kam qenë dhe unë, dhe ku jam unë tani, do të jesh dhe ti”. Por pas vitit 90 varri u shkatërrua. Në këtë ishull ndodhet dhe varri i heroinës që qëndisi flamurin kombëtar në 1912, Marigo Posio. Aktualisht, ishulli është i vizituar nga shumë pak turistë. Pjesa më e madhe e tyre janë besimtar ortodoks, që kalojnë disa ditë në çadra të ngritura prej kishës ortodokse.