E premte, 19.04.2024, 01:34 AM (GMT+1)

Kulturë

Satira nga Sevdail Hyseni

E diele, 06.08.2023, 06:30 PM


Sevdail Hyseni

Satirike

Ora shqiptare

Në fund shqiptarët

Na u bënë me orë,

Me markën “Albora”

Të rangut botërorë.

Zemërohen zviceranët

Kërcejnë porsi spec,

Me orët super luksoze

S’njihnin konkurrencë.

Prej nga mrekullia

Shumë i brenë marazi,

Ku mbeti “Omega”

“Seiko” dhe “Relax-i”?!

N’afërsi të Gjenevës

Lajmërohen orëtarët,

Që pak kush i priste

Të vijnë nga shqiptarët.

Dy vëllezërit Shaqiri

Nga Presheva etnike,

E zgjodhën Gjenevën

Për një punë fizike.

Për t’u bërë “Vip-a”

Me këtë farë zanati.

Kësaj orës shqiptare

Për t’i qeshur fati.

Ora jonë “Albora”

Me shqiponjë të zezë,

Ka një sfond të kuq

Si të kuqtë e vesë.

Tani edhe Serbia

S’do ta ketë lehtë,

Ta ndalojë simbolin

Gjithandej n’planet...!

Sidomos gjatë verës

Kur vijnë mërgimtarët,

Do të jetë e zorshme

Sfida me shqiptarët.

Pse i rrudhni buzët

Po e them pa spica,

A s’e zbuloj pushkën

Masurica nga Zarbica?!

Por edhe “Viagra”

Doli nga shqiptari,

Dhe prej asaj dite

Po na ecë së mbari.

Na shtohen shqipet

I shpërthejnë kufijtë,

Seç u bëmë çapraz

Në rresht duke prit’.

Puna nuk na bënë

As për “Fiks fare”,

Vëllai shkon te vëllai

Me kërkesë zyrtare!

Kthimi

Vijnë e kthehen, përsëri mërgimtarët,

Me nostalgjinë e pashuar të shtegtarit.

Nuk i lodhin rrugët e gjata në pritje,

Nga dashuria e madhe për vendlindje.

Për aq ditë sa të qëndrojnë në Atdhe,

Dasma, ahengje, gazmende deri n’re.

A ka më mirë, se në ditët me diasporë,

Të mbushen shtëpitë, plot me vizitorë.

Por, malli i ardhjes, s’matet me kthim,

Gëzimet shpesh gëlltiten me zhgënjim.

Zbrazja e Luginës n’heshtjen e pështirë,

I bënë mërgimtarët, mos të ndihen mirë.

Ikjen e rinisë e përjetojnë si mos më keq,

E shohin vendlindjen, një shtëpi me pleq.

Më pas përçarje, urrejtje e ndasi nga partitë,

Janë të tjera shqetësime, që shtohen për ditë.

Ka dhe të tjera probleme: nepotizëm e hajni,

I bëjnë mërgimtarët, të kthehen me mërzi.

Nga shpirti i trazuar, shpaloset një pikëllim,

Me pritje gjatë ardhjes, me pritjet në kthim.

Ngado që të shkojnë, kthehen më të fortë,

Se vetëm n’vendlindje, e kanë zemrën plot!

Stuhia verore

Korriku, ky muaj i të korrurave

Vizatohet në mendjet njerëzore,

Qoftë për nga klimat tropikale

Si dhe për katastrofat natyrore.

Pyjet po digjen, deri tek rrënjët

Mbeturinat bëhen shkrumb e hi,

Natyrisht, prapa këtyre dukurive

Qëndrojnë edhe shirat me stuhi.

Vërshime e shtrëngata gjithandej

Vërsulen furishëm me rrëmbim,

E ballkanasit me mendjen top

Bëjnë gara mes vete në armatim.

Me sy e vesh, të strukur në lesh

Të armatosen e kanë parësore,

E ne të papërgatitur si çdo herë

Do t’i presim stuhitë natyrore.

Sfidat ndaj armatimit modern

Ecin duke harxhuar para dhe energji

U panë armët, sa na dolën në ndihmë

Gjatë periudhës së keqe në Pandemi?!

Miza

Rastis një mizë

Për t’na bezdis,

Te veshi zukat

Nuk na lë rehat.

Më tha një mik

Mos u bë skeptik,

Për të zënë miza

Na duhen analiza.

Një si plan ideor

Për ta kap në dorë,

Kërkohet së pari

Koncetrim gjahtari.

Së dyti preciziteti

Pastaj vjen së treti,

Shpejtësia si kusht

Për ta fut në grusht.

Buzëqeshi me zemër

Miza që kish’ emër,

Tha ky plan, më falë!

Na qenka sezonal.

Ne dukemi në verë

E vjeshtë nganjëherë,

Por, jo edhe në janar

Gjatë dimrit me acar.

Ndaj planin, gjithsesi

Ta dërgoni në Qeveri,

Te korrupsioni i parazitit

Në të katër stinët e vitit!

Baladike

Nëntë shpirtra i ka macja

Ali Buza shkon për dhjetë,

Në Luginën tonë martire

Besëtytnitë nuk vdesin lehtë!

Ato rrojnë në kokat boshe

Në çdo kohë e në çdo stinë,

Me legjenda e gojëdhëna

Që të ngjallin lemerinë.

Thonë Drakula nga Medvegja

Edhe sot na ngjallë dilema,

Po nga ishte dhëndri Rexha

Kur e mbyti pela shqelma?!

Në Bilaç të Bujanocit

Dikur moti, jashtë ligji,

Ku paraqitej ndonjë lugat

Bënte nam vampiroviqi!

Nuk i linte n’faqe t’dheut

Gjakpirësit pa rezervë,

Anekënd viseve tona

Nga Tërnoci në Preshevë.

Sot legjendat e baladat

Nuk i kap askush me vesh,

S’ka nevojë për t’i mësuar

Kur i kemi midis nesh…

Kanë zënë vend në parti

Që mjerisht s’i kemi pak,

Nuk është lepuri si dikur

Na ka hy dreqi në bark.

Nuk na lë dy gurë bashkë

Mbi hapësirat ilirike,

Nëse s’dimë kë kemi Babë

Rrofshin nënat baladike!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora