E premte, 19.04.2024, 11:48 PM (GMT+1)

Mendime

Albert Zholi: Gruaja dhe peizazhi social-ekonomik shqiptar

E marte, 18.07.2023, 07:58 PM


Gruaja dhe peizazhi social-ekonomik shqiptar

Nga Albert Z. ZHOLI

Instinkti i grave është i barabartë me mendjemprehtësinë e burrave të mëdhenj. Një femër e fortë e kupton se logjika,vendosmëria dhe fuqia janë po aq femërore sa intuita dhe lidhja emocionale. Ajo i vlerëson dhe i përdor të gjitha këto dhunti. Në një peizazh social, ekonomik, kulturologjik, etik etj., që ato e paragjykojnë si të rënduar nga mosvëmendja e burrave, pija, duhani, erotizmi si qëllim në vetvete dhe maskilizmi, vërtiten rreth të njëjtave tema, duke rrethuar me pikëpyetje dhe dilema marrëdhëniet me partnerët, të cilët, gjithsesi, i paragjykojnë, më së paku, si indiferentë ndaj pranisë dhe… sharmit të tyre.

“Ai nuk është fare romantik. asnjë nuk më kupton dot”… “…Sikur të ishte sadopak idealist në dashuri… S’më thotë dot të dua…ka turp të më përkëdhel në sy të njerëzve...nuk është tip argëtues…nuk i pëlqejnë shëtitjet…mbeti duke parë sport…nuk është shumë i pasur…nuk është shumë i bukur…nuk ka fantazi..nuk më jep liri...ndihem si e mbytur brenda një marrëdhënieje me rregulla strikte të dikurshme patriarkale” etj…Rreth të gjitha këtyre përqëndrohet biseda në një shoqëri tipike femrash shqiptare, të cilat me një filxhan kafeje në dorë dhe duke përkrahur sa më shumë njëra -tjetrën (në të vetmen pike, që kanë gjithmonë të njejtin mendim midis tyre), fillojnë të akuzojnë burrat si fajtorë kryesorë ndaj mentalitetit të prapambetur në shoqërinë ku jetojnë dhe shprehin pakënaqësi për gjithçka.

Nga ana tjetër (përpos sa më lart), jemi pak a shumë të ndërgjegjshëm që shoqëria shqiptare është akoma e zhytur brenda një koncepti tepër të prapambetur kundrejt femrave. Ja p.sh, t'ia fillojmë nga lidhja martesore. Martesa përbën një lidhje shpirtërore, ndjesore dhe shoqërore, në të cilën të dy palët pranojnë të ndajnë dhe të gëzojnë në mënyrë të barabartë gjithçka, gjë e cila në Shqipëri akoma mbetet vetëm si ide në shumicën e rasteve. Thonë që burri është koka e shtëpisë dhe gruaja qafa, por, për fat të keq, në një familje tipike tradicionale shqiptare, burri është kokë dhe qafë bashkë. Gruaja është pa mendim ndaj asgjëje, e lehtë si pupla në erë. Në disa zona rurale, ku ende sundon ende psikologjia e Kanunit, gruaja konsiderohet si pronë e burrit. Ai ka lirinë e veprimit, të fjalës, të mendimit. Ai programon dhe marrëdhëniet seksuale. Gruaja është thjesht e detyruar të plotësojë çdo oreks dhe dëshirë të tij, si një marionetë e drunjtë, pa ndjenja...

E kanë pakëz në gen femrat grindjen, pakënaqësinë në përgjithësi për gjithçka, ku për to fajin e kanë të gjithë dhe në veçanti burrat. Por mos e kanë tepruar pak, duke ia hedhur fajin shoqërisë apo burrave?! Mos vetë femra shqiptare ka faj për këtë ndrydhje dhe mbizotërim sjelljesh maskiliste brenda shoqërisë tipike shqiptare? Besimi në vetvete është një armë e fortë mbrojtëse për një femër. Nëse një femër është e pajisur me këtë armë të fortë, atëherë mund të ndryshoj gjithçka. Si mundet ta gjejë këtë armë?

Është fare e thjeshtë ...

Jeta është aritmetike Olimbi, -i drejtohej Nikollaqi te “Karnavalet” e famshme të Korçës bashkëshortes. Le të zhvillojmë veprimin e mëposhtëm aritmetik, që mund t’ia drejtoj vetes çdo femër: “Ajo çka mendoj se jam…Doket dhe zakonet e pandryshueshme …Zakonet e dëmshme të mijat…Urdhërat që marr prej shoqërisë…Gjërat e kushtëzuara që duhet t’i zbatoj medoemos…Shuma e ndikimeve ndaj meje…Boshllëku i krijuar nga çka refuzoj, duke zbatuar me përpikmëri çdo rregull shoqëror...” Duke bërë shumën e mbledhjes, pa pasur nevojë të bëjmë provë ta vërtetojmë...do marrin si rezultat "pasaportën” e tyre. Dhe, duke qenë tashmë me identitet, gjithësecila nga femrat mund të ndihet e lirë (sipas normave) në çdo çast, përtej ngushtësive të ambientit shqiptar...e lirë jo siç ndihet vetë, por siç e kërkojnë normat...e lirë të gjejë sjelljen dhe reagimin në orën e duhur. E lirë të jetë e pa parashikueshme, pa u ndjerë fajtore ndaj çdo gjëje skeptike që e rrethon dhe ndaj çdokujt, pa frikën se mund të shkaktojë pakënaqësi apo deziluzion.

Një pasazh i rëndësishëm biblik

Mos të harrojmë një pasazh të rëndësishëm biblik. Femra e parë (Eva joshëse ), mori përsipër përgjegjësinë më të madhe, për të liruar veten dhe burrin e saj, Adamin, nga harresa e parashikuar dhe nga gjithë tabutë e Parajsës së përjetshme. Njerëzimi ekziston dhe evoluon, sepse dikush, dikur theu një rregull, vuri në dyshim një urdhër, nuk besoi në një fjalë, nuk ju bind një ligji... Dhe, natyrshëm, lind pyetja: Po nëse një femër, që njeh mirë vetveten dhe fillon të reagojë ashpër ndaj mentalitetit të mykur, nis një betejë disi të ashpër ndaj tabuve, injorancës, një femër që lufton për idealet dhe të drejtat e saj, në një shoqëri gjysëmanadollake, gjysëmmoderne dhe tipike maskiliste, do të karakterizohet si një njeri i shenjtë apo thjesht si një nevrike në caqe histerizmi ?!

Aristoteli thoshte: “Kam një gur në dorë. Mund të zgjedh ta mbaj në dorë ose ta hedh. Sa kam gurin në dorë, kam dy mundësi. Por sapo ta hedh, atëhere nuk do mundem të zgjedh më, nëse do ta mbaj apo do ta hedh. Ka zgjidhje që të japin mundësi dhe zgjidhje që t’i marrin këto mundësi”. Kështu dhe në rastin e femrës shqiptare. Nëse ajo zgjedh të jetë skllave e dëshirave maskiliste dhe mentalitetit të ndrydhur shoqëror, vazhdon të jetë “e lirë”, ndërsa në qoftë se tenton të zgjedh, të ndryshojë gjendjen e kësaj mbylljeje…?! Shumica e femrave shqiptare jetojnë në këtë mënyrë, sepse, në shumë raste, duket se është zgjidhja më e mirë për to. “Unë e ngre zërin-jo që të bërtas, por që, ata që nuk kanë mundësi të shprehen, të mund të dëgjohen… ne nuk mund të kemi sukses kur gjysma prej nesh ngurojnë.”-shprehet Malala Yousafzai, aktiviste pakistaneze për të drejtën e arsimit të grave, fituesja më e re e çmimit Nobel.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora