Kulturë
Meti Rexhepi: Shpella e priftit
E premte, 07.07.2023, 08:00 PM
SHPELLA
E PRIFTIT
(Tregim)
Nga
Meti Rexhepi
Rrënjë e shtrirë tej Gjadrës e Përdrinit
dhe tej Raguzës, me dije të nxënë në University of Padua, ishte e pararendësit
të Gazullëve... Gjon Gazulli astronom, matematikan dhe diplomat shqiptar në
Evropën e shekullit pesëmbëdhjetë. Fara e lozes së Gazullëve nisi rrënjëzimin dhe çeljen e lule-ëndjeve në
Malësinë e Veriut, që rrethonte Shkodrën si shqiponjat krah hapura mbi antikën
e qytetit, sogjetarë të çerdheve të veta. Loza e tillë kapi përmasën evropiane
të çeljes... Farë e lakmuar për pastërtinë e gjenit dhe të trurit, për racën
dhe besimin, për burimoren e dishepullit të krishterimit dhe të etnisë. Farë për
kanosje të plotësisë... përballë shigjetave të zilisë, asimilimit e zhbërjes...
Ku mund ta takonte Kujtesa, vashë me mëtime virgjëreshe,
Priftin e Shkrelit? Natyra për Kujtesën ishte e ashpër, shkëmbore, me shkurre
dhe e zhveshur, me shtresime shkëmbinjsh dhe plasaritje kjasinash, vija gurrash
për rrjedhje pas afshesh të avujve të deteve e të florës. Këndej ashpërsisë
ngjit-zbrisnin malësorët nën shqiponjat sogjetare. Shtegtimeve të Priftit, si rëndomë,
i dilnin para pjerrtësitë, tatëpjetat dhe djersë ece-jakësh, por para të gjitha
lëvizjeve të gjymtyrëve, i ecte mendja. Ajo ia linte prapa fizikun e bukur...
Mendja i vegjetonte për çdo grykë, për secilën tumë, për secilin patronim, për
emërtim drurësh, për faunën në lëvizje dhe për harlisjet e florës.
Ngjit-zbritjet atij relievi nuk ishin të mallkuara, as gjakohej ndonjë udhë tjetër e sheshtë mes shkrepave.
Ai nuk bartte veçse peshën e trupit... Bartte farë mendjeje për t’ua kultivuar
shpirtrave. Shpirtrat e malësorëve rronin sipërfaqësisht të lëvruar. Të
pambjellë... Brenga e Priftit ishte: me se të lëvrohej, me ç`farë të bekuar të
mbillej dhe, si të vilej fryti i shëndosh i besimit? Zoti nuk e kishte mallkuar
krejtësisht Malësinë e Madhe, por një “murtajë” pritej t’i kalonte lugjet e
grykat... Në lakadredhën e ecjes rridhte një krua i cemtë, një sy-mali i ftohtë,
i hollë sikurse ajri që thithte Prifti dhe, ia freskoi parandjenjën ogurzezë të
arritjes deri te kisha. Kambanorja, altari në brendi, simbolika e ikonave të
sakrificës për paqen e tokës dhe të qiellit dhe sytë e lutësve, sapo u ndërvarën
në dy pikat e tij të pamjeve dhe, ndërsjellash do të shkreheshin në pika shiu në
atë kthjelltësi kaltërsie...
- Sa e mistershme kjo botë e urrejtjes dhe, me gjithë
lutjet e të mirëve të botës nuk po mund
të zbutet urrejtja ndërmjet njerëzve?!
Dendur i sillej e nuk i pushonin spiralet e një këso
pyetjeje Priftit me llambën e iluminizmit
përherë në mendje, zemër e në duar. Ishte pyetje që ngërthente përgjigje
etike dhe jetësore. Përgjigjet nuk e shpinin në fundin fatlum.
- Çka t’iu them
besimtarëve të devotshëm, që nuk ia them vetës?
Dom Nikolla gjithnjë i shmangej djerrinës në shpirt. Pos
në lutjet dhe shërbesat e kishës për malësorët, nuk e takoje kot sa herë doje.
Vasha Kujtesë prore mëtonte ta ruante virgjërinë e vet,
mirëpo gjithnjë vinte duke u plakur. Harresa, si një hajn i paskrupull, mund
t’ia vidhte dëshmitë e t’i ruante për djallëzitë ose marrëzitë e veta. Mirëpo,
Kujtesa vigjilonte: në cilin anames të shkelte pa u anatemuar shpirtërisht dhe
politikisht? Matej të dëshmohej e pa-anshme, e panjollë, për të qenë dëshmitare
dinjitoze për ndodhitë e murtajës, për piketimet e personazheve bartës tipikë të
asaj murtaje gjakatare. Prifti mbetej i palëkundur: prore ishte në anën e
filozofisë biblike dhe etnike! Lutësit e devotshëm deshën ta kishin para altarit dhe ikonave
Priftin, si njeriun e flijim-ngërthesës së tyre:
“Ati ynë që je në qiell
bukën tonë të përditshme falna sot!”
Larg Kujtesës do të mbetej vetëm shqiptimi koral i kësaj
formule, e cila për gjysmë shekulli u shqiptua nën kapakun e mbyllur të
heshtjes. Me hiret e saj të kthjella, pas mjegullës së hirtë të diktaturës,
Kujtesa, dukshëm e lënduar, e vëzhguar si e përdalë, dëshmoi për ajrin e
thithur me pluhur kronikash, dorëshkrimesh e librash të Priftit në Bibliotekën
françeskane. E ndjekur si lavire nga personazhet e aparatit shtypës, Kujtesa
doemos hyri në qerthuj kokash për të mos u dukur prej syrit, për të mos u ndier
prej veshëve përndjekësh, inkuizitorëve të njëmendësisë.
Kujtesa kishte pohuar me gojën e Benedikt Demës
erudicionin e Priftit të Gazullëve: “N’dë Shkodër pamë Romën e Dytë”, një
arkitekturë shpirtërore “Per Emnit t’Birit t’Atit e t’Shpirtit Shejt!” Hirësia
e Tij zgjerohej sikurse retë e mbarsura me shi për t’i dhënë njomështinë Luginës së Përroit të Thatë në Shkrel. Hipur
në piramidën e njërës prej kreshtave, dëshmitarja e ngazëllyer dëftoi:
- Lypeni “Fjalori toponomastikë”, mandej “Fjalorthi i ri”
i Hirësisë Tij Dom Nikollë Gazulli, me pseudonimin “Galasius!”
Dom Nikollë Gazulli (mik i Joklit, i Shuflait, i Fishtës,
i Mjedës, sikurse bashkëvëllai i tij prej Janjevës, Atë Shtjefën Gjeçovi),
gjithnjë bartte mbi supe thesin për kërkim-gjetje dhe qërim të gjetjeve
onomastike të folmes së lashtë të para-ardhësve ilirë. Gjëma e torturave mbi
viktima të zbatuesve të murtajës,
jehonte gjithandej larg, larg, shumë ma larg se kambanorja e Katedrales së
Shkrelit. Dora e zgjatur sllavë-bizantine shtrihej për kapje të shpirt-bardhit
Imzot Gazullit. Ajo dorë i kapërcente përmasat e dorës biologjike të gjymtyrës
njerëzore. Kishte qindra-mijëra koka, qindra mijë gishtërinj e kanibalë dhëmbë-hienash...
Prifti prej bibliotekës dhe meshës iu kthye grykave, shpellave, madje ishte
fshehur në zgavër lisi! Me vete kishte fragmente bëmash të Jezuit; veshjen me
sedrën e shqyer të teshave të etnisë, tërë urtësitë dhe psalmet e nëmura e të
fyera... Kishte qiellin, bardhësitë dhe errësimet e kontrasteve, vështrimet e
shqiponjave sogjetarë, kundërmimin e barit dhe të drurëve, larje të fytyrës
prej vrushkujve të mjegullave bredharake, shkëlqimin vrastarë të borës nën
diellin e brymtë. Kishte habinë e pa-rëndomtë të faunës bashkë-fqinje,
shushurimën e kaheve të erës mbi trupin pa jorgan, i shndërruar në termometër,
gjaku i të cilit shënonte ngritjen dhe uljen e skajshme të temperaturave të
motit! Mizori e vetmisë, e aortave që ngrijnë e shkrijnë gjakun. Ëndrra me
makthe kuçedrash e lugetërish...
Ishte vetëm një çast i shtytjes, për dalje prej ferrit të
shpellës për në bujtinën e Kanunit: shtëpia asht e Zotit dhe e mikut. Mësymja
tek oda e atij të zoti të shtëpisë, “mik-mirit”, tek ai i veshuri me tirq e
xhamadan, me besën e pangjyrë... I tillë dukej
i kamufluari i
besëprerjes, i bukë-prerjes, i qafë-prerjes me thikë dhe, një klithmë: a-a-a-a-h-h!...
Gejzer i shkulmave prej gjaku!...
Deri atëherë Dom Nikollën e ruajtën si dorëzanë: arinjtë
e pas letargjisë dimërore, gjarpërinjtë e ndërrimit të dy lëkurëve, lukunia e
ujqërve të uritur të kallnorit, qentë, stuhitë e acarta, mjegullat, rrebeshet e
breshrit... Nuk e balsamosën akullsitë e kallnorit, as e thau shpirti asketik i
shuarjes së epsheve njerëzore por, e vrau uria e besës?! Besa kishte pasur urinë
më të tmerrshme të mundshme, porse fitoi krupën e përhershme të ndotjes prej
saj! T(m)err e gërdi!...
Një qerre e heshtur druri, me ca malësorë të ngrysur,
sikurse vetë vdekja, përcillte të Përndriturin Dom Nikollë Gazullin me pikëllimin
e fshehur thellë në palcë në një varr të Stërkujes. Varri u rrethua me gurë,
cekëtinë e shpifur për thellësi përpirësish. Le ta zbulonte era për aq sa
rronte Kujtesa. Zoja Prendë do t’ua dëftojë gjëmën motrave të Nënës Terezë, e ëma e Don Pjetrit i dëftonte Prendës...
Po ashtu, Kujtesës i dëshmuan të vërtetën për shpellën e
fshehjes së Dom Nikollës... Mirëpo, më parë se dëftimi i Prendës, një bariu nga
tufa e deleve iu kishte shmangur një kec. Të nesërmen e lypjes për gjetjen e
kecit, i futur në një shpellë, me blegërimën: be-be-be ishte identifikuar keci
dhe shpella! Në shpellën prej pesëmbëdhjetë-njëzet metrash ishte parë një
shtrat, një kovë uji dhe copa thëngjilli... Pikërisht këtu për katërmbëdhjetë
muaj ishte fshehur eruditi, albanologu, etnologu, urtari i udhës së Zotit Atë
Nikollë Gazulli!
Ndërmjet një të çare të gurit si dritësore, Dom Nikollë
Gazulli shihte, pas çastesh të lëbyrjes, kontrastet e dritës të stinëve. Dalja
e tërësishme në dritë i kishte ndjellë çastin
fatal të jetë-fikjes prej bartësve të “murtajës...”
Pas shtatëdhjetë e pesë vjetësh në Vrith të Shkrelit,
“Fjalorit onomastik” të Dom Nikollë Gazullit iu shtua toponimi “Shpella e
Priftit”. Në këtë shpellë Ai gjalloi fillikat, i ruajtur prej fqinjësisë paqësore
të faunës, i gjurmuar prej egërsirash të dykëmbëshave... Gjithsesi, nuk është
thjeshtë një toponim, as shenjë abstrakte e onomastikës shqiptare. Është emërtimi
i një toponimi të jetuar me trup e
shpirt, me shpresë deri në skajin e lajthitjes saj!
Tashmë lotët mungojnë, i mori me vete Kujtesa e plakur.
Gjilan, prill 2022