E hene, 09.12.2024, 07:22 PM (GMT)

Udhëpërshkrim

Vafsh ... pas Dajtit

E marte, 27.03.2007, 06:41 PM


Shkruan : Ben Andoni

Dy arkitektëve italianë, që iu besua ndërtimi i qendrës urbane të kryeqytetit të shqiptarëve, Florestano de Fausto dhe Armando Brasini, pak ditë pasi kishin marrë detyrën, nuk patën më asnjë mëdyshje. Këtë qytet të paqëm dhe tipik osman të formësuar pak nga pak pas rënies së Mesjetës, që ua kishin kërkuar për ta prezantuar me një look modern në shekullin e XX, duhet t’ia dedikonin natyrës. Nga njëra anë, në Lindje Agimi dhe këndej kodrave Perëndimi. Pra, të gjithë banorët e Tiranës në mëngjezet e tyre, do të gdhiheshin me imazhin e lindjes së Diellit mbi Malin e tyre, që do ta shikonin pastaj dhe fikjen me Perëndimin, përtej kodrave.
Ky kanon profesionistësh duket se i shpëtoi dhe kohës socialiste, ngaqë në thelb, arkitektët e erës së Musolinit, ishin sërish të mirëkuptuar. Por, kjo, deri një dekadë më parë, kur Dajti do të zhdukej gradualisht nga ndërtimet e pafundme, shumësyresh pa as më të voglin kriter përmasash. Dhe, e vetmja mëdyshje, e cila mbeti dhe që i grishte tash kryeqytetasit ishte sesi do të dukej nga pas Dajti i ëndrrave të tyre. Në fakt, Xhavitit, këtij plaku me kaloshinë, që has në fushën ndanë Teleferikut, pak herë është kureshtuar për pas Dajtin. I ka mjaftuar, ai i vërteti, ai që i ka falur bukën e përditshme...

Episod banorësh në Dajt

Këtë e kujton shpesh burri 64 vjeçar, që për çdo ditë i ngjitet malit. Në diell, në shi, në borë...ai me kuajt e tij çapitet ngadalë drejt malit. Xhavit Cana, një banor i hershëm, ka përgatitur një kaloshinë dhe prej Priskës vjen për çdo ditë në fushën e madhe para ish-Kampit të Pionerëve. Ka gjashtë fëmijë, të gjithë të rehatuar. Njëri prej tyre, pikërisht më i zoti, që kuptohet se ai e përmend me shumë respekt (sepse i ka ngjarë atij për punë), i ka përgatitur këtë kaloshinë. Burri e ka zbukuruar, paskëtaj, për tu bërë grishjen e parë sidomos rishtarëve që zbresin nga Teleferiku. Janë ata që e kanë përballjen e parë me të. Kështu ndodh për çdo ditë, ndërsa ai vjen dhe i falet i vetëm perëndisë, që njeh në këtë botë dhe ky është Mali i Dajtit. Në këtë vend ka punuar për të gjithë jetën dhe me të gjitha punët, për të cilat ka mundur. Ka mbathur kuaj, ka rregulluar samarë, ka qenë farkëtar. Ka qenë dhe çfarë ka qenë, por çdo gjë që ka bërë, ka qenë e lidhur thjesht me Dajtin.
Kokëulur sheh i përmalluar sesi pak nga pak të rinjtë mbushin dhe mbushin vendin dhe i kënaqen Dajtit të tij. Krejt i tij. Por, çuditërisht, pak gjëra di për Dajtin. Asnjëherë nuk ka dëgjuar për kalanë, qindra metra më tutje dhe fare pak për hapësirën e madhe pas tij. Mjaftohet me këtë që i ka falur Zoti, këtej. Nga pas e ndjek një djal me një kal bash të bukur, që pretendon se e ka të racës arabe-angleze.

Malit përpjetë

Në fakt, kaosi i kryeqytetit të shqiptarëve të ndjek gjatë dhe kur i afrohesh periferisë së Tiranës, e kupton në thelb sepse Tirana është e tillë. Vërtet, kur e lë Shkozën dhe fillon e ngjitesh pak nga pak drejt malit, e kupton se po futesh në normalitet. Nga Uzina Traktori në drejtim të Shkozës dhe pastaj në Fushë Farkë, një rrugë që hera-herës është e mirë dhe hera herës e keqe, ti duhet t’i bësh vend makinave të tjera, që vinë nga sipër dhe bëjnë lidhjen e banorëve me qytetin. Kanë ndërtuar ku kanë mundur dhe mungesa e një plani duket qartë. Sa më lart të shkosh aq më shumë do të kuptosh kaosin në simbolin emblematik të kryeqytetit. Ka pak rëndësi. Prej atje vjen uji, krijohet mikroklima dhe ai është edhe Mburoja, që e mbron kryeqytetin nga erërat e tërbuara, që do e rrihnin nga të gjitha anët. E, Dajti është i vendosur. Ai i bën mbrojtje qytetit duke parapritur erërat detare, që vinë nga larg, dhe pastaj dremit e mbrojtur me shkurret mesdhetare, që rriten qetazi ashtu si edhe në lartësitë simotra në vende të tjera të Shqipërisë së Mesme dhe Veriore...Ka ndryshuar shumë peizazhi në vend, por duke iu afruar Surrelit do të shikosh se banorët kanë ndryshuar më shumë. Shumë syresh punojnë në kryeqytet, ndërsa shtëpitë e reja ia kanë ndryshuar pamjen këtij vendi komplet...Nuk shikohet ndonjë pastërti e veçantë, ndërsa ndërtimet e reja nuk duhet thënë se ndryshojnë shumë në cilësi. Vendi është tejmbushur me klube dhe makina që vinë nga Tirana. Ndërsa, më të rinjtë si zakonisht heqin...ditën duke soditur. Pak më tutje arrijmë në Priskë. “Do bëhet fshat turistik”, më thotë shoferi Naim, një njeri që e njeh bajagi mirë të gjithë zonën. Ka pasur dikur një makinë të madhe, nga ato që ne i njihnim me emrin Skodë me turi dhe e ka bërë pëllëmbë për pëllëmbë këtë vend. Pak nga pak më tregon të gjithë shtëpitë e rishtarëve, që pretendon se i njeh mirë... Aty më duket se e ka Besnik Mustafaj, këtu filani, dhe në aksh vend ky tjetri më thotë...pas pak.

Pas Dajtit

Kështu vazhdojmë mes Qafës së Priskës dhe befas shfaqet ajo që quhet pas Dajt.
Sakaq rruga tashmë merr përposhtë majtas, ndërsa ajo që të afron pas Dajti, është një shkurrnajë ahu e kafenjtë dhe një reliev tejet e thepisur. Personalisht më duket një rrugë tipike e pjesës veriore të shqiptarëve. Në një kohë të tillë, por gati 100 vjet më parë, Georg von Hani bridhte për të gjetur vendin nga ky buron Erzeni. Pikërisht këtu afër. “Në Tiranë, preokupimi i parë ishte gjetja e njerëzve që mund të më jepnin informata lidhur me krahinën nga ku buron Erzeni dhe pas kërkimesh të gjata të pasuksesshme, më së fundi, dy ditë pas mbërritjes sime këtu, më sollën një imam të ri nga Shën Gjergji, kryeqendrës së kësaj krahine, të quajtur Elmaz Efendi...Pasi punuam sëbashku për afro një orë me rradhë, ai filloi të mërzitet...Në fakt më deklaroi se Erzeni kishte dy vendburime, prej të cilave burimi jugor ndodhej në fshatin e Shën Gjergjit, që kishte një gjatësi prej një orë e një e çerek larg Shëngjinit, ku njëjtësohen këto dy burime, ndërsa burimi verior gjendej në Shën Mëri, që ishte vetëm një orë larg Shëngjinit. ...Unë kërkova që të më sillnin pak dhè dhe me anën e tij unë formova dy lugina. Eshtë e qartë që në këtë mënyrë Elmazi e kuptoi atë që kërkoja, por megjithatë më pyeti pse interesohesha për krahina të njohura prej meje. Pasi e qetësova në atë drejtim, ai vazhdoi të më pyeste përse interesohesha nëpërmjet vendesh, ku aty nuk kalonte asnjë rrugë dhe së fundi çfarë kisha ndërmend t’i bëja atdheut të tij...”.

Pas Dajtit, Në vendin ku donte të shkonte von Hani

Në fakt, që nga rruga, ku kam lënë pas Qafë Priskën, një tabelë të orienton se një gjysmë dyzine fshatrash, dergjen në këtë hapësirë. Që nga e rrëpirta e shpateve lindore të Dajtit, poshtë kalon një rrugë dhe përpara ke Qafmollën, që duket se bën një gjum të patrazuar. Kudo përreth, guroret e kanë rrethuar Dajtin dhe tregojnë më së miri mbijetesën e re të banorëve se në këtë vend...Pikërisht, poshtë Dajtit, një çift që duhet të jenë bab e bir hedhin vështrime dhe kanë ndaluar buzë rrugës me një Ford të vogël...Nga e majta, të duket rruga, e cila tashmë qetuar të çon në Bizë, ndërsa matanë ajo që të dërgon drejt Shën Gjergjit apo fshatrave të tjera nga vjen Erzeni. Njihem me dy burrat, ndërsa Naimi vihet në rolin e ciceronit: “Duke kaptuar një mal, të themi. Pastaj duhet të shkohet në Malin me Gropa, (Kuptoj që dikur ishte aq i përfolur për vrasje të pafundme, por që asnjëherë nuk janë provuar). Andej është Shën Gjergji dhe Shën Mëria. Nga andej vjen uji për Tiranën”. Gjurmët e borës së pak ditëve më parë e kanë mbuluar këtë pjesë barishtesh. Por, kjo nuk mjafton këtej, që Dajti të përsërisë mrekullinë e dikurshme të perëndimit. Hapësirë e stërmadhe, që e ka pushtuar këtë serenitet, nuk thotë ndonjë gjë më shumë. Që nga Dajti me pikën më të lartë 1612 metra- nga shkalla e Tujanit në VP deri te Qafa e Priskës në JL kemi një gjatësi rreth 8 km e gjerësi 3-4 km. I vendosur midis dy thyerjeve tektonike, Dajti ka formuar një ngritje malore të rrëpirët, veçanësisht në shpatin lindor. Por këtej duket realisht se nuk ka jetë poshtë saj. Ose më mirë është krejt antiteza e pjesës në perëndim, ku është Tirana e vërtetë. Veçse në horizont të mjafton Erzeni i paqëm, tejet Martaneshi, më përtej Kruja. Diku poshtë pas një lidhje prej 27 kilometrash, që e lidhin me qendrën në vitin 1951, u ça një tunel, që solli ujrat e Selitës në Qytet. Dhe, po kështu u vu në punë edhe hidrocentrali i njohur V.I. Lenin. Naimi ma tregon me gisht.
Gjeologët i vlerësojnë formacionet “e ndërtuara nga gëlqerorë të kretakut në të cilët janë zhvilluar dukuritë karstike, sidomos në pjesën e lartë e të zhveshur nga bimësia. Me gelqerorët e proceset karstike janë të lidhur xeherorët e boksideve, që janë zbuluar në gjithë Dajtin. Nga ana strukturore mali i Dajtit është formuluar mbi një rrudhë pozizive me një krah. Mbetjet e krahut perëndimor të kësaj strukture vërehen në sektorin e Tujanit, por tashmë si fragmente tektonike. Shkëputjet gjatësore regjonale në lindje dhe perëndim ndërlikohen nga disa shkëputje lokale tërthore. Në sipërfaqe ato shprehen në përhapjen e brekçieve (Gryka e Tujanit). Për rrjedhim shpatet e këtij mali janë asimetrike. Kurrizi është i ngushtë dhe i prerë dhëmbë-dhëmbë. Ky shkëmbim njohurish me banorët duket se nuk i bën përshtypje dy banorëve bab-e bir, që pas vitit 1991 kanë pushtuar një pjesë toke poshtë dhe që me sa duket po shikojnë realisht një mundësi zgjerimi këtu. “Një dreq e merr vesh me këta. Por, nuk ma mbushin mëndjen”, më thotë Naimi, që vazhdon të orientohet mrekullisht. E përsërit me krenari se këtë rrugë e ka bërë me qindra herë, teksa sillte trupa nga Biza. Vetë nuk mendoj ndonjë gjë më shumë veçse, po mos të ishte Dielli (këtu poshtë Dajtit, për dreq nuk nxeh), ky vend do ishte i përshtatshëm për një vend të paqëm internimi. Fshati i Qafmollëve më duket një i tillë me indiferencën e tij dimrake. Harroj se në këtë klimë tipike malore me verë të freskët dhe me një dimër me shumë rreshje ka pak vështirësi. (Sasia e rreshjeve shkon 1200-2000 mm. Sasia më e madhe e tyre bie në shpatin perëndimor dhe jugperëndimor të tij, kurse në lindje kjo sasi është më e pakët se 1000-1200 mm. Ajo që të bën përshtypje është se në Dajt gjen shprehje të plotë shtrirja vertikale e bimësisë. Në shpatin perëndimor deri në latësinë 500-600 metra shtrihet brezi i makjeve mesdhetare (mare, shqopë, xina, kurse në lartësinë 500-600 metra deri në lartësinë 900-1100 metra shtrihet brezi i dushkut. Mbi këtë lartësi e deri në 1300-1400 metra, shtrihet brezi i ahut dhe i halorëve). Nga poshtë duket se maja e Dajtit është krejt e zhveshur. Në anën lindore, për shkak edhe të rreshjeve më të pakta dhe tenperaturave më të ulëta, shtrírja vertikale e bimësisë duket se pëson ndryshime. Brezi i makjeve është më i kufizuar, ndërsa krahas dushqeve rritet dhe gështenja e drurë të tjerë, të cilat nuk vërehen në shpatin perëndimor. Në fakt, kanë qenë këto arsyet, që Dajti për shkak të natyrës piktoreske dhe klimës malore të shëndetshme të përmbushë kaq vlera të mëdha turistike. Për këtë arsye, ai nga Shkalla e Tujanit dhe deri tek Qafa e Priskës duke përfshirë një hapësirë në të dy faqet e tij me sipërfaqe deri 3500 ha është shpallur park kombëtar.

Para Dajtit

Të dy at e bir, që pak nga pak zbulohen, më thonë se janë nga Gramshi. Duket se një gjë jo e zakonshme i mban këtu. I has shpesh për gjithë ditën, më vonë. Të çuditshëm shqiptarët. E, pasi e ke përshkruar këtë vend dhe me invers kthehesh nga një rrugë e shtruar, të duhet sërisht që të kthehesh në rrugën e kthimit. Në Qafë Priskë sërish, por këtë herë të zbresësh dhe këtë herë që të detyroshesh të futesh në Parkun e madh Kombëtar të Dajtit. Nuk ka ndryshuar ndonjë gjë e madhe veç klubeve të pafundme, që kanë mbirë nga të dy anët e rrugës dhe pak të veçuar nga njëri-tjetri. Pronarët e rinj, shumë syresh vendalinj, pas hapjes së teleferiku i kanë bërë një element më shumë. Ata kanë dërguar furgonat, të cilët marrin “free”, klientët që zbresin të mrekulluar nga Teleferiku. Që nga Panorama, Gurra..., Shelgu, etj. të gjithë klubet bëjnë konkurrencën e tyre me makina për kryeqytetasit. Por, nuk shkojmë deri aty.
Në të djathtë, pak kilometra nga fusha e Dajtit, një shigjetë dhe njoftimet e disa arkeologëve më kanë bërë të qartë se ku është një nga kalatë e vjetra të zonës. Mbase ajo që i ka dhënë kryeqytetasve emrin e tyre. “Tirana vjen nga Tirkan. Tirkan ka qenë një kështjellë në shpat të malit të Dajtit. Akoma ekzistojnë rrënojat e kësaj kështjelle të lashtë që daton në fillimin e shekullit të parë para lindjes së Krishtit, e cila mendohet të ketë qenë kështjella që historiani bizantin Prokop (shek.VI), e quan kështjella e Tirkanit”, thuhet në literaturë. Kalaja e mbetur që ndodhet rreth 400 metra në të përpjetën e një rruge përmes dushqeve dhe ahishteve është zhgënjyese. Pak rrënoja, që i ka mbuluar një myshk i harlisur, e ku koha ka vënë vulën e saj, duke i errësuar frikshëm. Një arkeolog ka vënë një shigjetë për ata që vinë më pas. Asgjë e veçantë tjetër. Mbi të shikoj një platformë pak 50 metra, që përbën një mur me gurë të lidhur jo mirë. Dhe, i vetmi element i kalasë, që sërish nuk vlen për të identifikuar formën- është një platformë në formë harku, në një nga këndet. E çuditshme është se asnjë nga banorët nuk e njeh, përveç një plaku, që ka bërë një restorant me një emër si “Shelg...” në buzë të rrugës. Nuk vjen deri më sipër. Por, na sqaron me kujdes. Një moshatar (e has krejtësisht vetëm në rrugë me sopatë), që më bën si kopetent dhe që pretendon se e njeh zonën, nuk di asgjë. Çuditet dhe bën sikur dëgjon diçka për kalanë. Në fund i kuptoj interesin dhe pse begenisi të vijë me mua në rrëpirën me 45% pjerrësi. “A thua ka të fshehur gjëkafshi këtu, ndopak flori”, më thotë. “Kot nuk ke ardh”, më shkel syrin me marifet. Më duhet t’i shpjegoj gjatë se nuk ma merr mëndja, por edhe se nuk më ka shkuar ndonjëherë ndërmend...E shikoj pak me siklet por banorët dyshojnë për çdo gjë. Ngaqë, mbase në kohët para viteve ‘90, askush nuk i linte të bridhnin si donin këtej. Një gjë të tillë me sa duket ka funksionuar dhe për dyshimtarin, që kam përballë.

Tek Hani

Njësoj këtë dyshim e kam hasur tek Han, gati 100 vjet më parë. “Një detyrë tjetër që duhet të zgjidhja në Tiranë kishte të bënte me porositë që kisha marrë lidhur më fosilizimet. Duke qenë se për shkak të stinës së pashëndetshme...nuk kisha kohë, Seit Beu, vëllai më i ri i mydirit të atyshëm, tek i cili unë pata rastin të njoh një djalosh shumë të kulturuar, i cili jo vetëm ishte një filolog i gjuhëve persiane dhe arabe...dhe fliste një frëngjishte te admirueshme, më rekomandoi si burime të pasura fshatrat Surrel dhe Priskë që ndodheshin dy orë në juglindje të Tiranës, pasi atje vetë së bashku me një mikun e tij natyralist nga Stambolli, kishin nxjerrë një pllakë afërsisht dy këmbë të gjatë me skeletin e një ngjale të mbajtur në gjëndje të mirë, skeleti i të cilës tani ndodhet në Muzeun e Shkencave Natyrore të Stambollit”.
Kuptohet se shqiptarët të alarmuar nuk i tregojnë asgjë dhe Hani i braktis fosilet për të vazhduar rrugën në drejtim të Matit, por megjithë dështimin është i kënaqur sepse me aq sa e lejonin kushtet ka përcaktuar rrjedhën e Erzenit. E njëjta gjë më ndodh me Ilirin (mëdyshuesin që heton për çdo gjë), por jam i kënaqur që kemi shkuar në kalanë e vjetër, ndërsa i lë në dorë, që të më shpalosë të gjithë erudicionin e tij kallp për florën e vendit. Për çudi më rezulton një vëzhgues i hollë, pak më vonë, sepse më tregon barishtet, por edhe llojet e ndryshme që i shërbejnë shëndetit tonë.

...Dajti si argëtim

Ndahemi si miq. Kohët e fundit është shtuar gjindja në mal, më thotë, duke u ndarë. “Këtu ndahemi”.
Por kur zbresim nga kalaja dhe kthehemi për tu bashkuar me njerëzit, asgjë nuk të ngjall ndonjë gjë të veçantë. Ka ikur bora, ndërsa falë një punë kaotike të pronarëve, Dajti është një atraksion i veçantë. Një vend kaotik, gjithsesi dhe njerëz, që sapo zbresin gjenden krejt të çorientuar. Sidomos ata që e kanë përherë të parë. Vetë ndaloj para derës së jashtme të stacionit të teleferikëve, ku janë tre kuaj dhe një kaloshinë. Në njërën syresh është Xhevati. Eshtë i paqëm dhe në pak momentet që rri me të më tregon pak me keqëardhje se: “Isha vetëm para gjashtë vjetësh. Tashmë kanë ardhur të gjithë. Nuk qahem”.
Ky burrë vjen çdo ditë në dimër, në verë, për të nxjerrë të përditshmen. Dhe, është i kënaqur, sepse ka punuar gjithmonë dhe ia ka dalë. Ky është realiteti i tij në kapitalizëm dhe mënyra sesi ai e përballon jetën.
Nga tej ku hedh sytë qëndron i vdekur me basorelievet e tij gjigande ish kampi i pionerëve. Një qen i stërmadh, vëlla kobzi i Cerberit, më hungërin frikshëm “Pate fat”- më thotë me një humor të zi, një burrë që përtej. Askush nuk e thotë pse hesht prej kaq kohësh .
Në fakt, ka të drejtë. Kam shpëtuar. Ose kështu i dukem një rojtari, që më shikon fodull që andej. Xhaviti më kërkon që të kthehemi bashkë. Por, që ta pres deri matanë orës pesë, kur ka ikur dhe udhëtari i fundit me teleferik, nuk më duket shumë e arsyeshme. Dua të provoj dhe gastronominë e këtyre njerëzve. Të paktën të argëtohem pak. Rruga e kthimit është e bukur. Rend pas Diellit, që më ikën me galopin e tij qiellor. Por, Brasini dhe De Fausto nuk e mendonin kurrsesi të tillë Tiranën. Këtë të shqiptarëve, të shekullit XXI, atë që Dajti pak nga pak, do u fshihesh njerëzve....



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora