E merkure, 24.04.2024, 05:52 AM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Ne shtepine e 40 shenjtoreve

E shtune, 27.01.2007, 08:21 PM


Shkruan: Ben Andoni

Çfarë trishtimi të ngjall kjo kodër?! Për më tepër, koha e vranët, duket se ka mugulluar gjithshka. Tabela e thjeshtë që diku në të dalë të Sarandës të lajmëron për Basilikën, nuk të mjafton dhe as nuk të grish. Sërish duhet të pyesësh fshatarë, që nuk ta kanë ngenë dhe të ecësh në një rrugë të stërkeqe, që duket edhe më e keqe, tek ngjitesh drejt Bazilikës së 40 shenjtorëve. Njësoj si ne, pa ndonjë qëllim në këtë braktisje të frikshme janari, zbrasëtia të ndjek në ajrin e mbushur me lagështinë. Ngjitemi. Ngjitet dhe zbrasëtia...
Deri kur do të ngjitej makina e parë në vitin 2002, objekti i rrënuar kishte thënë pak ose asgjë për vendasit. Ca më shumë për të ardhurit. Të mbledhur nga e gjithë Shqipëria, në Sarandën e mbushur me histori, rrënojat që ishin sipër fshatit në kodër, flinin pa shpresë se mund të ngjallnin diçka për vendasit...Një restaurator i Institutit të Monumenteve dhe një arkeolog i apasionuar kanë qenë pikat e mia të para të referimit për këtë vend. Zamir Marika për ditë të tëra ka punuar me bisturi dhe me një durim, që më duket se nuk “i shkon” natyrës së tij, për të ngjallur pak e nga pak nga shenjtëria e objektit. Dhe, pasioni e ka “mbytur”, kur dalëngadalë bashkë me kolegët e tij...nxorri afresket. Deri më atëhere, hamendësime, hipoteza... Më ka shpjeguar gjatë punën dhe më ka grishur pa fund, por nuk e kam besuar se mrekullia mund të fshihet dhe nën këto rrënoja. Më i ftohtë, por po aq i apasionuar Elio Hobdari, më ka treguar thjesht se çfarë është bërë...Por, ajo që më shfaqet para syve është zhgënjyese. Gurë pa fund, shkërbyer në një kodër të zhveshur?!

Drejt Bazilikës

Por, kjo është në dukje. Gurët, që nuk kanë të sosur në këtë vend, vërtetë, janë fare pak për të treguar ndonjë gjë më shumë. Krenare, antena e telefonisë celulare, tashmë e ka mbledhur të gjithë vitalitetin e zonës. Me këtë rast, ka ndërruar edhe kohën. Nga mesjeta e hershme kemi kaluar direkt në kohën e tej-kibernetikës. Pak më tutje, një repart ushtarak, që dikur e ka ujdisur me beton-shëmti manastirin, tashmë fle gjumin e harresës. Ka ikur bashkë me armiqtë e shumtë që i priste nga poshtë-deti dhe nuk vinin. Një ditë, iku. Këtë herë- jo prej armikut, po prej dalldisë shqiptare ‘Made in 1997’. Një si biçim kulle betoni, me slloganet e kohës së dikurshme, na del përpara. Këtu ndahen dy kohët. Koha, kur Bazilikën e kanë vizituar shpesh udhëtarët e apasionuar të shekullit të XIX dhe arkeologët pasionantë të shekullit XX, që linin me skrupulozitet relacionet përkatëse. W.M. Leake, një grek nga 1913 dhe pastaj arkeologë të tillë si E. Dyggve dhe L.M. Ugolini ishin ata që treguan për publikun madhështinë e vërtetë të “ 40 shenjtorëve”.
Ndërsa, në kohën tonë, pas ikjes së specialistëve, nga ky vend duket se nisen edhe retë e errëta që e kllaposin Sarandën në zgripin e janarit. Nuk e kisha besuar ndonjëherë kaq shumë mrekullinë e vendit. Imazhet, që sjellin fotot e Ugolinit, më vonë, ato të përcjella në rrjedhat e kohës- janë pak, për të ngjallur imazhin e sotëm të këtij objekti fetar. Në mesin e viteve ’20, teksa ngjitej në këtë vend, arkeologu Italian do të thonte pa asnjë hezitim, “po kjo është kisha më e bukur që kam parë ndonjëherë në Shqipëri”. Kujt i duhej?!
Pikërisht, në këtë mjedis, na gjen një djalë i vetëm. Njësoj si ne edhe ai rrotullohet. Eshtë në klasën e tetë dhe quhet Floriant Mema. Ka ardhur bashkë me familjen e tij nga Gramshi...Më shikon- e shikoj. Eci –ecën. Fillojmë ti biem vërdallë manastirit, që tashmë është larg imazhit të dikurshëm të fotove. Ai është sërish nga pas... Zhgënjehemi. Hallkat e mëdha të hekurit, që mbajnë të puthosura dyert, të stepin. Non plus ultra. Florianti më ndjek në botën e vet. Eshtë i qetë dhe më flet një shqipe tmerrësisht letrare. I vetëm. Të vetëm. E di çfarë është kjo-e pyesim pa e kthyer kokën. “Vend i shenjtë”,-ta pret. “Vimë ndonjëherë me hallat dhe ndezim ndonjë qiri... Kot. Kujdes aty”- piskat, teksa një gropë, vazhdon deri më poshtë. Një të tillë e shikoj dhe më poshtë. Më tërheqin sytë disa harkada dhe sërish rrënimi. Nga bombardimi, nga koha, nga moskuptimi, të gjitha janë bashkë. Eshtë shumë pak, ajo që shihet sot nga jashtë, për të ngjallur Bazilikën e 40 shenjtorëve.

Për Bazilikën e dikurshme dhe specialistët shqiptarë

Ky grumbull rrënojash, që të ndjekin nga një e përpjetë mbi qafën e kodrës, ruan një pamje piktoreske mbi qytetin dhe bregdetin e Sarandës. Bazilika dikur me kupolë, tashmë mund të përfytyrohet vetëm falë syrit të një mjeshtri…Sidoqoftë, në sytë e vizitorit, ky duhet të ketë qenë një vend i shenjtë dhe pranë Onhezmit antik në Shqipërinë e Jugut, ajo është një vend tipik i një lloji të siteve të pelegrinazhit dhe të Antikitetit të vonë, më ka sqaruar Z. Marika. Jo më kot, kisha, nuk ndodhet në portin e vjetër të qytetit, por mbi një kodër pas tij, një gjysmë ore larg murit rrethues…. Në antikitetin e vonët- të nderuarit e shenjtorëve dhe të zhvendosurit e relikeve të tyre tokësore në varre dhe kisha bëhen jashtë qytetit, shpjegojnë specialistët. Ishin këto referencat e para, që i bënë specialistët e monumenteve dhe arkeologët, që të hulumtonin me kujdes në zgafellat e objektit. Puna nuk të lë kurrë në baltë. Pak nga pak, teksa i palodhuri Zamir Marika gërryente me bisturi, i ishte shfaqur portreti i një shenjtori me libër. U quajt moment i rëndësishëm për pikturën bizantine. Një vit më pas, në vitin 2004, sërish një ekip i Institutit të Monumenteve, u mor me konsolidimin e pikturës. Gjatë kësaj ekspedite u panë edhe gjurmë të tjera. Por, sytë dhe kujdesi kishin mbetur në sinopin (shtresa e parë e incizuar) e pikturës. U bë një projekt për eliminimin e kalçiumit dhe shtresave të gëlqeres dhe dalëngadalë nga gjiri i objektit u shfaqën…edhe imazhe të tjera. Në vitin 2006, një ekspeditë e bërë gjatë muajve gusht dhe shtator, është marrë edhe më seriozisht me shtresat. Fati dhe përpjekja e këtij ekipi të talentuar njerëzish, zbuloi pak nga pak një afresk të ruajtur mirë. Kështu dolën Krishti duke përkëdhelur Shën Nikollën, Shën Simoni me Shën Andrean me varkë, Shën Mëria mbi sargofagun…”Konsolidimi i shtresave dhe zbulimi i tyre tashmë duhet të zgjatet për 10 vjet, në mënyrë që të shfaqet gjithshka sa më mirë”, më shpjegon Z. Marika. Por, fati më i madh në këtë vend, duket se është fakti që ka shpëtuar nga Ikonoklastia. Me bisturi dhe me një mundim të paparë është hapur pak nga pak një shtresë prej 2-3 mm, për të depërtuar deri në kripërat kalciumi...Falë Zamir Marikës, Skënder Mihaçkës, Bujana Braçes, Enkeleda Nesturit, Edlira Çaushit ne tashmë e kemi ndryshe këtë objekt…Shtuar, nga ana tjetër, edhe me përpjekjet e arkeologëve Skënder Muça, Elio Hobdari...

Për historinë e saj

Në fakt, për vizitorin e papritur ka vetëm gërmadha. Prehem pak në një bunker, që duket se është edhe vendi më i mbrojtur në këtë katrahurë. Si një zonjë e mirë, Bazilika, t’i shfaq pak fare gjërat dhe sakaq t’i mbyll hiret e saj. Sërish një dryn. Nuk di ndonjë referencë më shumë për manastirin dhe për më tepër, nga ajo që kam dëgjuar, nuk ka burime që të vërtetojnë fillesën dhe shkakun e ekzistenës së këtij objekti. Por, Zamiri më ka shpjeguar me argumentat e tij, se është e shekullit të V. Ka konsultuar materiale pa fund dhe fotografi i njohur, e ka më shumë se pasion, të tregojë për grupin e tyre... I them pak gjëra djalit, që më ndjek verbtazi dhe e kureshton disi interesi. Nuk i hyn në sy asgjë. Në vend të kësaj, më tregon sagën e familjes së tij. Në fillim nga Gramshi erdhi xhaxhai, pastaj dy hallat, pastaj gjyshi dhe pastaj ai me të jatin. “Kur të kthehemi do të tregoj shtëpitë”- më thotë në intimitet…Dikur shtëpitë edhe afër kanë munguar, ndërsa tashmë në pjesën e pasme të Sarandës janë duke iu afruar gjithmonë e më afër. Nuk duan t’ia dinë rishtarët. Një ditë, ikonoklastët e rinj do të jenë aty…Njerëzit e djalit i janë afruar bash rrënojave me kulmet e shtëpive të tyre.

Pak histori

Në vitin 1930, një foto tregon se disa ndërtime nuk kanë qenë larg dhe madje deri aty afër. Një komunitet murgjish kujdesej për Bazilikën, ndërsa në fillim të shekullit të XX ajo braktiset. Ngadalë humbet çatia dhe pamja e dikurshme me strukturën e gjatë me dyert me qemer, nishe edhe dritaret e harkuara po ashtu shuhet. Në vitin 1944, punën e vulos artileria gjermane, që “e ktheu në identitet” dhe i zbythi me barut italianët romantikë, që shulloheshin në Bazilikën e braktisur. Që nga viti 1960, këtë rrënojë e menaxhoi ushtria shqiptare, që ka lënë gjurmët e saj kudo me betonin e bërë shkel e shko. Në vitin 1997, gjithshka e ktheu revolta e njerëzve. Në ditët tona, ish mrekullia është e reduktuar frikshëm më një linjë muresh dhe në harkada, që tashmë duket se presin rastin që të bien, pa u ndjerë, edhe pse duket qartë dora e specialistëve tanë...që ka kuruar me qetësi brënda saj.

Si ishte dikur

Vendndodhja e lartë dhe dominuese mbi kodrën dhe forma e pazakontë e ndërtesës në aspektin e planit dhe të ngritjes me nefin e saj me shtatë absida, si edhe serinë e dritareve të vargëzuara dhe nikeve të thella, shtuar me mbishkrimet e jashtëzakonshme me karakter dedikues, që i luten Zotit të ndihmojë dhuruesit dhe mbishkrime të ekzekutuara në fragmente tjegullash dhe tullash- nuk gjejnë shembull të dytë dhe tregojnë se ka qenë një ndërtesë e planifikuar për qëllime të veçanta. Kështu e shpjegojnë specialistët.
Nuk mbaron këtu, sepse kompleksi i nëndheshëm duket se është i planifikuar për t’u vizituar nga shumë njerëz. Bazilika të jep përshtypjen e një vendi jo të zakonshëm, ku kishtë shumë devocion popullor dhe pelegrinazh. Duhet të kenë qenë reliket, që e plotësonin këtë atribut. Në dy dhoma të vogla në formë tuneli mendohet se kanë qenë të gjitha...këto, por që tashmë nuk mund të futesh. “Besimtarët duhet të kenë hyrë në sanktuar ndoshta përmes katër dhomave në nartekstin perëndimor, i cili duhet të ketë formuar një hyrje dinjitoze dhe dramatikisht të errët për në sanktuar, ose mund të kenë ardhur në sanktuar përmes korridorit unazor, ndoshta duke mbajtur pishtarë për të ndriçuar rrugën e tyre duke kaluar nëpër kapelat, para se të kalonin murin verior të kishës përmes një prej dy hyrjeve për në ‘nefin’ e hollit jugor”, thonë specialistët që e kanë shqyrtuar në vitin 2002.
Pas devocionit të kryer ndaj shenjtorëve, pelegrinët ktheheshin në korridorin unazor të errët, përmes të cilit vizitonin katër kapela të tjera, para se të përfundonin jashtë ndërtesës…
Ajo që i ka mahnitur arkeologët, ka qenë dizenjimi i kishës me hyrjet anësore, tre dyer të mëdha në seicilën anë, që të çojnë përmes konkavave direkt në nef. Po ashtu, numri i nisheve të mëdha dhe të thella, të cilat theksojnë volumin e mureve të jashtëm dhe të brendshëm të kishës në katin përdhes, në mënyrë të pandërprerë duket se janë një tipar tjetër i jashtëzakonshëm…
Mbishkrimet dedikuese me tjegulla të kuqe, që rrethonin kishën në tre anët e saj, janë gjithashtu mjaft të veçantë. Praktika e të theksuarit të një zotërimi përmes rregjistrimit me shkrim të emrit të bamirësit ka qenë e zakontë në Antikitetin e vonët. Në bazilikën e 40 shenjtorëve është rregjistruar edhe bamirësia e të paktën shtatë dhuruesve të ndryshëm që kanë kontribuar. Kjo ishte një traditë e vjetër e Romës Perandorake, ku rregjistroheshin patronazhet dhe dedikimet e ndërtesave publike me mbishkrime të mëdha me shkronja bakri të gdhëndura ose veshur me ar..
“Ata mund të kenë qenë planifikuar gjithashtu për të krijuar në mikrokozmë, një pelegrinazh madhështor për në tokën e Shenjtë, qëllimi më prestigjioz si edhe më lodhësi, në Antikitetin e Vonët dhe në Mesjetën e Hershme. Atje udhëtari do të vizitonte Golgotën dhe Varrin e Shenjtë e më pas vende të tjera të shenjta në Jeruzalem dhe nëpër të gjithë tokën e shenjtë.
Një shkrim i gjatë i John Mitchel më ka ndriçuar veç të thënave të miqve të mi. Këtu koha ndalet.
Florianti ia ka nisur bisedën me një bari të vogël që kullot i qetë, por që frikohet pa fund nga të panjohurit. Drita e pakët na mungon për fotot. Djalit të ri nuk i hyjnë në punë këto. Ai është më realist. I duhet e nesërmja. Mbase që lidhet edhe me manastirin...Na fton në shtëpi...

Për Sarandën

Kaq mjafton, ndërsa specialistët në qytet, duken se janë të qetë. “Për momentin nuk është e mundur të identifikohen reliket, që kanë qenë të depozituara në dhomat pas fenestellae, në hollin jugor, të cilat mendohet të kenë qenë raison d’etre për ndërtimin e bazilikës”, thotë Mitchell. Largohemi, me shpresën se mund të vijmë ndonjëherë sërish, por këtë herë me premtimin e njerëzve të monumenteve, për të parë zbulimin e tyre. Sikur t’i linin të punonin të qetë mbase do të ishte më mirë?! Po ku i dihet në Shqipëri. Ndryshojnë konjukturat, ndërsa monumentet dhe njerëzit e tyre nuk kanë gojë.
Nuk ka referenca të hershme lidhur me kultin e 40 shenjtorëve në Sarandë dhe kisha nuk përmendet në asnjë burim mesjetar. Por, qyteti poshtë saj, i quajtur Onchesmos në antikitet dhe në fillimet e mesjetës, përmëndet për herë të parë si Sancta Karentet (Dyzetë Shenjtorët) vetëm rreth fundit të shekullit të XII. Nga kjo kohë, ai përshkruhet si i braktisur. Porti, funksioni kryesor i të cilit, në atë kohë duhet të ketë qenë përcjellja e vizitorëve për në sanktuarin dhe manastirin mbi kodër, ka marrë tashmë emrin e bazilikës...E braktisim me sy për tu larguar.
Ky nuk është një monument i izoluar sepse ishte vetëm pak kilometra larg Onchesmos, i cili u fortifikua me një mur të ri, ndoshta në gjysmën e dytë të shekullit të V. Një kishë me dysheme mozaiku është ndërtuar brenda qytetit në të njëjtën periudhë. Ajo ishte ndanë një porti dhe të pajisur me mure rrethuese dhe me disa ndërtesa publike të reja. Ndërtimi mbi kodër dhe pajisja e qytetit me bazilikë, mund të mos ketë qenë ndërmarrje pa lidhje me njëra-tjetrën. Këto aspekte sugjerojnë një vrazhdësi të ndërgjegjshme , rezervim, e madje poshtërim (?!) të fiksuar në mënyrë të çuditshme në një ndërtesë që mund të ketë luajtur një rol të rëndësishëm në riformimin dhe rimodelimin e portit të Onchesmos rreth fundit të shekullit të V dhe që si pasojë, duhet të ketë luajtur një rol dominues në fatin dhe identitetin e qytetit, i cili nga fundi i shekullit XII merr emrin e sanktuarit mbi kodër…”, shpjegon John Mitchell në artikullin e tij…
Fatkeqësisht, nuk i shikoj dot afresket, që me një durim murgu, Zamiri mi ka shpjeguar gjatë. Ky është zhgënjimi i vetëm. Nuk mundem. Nuk lejohet. Mbase do m’i tregojnë ndonjëherë. Duhet të marrësh leje, mbase. Ndërsa, specialistët shqiptarë luten, që të kenë mundësi që të punojnë, sepse nëse do të kishin mjetet e duhura të restaurimit, nuk do të ndaleshin këtu. A thua do ti dëgjoj njeri?! Mbase?! Të paktën 40 shenjtorët janë mësuar të presin.
Florianti afrohet dhe më tregon shtëpinë. Si dy pika uji, tre shtëpi të stërmëdha, janë gati 100 metra larg manastirit. “I shikon”- më thotë me krenari…E shikoj dhe e respektoj vullnetin e zaptuesve të rinj. Kanë kthyer gurin në jetë, këtu pranë 40 shenjtorëve…Eshtë dimër. Ndërkaq, nata i afrohet 40 shenjtorëve dhe i thërret në errësirë. Largohemi dhe ne. Rrugë e gjatë në kthim. Eshtë fundjanari i vitit 2007.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora