E shtune, 25.03.2023, 10:40 AM (GMT)

Mendime

Driton Gashi: Kundër harresës

E hene, 13.03.2023, 08:10 PM


KUNDËR HARRESËS

Tri rrëfime për solidaritetin mbarëkombëtar gjatë luftës në Kosovë

Nga Driton Gashi

Tregimet në vijim na sjellin në kujtesë njerëz nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Njerëz meritorë, të cilët në kohën e luftës në Kosovë ose ishin vetë refugjatë, ose i strehuan të dëbuarit nga Kosova dhe i mbajtën ata me muaj të tërë në shtëpitë e tyre.

Rrëfimi i parë

„Ne i ruajmë edhe sot respektet vëllazërore“

Ilir Pashai me refugjate kosovare, Ballsh 1999

Ilir Pashai, një burrë shtatëdhjetë vjeç nga Ballshi i krahinës së Mallakastrës në Shqipëri, e kujton me emocione, mall e krenari vitin 1999.

Në urimin e tij për Festën e Pavarësisë ai më shkroi fjalët në vijim:

„Ju përshëndes në këtë përvjetor, miku dhe vëllai jonë i të njëjtit gjak Driton.

Fotografia që ju dërgova është bërë në kohën e luftës për çlirimin e Kosovës. Èshtë familja e Sait Nimanit nga Dollova e Klinës, të cilën unë e mbajta në shtëpinë time.

Në foto lart është majtas gruaja ime, unë dhe motër Sabrije Gashi.

Poshtë janë fëmijët Kushtrimi, Kosovarja dhe Durimi.

I urova sot dhe ishte kënaqësi që janë rritur bukur dhe janë rregulluar me punë dhe familje, të tre të martuar.

Të përshëndes, mik i nderuar.

Urime Festën e 15 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës!

Ta çova këtë foto të bukur për ta përdorur në se të jepet mundësia në shkrimet tuaja. Ne i ruajmë edhe sot respektet vëllazërore."

Ilir Pashai, Ballsh 2022

Duke e parë gjithmonë në fotografi të buzëqeshur dhe pozitiv në kopshtin e tij me lule të bukura dhe me shumë pemë, mund të imagjinojmë se me çfarë zemërgjerësie Ilir Pashai dhe familja e tij janë kujdesur dhe u kanë hapur dyert e shtëpive të tyre vëllezërve e motrave nga Kosova. Ata e kanë jetuar e dëshmuar traditën tonë shekullore të mikpritjes e solidaritetit, duke ndarë kafshatën e fundit me të rriturit dhe fëmijët e trazuar dhe të traumatizuar nga dhuna serbe. Ata i hapën zemrat e tyre në atë kohë të rëndë për shqiptarët e Kosovës. U dhanë vëmendje emocionale të rriturve e fëmijëve, të gjitha këto në kushtet modeste ekonomike në Shqipërinë e atëhershme.

Rrëfimi i dytë

„Sofra na mbeti shtruar“

Fundi i marsit 1999.

Fshati Bardhosh.

Komuna e Prishtinës.

„Nuk kishin kaluar as dy vite që e patëm blerë këtë truall në Bardhosh, ku e ndërtuam shtëpinë e re. Në Prishtinë kemi jetuar në afërsi të Shtëpisë së Pleqve, një ndër lagjet më të vjetra të kryeqytetit. Aty kemi lindur e jemi rritur në kushte modeste me nënën e dy motrat e mija. Babai ynë, i cili bashkë me xhaxhain kishte ardhur që në vitin 1956 nga zona e Llapit në Prishtinë, vdiq shumë herët duke na lënë shumë të vegjël“, fillon rrëfimin e tij Qemajl Gashi, tash 58 vjeç.

Qemajl Gashi me familje në Shqipëri, 1999

Gjendja e sigurisë në Kosovën e viteve 90 ishte e rëndë e nga viti 1997 vinte e keqësohej dita-ditës. Shtëpia e re e familjes Gashi ndodhej afër shkollës fillore të fshatit Bardhosh, jo larg rrugës magjistrale Prishtinë-Podujevë. Lëvizja e policisë serbe ishte bërë tashmë e zakonshme nga fillimet e viteve nëntëdhjetë në Kosovë, por nga viti 1997 ajo u intenzivua dukshëm dhe u zgjerua edhe me prezencën masive të ushtrisë serbe. Pas fillimit të luftës së hapur në Kosovë në vitin 1998, pas betejës së lavdishme dhe masakrës në familjen e nderuar të komandantit legjendar Adem Jashari në Prekaz, Qemajl Gashi me familjen e tij kishte lëvizur herë pas here në Prishtinë, ku akoma ishin shtëpitë e vjetra në afërsi të kushërinjve të parë. Aty kishin qëndruar për shkaqe sigurie me dy fëmijët e vegjël, bashkëshorten, nënën dhe dy motrat. Situata e rëndë, frika nga keqësimi i gjendjes, varfëria dhe jostabiliteti mbretëronte gjithandej në Kosovë. Me gjithë kushtet e rënda, ndihma dhe solidariteti mes familjarëve, por edhe ndaj të tjerëve ishte i theksuar.

„Meqenëse shpresonim se gjendja do qetësohej deri diku, ne u kthyem prapë në fshat. Por nuk doli ashtu, Me fillimin e bombardimeve të NATO-s më 24 mars 1999 dhe me fillimin e dëbimit masiv të shqiptarëve nga forcat paramilitare dhe ushtarake serbe, situata doli nga kontrolli dhe ne duhet të ndërmerrnim masa për të ikur në Prishtinë. Na duhej ta gjenim kohën e duhur për t'u larguar nga shtëpia në Bardhosh. Djali i axhës Nazmiu erdhi nga Prishtina me makinë dhe i mori fëmijët, motrat dhe nënën time. Bashkëshortja ime Zyhrija dhe unë mbetëm për të shkuar këmbë. Qeni i shtëpisë na përcolli pothuajse gjatë tërë rrugës për në Prishtinë, sikur e ndjente se diçka nuk ishte në rregull. Në qytet arritëm me shumë frikë, por të gëzuar se u bashkuam prapë me të tjerët. Bombardimet tashmë kishin filluar.

Djali i axhës Nazmiu u nis me 28 mars me makinë për në Tetovë. Me vete mori nënën e tij, nënën time, bashkëshorten dhe dy djemtë e vegjël. Pas dy ditëve udhëtim dhe shumë vështirësive arritën te motra e tij Xhevrija dhe dhëndrri Nadi Bilalli në Tetovë. U gëzuam që dy nënat tona dhe fëmijët e vegjël dolën në vend të sigurtë dhe se u kursyen nga vuajtjet që do na prisnin ne të tjerëve vetëm ca ditë më vonë.

Me datë 1 prill u tmerruam nga trokitjet agresive të paramilitarëve serbë. Ata hynë në oborr të maskuar dhe të armatosur deri në dhëmbë, duke shpërndarë frikë e llahtari te ne të gjithë, sidomos te gratë e fëmijët. Vjehrri im sapo kishte dalë nga spitali dhe ishte në gjendje shumë të rëndë. Ishim shumë familjarë e miq që ishim grumbulluar e kishim gjetur strehim në Prishtinë. Të gjithëve na dëbuan duke na sharë, rrahur, kërcënuar e plaçkitur. Sofra na mbeti shtruar“, vazhdon rrëfimin e tij Qemajl Gashi, i emocionuar kur e kujton atë ditë famëkeqe për familjen e tij, por edhe për të gjithë shqiptarët në Kosovë.

Kur dolën në rrugë, nuk u besonin syve se sa shumë njerëz ishin dëbuar nga shtëpitë. Kolona vinte e shtohej sa më shumë. Policia dhe paramilitarët i ndaluan disa djem të ri dhe i nxorrën nga kolona. Qemajli ishte me dy fëmijët e tij dhe si duket nuk e panë si duhet. Ai e kuptoi se ishin nisur për në stacion të trenit në Prishtinë, i cili ishte stërmbushur me njerëz të traumatizuar nga dhuna dhe frika, por edhe nga pasiguria se çfarë do ndodhte më vonë.

Ku do shkojnë? Ku do vendosen? A do ketë rrezik gjatë rrugës?

Treni u nis me shumë vonesë në drejtim të kufirit me Maqedoninë. Njerëzit mundoheshin të gjejnë një vend për fëmijët dhe pleqtë, të cilët nuk mund të qëndronin në këmbë kohë të gjatë. Por ishte pothuajse e pamundur nga masa. Dikur arritën në kufirin Kosovë-Maqedoni, në fshatin Bllacë, i cili u bë i njohur gjithandej nëpër botë si kamp i të dëbuarve nga Kosova dhe si simbol i dhunës dhe terrorit serb në Kosovë.

„Në zonën kufitare në Bllacë qëndruam 6 ditë nën qiell të hapur. Aty u takuam me familjarë e shokë tjerë nga Prishtina dhe nga e tërë Kosova. Ishte një gjendje e jashtëzakonshme emocionale, pasi të gjithë kishim frikë se nuk do mund të kthehemi më kurrë në shtëpinë tonë. Gjithashtu të gjithë kishin familjarë që akoma ishin në Kosovë, djem e vëllezër në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Brenga për ta shtohej dita më ditë, pasi atëherë nuk kishim mundësi komunikimi. Ishte akoma mot i ftohtë, disa ditë ra edhe shi pa u ndalur. Ndiznim zjarr për t'u ngrohur e mundoheshim t'i thanim rrobet e lagura në trup. Shqiptarët e Maqedonisë dëshmuan solidaritetin e madh ndaj nesh. Na sollën bukë, ujë, batanije e qumësht për fëmijë. Më vonë erdhën edhe ndihma tjera nga shoqatat ndërkombëtare dhe nga Kombet e Bashkuara.

Vesa Gashi si fëmijë refugjat në Shqipëri, 1999

Në ditën e shtatë na morën me autobus dhe na nisën në drejtim të Shqipërisë. Të them të drejtën u gëzuam shumë për këtë fakt, se do kemi mundësi të flasim gjuhën tonë dhe do jemi te njerëzit e gjakut tonë. Arritëm në Korçë, ku na dërguan në stadiumin e qytetit. Për të gjithë ne ishte hera e parë që vinim në këtë qytet me traditë e kulturë, për të cilin kisha lexuar shumë. Për „Mësonjtoren“ (shkollën e parë shqipe), për mërgimtarët atdhetarë korçarë, për shtëpitë e vjetra, për serenatat korçare etj. Akomodimi bëhej në mënyrë institucionale, por pasi ishim shumë persona, nuk kishin mundësi të na marrin. Motrat e mia u vendosën te një familje e njohur korçare. Ne të tjerëve na dërguan në fshatin Dishnicë, 3,5 km nga Korça. Fshatarët na pritën me shumë dashamirësi dhe ngrohtësi e kryeplaku i fshatit na akomodoi në shtëpinë e një familjeje, e cila gjendej në Greqi. Pronari i shtëpisë quhej Suat Xhaholli dhe ishte njeri me shumë vlera. Në fillim fshatarët na sillnin ushqime nga shtëpitë e tyre, më vonë erdhën ndihma dhe shpërndaheshin te të gjithë refugjatët në formë të organizuar. Bashkë me familjen time ishte edhe shoku im nga Prishtina Ibrahim Zeka.

Vajzat e axhës, Shehide Hoti me bashkëshortin Zymerin dhe Bahtije Buzuku me bashkëshortin Zeqirin u vendosën në fshatin Lozhan afër Maliqit. Shehidja kishte me vete dy nipërit e vegjël, pasi vajza dhe dhëndërri nuk kishin mundur të ikin nga Podujeva dhe kishin ngelur në Kosovë. Edhe ato dhe të gjithë tjerët janë pritur shumë mirë nga nikoqirët e tyre. Shehidja edhe sot tregon me lot në sy se si pronarja e shtëpisë çdo mëngjes i sillte vezë dhe qumësht për nipërit. Edhe pse vetë nuk kishin kushte të mira dhe pasuri, ata e ndanë kafshatën e fundit me ne.

I vizitonim çdo fundjavë njerëzit tanë, për të hequr mërzi dhe për t'a ndihmuar njëri-tjetrin. Të gjithë fshatarët na jepnin kurajo, ngrohtësi vëllazërore dhe mbështetje të madhe emocionale në atë kohë të rëndë.

Bahtije dhe Zeqir Buzuku

Bahtijes dhe Zeqirit u erdhi për vizitë djali i madh Ademi nga Gjermania. Ishte një emocion i veçantë dhe një përkrahje e madhe për prindërit dhe të gjithë ne. Fshatarët ngrenë dolli për djalin mërgimtar, i cili bashkë me shokun Bekim Bilalli kishte ardhur t'i vizitojë prindërit. Bahtije dhe Zeqir Buzuku ju tregonin nikoqirëve se si nxënës të shkollës fillore në Prishtinë i kishin mësuar poezitë e bukura të shkrimtarëve shqiptarë, si „Mëmëdhe“ të Çajupit, „Andrra e jetës“ të Ndre Mjedës, „Shko dallëndyshe“ të Filip Shirokës e shumë vjersha e këngë tjera të të gjitha trevave shqiptare. Ata habiteshin e gëzoheshin për këtë dashuri e mall të madh që kishin shqiptarët e Kosovës për Shqipërinë. Si duket kishin pasur informata të mangëta për jetën tonë në Kosovë. Bahtija i recitonte disa vargje, të cilat akoma i kishte mbajtur në mend dhe i emociononte të gjithë.

Nipi i dytë i Shehides, Bardh Maloku nga Podujeva i kishte atëherë vetëm tetë vjet, por ishte shumë i zgjuar dhe shumë komunikativ. Ai na dha lajmin e shumëpritur për hyrjen e trupave të NATO-s në Kosovë, të cilin e kishte parë në televizion.

Menjëherë pas kthimit tonë në Kosovë na kanë vizituar nikoqirët nga Korça dhe na kanë bërë nder të madh. Ishte një gëzim i paparë t'i presim ata në tokën tashmë të çliruar të Kosovës.

Gjatë këtyre 24 viteve të pasluftës unë i kam vizituar 7 herë vëllezërit e motrat tona në Korçë. Si gjithmonë ata na presim me shumë ngrohtësi e dashuri dhe i rikujtojmë bashkë ditët e vështira të luftës. Jemi takuar në një kohë të rëndë, patjetër. Por kjo njohje na ka afruar si komb, sepse kemi pasur rastin t'a shohim me sytë tanë realitetin shqiptar të asaj kohe. Gjithashtu na është ofruar mundësia t'i tregojmë njëri-tjetrit për jetën tonë si shqiptarë në Kosovë e ata na sqaronin neve jetën e tyre të mundimshme gjatë kohës së monizmit në Shqipëri.

Shoqëria jonë e çiltër që lindi në atë kohë lufte theu dhe asgjësoi paragjykimet e dy palëve. Solli në sipërfaqe dashurinë dhe mallin që kishim pasur ndaj njëri-tjetrit. Na dëshmoi fuqishëm se jemi një komb. Mirësinë dhe ndihmën e njerëzve në Shqipëri nuk do e harrojmë kurrë. Ajo është ngulitur në kujtesën dhe zemrën time dhe të familjes së gjerë. Ndoshta ky rrëfim imi do jetë kontribut që solidariteti mbarëkombëtar gjatë luftës së Kosovës të kujtohet, vlerësohet dhe të mos lihet në harresë“, përfundon tregimin e tij Qemajl Gashi.

Rrëfimi i tretë

„Prishtinën e kam dashur gjithmonë“

„Si i ri kisha shkuar disa herë për të punuar në Prishtinën e viteve shtatëdhjetë. Në parkun e Taukbashqes gjendej një panair argëtimi për fëmijë e të rinj, ku isha i angazhuar vite me radhë me disa shokë“, nis tregimin e tij Nadi Bilalli nga Tetova, 65 vjeç.

Xhevrije dhe Nadi Bilalli me vajzën Ermira

Fati e deshi dhe Nadiu u bë dhëndërr Kosove. Bashkëshortja Xhevrija kishte lindur dhe ishte rritur në Prishtinë. Asokohe martesa në një qytet mbi 100 km larg ishte diçka e jashtëzakonshme. Por respekti dhe mirëkuptimi i ndërsjellë i dy familjeve ishte i lartë dhe sfidat e udhëtimit të gjatë nga Tetova për në Prishtinë dhe anasjelltas tejkaloheshin më lehtë.

„Me shokët e mi vinim enkas nga Tetova për të parë ndeshjet e ekipit KF Prishtina, e cila në vitet 80 ishte shumë e suksesshme dhe hyri në ligën e parë jugosllave. Atmosfera në qytet e në stadium ishte e papërshkrueshme. Nga Podujeva vinin simpatizuesit me daulle, këndonim e kërcenim nëpër qytet e gjatë lojës. Fadil Vokrri ishte yll i futbollit dhe një talent i rrallë, të cilin e adhuronin të gjithë. Ndeshjet futbollistike të asaj kohe shndërroheshin edhe në protesta popullore, për të treguar se Kosova ka cilësi në sport, arsim e kulturë dhe duhet t'i ketë të drejtat e barabarta me popujt tjerë në ish-Jugosllavi. Kuptohet se regjimit të asaj kohe nuk i pëlqente ky ngazëllim dhe ky sukses aq i madh i shqiptarëve të Kosovës“, shpalos kujtimet Nadi Bilalli.

Me shkatërrimin e Jugosllavisë, fillimin e luftërave në Kroaci e Bosnjë e me keqësimin e gjendjes në Kosovë, vizitat e ndërsjella u bënë më të mundimshme. Por prapseprapë familjet nuk i ndërprenë kontaktet dhe i ruajtën ato sipas mundësive që kishin.

Disa familjarë të Xhevrijes patën ardhur në Tetovë para fillimit të bombardimeve të NATO-s në 1999. Pas keqësimit të gjendjes numri i të dëbuarve nga Kosova u shtua dukshëm në Tetovë e në qytete tjera të Maqedonisë së Veriut. Për familjarët nga Kosova është kujdesur e gjithë familja me shumë angazhim e zemërgjerësi. Shumë nga ta i strehuan në shtëpinë e tyre ose ju gjetën shtëpi te farefisi dhe te komshinjtë në lagje. Xhevrija u kujdes për nënën e saj, gruan e axhës, motrat me fëmijë, vëllain me fëmijë, nipat, mbesat, kushërinjtë e shumë të tjerë, të cilët kishin ardhur në Tetovë, e njihnin Nadiun dhe drejtoheshin te ai. Edhe nëna, motrat dhe vajzat e Nadiut ndihmonin të ardhurit dhe i pritnin mirë. Vajza e madhe Vildan Ibraimi kishte punuar në atë kohë të vështirë edhe si përkthyese dhe si vullnetare në kampet e refugjatëve në Maqedoni.

Ata që kanë pasur fatin të jenë mysafirë në Tetovë e qytete tjera e dinë se me çfarë ngohtësie dhe respekti priten njerëzit atje. Kjo u dëshmua edhe gjatë luftës në Kosovë, ku pothuajse të gjithë qytetarët e fshatarët hapën dyert e shtëpive për të dëbuarit. Disa nga ta ishin mërgimtarë dhe u lëshuan refugjatëvë gjithë shtëpinë e re pa asnjë kompenzim.

„Tetova për ne ishte qyteti që na ofroi siguri e mbrojtje në një periudhë shumë të vështirë. Unë kisha fatin që me fëmijët e mi erdha te motra ime Xhevrija dhe te dhëndrri Nadi Bilalli, të cilët meritojnë respekt, falënderim e mirënjohje të veçantë për ndihmën e sakrificën që bënë për ne. Motra ime gatuante bukë tri herë në ditë për shumë njerëz. Shpresoj që ky solidaritet aq i madh e kjo dashuri e pakusht të mos lihen në harresë. Ne e kemi vizituar motrën tonë edhe para luftës rregullisht, por nga lufta e këtej qyteti i Tetovës zë një vend të madh në zemrat tona“, shpalos kujtimet e saj Ajshe Kasumi nga Prishtina.

Edhe djali i saj Alban Kasumi, i cili atëbotë ishte student i artit në Universitetin e Tetovës, kohën e vështirë të luftës dhe solidaritetin me të dëbuarit e konsideron si bashkim dhe afrim të dy qyteteve, Prishtinës dhe Tetovës. Me shoqërinë e atëhershme akoma mban kontakte të rregullta.

Cili do ishte mesazhi i këtyre rrëfimeve?

Do na bëntë mirë të gjithëve sikur të mos e harronim njëri-tjetrin aq shpejt.

T'i shkojmë njëri-tjetrit për vizitë, sidomos familjeve të dëshmorëve dhe të moshuarve.

T'ju ndihmojmë njerëzve.

Të mos i harrojmë të mirat që na kanë bërë të tjerët.

Të mos i konsiderojmë kontaktet familjare e shoqërore si të tejkaluara, por si vlera të mirëfillta.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora