E diele, 20.09.2020, 09:00 PM (GMT+1)

Kulturë » Kinema

Anila Bisha: Në role kam thyer mentalitete, familja më ka përkrahur

E shtune, 14.03.2009, 11:06 AM


Anila Bisha
Anila Bisha
Anila Bisha: “Brenda orarit të punës i nënshtrohem disiplinës së punës. Kur mbaron puna, jam Anila me dy fëmijë, me një burrë që më do”
 
Në role kam thyer mentalitete, familja më ka përkrahur

Nga Albert Zholi
 
S’ka veçse dy muaj që aktorja e talentuar Anila Bisha ka realizuar dy nga rolet më të veçantë të jetës së saj si aktore, në dramën “Fishkëllimë në errësirë” dhe në kinematografi në filmin “Dhimbje e dashurisë”. E qeshur, elegante, e dashur, simpatike, e sinqertë në bisedë, aspak artificiale, e dashuruar me profesionin e saj, këto ishin impresionet e mia të para në takimin me Anilën. Në bisedë ajo flet natyrshëm (me atë zërin e saj karakteristik që kumbon në skenë) edhe për politikën, problemet e shoqërisë shqiptare, vendin dhe rolin e gruas shqiptare në jetën e përditshme, marrëdhëniet me të shoqin dhe fëmijët. Dhe pse jeta skenike është plot të papritura, me shumë zig –zake dhe peripeci, ajo e thotë me plot gojën që nuk e ka menduar asnjëherë veten e saj jashtë skenës apo shesheve të xhirimit. Dhe pse në disa raste ajo ka pasur role erotike, ka gjetur mbështetjen e plotë të bashkëshortit dhe fëmijëve, pasi sipas saj skena mbetet, skenë, arti, art, ndërsa familja mbetet ashtu si duhet të jetë, e shenjtë. Nuk është xheloze, por urren thashethemet. Sipas saj miqësia e sinqertë është dhurata më e bukur që mund ti japësh njeriut. Futjen e të shoqit në politikë në fillim e priti me mëdyshje, ndërsa sot vlerëson punën e tij në ndihmë të artistëve.
 
Znj. Anila, je rikthyer në skenën e Teatrit Popullor dhe në kinematografi me dy role krejt të ndryshëm. Në teatër në dramën “Fishkëllimë në errësirë” dhe në kinematografi me filmin “Dhimbje e dashurisë”, ku ishin të veçantat dhe të përbashkëtat në këto dy role
 
Pas një heshtje unë ju ktheva teatrit më parë se roli që ju përmendet- Pra u ktheva me një rol karakteri në dramën “Këmbanat e Muzgut”. Kisha një lloj frike edhe pse ka disa vite që nuk kam më dëshirë të luaj role vajzash. Ishte një rol i vogël, por falë punës dhe ndihmës së kolegëve u konsolidua dhe u bë një rol me të vërtetë i spikatur. Ndërsa tashmë ndryshonte puna. Ishin dy role në dy skena të ndryshme. Të dyja ishin surprizë. I pari nga regjisori Ylli Pepo në “Dhimbje e dashurisë” i cili erdhi në momentin e duhur për mua për pozicionin që kisha pas një pauze nga roli “Këmbanat e muzgut”. E dyta ishte si të thuash qershia mbi tortë, (d.m.th ndryshe nga personazhi i Verës) tek drama “Fishkëllimë në errësirë”, e regjisorit Spiro Duni një rol, i cili nuk më ishte dhënë mundësia ta luaja në teatër. U lumturova që më erdhën këto dy oferta në momentin e duhur. Edhe reagimi i spektatorëve ishte shumë i mirë.
 
Tek “Fishkëllimi në errësirë” pasi lexuat skenarin dhe pranuat ofertën e regjisorit Spiro Duni,a e ndjetë se një femër si ju, e brishtë do të nxirrte me sukses një rol të vështirë, plot dramacitet, forcë, dhimbje, debat ?
 
Kur e lexova në fillim u tremba pak për dramën pasi unë e mendoja këtë femër me potencë të madhe, pra që duhej të ishte si një mashkull, paksa e egërsuar, pasi jetonte në një familje të tillë, mes meshkujsh të tillë, me një jetë plot tallaze dhe dhunë të tmerrshme. Pra mendohej se edhe kjo femër (në rolin tim) do të kishte marrë diçka nga ambienti që jeton, por në fakt ndodhi e kundërta. Regjisori e mori dhe e përcolli në një këndvështrim tjetër. Ai tha se personazhi i Betit do të ishte krejt e kundërta e personazhit që mendohej, apo e atyre që e rrethonin. Pra, nuk do të kishte atë egërsi, marrëdhënie dhune dhe transmetim shpërfytyrimi njerëzor si personazhet e tjerë. Mund dtë ishte një femër e brishtë, e butë, por kryesorja ajo do të ishte një femër me shumë dinjitet, me një karakter të jashtëzakonshëm. Por dua të veçoj...tek kjo dramë kam punuar me shumë seriozitet, me shumë punë të sforcuar, dëshirë, përkushtim të madh nga gjithë trupa. Kam pasur një ndihmë të jashtëzakonshme nga ana e regjisorit por dhe kolegëve të tjerë që ishin shumë potentë.
 
Ju në këtë rol kishit partner Shundin. Si u ndjetë dhe a e arritët komunikimin e duhur për një realizim perfekt, pasi ky rol i veçantë donte guxim. Pra ju në këtë rol keni guxuar?
 
Po është e vërtetë, unë kam guxuar në këtë rol. Dhe them se kam dhënë maksimumin tim. Nga shfaqja në shfaqje i kaloja pengesat e para derisa ditën e tretë të gjitha zunë vendin e duhur. Pra shkuan siç ishin parashikuar. Vërtet partner kisha Naun Shuntin dhe për mua vënia e tij në atë rol ishte një gjetje nga ana e regjisorit. Majku ishte kontrapunt i atyre roleve të tjera dhe Naumi ma ka bërë shumë komod rolin pasi shquhet si një aktor organik dhe i vërtetë, që padashur të jep ndihmë kur dhe vetë interpreton në mënyrë të përkryer. Nga kjo anë isha komode me të dhe e falënderoj pasi ishte mbështetje.
 
Patët vështirësi në këtë dramë dhe ku qëndronte vështirësia?

Në fillim po. Ajo frymë familjare mbushur me dhunë, thirrje, thyerje, ofendime, vrasje, të bënin të ndrydheshe, por puna e mëtejshme në grup bëri të vetën. Këtu veçoj punën shumë të spikatur, plot temp, por edhe me ethe të regjisorit që nuk kishte kohë të pinte qoftë dhe një kafe me ne, por edhe punën shumë të mirë të aktorëve tashmë shumë të mirënjohur si Reshat Arbana, Bujar Asqeriu e të tjerët me radhë..

Si është gjendja në teatër tani?

Në radhë të parë teatri ka nevojë për financime. Në këtë aspekt është lënë në gjendje jo të këndshme. Ana tjetër është menaxhimi që u bëhet shfaqjeve. Nuk bëhet ekspozim, reklamë, propagandë. Edhe n.q.s i bëhet është i vakët, I thatë, sa për të mos thënë që është bërë. Aktori përveç hallit që ka për rolin, duhet të lëvizë, apo të punojë vetë për veshjet. Dhe rolet duan veshjet e veta karakteristike. Në garderobën e teatrit në rolin e fundit m’u desh të marr veshje që s’më përkisnin si trup dhe ti qep apo shqep disa herë.
 
Mos vallë je penduar që ke zgjedhur këtë rrugë kur sheh pengesa të tilla?

Absolutisht jo. Është rruga e nisur 15 vjeç në filma të ndryshëm. E nisa shkollën për ekonomiste, pastaj ndryshova për të vazhduar për aktore. Unë kam qenë dhe e përkëdhelur nga fati në krahasim me shoqet e mia. Në art, përveç talentit duhet dhe fat. Unë këtë e kam pas më shumë se shoqet e mia.
 
Thuhet se Teatri Popullor funksionon mbi baza klanesh. Mendimi juaj?

Mendoj se ajo që thuhet është e vërtet, një skuadër klanesh. Shumë herë përzgjedhjet bëheshin jo mbi baza të vlerave, por të miqësive e simpative. Kjo ka bërë që deri diku mes kolegëve të krijonim armiqësi me njëri tjetrin. Kam përshtypjen se akoma po vazhdon kjo gjendje. Një gjendje që ndonjëherë më bën shumë pesimiste.

Po ti kthehemi paksa fillimeve tuaja në rrugën e skenës?

-Kur e nisa unë karrierën bëheshin 4 filma në vit dhe në atë periudhë unë sa isha futur në Akademinë e Arteve dhe ka pasur raste që unë përzgjidhja, aq shumë kërkesa kisha. Por tani kështu erdhi koha. Kinostudio u shkri dhe aktorët nuk kishin më shanset e mëparshme.
 
A ju ka ndihmuar prania e Besnikut në arritjet tuaja dhe si jeni lidhur me të?
 
Kur kam njohur Besnikun unë kam luajtur 7 filma. Pra kisha formuar figurën time skenike. Isha e njohur jo e rastësishme në aktrim që kërkoja ndihmë. Kur jemi njohur unë kam qenë 19 vjeç dhe ai 29. Kemi një diferencë prej 10 vjetësh. Unë si vajzë kam qenë e fiksuar mbas idesë se burri i jetës sime duhet të ishte më i madh se unë. Kisha dëgjuar fjalë shumë të mira dhe në fakt m’u duk djalë me shumë karakter. Ishte Besniku ai që m’u afrua, ai që më rrëmbeu përpara se të më rrëmbenin të tjerët. Sot e kam ndihmë, pasi ai ka më shumë eksperiencë, por sukseset e mia janë meritë e punës time. Pastaj duke qenë regjisor, ai ka ide më të spikatura në lidhje me rolet.
 
Keni xhelozi mes njëri tjetrit përsa i përket arritjeve në skenë?

Absolutisht jo. Pasi në filmin “Mao Ce Dun” ku ai ishte regjisor, në rolin e arrixhies ai mori një aktore tjetër. Unë kur pashë kinoprovat e aprovova duke i thënë e ke gjetur personin e duhur, kur mund t’i thoja pse nuk më ke marrë mua. Kishte dhe njerëz që i thoshin përse nuk ke marrë Nilën. Unë nuk pata pretendim, pasi ku e pashë kasetën me personazhin i thashë kjo vajzë është tamam, pasi ajo vajzë është dhe 10 vjet më e re se unë. E ke gjet Sulltanën. Nuk të vjen keq që s’të mora ti më tha. Absolutisht jo i thashë. Ai u ngrit, më puthi, duke më thënë “faleminderit shumë prej teje Nila”.
 
Por kur keni luajtur role paksa erotike nuk është bërë xheloz Besniku?

Absolutisht jo. Në “Lojëra në oborrin e pasëm” kam luajtur një rol të tillë. D.m.th, n.q.s regjisori ka pas probleme me aktore të tjera, as unë as Besniku, nuk e kemi diskutuar këtë problem ashtu si dhe tek film “Bolero”, (ku ishte ai regjisor), pavarësisht se i kanë thënë se ke ruajtur Nilën deri diku në skenat erotike. Ai nuk ishte i këtij mendimi. Sipas këndvështrimit tonë roli mbetet rol, artisti mbetet artist. Pra unë në teatër jam në punë, në profesion. Brenda orarit të punës i nënshtrohem disiplinës së punës. Kur mbaron puna, jam Anila me dy fëmijë, me një burrë që më do, me impenjimet e mia familjare…Bëjmë jetë normale si gjithë të tjerët.
 
A e ka zënë femra shqiptare vendin e duhur në shoqëri dhe politikë?

Përpiqet. Kohët e fundit në politikë ka shumë femra aktive. Por unë nuk jam dakort me vendosjen e disa përqindjeve. Kjo nuk nxit konkurrencën. Kush femër e sheh veten të aftë le të konkurrojë. Si në teatër. Në politikë të hyjë ajo femër që është e zonja, që përballon rregullat apo jo rregullat e kësaj loje të fortë. Në politikë nuk duhen kukulla. Në shoqëri po ashtu.. Politika do dhe guxim.
 
Si ndjeheni si pedagoge?

Befasohem. Sot studentët nuk kanë kërkesa ndaj vetes. Nuk njohin disiplinën. Më parë futet pedagogu në klasë se sa studenti. Nuk ka përkushtim. Libri është lënë në harresë. Çdo gjë e duan të gatshme, pasi më shumë duan kafenetë se sa bibliotekat dhe libraritë. I duan çdo gjë gati. Jo të gjithë por...
 
Bashkëshorti juaj është futur në politikë dhe sot është deputet. A ishit dakord me angazhimin e tij në politikë?

-Nuk kam qenë hiç dakord, sepse kisha frikë se mos linte pas dore profesionin e tij, pasi ai është një regjisor i talentuar. Sot them që ka bërë mirë.
 
Po Nila do ta linte skenën për deputete si i shoqi?

Absolutisht jo. Kurrë. Nuk kam atë prerje. Jo më tashti që jam bërë dhe pak gjaknxehte (qesh).
 
Talenti dhe bukuria

Nihem mirë kur më thonë aktore e mirë. Edhe bukuria është një plus. Nga ana profesionale mendoj se është një armë shumë e fortë. Ja të të them (qesh)...Nëpër provime pedagogët gjithnjë më thoshin: “Ka nur skenik”. Gjithnjë ky element më ka shtuar notën, më kanë vlerësuar më shumë. Por më vinte dhe inat, sepse doja të më thoshin diçka më shumë për skenën.
 
Pengu në jetën skenike

 
Do të doja ta filloja në këto momente karrierën time. Pra të isha 20 vjeç tani me këto mend dhe me këtë përvojë. Por përsëri them që jam në pikun tim. Kam arritur një pjekuri artistike që shpresoj do të më jap rezultate më të mira.
 
E veçanta e rolit në filmin “Bolero”

Për mua ishte një rol adoleshenteje, kur unë isha nënë me fëmijë. Një sfidë që i bëja vetes nga na profesionale. Drama që kishte personazhi i Inës ishte një dramë shumë e thellë, shumë e pabesueshme, një dramë që më shumë e kisha lexuar, parë nëpër filma dhe nxjerrja e këtij roli, ishte një rast që unë të nxirja në pah aftësitë e mia. Së dyti, ishte e vështirë sepse personazhi ishte dhe balerinë. Dhe falë fizikut tim, njerëz që nuk më kanë njohur nuk e kanë kuptuar montazhin që ka bërë Besniku në këtë drejtim. Pra të gjithë mendojnë se unë jam dhe Balerina. Ishte dramë e fuqishme dhe është fat të të bien në dorë role të tilla. Për atë personazh kam punuar me mish e me shpirt që të vendosja themelet më të sigurta të së ardhmes time, të aftësive të mija aktoriale, pasi thoshin se Besniku ja ka dhënë se është e shoqja, jo se e meriton. Këta ishin të shumtë. Por ky film diskutohet dhe sot, ku shumë njerëz më personifikojnë me atë rol. Në festivalin shqiptar të filmit të atij viti, unë mora kupën si aktorja më e mirë e festivalit (2000 me këtë rol). Njëkohësisht në Sent Etjen në Francë u vlerësova si nja nga aktoret më të mira në një festival për filma me tema të veçanta. Roli i Inës u vlerësua. Këto medalje apo vlerësime më qetësuan.
 
Lidhja dhe trajtimi i fëmijëve

I trajtoj si fëmijë. Nëna është nënë, fëmija, fëmijë. Secili ka vendin, pozicionin dhe rolin e vetë. Gjërat janë të ndara në jetë. Familja është gjëja më e shtrenjtë. Nuk e kuptoj dot jetën pa familjen time. Jemi të gjithë të lidhur shumë me njëri tjetrin. Dhe kjo ka qenë arsyeja pse nuk e kam ndjerë shumë mungesën e roleve. Kam ndjekur në çdo hap fëmijët, kam lexuar shumë, kam ndjekur ecjen e tyre në mësime, plus angazhimet e tjera.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora