E premte, 02.12.2022, 12:31 AM (GMT)

Kulturë

Hysen Këqiku: Kosovë je loti, dhembja dhe gjaku im

E marte, 24.03.2009, 07:52 PM


Hysen Këqiku:

 

KOSOVË JE LOTI, DHEMBJA DHE GJAKU IM

 

            Nexhat Rexha është një personalitet i shquar i lëvizjes kombëtare dhe kulturore, jo vetëm në komunën e Dardanës por edhe më gjerë. Ai, që nga koha kur Kosova e lëshoi zërin e kushtrimit, iu përgjigj në të gjitha  fushat ku e pa të nevojshëm kontributin e tij si njeri e si intelektual.

            Angazhimi I tij me përkushtim si profesor i gjuhës shqipe, si drejtor i gjimnazit në Dardanë, si nënkryetar i saj dhe tashti si deputet i Kuvendit të Kosovës, regjistroi një ecje drejtë rrugës nga e diktoi ecja e Kosovës nëpër shtigje drejt  lirisë.

            Nexhat Rexha[1], profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe, kultivoi ndikim shembullor tek nxënësit dhe bashkëpunëtorët e tij në shumë fusha. Ai në këtë ecje regjistroi dhe la gjurmë të pashlyeshme edhe në letërsi.

 

            Që në librin e parë “Ndrydhja e pikës K”, libër me poezi për të rritur, e botuar nga Edicioni Botues i Klubit letrar “Nositi” në Dardanë në vitin 2003, regjistroi  përkujdesin e tij shpirtërore për atdheun e nëpërkëmbur nga thundra e pashpirt dhe gjenocidiale e Serbisë.

 Këtë rrugë e vazhdoi edhe në librin e dytë me poezi “Unazë qiellore” e botuar nga NB “Gjon Buzuku“ në Prishtinë më 2005, Nexhati, përveç psherëtimave të regjistruara në dy veprat e para me poezi, bëri edhe përcjelljen e  botimeve të ndryshme dhe  bazuar në kujdesin që ai pat për këtë fushë veprimtarie, shkroi për  përshtypjet,  duke bërë një libër  me vlerësime  kritike me titull “Ligjërime përjetimesh”, të cilën e botoi  në EB të Klubit Letrar “Nositi” në Dardanë në vitin 2005.

            Libri me poezi “Ndrydhja e pikës K”, është një  përjetim i dhembshëm dhe krenar si për nga  përjetimet kolektive po ashtu edhe për nga  qëndresa titanike e popullit tonë, jo vetëm në këto dy deceniet fundit (1981-1999) por që nga koha kur në këto troje iu tha “bukës bukë e ujit ujë”.

             Psherëtimat e mbrujtura nëpër vargjet e kësaj përmbledhje, regjistrojnë vazhdimësinë  tonë në këtë nënqiell  tragjik jo për fajin tonë, se “dikujt i ramë në qafë”, por pse  u gjetëm  përballë  “yrysheve fantazmë”,  dhe “Yrysheve  lukunish, në këtë bomizore”.

            Vetë titulli i librit përmban një metaforë, një të vërtetë historike sepse gjatë gjithë kohërave, nga armiq të shumtë e dyndës të ndryshëm, u ndrydh e u shtrydh Kosova dhe, kur të gjithë kthehemi në retrospektivë dhe i kujtojmë ato katrahura që i regjistroi historia, s’ka se si të mos adhurojmë  fatin e shpëtimit kombëtar.

            Kjo vepër, të mos themi jetësore, se Nexhati është i ri dhe do të shkruaj edhe vepra tjera, përbëhet prej pesë nëntitujve – cikleve, të cilët po ashtu si edhe vetë titulli  në vete përmbajnë  kuptime figurative të fuqishme: ”Dalja nga ferri i Dantes”, “Përkëdhelje miopësh”, “Gjurmë të

 

pashlyera”, Harlisja ditore” dhe Ëndërrshpresë në pakufi”.  Dhe përmbajnë 64 poezi të një vlere të lartë ideo - estetike dhe artistike.

            Bashkë me shumë poet që shtegtuan kësaj hullie të pafundme imagjinatave edhe Nexhati, duke ushqyer ndjenja të ngrohta dhe të qëndrueshme mbi historinë e një trualli nëpër shekuj, e begatoi dhe e fisnikëroi me varg artistik dhe me vlera të reja .

            Nexhat Rexha me veprën e tij “Ndrydhja e pikës K”, u gjet në shërbim të realizimit të ekstazës shpirtërore për ngjarjet reale që i përjetoi bashkë me kolektivitetin shqipfolës në Kosovën e “ndrydhur” duke i bërë një dhuratë të çmueshme edhe historisë kombëtare për:

           

            “Një ëndërr trishtuese

            Që fillon dhe mbaron në kolonën

            Me plagë, qëndresë e lindje

              reja për një ditë pranvere

            Në Kosovë”

                                    (“Kolona pa skaj”, faqe 7)

           

            Kur e kujtojmë atë pamje trishtuese të kolonave të gjata rrugëve të bardha të botës, të atyre që linin plangun shekullor prapa shpine dhe duke ecur atyre shtigjeve, largoheshin nga  toka e qullur me gjak nëpër histori, edhe atëherë kur ato pamje i pamë me sy edhe tashti kur i lexojmë vjershat e këtij shkrimtari, me një shpirt të madh,  do të parashtrojmë pyetje “kush është njeri” (në kuptimin e fjalës) dhe ku janë ata!? Kur…

           

            “Nëpër udhëkryqe fatkeqësi

            Me dallgë në shfrenim

            Me shumë satanë

            E më pak virgjëreshë.”

                                    (Njeriu”, faqe 8

 

 

            Për tërë këtë pamje, për të gjitha ato mizori, për gjithë atë mllef dhe urrejtje të zbrazur mbi njeriun tonë  duke u përgjigjur për pafajësinë tonë nëpër histori, Nexhat Rexha e pasqyroi në formë artistike, në formën më shpirtërore, në formën reale, pa apostrofa të tepruara por me një notë besnike reale i thundroi në varg të ngjeshur me ndjenja e dhembje për situata të krijuara, kudo në vendin tonë, sepse atëherë në atë botë  të mbshtjellë me mjegull nga miopë, ishte kudo njësoj sepse “grykësia shtrin bërrylat mbi tryezë”, “shpalosen  shfaqje makabre”, “Instinktet zgjohen në qortim” dhe “oborrtarët edhe më tej dergjen para mikrofonave”.

            Autori, me vargjet e mbrujtura me figura të qëlluara, zbrazë  një dhembje që del përmes ekstazave pa apostrofa dhe klithje  nënçmuese siç ndodh nga shumë krijues pa përvojë të bollshme. Nexhat Rexha është i vetëdijshëm se të mirat nuk vijnë pa vetëflijim. E tërë ajo rrugë e gjatë kombëtare, me shekuj të tërë, bëhet për një qëllim sublim dhe nëpër atë ecje, e cila vazhdon edhe më tutje, është sakrifikuar e derdhur gjak  i njerëzve më të devotshëm, fatmirësisht  duke lënë gjurmë krenarie në atë rrugë historike.

            Dhe, derisa kjo rrugë nuk ndalet edhe shpresa e shkrimtarit është e fortë dhe bindëse se e mira patjetër do të ngadhënjejë:

           

“Në këto troje të lashtësisë

            Po fryn një erë e re

            Bashkë me uratën e shekujve

            Kësaj radhe rilindën shumë ante.”

                                    (“Lashtësi”, faqe 13)

 

            Duke lexuar këtë përmbledhje vjershash që në fillim  e deri në fund  si fjalë kyçe, autorit i ka shërbyer  fjala “udhë”, sikur i tërë frymëzimi  është  strehuar në këtë shprehje, që si metaforë  tregon  udhëtimin tonë historik

 

në hapësirë dhe kohë. Llojllojshmëria  e temave të rrahura në vargjet e vjershave, tregon se  Nexhat Rexha  është poet i angazhuar në kontemplacionet poetike të cilat gjithnjë e më tepër i liron nga trajtat  e tejkaluara. Këtu regjistrohet suksesi kryesor sepse shumë poetë që kanë dal me veprat e para nuk kanë mundur të lirohen nga ato trajta që poezinë e ngarkojnë me parulla, simbole, thirrje, ofshama, etj. Nexhat Rexha i udhëhequr nga një metaforë udhëton shtigjeve si një shtekëtar i guximshëm dhe si i tillë, kërkon  atë që ia ka dhuruar poezisë së tij. S’kemi se si të mos mbetemi të ngazëllyer dhe të kënaqur me artin që na e afron në udhëtimin e tij. Ai ka ecur nëpër atë “udhë shterpë”, “pranë dy kodrave në puthje” dhe ajo “Udhë lakuriqe”, “udhë përtej lumit” dhe “udha është e gjatë, në përditshmëri”

           

“Hapat tanë hapërojnë

            Hapat tanë turpërojnë

            Hapat tanë gjurmojnë”

                        (“Koha në lëvizje”, fqe 36)

           

Metafora e udhëtimit, herë-herë na del në sipërfaqe si diçka që e shohim dhe e njohim, sepse janë hapat tanë të cilët, nganjëherë me veprime të pamatura “kanë vrarë më shumë se plumbi” sepse ata hapa herë-herë kanë bërë lëvizje të dobishme në aspektin e ndihmës në aspiratat tona, sepse ndonjëherë na kanë turpëruar prandaj, mbetet që  hapat tanë të korrigjohen e të jenë gjurmues sepse :

           

            “Udha është e gjatë veç ndërgjegjja  jote

            Vret më shumë se plumbi.

                                             (“Koha në lëvizje”)

           

Udhëtimi ynë nëpër kohë dhe hapësirë shpesh e, në të shumtën e rasteve, na ka hasur në pengesa aq të mëdha sa  e ka penguar  në masë të madhe, lëvizjen, sepse  dikush

 

që më kohë ka bërë hije, nëpër të cilat ka lëvizur  pa e parë syri i botës së ndërgjegjshme dhe, në atë lëvizje është bërë “truprojë e mexhës, me gurin endacak” dhe kur bazohemi në histori sa herë ka lëvizur ai gur –sinori, kemi bërë pyetje: Ku qenë gjyshërit tanë! Të njëjtën pyetje do ta bëjnë edhe  vogëlushët tanë:

 

           

Ndërsa vogëlushët tanë do të thonë

            Një ditë si ne më parë

            Ku ishin prindërit tanë

                                  (“Koha në lëvizje”)

           

            Autori më tutje e vazhdon udhëtimin nëpër histori të padrejtësive të mëdha, kur në ato udhë të “shëtitjeve boshe” edhe “nepërka shëtit pa ngurrim” edhe pse bota  ia “shihte këmishën e magjisë”.

            Në këto poezi, pikërisht këtu shihet tejkalimi i vjershave narrative dhe futja me sukses në botën e poezisë me figura dhe shprehje letrare.

            Nexhat Rexha këtë e arrin përmes shprehjeve të gjetura për ta pasqyruar artistikisht e më me ndikim se sa të shpjegosh me orë të tëra nëpër orë të historisë.

           

            “Hijet e Karpateve lëshojnë krisma të zeza

                                                            (“Lulet në lapidar”)

           

Ky udhëtim historik i autorit nëpër  shtigje  të atdhetarisë hasë në heronjë dhe dëshmorë që sakrifikuan për  të vetmin virtyt që ia vlen të derdhet gjaku dhe, u derdh. Këtu kemi Kadri Zekën dhe “Vorret e amshimit”, kushtuar “Dëshmorëve të janarit”, Fehmi dhe Xhevë Lladrovcin, Ridvan Qazimin e të tjerë. Në udhëtim bashkë me ta edhe autori takon “grykësit në kërkim për një hapërim” për të protestuar  karshi botës së qytetëruar e cila hesht si mumja e, e keqja hapëron në udhëtimin e vet.

 

           

            “Tmerr për botën e qytetëruar

            Dhe në këtë fundshekull

           

Pse vriten lulet e njoma

            Për ëndrra atdhedashurie”

           

            ( “Lulet e pranverës së përgjakshme”, faqe 61.)

 

Orientimet e poetit ashtu siç na dalin në këtë vëllim janë në të vërtetë angazhime që e përditshmja të flasë në vargje.

            Të shtatë dhjetë e tetë faqet e kësaj përmbledhjeje shënojnë një kontinuitet motivesh e preokupimesh të përhershme në jetën tonë, herë si projektim i kujtimeve mbi ngjarjet  e kaluara dhe të atyre të përjetuara.

            Me fjalë tjera përmbyllëse kjo vepër është një e kaluar dhe e përjetuar  që herë - herë  kufizohet me përsëritjet e motiveve, me qëllim të sforcimit të  simboleve, metaforave, personifikimeve dhe  tek e fundit në të gjitha këto lëçitje dhe mbrujtje, nuk mbisundon ndonjë patos i theksuar për një të ardhme edhe pse autori e ka të qartë atë vizion. Kjo tek e fundit është maturia e natyrshme e autorit dhe krejt e kuptueshme  ajo që sforcohet në vargun:

 

            “Kosovë je loti, dhembja dhe gjaku im”



[1] Nexhat Rexha, (1956), U lind në fshatin Topanicë, komuna e Dardanës, shkollën fillore e kreu në vendlindje kurse të mesmen në Dardanë. Në vitin 1980 diplomoi në FF në Degën Gjuhë dhe Letërsi Shqiptare në Shkup.

Veprat letrare:

“Ndrydhja e pikës K”, botoi “Nosit”, Dardanë 2003,

“Unazë qiellore”, poezi, NB “Gjon Buzuku”, Prishtinë 2005

“Ligjërime përjetimesh”, kritika dhe reqensione, EB “Nositi” Dardanë 2005.

Jeton dhe vepron në Dardanë.

 

 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora