E premte, 19.04.2024, 10:25 PM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Në Italinë Shqiptare

E merkure, 27.06.2007, 09:30 PM


Shkruan: Ben Andoni

Të duhet të ngjitesh në kalanë e Lezhës, që të rrokësh me sy të gjithë zonën e madhe fushore dhe bregdetare, që shtrihet prej shekujsh para këmbëve të saj. Drini, këneta, fusha, zogjtë e pafundmë, si edhe një rrip i madh i pyllëzuar, të shfaqet ngado përballë. Por, jo më. Shikimi mbetet, ngaqë fodull, Mali i Shëngjinit nuk të lejon më shumë. E sërish një kënetë. E gjithë kjo hapësirë, që dergjet në perëndim të Drinit dhe shkon deri në Shëngjin, është ajo që njihet me emrin Kune. Një kënetë e paanë me një sipërfaqe deri më 300 ha, ku flora harliset nën tingujt belbëcakë të shpendëve të zëshëm.
Veçse, në dimër, në këtë mrekulli mposhtesh nga qetësia. Të duket sikur banorët e saj të pakët qetohen për të marrë fuqinë për Verën e madhe, kur i mësyjnë nga e gjithë Shqipëria. E quajnë të madhe, Verën- sepse pas kësaj stine, nuk ka më jetë në këtë vend. Rrok Patin, një 77 vjeçar, që ka zbritur dikur nga Malësia e Shkrelit (më vonë kuptoj se ka një shekull, që s’ka lidhje me atë që më thotë për fisin), e hasim pas një rruge me makinë që gjarpëron nga Shëngjini në brendësi të Kënetës. Në hapësirën e një shtëpie betoni, lodron fryma e tij, që ndiqet nga fryma e të resë. Plaka ka kohë që e ka lënë. 25 minuta më vonë, në një rrugë pa rrugë nga Shëngjini, që në troshitjen e saj të nxjerr nga trutë premtimet elektorale të politikanëve, plaku vegjeton i vetëm, duke u marrë me disa kallama. I vetëm. Në gadishmëri. Instikti i malësorit të kërcënuar. Duhet të kalosh shtëpinë e tij, që të shkosh më tej. “Non plus ultra”. Nuk i ngjan Herkulit, por është një rojtar i llojit të veçantë. E ka bërë shtëpinë kundrejt urës së fundit, që të fut në një kënd të paqëm të Kunes. Madje, pa hyqmin e tij, kuptoj se nuk e përshkon dot më Kunen. Për fat, e gjejmë gjuhën, sepse plaku është një besimtar i mirë dhe nga emri duket se është i lindur në Ditën e Shna Rrokut...Gjysmë ore më vonë...na përcjell dhe na ndjell të zbresim në Shtëpinë, që funksionon edhe si klub i tij.

Me Hahn

Përsa i takon emrit të vendit, lexuesi nuk ka pse të dyshojë për ndonjë gabim shkrimi ose shtypshkrimi, mbasi fusha bregdetare që shtrihet ndërmjet Matit dhe Drinit, quhet nga ana e banorëve vendas Italia dhe në rast se do të marrim parasysh ngjashmëritë e shumta gjeografike të dy brigjeve të Adriatikut, që ndodhen përkundruall njëri-tjetrit, një pjesë të të cilave, unë i kam përmbledhur në veprën time “Studime shqiptare”, atëhere jam i mendimit që është më e mundshme që ky emër ta ketë burimin e tij nga kohët e lashta, sesa që ai të jetë huajtur në kohërat e mëvonshme nga Italia. Pjelloria e jashtëzakonshme e këtij rripi kufitar të provincës romake të Dalmacisë, i cili në kohërat e sotme përdoret më tepër si kullotë bagëtish, sesa si tokë bujqësore, mund të ketë përbërë arsyen që në Romën e lashtë tregoheshin mrekullira përsa i takon pjellorisë së Ilirisë, ku madje thuhej se pulat bënin çdo ditë dy deri në tri kokrra vezë dhe ku lopët pillnin aq herë në vjet dhe madje në shumicën e rasteve çifte viçash.
Ky bregdet i hapur bënte pjesë asokohe në vendin, i cili në kuptimin e ngushtë të fjalës quhej Iliri (Illyria) dhe i cili shtrihej që nga derdhja e drinit deri në Akrokeraune. Në veri dhe në jug të këtyre pikave bregu lindor i Adriatikut në përgjithësi është i mbyllur.
Po është vërtetë i mbyllur. Tashmë jemi të vetëm në Kune. Por pa mundësi makine dhe falë Zotit, me këmbë të forta. Paqësi, pisha, trungje të hedhura, kënetë, det...dhe begati hipotetike.

Në Mbretërinë e Kunes

Teksti akademik i Gjeografisë fizike nuk lë asnjë shteg: “Midis të gjitha rezervateve, vlen të përmëndet ai i Kune-Vainit në deltën e Drinit, i cili është rezervati më origjinal, më i bukur dhe një ndër më të pasurit e pellgut të Mesdheut”. Tregojnë se, Konti Çiano, dhëndri i Musolinit, një i apasionuar i hershëm pas gjuetisë, ishte aq i dhënë pas këtij vendi, saqë kur erdhi, solli me vete dhe një mjeshtër të faunës për të kuruar zonën. Në Hotelin e Gjuetisë pak më tej, në netët e bezdisshme nga insektet, thuhet se e shtynte duke menduar për pushtimin e Shqipërisë. Por, askush prej banorëve të shumëpakët nuk e di këtë histori. Ajo që bëri më pas mjeshtri italian, ka humbur tani në kujtesat e njerëzve. Gjithsesi, pas kësaj, duket se rezervati ndryshoi shumë. Të paktën e njihnin më shumë. Më shumë, por ndryshe, dëgjoj Rrokun, që më tregon me një ritëm monoton mbijetesën e tij të vështirë.

Për rezervatin

Ndërsa, plaku flet me sy të tretur në fytyrën time, kujtoj sesi ky vend nuk mundi t’i shpëtonte lehtë syrit të qeveritarëve. Që nga viti 1940, ai u shpall Rezervat Kombëtar dhe mbetej gjithmonë krenaria e natyrës shqiptare. Larmia e faunës dhe florës, mbushur me tregime fantastike nga gjuetarët dhe shtuar me ato pak gjëra, që kishte lënë në kohën e tij Hahn dhe priftërinjtë e shumtë emisarë, e bënin këtë vend, shumë tërheqës për të ardhurit. Kjo situatë ka vazhduar deri në vitin 1962, kur është bonifikuar këneta dhe nga ky vend, ka filluar largimi i shumë shpezëve. Rroku, me katër djemtë e tij, e kanë mbrojtur me ??? zonën. Lexo: pronën e tyre private. Dhe, këtë e vërtetoj lehtë, se në ndryshim me vite më parë, kanë ikur peshkatarët, që rrinin te ura dhe njerëzit janë bajagi shumë më të pakët. Jo shumë larg këtij vendi, rezervati, është i pushtuar nga ndërtime pa leje dhe nga gjahtarë të parregullt, që gjuajnë gjithshka që munden. Kurse një specialist më ka shpjeguar kohë më parë se prej kohësh këtu shikohet ulja e kripshmërisë së ujit, që do të thotë dhe kushti numër një, që një lagunë të jetojë. Kjo ka sjellë si pasojë humbjen nga rezervati të 40% të territorit të saj, që e kanë zenë kashta dhe kallamishtja. Në muajt korrik dhe gusht kemi prishjen e ujit. Kështu, peshku del përjashtë dhe shpendi ikën se nuk gjen ambiente të mira. Dhe, shija e peshkut ka rënë, në të dy zonat e sidomos në Vain. Ndue, 46 vjeçar, që duket se e ka përjetuar njësoj degradimin e këtij vendi bashkë me rritjen e tij, nënqesh kur e kam pyetur pak minuta më parë. “E ç’ia ke ngenë”, më thotë. Në fakt, ishim vetëm të tre. Ai me një mikun e tij peshkatar dhe unë që i pyes...Dhe, kanë të drejtë. Kush ia ka ngenë këtu?! Tabela, që të lajmëron, mirëseardhjen e rezervatit, vazhdon të jetë ndanë ndërtesave të mëdha. Nga frika e këtij betoni janë tretur rosat, patat, pelikanët, karabullkat, pulat e gjelat e ujit, grillat, çapkat, kojlikët etj.
Rikthehem me sytë nga plaku. Rroku, që tashmë më pret sërish në shtëpinë e tij më tregon se kanë ardhur shpendë të tjerë si trishtilë, mëllenja, bilbilë, laureshë, bengë, qukapikë, grifsha deti, etj. E gjitha kjo sot, është një habi, kur pothuaj nuk shikon asgjë. “Kanë ikur”,-më thotë dhe përplas duart sikur do të më trembë dhe mua për fluturim. Në fakt, ekosistemi i këtij vendi ka ndryshuar duke filluar që nga viti 1962, kur u bë bonifikimi i territorit fushor të zonës së Lezhës. Sërish, mbaj mënd nga një specialist që më ka treguar se një nga masakrat më të mëdha të këtij vendi ka qenë, kur 75% e këtij rezervati u kthye në tokë bujqësore. “Kjo është masakra e parë, që i është bërë rezervatit të Vainit. Mbas vitit 1975, ishte për të mirë shpimi i puseve arteziane për krijimin e ujit të ëmbël, për një pjesë të vogël të rezervatit për t’i krijuar kushte e mundësi gjahut, që ujin e ëmbël ta gjente dhe ta kërkonte vetë në rezervat. Megjithatë, koha vërtetoi se ky ujë, e uli kripshmërinë e rezervatit të Kune-Vainit”, më ka treguar me dhimbje një nga gjuetarët e zonës. “Po këtu, a ka dhe zvarranikë”, i them ato që kam lexuar nga gjeografia fizike, Plakut. “A i ke pa vetë”, më qesëndis. “Jo”-i them. “Atëhere, rri nejtun!”, ma kthen.

Rrëfimi i plakut

“Këtu janë peshkatarët”, më rrëfen, pas pak, duke grisur heshtjen. “Nuk i pashë”-ia kthej. “Janë atje, por nuk janë peshkatarët që kanë qenë, por kanë hy peshkatarë të rinj”. Plaku bashkë me djemtë i ka disiplinuar dhe peshkatarët nuk mund të gjuajnë dot me dinamit. “Eshtë toka jonë dhe ne e ruajmë. “Kam katër çuna”, më sqaron. “Dy i kam në Itali dhe dy këtu...Janë nda dhe matanë rri njeri, kurse tjetri jeton këtu...”. “Me çfarë jeton”, e pyes plakun që tash nuk ndalet. “Jetoj me klub, por kam dhe dhe 1.000 lek pension si murator”. Më sqaron se toka ka qenë e të parëve të tij, por askush prej tyre nuk ka jetuar këtu. Nuk kuptoj, sesi ka qenë tokë e njerëzve të Shkrelit... E kan pasur denbabaden..ka ndejtur gjyshi dhe stërgjyshi.. “Po kush ka ndejtun këtu”-e pyes. “Jo mor kush ka nejt këtu”?!-kthjellohet. Shikohemi. Unë jam në det..ai mbetet në kënetë.
Vazhdon të rrëfejë me ritmin e shtruar të marshit të parë... Duhet të ketë ditë, që nuk ka parë njeri këtej, veç të birit dhe të resë...dhe duket se po argëtohet paq me mua... “ndaj dhe u vendosa këtu..Edhe shtëpia me letra...E bej me makinë furnizimin njëherë në javë... Të gjitha i bëj këtu...dhe vetë i bëjmë vetë gjërat”. Më duket si akrobati i Kafkës, që rrinte i vetëm, sipër, në çadrën e Cirkut dhe e respektoj plakun. “Këtu nuk çan kryet njeri, por vetëm kur vijnë dhe i vrasin dhe vetëm kur vjen ndonjë ros jabanxhi... se nuk ka...Shpend të ardh ka vetëm tash. Janë çafkë dhe pulëbardhë, e cila ka një sqep te gjatë..por nuk e gjuan askush rrezikun, sepse mban era peshk...Me shenjën e parë i kapim të këqinjtë dhe pastaj vjen policia. Në vitin 1997 kemi qenë dhe e kemi ruajt shtëpinë sepse e kemi ngrit me sule”- më sqaron.
“E kam la jetën...Tash sa dalim e rrimë dhe i bëjmë hyzmet vendit. Këtu gatuan nusja, ndërsa plakën nuk e kam” Ka 10-14 vjet, që e ka lënë. “Punë e Zotit”, më sqaron
E kthejmë muhabetin në qeshje. “Me pas qenë në kohë të Enverit ka qenë boll e vështirë dhe ishte zonë ushtarake dhe rezervat, ndaj vetëm gjashte veta dhe ata me leje...e kishin parë-Po Diversantë?- “ Ktu nuk ka pas...ishte vend i ngushte dhe nuk vinin. Ky asht një vend strategjik, por tash është për njerëzit më sqaron. Me shku në Shngjin janë njerëzit këtu dhe këtu. Ti do me ba muhabet, por nuk e ban dot. Këtu nuk të bjen askush...dhe je zot në rehatinë tënde...”

Kune-Vain, post ‘97

Por, për të pyetur për këtë zonë nuk mjafton më Rroku, që e lemë në rehatinë e vet dhe në këndin që e gjetëm në fillim. Të duhet të jetosh me njerëzit e këtij vendi, që të ndjesh shkatërrimin e vërtetë të tij. Tashmë ka një ndryshim të krejt ekosistemit. Kjo për pasojë sjell edhe ndryshimet e veta. Gjahu, kryesisht i rosave të llojeve të ndryshme, ka rënë. Por gjuetarët vendas thonë diku se kanë hasur dhe zhdukjen e disa specieve autoktone të zonës. “Kjo erdhi, si pasojë e vitit 1997, ku u pre i gjithë pylli, sepse ne në këtë zonë kemi pasur tre-katër familje të llojeve të ndryshme çafkash. Madje, ato, që kanë qenë autoktone, sot ne nuk i kemi”, më ka thënë dikur një gjuetar, që e kam gjetur në urën e hekurit në rezervat, që tashmë e menaxhon Rroku&Sons. Por, edhe pse gjuetarët janë përpjekur, nga zona janë larguar pelikanët, ndërsa përpjekja e tyre rezulton gjithmonë e më e vogël për të sjellë gjahun. Por, vite më parë kam dëgjuar se rreth 69 mijë metra kubik të ujit të ndotur derdhet në të dhe në det për çdo muaj, duke e dëmtuar shumë rëndë, biodiversitetin e zonës, me këtë pasuri të madhe natyrore. Por, një dëmtim i madh i është bërë edhe pasurisë pyjore. Sipas burimeve zyrtare, të cituara kohë më parë nga ATSH, këtu janë të dëmtuara rëndë 60 përqind e pishave dhe 40 përqind e pemëve të tjera.
Qendrës së kultivimit të fazanëve në Ishull Lezhë në 23 hektarë, sipas teknologjisë franceze, tashmë i është harruar emri. Ishte kjo koha, kur shumë fazanë janë eksportuar drejt tregjeve italiane dhe franceze. Po ashtu, edhe një qendër eksperimetale është ngritur në vitin 1984-86, në të cilën rreth 4 mijë rosa të buta dhe të egra kanë ndihmuar që të shtohet kjo popullatë në këtë zonë. Gjithçka mori fund gjatë vitit 1997, kur të dy këto qendra janë shkatërruar plotësisht. Në pak momentet e sinqerta gjëndja nuk është fshehur edhe zyrtarisht: “Gjuetia e pakontrolluar dhe pa kriter, ka sjellë braktisjen e lagunave nga shpendët dimëronjes migrator, më e theksuar kjo në lagunat Kune-Vain, Patok dhe Pishe-Poro”.

Indro Montanelli, kur ishte dikur...

“Lumenj të shumtë dhe tekanjozë, që zbresin nga lindja, duke ardhur me vrull në fushë pas shtrënimit të pësuar nëpër grykat e ngushta malore, e tërheqin me vete të ngurtën, në formë masash të mëdha aluvionale drejt grykëderdhjes dhe aty e depozitojnë. Kështu që i gjithë rripi bregdetar që qëndis Shqipërinë nga Shëngjini në Vlorë nuk është veçse një shkarkim dherishtesh të grumbulluar aty nga këto rresha të padisplinuara uji, ende shumë të reja për t’u shtruar të qeta në shtretërit e tyre”.

Shëngjin, Rana e Hedhun

Në këtë ditë, kur dielli fshihet paq, unë, e shfrytëzoj kohën për të parë një mrekulli tjetër. Ajo është në veriperëndim të Shëngjinit dhe duhet të kalosh përmes repartit ushtarak të marinës, që ruan Portin. Mes Velipojës dhe Shëngjinit gjendet vendi, që njihet si Rana e hedhun. Pak më vonë, plakun e kam ndërmend si imazh, kurse në një pusullë i kam marrë numrin e telefonit të të birit, për t’i bërë një vizitë në verë. Kemi mbetur të dy të kënaqur, me rakinë e mirë të tij, por që mua ma jep në bash të kokës vetëm 40 minuta pasi jemi ndarë. Një ecejake e gjatë e ushtarit të marinës, që është nga Tropoja, dhe më le të pres pa fund në postbllok. Ai shtyn shërbimin, ndërsa më thotë se nuk e thërret dot oficerin e rojes. Ushtri made in Albania. Në fund, pronari i një godine, në Adriatikun e virgjër, i jep fund rebusit. Na merr në drejtim të hotelit të tij, që shpreson, falë bashkëpunimit me ofiqarët vendas, të lirojë rrugën. I vihemi pas. Ka ndërtuar vërtetë një mrekulli dhe është fare indiferent, për të mos thënë pak i egër. “Të mora, çfarë do më shumë?” “Më trego rrugën!”-i kërkoj. “Do ngjitesh këtu dhe do ecësh nja 20 minuta”, më sqaron. Çuditet, se pse dua të iki...Sërish me këmbë në pyll, ndanë shkurreve, dhe anash pyjeve të rralluar nga bunkerët e frikshëm të komunizmit, por që të kallin sërish datën. Në mos më shumë.
Deri në vitet ’70 të shekullit të XX nga Shëngjini dhe deri në Velipojë rrjedhimisht dhe në këtë vend që njihet me emrin “Rana e Hedhun” nuk kishte rrugë të mirëfilltë. Në këtë kohë ishte përpjekja e ushtrisë për të montuar këta bunkerë të stërmëdhenj, që ne i shohim nga të dy anët e rrugës në një vend krejt të virgjër. Ajo që të shfaqet para sysh, pas një dyzinë minutash, është mrekulli. Ka marrë emrin “Rana e Hedhun” nga vetë sipërfaqja e këtij bregu, e cila është e mbuluar me rërë në atë breg shkëmbor dhe që duket sikur e ka hedhur dikush me dorë. Kam dëgjuar se është bërë kontrabandë dikur, por pak më bën përshtypje, sesa kjo kapriçio e bukur për të zbukuruar shkëmbin. Mitologjia nuk më ndihmon, që të gjej ndonjë rast, por po të besosh variantet e Odisesë, që japin homerologët kroatë, nuk është çudi, që i ngrati, të jetë sorrollatur dhe këtej.
Për mua kënaqësia ëshsë e vetme sepse eci i vetëm mbi të...Si Tom Hanks, te “Cast away” rrotullohem mes mbeturinave të nxjerra nga deti kanë nxjerrë të gjithë prodhimin plastiko. Uji i pastër, rëra e pashfytëzuar dhe freskia që të ndjek me shkurreve dhe në këtë hapësirë të virgjër për plazhe nudistësh, është tepër joshëse. Këto resurse duhet që të nxisin realisht pushtetin që fle dhe merret me budallallëqe që duhet të mendojë dhe kjo dhuratë e natyrës të vihet në shërbim të njerëzve...Por më duket se flas me valët që lëpihen deri sipër. Askush nuk më dëgjon...Mbledh guacka dhe shikoj...është fillimi i praverës 2007..në këto vise të Adriatikut të Epërm. Rikthehem, Kam ende rrugë, që të dal në Shëngjin dhe pastaj të futem në asfalt.
Kalaja e Lezhës errërsohet nga një re, që duket se kërkon të shkojë më tej. Por, vetëm kaq, nuk mundet. Bie muzgu.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora