E shtune, 20.04.2024, 03:02 PM (GMT+1)

Kulturë

Rudolf Marku: Kur vriteshin poetët

E hene, 17.07.2023, 08:00 PM


KUR VRITESHIN POETËT

Nga Rudolf Marku

1.

Me 17 korrik bëhen plot 46 vite që kur u vranë nga një togë ekzekutorësh dy poetë shqiptarë, Genc Leka dhe Vilson Blloshmi. Njëri ndër krimet më të shëmtuar të sitemit komunist shqiptar, një krim unik i asaj kohe në raport me të gjithe vendet e tjera të botes! Kishte kohë që bota kishte shpallur ligjin e heqjes se denimit me vdekje edhe për vetë vrasësit, kurse një vend si Shqipëria dënonte me vrasje poetet e gjuhës së vet vetëm e vetëm ngase shkruanin Poezi… Më lejoni të sjellë dy  kujtime të mia personale, një i vitit 1994 dhe tjetri i vitit 2012, qe lidhen terthorazi me dy poetet e ekzekutuar...Janë kujtime, që nuk sjellin asgjë të re në dokumentacionin e jetës se dy poetëve fatkeqë, por që na sjellin ne kujtesë se urrejtja e jonë per Poetet nuk i perket vetem te shkuarës tonë. Shkrimtari Sadik Bejko ka bërë një punë të jashtëzakonshme për të zbuluar të verteten e jetës dhe vrasjes së  Blloshmit dhe Lekes, duke botuar dy vëllime me dokumentacione arkivore, dhe duke sjellë shëmbullin se si një poet i gjallë përkujdeset për dy kolegë, të  ekzekutuar në mënyrën më barbare- jo në vitin 1941 a 1942 a 1943,-por në vitin 1977; dhe jo të ekzekutuar  nga pushtuesit fashist a nazistë a nga bandat fashisto-monarkiste greke a bandat jugosllove, por nga bashkatdhetarët e vet të nderuar, që sot e kësa dite janë shëndosh e mirë, madje duke gjalluar nëpër kryesira të partive të lavdishme të demokracisë Perendimore. Ironikisht, të asaj demokracie, simpatia për të cilën shërbeu dhe si pretekst  për të  ekzekutuar  dy poetët e pafajshëm.

...Viti 1994, nëse nuk gaboj.  Së bashku me Pjeter Arbërorin, Sadik Bejkon,  dhe ca miq të tjerë u patëm ftuar në Librazhd për të marrë pjesë në varrosjen e eshtrave të Genc Lekes dhe Vilson Blloshmit. Pasi patëm parë vendin e ekzekutimit të dy poetëve fatkeqë, një prozhmë e vetmuar pylli, buzë një përroi të tharë, një yrt ndjellakeqas, dhe pas një ceremonie përkujtimore në Shtëpinë e Kulturës së qytetit,  u drejtuam për në Varreza duke mbajtur mbi supe peshën e dy arkivoleve me ato pak eshtra të mbetura . Ishte  kortezhi  më i zymtët që kam parë në jetën time...Arkivolët qenë të lehtë, ngaqë qenë pothuajse bosh, e prapë rëndonin aq shumë,sa pesha e krimit që kishte marrë jetën e dy poetëve të pafajshëm. Një krim bërtitës, barbar, i shëmtuar, hakërrimi i injorancës kundër kulturës, i shtazërisë kundër butësisë njerëzore të poezisë, i shëmtimit të përjetshëm kundër bukurisë së shpirtit... Kur ja, tek po ecnim në një rrugë mes qytezez së shkretë e  të zymtë, papritur dëgjojmë një zë  të shqiptuar me tërë forcën e gërmazit,  si sfidë, : Mirë jua kemi bërë!...Kthejmë kokën, dhe shohim se këto fjalë janë shqiptuar nga një njeri me një pamje groteske, me një shprehje ligësish të provincave të thella,i tharë, i rrudhur keqas, me një kapele leniniste, një lloj shapkë bolshevike,  ulur në një parvaz vitrinash të një dyqani të boshatisur buzë rruge, që vazhdoi, pas kësaj klithjeje, ritualin e pertypjes sê farerave të lulediellit…

Menjeherë më shkoi ndërmend Ferri i Dantes, klithmat nga gropat tërë gjarpërinj dhe merimanga, klithmat e ligësisë njerëzore, që herë artikulohen si pasione politike, herë si artikuj gazetash, herê si artikuj kritikë- aq të pranishme në jetën e përditshme shqiptare- herë si sulme kundërshtarësh dhe herë si dëshira shqyerjesh...Për Kolakowskin, barbaria Totalitare, në përgjithësi ( mendojeni vetë se ç’mund të themi pastaj  për ligësinë totalitare të markës shqiptare), mbetet dhe shprehja e prezencës së Djallit në Histori. Çfarë kemi bërë për ta përzënë Djallin nga Historia jonë? – pyet ai edhe për ne të gjithë. Më duket se kemi bërë të kundërten : kemi bërë çmosin për ta joshur që të qëndrojë mes nesh! Po të ishim vertetë një shoqëri e qytetëruar, kur vjen puna tek dënimi i krimeve të së kaluares, mendoj se të gjithë ne duhej të ishim përtej pikëpamjeve të majta a të djathta, përtej pozicionimeve partiake, sepse normalisht si qënie njerëzore duhej të kishim përqafuar atë ide të kahershme të Adam Miçnikut që thosh se Jeta më ka mësuar  po qe se dikush është duke u fishkëlluar nga një kamxhik dhe se dikush tjeter është duke fishkëlluar dikë me kamxhik, gjithmonë jam në anën e tij që është duke u fishkëlluar nga kamxhiku...Por jo në Shqipëri...Më ka mbetur në kujtesë  ajo britmë e atij njeriu me kasketë- Mirë ua kemi bërë! –thënë si një sfidë triumfuese, në numrin shumës. Qënja që tha këto fjalë ishte një qënie e mjerë, e rrënuar, me rrudha që nuk vinin veç nga pleqëria-qenë rrudha ligësie, ca brazda ku ka pikuar pikë-pikë, çdo ditë, ligësia e panevojshme njerëzore. Qenë fjalë të artikuluara nga një njeri me siguri i përbuzur nga gruaja e vet dhe nga fëmjët e vet...Të urresh edhe në ceremoninë e varrimit, aq më tepër në ceremonnë e varrimit të dy poetëve të pafajshëm?..Mos është kjo skenë një symbol i  trishtë i Shqipërisë tonë? Nuk dua ta besojë. Por ja që fytyra tërë rrudha me një kasketë groteske leniniste në kokë, më thotë se është më mirë që unë vetë duhet të besojë te simbolet. Sepse mënçuria njerëzore qënka në proporcion të drejtë me aftësinë tonë që kemi (a nuk kemi) që të mund të deshifrojmë simbolet që na rrethojnë në çdo hap....

2.

Është viti 2014. Jam në Tiranë, në Panairin e Librit, kur një vajzë më thërret që nga Stendat e Librit – Dikush ka lënë një libër për ty. Ka pritur të paktën nja 4 orë të mira që të takoheshit. Më dha librin. Më erdhi aq keq që isha bërë shkaktar që një njeri kishte pritur gjatë në një ambient të rrëmuejshëm e tërë zhurmë si ay i një Panairi.  Me siguri libri qe shkruar nga personi i panjohur që kishte dashur të takoheshim. E mora atë libër me kujdes dhe lexova titullin dhe emërin e autorit- ‘’Ngadhnjimi i Shpirtit- Poetët martirë,,. Autori-Nazmi Seitaj. Shtëpia Botuese-Globus R.  Është një libër kujtimesh kushtuar poetëve martirë Genc Leka dhe Vilson Blloshmi. Shkruar nga një mik intim i tyre i feminisë.  Fillova të shfletojë librin, kur shoh një pusullë letre të shkruar me shkrim dore dhe të lënë mes faqeve të librit: ‘’ ...dëshëroj që t’iu dhurojë këtë libër. Arsyen do ta gjeni në faqen 102. Përshendetje , autori, Nazmi Seitaj.’’

Përnjeherë shkove te faqja 102 të cilën po e riprodhojë këtu:

‘’...Genci erdhi nga Qukësi me një gazetë në dorë dhe  na gjeti aty te shkëmbi në rrafshinë. Nuk më kujtohet nëse ajo ishte gazeta ‘’Drita’’ apo ‘’Zëri i  Rinisë,, por mbaj mënd se Genci  ishte befasuar nga një tregim i Rudolf Markut, që rëfente për dashurinë fatkeqe të poetit arbëresh, Zef Serembe.Tregimin e lexoi Genci. Ne herëpashere e ndërprisnim dhe komentonim. ato fragmente të tregimit që na linin mbresa.

Nuk më harrohen se si i përsëriste Genci fjalët e Serembes, kur dikush i thotë atij në çastin që kishte qëndruar mbi varrin e vajzës në dheun e largët të Brazilit: ‘’Sa shumë që ju ka dashur’’

‘’Ajo nuk më ka dashur kurrë,,- ia ktheu Serembe i pikëlluar-ajo s’më ka dashur kurrë!’’,.....

Lexuesi i këtyre kujtimeve nuk e merr me mend se sa dashamirës ishin këta poetë për ata krijues që shkruanin me aq dashamirësi  e lirizëm për jetën dhe njeriun.Ata nuk kanë qënë kurrë ziliqarë. Ndienin kënaqësi kur lexonin krijime, të cilat qëndronin larg skematizmit vulgar dhe politik.

Rudolf Marku,ky moshatar i Vilson Bloshmit e ky krijues nga Lezha e largët, i mrekulloi këta Poetë, paçka se atyre nuk u lejohej të botonin. Le të botonin të tjerët, për ato çka ndinin ata në zemrat e   tyre...’’

Kjo ishte ajo çfarë kishte shkruar autori në librin e vet të kujtimeve. Një autor, të cilin, për fatin tim të keq, nuk arrita ta takoja kurr!

Per Blloshmin dhe Leken qene botuar disa shkrime dhe monografi, nga njerez qe kishin patur ne duar dokumentacionin e plote, por kete fakt, qe ma kishte përmendur si shkarazi vetem nje here i ndjeri Zydi Morava (‘’ e di, Rudolf, se kam ndeshur ne nje leter ku Vilson Blloshmi te lavderon nje tregimin tend?,,), ca njerez kishin bere çmosin ta fshihnin, qe te mos e lexonte askush! Dhe sidomos te mos e lexoja unë!

3.

Tregimin e sipër përmendur e kam shkruar dhe botuar rnë moshën 20 vjeçare. Vetem disa vite me vone, në një ribotim te librit të Sadik Bejkos për dy poetët e vrarë lexoj se, ca ditë më vonë nga ajo ditë që rrëfen Nazmi Seitaj, Genci i ka shkruar një letër Vilsonit rreth tregimit për Zef Seremben, me entuziamin dhe dashamirësine karekteristike të një poeti të talentuar e të kultivuar. Letra ndodhet në dosjet e dy poetëve (shih librin për Genc Lekën dhe Vilson Blloshmin- përgaditur me parathënie të I. Kadaresë dhe pasthënie nga Sadik Bejko).

Nuk e kisha ditur më parë se kisha qënë, qoftë dhe për ca ditë të vetme, në kujtesen e këtyre dy poetëve . Nuk e kam ditur as atë ditë kur shkova në Librazhd në ceremoninë e varrimit të eshtarve të tyre të gjetura në një rrëpirë mali, buzë një përroi. Nuk e kisha ditur për vite me rradhë. Vilsoni dhe Genci me siguri kanë përmendur me dashuri dhe shkrimtarë të tjerë bashkëkohor shqiptar, moshatarë të tyrët apo dhe më të mëdhenj nga mosha. Përmendja e emërin tim është thjesht një koinçidencë fatlume, nga ato koinçidencat që vijnë nga shkëndijat hyjnore. Por ajo që më prek në gjithë këtë histori është dashamirësia e jashtëzakonshme e këtyre dy poetëve që jetonin në  një provincë të humbur e të izoluar, të vëzhguar e të kërcënuar në çdo hap të jetës së tyre. E prapë të përshkuar me një dritë të brendshme kulture. Deshmi se talenti është miresi, dhe jo zili dhe ligesi, dhe as sharje dhe as përbaltje! Se është në kontrast me agresivitetin e shumë njerëzve sot- me agresivitetin e njeriut dhe shpesh herë me agresivitetin e krijuesve mediokër që jetojnë atë liri që u jep atyre të drejten të shpifin, të shajnë, të përdhosin , të nëpergojnë kolëgët e tyre me përjagie zilish vrastare, apo dhe me atë vrasjen me armë me silenciator-vrasjen me anë të heshtjes.Duke harruar se krijuesit e liq medioker, me shpifjet dhe pergojimet e tyre, veçse projektojnë vetveten e vet besnikerisht, duke bërë vetëportretet e veta ne menyren me realiste dhe me te pagabueshme!  Ja, kjo më shtyu t’i shkruajë këto rrjeshta jo aq mikëluese për lexuesin delikat të sotëm.



(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora