Mendime
Ndue Dedaj: Nënë Pashakoja dhe nënë Pashkja e Gjakovës
E hene, 07.08.2023, 07:58 PM
NËNË PASHAKOJA DHE NËNË PASHKJA E GJAKOVËS
NGA
NDUE DEDAJ
Dy
nëna të lirisë!... E para u bë e njohur gjërësisht përmes filmit “Yjet e netëve
të gjata”, në fillim të viteve ’70 të shekullit të kaluar, ndërsa ende rronte,
kurse tjetra vetëm pak kohë më parë, për shkak të një incidenti që ndodhi me
“varrin” e saj!... Dy gra me fate të njëjta, nga dy treva të përmendura, Korça
dhe Gjakova, tragjeditë e të cilave kishin rreth gjashtëdhjetë vjet në mes, nga
lufta në luftë. Tre djemtë e Nënë Pashakos nga Pirgu i Korçës, Tafili, Mehdiu e
Dajlani, ranë dëshmorë më 1942 në Luftën e Dytë Botërore, pas luftimeve të
ashpra me pushtuesit italianë në Grabovicë etj., kurse dy djemtë e Nënë Pashke
Markut, Gjovalini dhe Milani, u vranë në masakrën serbe të Mejës, Gjakovë, më
27 prill 1999, nga më të pashembullat në historinë e shqiptarëve, me 374
martirë.
Nënë Pashakoja u “mbart” nga Korça për në mediumin kombëtar nga shkrimtari Dritëro Agolli e regjisori Viktor Gjika, mishëruar në figurën artistike që krijoi aktorja e shquar Tinka Kurti, pasi kishte qendruar disa kohë në shtëpinë e saj. Aq e pazëvendësueshme ishte Nënë Pashakoja, sa dhe në film si personazh ajo del me emrin e saj të vërtetë.
Kurse Nënë Pashke Marku e Gjakovës, mbase nuk do të
dilte nga heshtja biblike, nëse guri obelisk i saj nuk do të hiqej nga toka
private e dikujt dhe të hidhej në rrugë, një veprim që shkaktoi reagim të fortë
publik, sidomos në Kosovë ku historia e saj është ende e freskët. Siç shkruan
Gazeta Express, ndonëse dihej se dy djemtë e saj ishin vrarë në atë masakër të
zezë, trupat e tyre u cilësuan të zhdukur deri në vitin 2003, kur u kthyen dhe
u varrosen. Nënë Pashkja priti katër vite se mos dy bijtë e saj ishin gjallë,
po kur kjo nuk ndodhi, fill mbas varrimit të tyre, ajo dogji veten në fshatin
Korenicë afër Gjakovës, bash aty ku në kujtim të saj do të vihej Guri. Ishte
një vetëflijim i pazakontë, tronditës, përtej të imagjinueshmes, prandaj Guri i
Nënë Pashkës është simbol i një tragjedie kombëtare, do të shpreheshin
qytetarët, si dhe intelektualë të njohur nga Prishtina e Tirana etj., duke
kërkuar që të kthehej përsëri aty. Nuk ishte e rastit që reagimi nuk ishte
vetëm në Kosovë, por dhe në Shqipëri e diasporë, pasi margaritarët e heroizmit
kanë të njëjtin shkëlqim kudo, të njëjtën dhimbje dhe krenari. Plojat shqiptare
kanë qenë me plot gojën net të Shën Bartolemeut, si masakra e 4 Shkurtit më
1944 në Tiranë, genocidi i kryer nga bandat shfarosëse greke të gjeneralit
famëkeq Zerva mbi popollsinë myslimane autoktone të Çamërisë më 1944 - 1945,
masakra e Tivarit më 1945 - vrasja e mijëra civilëve kosovarë nga ushtria
partizane jugosllave, masakra e Ambasadës Sovjetike më 1951 në Tiranë, masakra
e Qafë - Valmirit mbi nacionalistët antikomunistë më 1949 në Mirditë etj.,
masakra e Reçakut e janarit 1999, për të kulmuar me masakrën e Mejës, vetëm tre
muaj më vonë, në prill, më e madhja e Luftës së Kosovës, ku në mënyrën më
shnjerëzore, nga policia dhe ushtria serbe, vriteshin masivisht burrat, teksa
po dëboheshin me gjithë familjet nga vendi i tyre. Një genocid ndaj shqiptarëve
me përmasa zhbimëse...
Prandaj
dhe Guri i Nënë Pashkes është një himn i llojit të vet. Komentet lidhur me të
kanë qenë nga më të ndryshmet, po pavarësisht hamendësimeve se pse ndodhi heqja
e tij, diçka ka lëvizur për keq në këtë histori, ku nga një qendrim prej
fisniku para 20 vitesh, nga ana e të zotit të tokës, me rastin e vënies së
gurit simbolik aty, po prej tij kalohet në një veprim të skajshëm, duke e hequr
atë papritur, më vinç!? Për mendimin tonë problemi është se ende ka individë që
u fryjnë urëve përçarëse, qofshin ato fetare, politike etj., gjë që ndikon tek
njerëzit e thjeshtë, që këta pastaj të përfshihen në gjeste aspak humane e
qytetare, duke cenuar jetën publike, harmoninë dhe paqen e saj. Nëse dikush nuk
do t’i kishte gërgasur në vesh të zotit të asaj prone, ku gjendej guri i
shenjuar, ai nuk do të kishte dalë kundër vetes, duke shkelmuar atë mirësi që kishte
bërë duke e lejuar vënien e gurit aty. Pse ngulmojmë në këtë argument? Edhe në
vitin 2003 Hasani (i zoti i tokës) kishte qenë mysliman e Pashkja katolike. Pra
nuk është problemi i “tyre”. Tek e fundit, “gërgasja” është përtej Korenicës së
vogël dhe Gurit të Nënë Pashke Krasniqi Markut, ajo vjen nga zhvillimet e
padëshiruara në veri të Kosovës, ku protagonistë janë po ata që e shkaktuan
masakrën e Mejës. Kjo do të thotë se ajo Luftë ende nuk ka mbaruar dhe se
shpërfaqja e saj e re, synon në radhë të parë shenjat e rezistencës shqiptare
të mëhershme. Në këtë kontekst, çdo gjest, qendrim, sjellje dinjitoze në
adresimin e vlerave të heroizmit shqiptar nuk është ndonjë “nacionalizëm” që
shkon kundër të tjerëve, por hullia e duhur e shqiptarisë. Kështu e shohim dhe
aktin e marrjes, në këtë moment, të nënshtetësisë kosovare nga shkrimtari i
madh Ismail Kadare, dhënë nga presidentja Vjosa Osmani.
Si
për ta bërë analogjinë më të plotë mes dy rasteve, edhe shtëpia e Nënë Pashakos
është bërë e pabanueshme, ndonëse në sytë e njerëzve ajo ka qenë një muze, si
vatra familjare e tre dëshmorëve. E gjitha kjo pasi është zbehur nderimi për
heroizmin partizan, a thua se kishin dëshmorët faj për diktaturën që u vendos
fill pas 1944-s, duke e shpërdoruar idealin e tyre të lirisë. Përgjegjësinë për
dëmtimin e simboleve të Luftës Nacionalçlirimtare e ka politika e tranzicionit,
e cila e ka futur në sherr jo vetëm publikun, po dhe vetë “historinë” për ditën
e çlirimit etj. Është thënë se dhe në Korenicë guri monument është hequr ngase
aty ka shkuar për të bërë nderime Kryeministri Kurti, çka nuk i ka pëlqyer
dikujt. Po kjo nuk është punë pëlqimi a mospëlqimi i një qeveritari nga dikush.
Historia nuk është diçka që i përket “arës” time apo e “kopshtit” tënd, por
trashëgimi e shqiptarëve dhe politikanët e shtetarët kanë detyrimin e nderimit
dhe të solemnitetit ndaj ngjarjeve apo figurave të saj. Me një logjikë të
thjeshtë, edhe vendi ku ngrihet shtatorja e Heroit Kombëtar në sheshin
“Skënderbej” në Tiranë, në Prishtinë, në Shkup dhe në nja tridhjetë vende të
tjera të botës, tokë private ka qenë në fillesë, por ajo është dhuruar me të
dyja duart për t’shërbyer kujtesës së njerëzimit.
Ne
shqiptarët nuk kemi një Zhan D’Arkë, kurse gra të shquara të historisë sonë
kombëtare kemi pasur herët e vonë, por mjerisht është zbehur kujtesa ndaj tyre;
nuk themi të mbushën si dikur hartimet e shkollës me heroinat e Pavarësisë
etj., por dhe t’iu mbulohet varri nga ferrat, si lapidari i Shotë Galicës në
Fushë - Krujë, kjo është e palejueshme. Është një odise shumëvjeçare ajo e
rivarrimit të kësaj heroine pranë të shoqit në Drenicë. Sipas të interesuarve,
çështja e zhvarrimit të eshtrave të Shote Galicës nga Kruja për t’u prehur në
Drenicë mbeti përherë “në shqyrtim”, që nga koha kur në krye të qeverisë ishte
Nano. Thuhet madje nga shtypi, se Shota është me tre varre, që i bie të jetë pa
asnjë!? Ai që i lexon këto radhë me të drejtë do të thotë, çfarë presim për të
tjerët, kur nuk është bërë me “varr” një heroinë si Shotë Galica, në afro
njëqind vjet, që nga viti 1927 kur ajo vdiq në vetmi; as nga mbretëria, as nga
qeveria komuniste, as nga ato të demokracisë pas 90-s, sidomos çerekshekullin e
fundit, kur në të dy anët e Morinit qeverisin shqiptarët. Por nuk është vetëm
ky rast që nuk i është dhënë zgjidhje. Në qytete varrezat e dëshmorëve janë
aspak të mirëmbajtura, kurse në fshatra shenjat e historisë kanë degraduar
krejtësisht, si shtëpia e Nënë Pashakos, çka tregon se shoqëria jonë nuk e ka
seriozisht nderimin e vlerave historike etj. Ndokush përkujdesjen ndaj
monumenteve në Shqipëri dhe Kosovë mund ta shohë si punë të shoqatave të
veteranëve, kur ajo është veçse e institucioneve shtetërore, që kanë barrën e
trajtimit të trashëgimisë. Pikërisht se ka një indiferencë të tillë, ndodhin
dhe raste si ai i Gurit të Nënë Pashkes.
Nuk
duhej asesi të shkohej deri këtu, të prishej diçka e shenjtë nderuese që ishte,
por të mendohej mbase për një obelisk për të gjitha nënat shqiptare të lirisë,
edhe për ato nëna kosovare që dhe sot e kësaj dite presin lajme se mos janë
gjallë bijtë e tyre të zhdukur para njëzet e katër vitesh. Veton Surroi shkruan
se edhe 1600 familjarë nuk kanë informacion për të afërmit e tyre të zhdukur në
luftë, shqiptarë, serbë, romë, boshnjakë, çka do të thotë se institucionet nuk
kanë kryer detyrimin ndaj të vdekurve e as ndaj të gjallëve. Në këtë kuptim,
Nënë Pashkja është vetë Kosova, sa e martirizuar e masakruar, aq dhe e
pashëruar nga plagët e luftës që ende therin...
Së
fundi Guri përkujtimor i kësaj nëne “shekspiriane” është marrë në përkujdesje
nga Komuna e Gjakovës, në pritje të një vendimi se ku do të vendoset. Nënë
Pashke Marku kurrë nuk do ta kishte dashur këtë fat, të bëhej e njohur për
asnjë lloj motivi, qoftë dhe për mirë, si i thonë fjalës, pasi aktin e saj
vetëflijues ajo nuk e kishte bërë për të hyrë në histori. E tash me siguri
shtatoren e saj të merituar kemi për ta parë në bronz në Gjakovë, Prishtinë a
Tiranë...