| E hene, 17.07.2023, 08:00 PM |
KUR
VRITESHIN POETËT
Nga
Rudolf Marku
1.
Me
17 korrik bëhen plot 46 vite që kur u vranë nga një togë ekzekutorësh dy poetë
shqiptarë, Genc Leka dhe Vilson Blloshmi. Njëri ndër krimet më të shëmtuar të
sitemit komunist shqiptar, një krim unik i asaj kohe në raport me të gjithe
vendet e tjera të botes! Kishte kohë që bota kishte shpallur ligjin e heqjes se
denimit me vdekje edhe për vetë vrasësit, kurse një vend si Shqipëria dënonte
me vrasje poetet e gjuhës së vet vetëm e vetëm ngase shkruanin Poezi… Më lejoni
të sjellë dy kujtime të mia personale,
një i vitit 1994 dhe tjetri i vitit 2012, qe lidhen terthorazi me dy poetet e
ekzekutuar...Janë kujtime, që nuk sjellin asgjë të re në dokumentacionin e
jetës se dy poetëve fatkeqë, por që na sjellin ne kujtesë se urrejtja e jonë
per Poetet nuk i perket vetem te shkuarës tonë. Shkrimtari Sadik Bejko ka bërë
një punë të jashtëzakonshme për të zbuluar të verteten e jetës dhe vrasjes
së Blloshmit dhe Lekes, duke botuar dy
vëllime me dokumentacione arkivore, dhe duke sjellë shëmbullin se si një poet i
gjallë përkujdeset për dy kolegë, të
ekzekutuar në mënyrën më barbare- jo në vitin 1941 a 1942 a 1943,-por në
vitin 1977; dhe jo të ekzekutuar nga
pushtuesit fashist a nazistë a nga bandat fashisto-monarkiste greke a bandat
jugosllove, por nga bashkatdhetarët e vet të nderuar, që sot e kësa dite janë
shëndosh e mirë, madje duke gjalluar nëpër kryesira të partive të lavdishme të
demokracisë Perendimore. Ironikisht, të asaj demokracie, simpatia për të cilën
shërbeu dhe si pretekst për të ekzekutuar
dy poetët e pafajshëm.
...Viti
1994, nëse nuk gaboj. Së bashku me
Pjeter Arbërorin, Sadik Bejkon, dhe ca
miq të tjerë u patëm ftuar në Librazhd për të marrë pjesë në varrosjen e
eshtrave të Genc Lekes dhe Vilson Blloshmit. Pasi patëm parë vendin e
ekzekutimit të dy poetëve fatkeqë, një prozhmë e vetmuar pylli, buzë një përroi
të tharë, një yrt ndjellakeqas, dhe pas një ceremonie përkujtimore në Shtëpinë
e Kulturës së qytetit, u drejtuam për në
Varreza duke mbajtur mbi supe peshën e dy arkivoleve me ato pak eshtra të
mbetura . Ishte kortezhi më i zymtët që kam parë në jetën
time...Arkivolët qenë të lehtë, ngaqë qenë pothuajse bosh, e prapë rëndonin aq
shumë,sa pesha e krimit që kishte marrë jetën e dy poetëve të pafajshëm. Një
krim bërtitës, barbar, i shëmtuar, hakërrimi i injorancës kundër kulturës, i
shtazërisë kundër butësisë njerëzore të poezisë, i shëmtimit të përjetshëm
kundër bukurisë së shpirtit... Kur ja, tek po ecnim në një rrugë mes qytezez së
shkretë e të zymtë, papritur dëgjojmë
një zë të shqiptuar me tërë forcën e
gërmazit, si sfidë, : Mirë jua kemi
bërë!...Kthejmë kokën, dhe shohim se këto fjalë janë shqiptuar nga një njeri me
një pamje groteske, me një shprehje ligësish të provincave të thella,i tharë, i
rrudhur keqas, me një kapele leniniste, një lloj shapkë bolshevike, ulur në një parvaz vitrinash të një dyqani të
boshatisur buzë rruge, që vazhdoi, pas kësaj klithjeje, ritualin e pertypjes sê
farerave të lulediellit…
Menjeherë
më shkoi ndërmend Ferri i Dantes, klithmat nga gropat tërë gjarpërinj dhe
merimanga, klithmat e ligësisë njerëzore, që herë artikulohen si pasione
politike, herë si artikuj gazetash, herê si artikuj kritikë- aq të pranishme në
jetën e përditshme shqiptare- herë si sulme kundërshtarësh dhe herë si dëshira
shqyerjesh...Për Kolakowskin, barbaria Totalitare, në përgjithësi ( mendojeni
vetë se ç’mund të themi pastaj për
ligësinë totalitare të markës shqiptare), mbetet dhe shprehja e prezencës së
Djallit në Histori. Çfarë kemi bërë për ta përzënë Djallin nga Historia jonë? –
pyet ai edhe për ne të gjithë. Më duket se kemi bërë të kundërten : kemi bërë
çmosin për ta joshur që të qëndrojë mes nesh! Po të ishim vertetë një shoqëri e
qytetëruar, kur vjen puna tek dënimi i krimeve të së kaluares, mendoj se të
gjithë ne duhej të ishim përtej pikëpamjeve të majta a të djathta, përtej
pozicionimeve partiake, sepse normalisht si qënie njerëzore duhej të kishim
përqafuar atë ide të kahershme të Adam Miçnikut që thosh se Jeta më ka
mësuar po qe se dikush është duke u
fishkëlluar nga një kamxhik dhe se dikush tjeter është duke fishkëlluar dikë me
kamxhik, gjithmonë jam në anën e tij që është duke u fishkëlluar nga
kamxhiku...Por jo në Shqipëri...Më ka mbetur në kujtesë ajo britmë e atij njeriu me kasketë- Mirë ua
kemi bërë! –thënë si një sfidë triumfuese, në numrin shumës. Qënja që tha këto
fjalë ishte një qënie e mjerë, e rrënuar, me rrudha që nuk vinin veç nga
pleqëria-qenë rrudha ligësie, ca brazda ku ka pikuar pikë-pikë, çdo ditë,
ligësia e panevojshme njerëzore. Qenë fjalë të artikuluara nga një njeri me
siguri i përbuzur nga gruaja e vet dhe nga fëmjët e vet...Të urresh edhe në
ceremoninë e varrimit, aq më tepër në ceremonnë e varrimit të dy poetëve të
pafajshëm?..Mos është kjo skenë një symbol i
trishtë i Shqipërisë tonë? Nuk dua ta besojë. Por ja që fytyra tërë
rrudha me një kasketë groteske leniniste në kokë, më thotë se është më mirë që
unë vetë duhet të besojë te simbolet. Sepse mënçuria njerëzore qënka në
proporcion të drejtë me aftësinë tonë që kemi (a nuk kemi) që të mund të deshifrojmë
simbolet që na rrethojnë në çdo hap....
2.
Është
viti 2014. Jam në Tiranë, në Panairin e Librit, kur një vajzë më thërret që nga
Stendat e Librit – Dikush ka lënë një libër për ty. Ka pritur të paktën nja 4
orë të mira që të takoheshit. Më dha librin. Më erdhi aq keq që isha bërë
shkaktar që një njeri kishte pritur gjatë në një ambient të rrëmuejshëm e tërë
zhurmë si ay i një Panairi. Me siguri
libri qe shkruar nga personi i panjohur që kishte dashur të takoheshim. E mora
atë libër me kujdes dhe lexova titullin dhe emërin e autorit- ‘’Ngadhnjimi i
Shpirtit- Poetët martirë,,. Autori-Nazmi Seitaj. Shtëpia Botuese-Globus R. Është një libër kujtimesh kushtuar poetëve
martirë Genc Leka dhe Vilson Blloshmi. Shkruar nga një mik intim i tyre i
feminisë. Fillova të shfletojë librin,
kur shoh një pusullë letre të shkruar me shkrim dore dhe të lënë mes faqeve të
librit: ‘’ ...dëshëroj që t’iu dhurojë këtë libër. Arsyen do ta gjeni në faqen
102. Përshendetje , autori, Nazmi Seitaj.’’
Përnjeherë
shkove te faqja 102 të cilën po e riprodhojë këtu:
‘’...Genci
erdhi nga Qukësi me një gazetë në dorë dhe
na gjeti aty te shkëmbi në rrafshinë. Nuk më kujtohet nëse ajo ishte
gazeta ‘’Drita’’ apo ‘’Zëri i Rinisë,,
por mbaj mënd se Genci ishte befasuar
nga një tregim i Rudolf Markut, që rëfente për dashurinë fatkeqe të poetit
arbëresh, Zef Serembe.Tregimin e lexoi Genci. Ne herëpashere e ndërprisnim dhe
komentonim. ato fragmente të tregimit që na linin mbresa.
Nuk
më harrohen se si i përsëriste Genci fjalët e Serembes, kur dikush i thotë atij
në çastin që kishte qëndruar mbi varrin e vajzës në dheun e largët të Brazilit:
‘’Sa shumë që ju ka dashur’’
‘’Ajo
nuk më ka dashur kurrë,,- ia ktheu Serembe i pikëlluar-ajo s’më ka dashur
kurrë!’’,.....
Lexuesi
i këtyre kujtimeve nuk e merr me mend se sa dashamirës ishin këta poetë për ata
krijues që shkruanin me aq dashamirësi e
lirizëm për jetën dhe njeriun.Ata nuk kanë qënë kurrë ziliqarë. Ndienin
kënaqësi kur lexonin krijime, të cilat qëndronin larg skematizmit vulgar dhe
politik.
Rudolf
Marku,ky moshatar i Vilson Bloshmit e ky krijues nga Lezha e largët, i
mrekulloi këta Poetë, paçka se atyre nuk u lejohej të botonin. Le të botonin të
tjerët, për ato çka ndinin ata në zemrat e
tyre...’’
Kjo
ishte ajo çfarë kishte shkruar autori në librin e vet të kujtimeve. Një autor,
të cilin, për fatin tim të keq, nuk arrita ta takoja kurr!
Per
Blloshmin dhe Leken qene botuar disa shkrime dhe monografi, nga njerez qe
kishin patur ne duar dokumentacionin e plote, por kete fakt, qe ma kishte përmendur
si shkarazi vetem nje here i ndjeri Zydi Morava (‘’ e di, Rudolf, se kam
ndeshur ne nje leter ku Vilson Blloshmi te lavderon nje tregimin tend?,,), ca
njerez kishin bere çmosin ta fshihnin, qe te mos e lexonte askush! Dhe sidomos
te mos e lexoja unë!
3.
Tregimin
e sipër përmendur e kam shkruar dhe botuar rnë moshën 20 vjeçare. Vetem disa
vite me vone, në një ribotim te librit të Sadik Bejkos për dy poetët e vrarë
lexoj se, ca ditë më vonë nga ajo ditë që rrëfen Nazmi Seitaj, Genci i ka
shkruar një letër Vilsonit rreth tregimit për Zef Seremben, me entuziamin dhe
dashamirësine karekteristike të një poeti të talentuar e të kultivuar. Letra
ndodhet në dosjet e dy poetëve (shih librin për Genc Lekën dhe Vilson
Blloshmin- përgaditur me parathënie të I. Kadaresë dhe pasthënie nga Sadik
Bejko).
Nuk
e kisha ditur më parë se kisha qënë, qoftë dhe për ca ditë të vetme, në
kujtesen e këtyre dy poetëve . Nuk e kam ditur as atë ditë kur shkova në
Librazhd në ceremoninë e varrimit të eshtarve të tyre të gjetura në një rrëpirë
mali, buzë një përroi. Nuk e kisha ditur për vite me rradhë. Vilsoni dhe Genci
me siguri kanë përmendur me dashuri dhe shkrimtarë të tjerë bashkëkohor
shqiptar, moshatarë të tyrët apo dhe më të mëdhenj nga mosha. Përmendja e
emërin tim është thjesht një koinçidencë fatlume, nga ato koinçidencat që vijnë
nga shkëndijat hyjnore. Por ajo që më prek në gjithë këtë histori është
dashamirësia e jashtëzakonshme e këtyre dy poetëve që jetonin në një provincë të humbur e të izoluar, të
vëzhguar e të kërcënuar në çdo hap të jetës së tyre. E prapë të përshkuar me
një dritë të brendshme kulture. Deshmi se talenti është miresi, dhe jo zili dhe
ligesi, dhe as sharje dhe as përbaltje! Se është në kontrast me agresivitetin e
shumë njerëzve sot- me agresivitetin e njeriut dhe shpesh herë me agresivitetin
e krijuesve mediokër që jetojnë atë liri që u jep atyre të drejten të shpifin,
të shajnë, të përdhosin , të nëpergojnë kolëgët e tyre me përjagie zilish
vrastare, apo dhe me atë vrasjen me armë me silenciator-vrasjen me anë të
heshtjes.Duke harruar se krijuesit e liq medioker, me shpifjet dhe pergojimet e
tyre, veçse projektojnë vetveten e vet besnikerisht, duke bërë vetëportretet e
veta ne menyren me realiste dhe me te pagabueshme! Ja, kjo më shtyu t’i shkruajë këto rrjeshta
jo aq mikëluese për lexuesin delikat të sotëm.