E shtune, 13.08.2022, 11:15 PM (GMT+1)

Kulturë

Aquarel: Traboini: “Requiem për një gjethe”

E diele, 29.03.2009, 07:35 PM


AQUAREL
K. TRABOINI: “Requiem për një gjethe” 2005
                    - 16 lirika -

AKUAREL

Do të vizatoj harkun e portës tënde
e këndin e rrugës që kalove në mëngjes
bredhin ku mbështete vështrimin
e flakërimën e rrufesë që mes resh u përndez.

do të hedh në akuarel pikat e shiut
që zbritën nga qiejt e të prekën,
zogjtë që u gjendën të mardhur përjashta
e në retinën e syve të tu strehëz gjetën

do të skicoj imazhin e një taksie
që të priste në Notre Dame Avenju
semaforët e kuq do t’i mbaj ndezuar
që ti të mos ikësh kurrë më që këtu.

do të hedh në telajo tulipanët e drojtur
e tingujt e një pianoje të largët
që mbinë si motiv në buzët e tua
"For Eliza" që atë mëngjes shkrinte akuj.

do të marr çdo etyd që u gjend në udhën tënde
me shpresë që brenda tyre sërish shfaqesh ti.

AQUARELLE

je dessinerai l’arcade de ta porte
le coin de la rue ou ce matin tu es passée,
le vert sapin ou tu as couché ton regard
la flamme d’un éclair qui nous a embrasé.

je jetterai sur l’aquarelle les gouttes de la pluie
qui descendant du ciel tendrement t’ont touchées,
les oiseaux d’hiver tremblant aux vents froids
qui ont trouvé refuge dans la rétine de tes yeux.

j’esquisserai l’image d’un taxi
qui t’attendait à Notre Dame,
je garderai les feux rouges allumés
pour que tu ne puisses partir à jamais.

je jetterai sur la toile des tulipes intimidées
et des sons plaintifs d’un piano lointain,
fleurissant sur ta bouche en refrain "pour Elise"

dégelaient les glaces d’hiver de ce matin.
de cette rue je garderai toutes les études
espérant que de nouveaux tu apparaisses …

( traduit de l'albanais en français
par Vasil QESARI, Bordo France )

WATERCOLORS

Your gates’ arch I’ll paint
This morning by you
Passed, street’s corner,
The evergreen, steeling your gaze
Between the clouds the lightning
Burning

I’ll capture the
Falling rain drops
You caressing
The birds trembling in the cold outside
that warm nest found in your eyes

I’ll outline the taxi’s image
For you awaiting in Notre Dame Avenue
The red light will remain the same
I want you to stay, from here
To never go away
I’ll throw in the tulips,
Heads down from embarrassment
A piano’s distant sounds
Your lips melting ice
While whistling “Für Elise”

I’ll capture every etude your way found
Hopeful to see you again.

(perktheu Aida Dismondy USA)

NUK TË KAM HARRUAR

Të betohem për gjithë zotat e qiellit
për tërë hyjneshat e tokës të betohem
për tërë ëndërrimet që fjetën bashkë me ty
nëpër korije trembur prej fantazmash
si pëllumba të egër, të betohem…

nuk të kam harruar as dhe një çast
nëpër udhët që ngjita
nëpër rrëpirat që më gremisën
nëpër muzgje vetgërryese
e agime në të cilat kurrë diellin
të ngrihej në horizont nuk e pashë.

të betohem për çastin e mungesës
për trishtimin që ndjej kur nuk të shoh
për udhën që më çon te pragu
ku shpatullat i mbështes i vdekur
prej rëndesës së gurit që më vuri largimi
të betohem…

nuk të kam harruar edhe kur etjen e shuajta
në puse të tjerë e vende të tjera të largëta
kur hëngra bukë të gatuar nga duart e huaja
e me gishtrinj preka gjoksin e një tjetre
kur thitha lëngun e jetës prej buzësh të nxehta
e u përvëlova në afshe dëshirash trupore
nuk të harrova, nuk të harrova…

edhe pse pritja s’ka kuptim
kurrë nuk e braktisa endrrën
që sapo gjunjëzohet mbrëmja
zhvishet e fle me ty lakuriq
të betohem!

PLAZMIMI I ERËS

E ndjej veten fatkeq, se ky qytet
i rrahur nga borërat e dallgët e oqeanit
nuk e ka siluetën e Asaj si pjesëz të tij
që të paktën të dilja ta shihja
përmes rrigave të shiut
a kalamendjeve të borës.

erërat oqeanike do t'ia rrëmbenin flokët
e dielli si dashnor i zjarrtë
nën vështrimin tim xheloz - të egër
do ti përkëdhelte fytyrën e vogël.

do ta ndjeja
përmes ajrit që e rrethonte trupin e kolmë
përmes tingujsh e jonesh
që ndjell pranvera e vonuar veriore
harruar në krah avionësh, diku tej në Europë...

do të më fanepsej sërish e sërish
të nesërmen e të pasnesërmen
e deri në ditën time të fundit
ecejakja që më ndez e më përflak
nëpër dëshira lojcake
si lavjerës i kohën sime
ngecur peng në siluetën e saj.

notoj në delire erotike dhe psherëtij
me mbulon trishtimi i pamundësisë
të shoh e të prek ajrin që e rrethon qenien e saj
sepse Ajo nuk jeton në këtë qytet...

* * *

dashuroj si i çmendur
se nuk dua ta shuaj strallin e jetës
me një engjëll të vdekur në djep të ëndërrimit
ndaj shfaqem në këtë fund jete si alkimist
që kërkon t’i kthej sendet në dashuri
me një të prekur...

GRAVITETI I DËSHIRAVE

Më kaplon ankthi i ikjes prej vetmisë
ndaj përpiqem në këtë buzëmbrëmje
të kapem pas një udhëze imagjinare
për të ardhur deri tek riciklimi i dëshirave
si copëzat e qelqeve të një kaleidoskopit të thyer
në sfondin e qiellit të zymtë.

për të ndjerë - në është e mundur
(sado pak … sado vonë e sa më pranë)
sërish shpresën për një ëndërr
për një trajtë e për një frymë
që kurrë nuk e humba
dhe askurrë nuk e gjeta...

më kaplon graviteti i dëshirave
(pa cak …pa fillim e pa mbarim)
Journey of Destination*
i shtrirë pikëllueshëm në mes të tokës e hënës
e kurrgjë tjetër.

Boston 2004

LETËR DASHURIE

Ato germa të vogla të vogla
ajo dashuri e madhe e madhe...
brenda tyre si magji sirenash
ADN-ja jote fatale.

MENJËFJALË

Si humbe kështu, largësive të përtej oqeanit
a në thellësi kontinentesh, një dreq e di
sa kohë që në qiell nuk gjen një dallëndyshe
ç'të rrije, ç'të kuturiseshe dhe ti?

që prej mungesës tënde merrem me gjethet
që druajtur prej dimrit ende s'kanë dalë
e ndjehem trug, qerthuar me akull
si një i pakallur në shi - menjëfjalë...

MOSHA

Në këtë moshë e ndjej veten
si plaku mjekërrbardhë i Heminguejt
që kurrë nuk i shqitej ëndrrës së vet
për peshkun e madh...

e di që në breg do të nxjerr një tufë kocka,
por nuk mund të tërhiqem
nga bashi i varkës
derisa të kem frymë.

pikërisht për këtë jam plak e shkuar plaku,
që kurrë nuk u lodh nga kërkimi nëpër detra
paçka se detrat, ashtu si shkretirat,
më afruan vetëm mirazhe gënjeshtrash.

14 Shkurt 2004

KURRKUND

Kaloi dita e shtunë dhe unë nuk pashë ty kurrkund...
as korespondencë, as femër, as fytyrë, as lëkurë
e pse jo, as këmbë,....
kurrkund fytyra e bardhë
kurrkund hunda e vogël përpjetë
kurrkund sytë e kaltër e të mëdhenj
kurrkund flokët bjonde në gështenjë
kurrkund trupi disi elegant për dyzet vjet....

ku vajtën të gjitha këto me 14 maj 2005, ditën e shtunë?
në cilën pikë të globit gjendet qyteti Kurrkund?

TË SHKUARA

Së pari të shkuara mikja ime
më thanë se kishe qënë e sëmurë
ku në djall u gjend ai mikrob gripi
që ballin tënd e bëri furrë.

thonë se ky Mars kish flamë të keqe
me avione ardhur prej Evrope
bëj kujdes - se shëndeti i Evave
është ekuilibri i kësaj bote

ndaj lutem, të shërohesh shpejt!

QAJNË ZOGJTË

Qelizat të vdesin si zogj në duar
kur nuk bën dashuri
përkundër asaj se kur dashuron
me zogjë të gjallë, këngëtarë e harrakatë
kudo je rrethuar...

A nuk i ndjen rreth teje zogjtë?
A nuk i dëgjon si cicërojnë?
Edhe kur me sy të mos i shohësh
janë qelizat zogjë-këngëtarë
që brenda trupit tënd këngën kurrë s'e prajnë.
Nëse ti je e dashuruar,

...në mos, qajnë!

PA TY…

Rri brigjeve e bëj dashuri me dallgët
poçet e lindjes, ku mbahet drita
perëndimi i diellit i thyen
e verën e kuqe e derdh në sofrën e detit
anija vetmitare e largët, tej shekullit
që kurrë nuk vjen e kurrë nuk shkon
veç sillet e mbështillet në gjeratoren e detit.

asgjë nuk shoh se bie nata
udhët m’ i ka mbuluar errësira
e prej cipës gelqerore të gjoksit tim
fluturojnë shpendë tingujsh metaforikë
që shkojnë të çukisin hënën verdhane
si frut i artë në kupën e qiellit
nën të cilin marrakatem
pa ty - si zog nate…

18 tetor 2004

DASMA E MJELMAVE

Një zgavërr lisi në pyll do të na gjendet si kishë
dhe një gjethe e verdhë do të na shfaqet si prift
nuk ka nevojë të veshim të bardha
sipër reve do të nusërojmë
lakuriq...

DITË E SHTUNË NË TELEFON

Sa ëndrra e dëshira e zgjon:
1 857- 413 – 1081
pip....pip....pip...pip...
deri në pafundësi
...njeriu kërkon njeri

numuri im i celularit
si matrikulli i një të vdekuri
tregon shenjat e një jete të dikurshme
e siptomat e një vdekje të mëpasme
e si antropofag i pangijshëm
shqyen mizorisht kohën time.

...Çdo të shtunë në telefon
njeriu që s'gjen njerinë - kafshon vetveten.

e shtunë, kohë e vdekur, Boston...

EVA QIELLORE

E shihja me drithërimë e i thoja Evë qiellore,
ajo qeshte si një dritëz e ikte tutje, larg.
rashë në grackën e imazhit, dot nuk dilja
gjersa m’u afrua e më foli një bos mendjeguak.

- tërë natën, ajo që ti quan Evë qiellore
fle me mua lakuriq, në krevat, mor budalla!
Mendja s'më mbushej se kush s'e kish parë
natën kush nuk sheh - ndaj s'ka të ngjarë.

veç tash, në përftyrim, më dilte e lakuriqtë
kapërthyer në orgazëm me një bos tarallak
që çdo ditë, kur më shihte, më fliste me cinizëm:
- Evat kanë lindur veç për krevat.

e shoh tash me trishtim Evën qiellore
ajo prap me qesh si një dritëz e ikën tutje larg
duke më lënë imazhin e dyfishtë- herë e veshur
dhe herë e çveshur si statujë nudo në park.

2004

SHTEPIA NË SOUTH STREET

Këtu është Avenju 5,
në të djathtë Kisha e Shen Terezës
rrethuar nga shejtorët që pikëllojnë në shi,
me vështrim të rrëzuar në kryqëzimin udhëve
ku semaforët përskuqin rrëketë e qiellit.
rruga Gulivan është në skajin tjetër.
në shtëpinë e tretë, djathtas,
ku varet një tabelë e vjetër “South Street”
bën roje një pishë
me dy boça e një ketër të mardhur
që përgjon i habitur.
shtegun përmes oborrit të shtëpisë
ku të shpie një deriçkë,
që sa herë e shoh, më kaplon melankolia e vjeshtës
e drithëroj si pemë që e kanë braktisur gjethet.
brenda shtëpisë një llampadar i vogël
lbyr me një dritëz të zbehtë.
në dritaren e katit të dytë
varet një borzilok i tharë
shenjë se dikur ka patur verë.

mos më pyesni kush jetonte dikur në këtë shtëpi
se veç ca farëza të vogla në borzilok kanë mbetur
çdo kujtim tjetër i saj, në këtë imazh, ka vdekur…

2004

LARGIMI

Sa më trishton sonte fjala largim,
sikur në dyzetmijë fjalë të fjalorit
të mos kishe gjetur tjetër.

kurrë kaq humbëse
Pashka s'më është dukur
dhe Krishti i shpresës, pas tre ditëve
nuk u ngjall.

kjo Pashkë e hidhur
që veç largohet
në hapsira kontinenti bashkë me ty
duke e thyer si një qelq shpirti
pranverën...

ANTOLOGJIA - PORTAL  AVT
“Poezia eshte e folura percart e perendive.” - Platon



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora