| E marte, 18.07.2023, 07:58 PM |
Gruaja dhe peizazhi social-ekonomik shqiptar
Nga
Albert Z. ZHOLI
Instinkti i grave është i barabartë me
mendjemprehtësinë e burrave të mëdhenj. Një femër e fortë e
kupton se logjika,vendosmëria dhe fuqia janë po aq femërore sa intuita dhe
lidhja emocionale. Ajo i vlerëson dhe i përdor të gjitha këto dhunti. Në një peizazh social, ekonomik, kulturologjik, etik etj., që ato
e paragjykojnë si të rënduar nga mosvëmendja e burrave, pija, duhani, erotizmi
si qëllim në vetvete dhe maskilizmi, vërtiten rreth të njëjtave tema,
duke rrethuar me pikëpyetje dhe dilema marrëdhëniet me partnerët, të
cilët, gjithsesi, i paragjykojnë, më së paku, si indiferentë ndaj pranisë
dhe… sharmit të tyre.
“Ai
nuk është fare romantik. asnjë nuk më kupton dot”… “…Sikur të ishte sadopak
idealist në dashuri… S’më thotë dot të dua…ka turp të më përkëdhel në sy
të njerëzve...nuk është tip argëtues…nuk i pëlqejnë shëtitjet…mbeti duke parë
sport…nuk është shumë i pasur…nuk është shumë i bukur…nuk ka fantazi..nuk më
jep liri...ndihem si e mbytur brenda një marrëdhënieje me rregulla strikte të
dikurshme patriarkale” etj…Rreth të gjitha këtyre përqëndrohet biseda në një
shoqëri tipike femrash shqiptare, të cilat me një filxhan kafeje në dorë dhe
duke përkrahur sa më shumë njëra -tjetrën (në të vetmen pike, që kanë gjithmonë
të njejtin mendim midis tyre), fillojnë të akuzojnë burrat si fajtorë kryesorë
ndaj mentalitetit të prapambetur në shoqërinë ku jetojnë dhe shprehin
pakënaqësi për gjithçka.
Nga
ana tjetër (përpos sa më lart), jemi pak a shumë të ndërgjegjshëm që shoqëria
shqiptare është akoma e zhytur brenda një koncepti tepër të prapambetur
kundrejt femrave. Ja p.sh, t'ia fillojmë nga lidhja martesore. Martesa përbën
një lidhje shpirtërore, ndjesore dhe shoqërore, në të cilën të dy palët
pranojnë të ndajnë dhe të gëzojnë në mënyrë të barabartë gjithçka, gjë e cila
në Shqipëri akoma mbetet vetëm si ide në shumicën e rasteve. Thonë që burri
është koka e shtëpisë dhe gruaja qafa, por, për fat të keq, në një familje
tipike tradicionale shqiptare, burri është kokë dhe qafë bashkë. Gruaja është
pa mendim ndaj asgjëje, e lehtë si pupla në erë. Në disa zona rurale, ku ende
sundon ende psikologjia e Kanunit, gruaja konsiderohet si pronë e burrit. Ai ka
lirinë e veprimit, të fjalës, të mendimit. Ai programon dhe marrëdhëniet
seksuale. Gruaja është thjesht e detyruar të plotësojë çdo oreks dhe dëshirë të
tij, si një marionetë e drunjtë, pa ndjenja...
E
kanë pakëz në gen femrat grindjen, pakënaqësinë në përgjithësi për gjithçka, ku
për to fajin e kanë të gjithë dhe në veçanti burrat. Por mos e kanë tepruar
pak, duke ia hedhur fajin shoqërisë apo burrave?! Mos vetë femra shqiptare ka
faj për këtë ndrydhje dhe mbizotërim sjelljesh maskiliste brenda shoqërisë
tipike shqiptare? Besimi në vetvete është një armë e fortë mbrojtëse për një
femër. Nëse një femër është e pajisur me këtë armë të fortë, atëherë mund të
ndryshoj gjithçka. Si mundet ta gjejë këtë armë?
Është
fare e thjeshtë ...
Jeta
është aritmetike Olimbi, -i drejtohej Nikollaqi te “Karnavalet” e famshme
të Korçës bashkëshortes. Le të zhvillojmë veprimin e mëposhtëm aritmetik, që
mund t’ia drejtoj vetes çdo femër: “Ajo çka mendoj se jam…Doket dhe zakonet e pandryshueshme
…Zakonet e dëmshme të mijat…Urdhërat që marr prej shoqërisë…Gjërat e
kushtëzuara që duhet t’i zbatoj medoemos…Shuma e ndikimeve ndaj meje…Boshllëku
i krijuar nga çka refuzoj, duke zbatuar me përpikmëri çdo rregull shoqëror...”
Duke bërë shumën e mbledhjes, pa pasur nevojë të bëjmë provë ta vërtetojmë...do
marrin si rezultat "pasaportën” e tyre. Dhe, duke qenë tashmë me
identitet, gjithësecila nga femrat mund të ndihet e lirë (sipas normave) në çdo
çast, përtej ngushtësive të ambientit shqiptar...e lirë jo siç ndihet vetë, por
siç e kërkojnë normat...e lirë të gjejë sjelljen dhe reagimin në orën e duhur.
E lirë të jetë e pa parashikueshme, pa u ndjerë fajtore ndaj çdo gjëje skeptike
që e rrethon dhe ndaj çdokujt, pa frikën se mund të shkaktojë pakënaqësi apo
deziluzion.
Një
pasazh i rëndësishëm biblik
Mos
të harrojmë një pasazh të rëndësishëm biblik. Femra e parë (Eva joshëse ), mori
përsipër përgjegjësinë më të madhe, për të liruar veten dhe burrin e saj,
Adamin, nga harresa e parashikuar dhe nga gjithë tabutë e Parajsës së
përjetshme. Njerëzimi ekziston dhe evoluon, sepse dikush, dikur theu një
rregull, vuri në dyshim një urdhër, nuk besoi në një fjalë, nuk ju bind një
ligji... Dhe, natyrshëm, lind pyetja: Po nëse një femër, që njeh mirë vetveten
dhe fillon të reagojë ashpër ndaj mentalitetit të mykur, nis një betejë disi të
ashpër ndaj tabuve, injorancës, një femër që lufton për idealet dhe të drejtat
e saj, në një shoqëri gjysëmanadollake, gjysëmmoderne dhe tipike maskiliste, do
të karakterizohet si një njeri i shenjtë apo thjesht si një nevrike në caqe
histerizmi ?!
Aristoteli
thoshte: “Kam një gur në dorë. Mund të zgjedh ta mbaj në dorë ose ta hedh. Sa
kam gurin në dorë, kam dy mundësi. Por sapo ta hedh, atëhere nuk do mundem të
zgjedh më, nëse do ta mbaj apo do ta hedh. Ka zgjidhje që të japin mundësi dhe
zgjidhje që t’i marrin këto mundësi”. Kështu dhe në rastin e femrës shqiptare.
Nëse ajo zgjedh të jetë skllave e dëshirave maskiliste dhe mentalitetit të
ndrydhur shoqëror, vazhdon të jetë “e lirë”, ndërsa në qoftë se tenton
të zgjedh, të ndryshojë gjendjen e kësaj mbylljeje…?! Shumica e femrave
shqiptare jetojnë në këtë mënyrë, sepse, në shumë raste, duket se është
zgjidhja më e mirë për to. “Unë e ngre zërin-jo që të bërtas, por që, ata që nuk kanë
mundësi të shprehen, të mund të dëgjohen… ne nuk mund të kemi sukses kur gjysma
prej nesh ngurojnë.”-shprehet Malala Yousafzai, aktiviste pakistaneze për të
drejtën e arsimit të grave, fituesja më e re e çmimit Nobel.