Udhëpërshkrim
Hamdi Hysuka: Liria e ka një emër, 'Kosovë e pavarur'!
E merkure, 15.02.2023, 07:55 PM
Liria e ka një emër, “Kosovë e pavarur”!
Nga Hamdi
Hysuka - Kryetar i Klubi Letrar “Pjetër Budi”, Mat
15 vjet pavarësi për Kosovën, 15 vjet luftë
dhe përpjekje për bashkim kombëtar. Veprimtari të shumta u zhvilluan në kuadër
të 17 shkurtit 2008, ditës së Pavarësisë së Kosovës. Me këtë frymë dhe ndjenjë
kombëtare, në një nga sallat e Albergo Italia, Bashkimi i Shkrimtarëve dhe
Artistëve Shqiptarë "Zëri i Mërgimtarit", me qëndrim në Novara të Italisë, zhvilloi simpoziumin "Liria ka emër".
Merrnin pjesë oficere e Diasporës në Konsullatën Shqiptare Milano, znj. Luljeta
Çobanaj, konsulli i përgjithshëm i Konsullatës së Kosovës në Milano, z. Diamant
Kastrati, konsulli z. Besnik Maxhera, kryetari i Lobit Euro Atlantik Shqiptar
me qendër në Lorach të Gjermanisë, z. Shykri Ymeri; prof. Ndue Shabaku, familja
e artistëve Drita Gega (Qokaj), kryetari i Klubit të Shkrimtarëve dhe
Artistëve "Naim Frashëri" Përmet, z. Ligor Shyti me
sekretarin, Janaq Jano; kryetari i Klubit Letrar "Pjetër
Budi" Mat, z. Hamdi Hysuka; përfaqësuesja e Gazetës "Rrënjët", znj.
Fitije Picari; skulptori Ilirjan Xhixha, stafi i mësuesve të shkollës "Ura" Blerina
Lika, Etleva Lika, Ana Dyrmishi, kryetarja e Shoqatës "Tirana",
znj. Etleva Rrapa, artistja dhe modelistja shqiptare me banim në Novara, znj.
Gentiana Genty me moderatorin e Radios "Novara Città",
Alessio Marrara, arkitekti italo-shqiptar z. Giorgio Rubolino, poeti Fatmir
Gjata, përfaqësues të institucioneve kulturore të Novarës, z. Giuseppe
Aquila, poeti i Novarës z. Raffaele Lacaruso etj.
Në nisje të simpoziumit u mbajt një minut
heshtje për të humburit e tërmetit në Turqi e Siri. Pas nderimit të simbolit kombëtar “Himni
i Flamurit” dhe urimit të mirëseardhjes, kryetarja e Bashkimit të
Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë, znj. Trandafile Molla, foli për shpalljen
e Pavarësisë së Kosovës dhe kremtimin e 15-vjetorit si shtet sovran, i lirë e
demokratik.
-Të shfletosh historitë dhe të hysh në faqet
e librit të madh të asaj epopeje të lavdishme, -theksoi kryetarja, -nuk do të
arrinim të tregojmë makabrat dhe krimet e bëra nga dora gjakatare, e pashpirt,
e politikës së egër për spastrim etnik e Millosheviçit; nga makina
militare e bashkëpunëtorëve dhe kriminelëve më të mëdhenj që ka njohur bota,
pas kampeve të përqëndrimit të luftës së dytë botërore, bishat dhe egërsirat e
kriminel Arkanit. Mos të harrojmë Opojën, Mitrovicën e Drenicën, Gjilanin e
Prishtinën, Prizrenin e Gjakovën, Pejën e Bllacën, Llapshunicën e
Fushë-Kosovën, Sllatinën e Vitinë.
-Nuk heshtnin malet, -shtoi ajo, -nuk heshtin
lumenjtë që trufullojnë me dallgë të fuqishme për makabrat e bëra mbi nënat
dardane heroike, mbi torturat në trupin e brishtë të vajzave e motrave
tona kosovare, të gjakosura, të dhunuara e të hedhura në Valbonë. Zëri i tyre
nga honet e thella kumbon... Nga kjo mbledhje e vogël studiuesish për çeshtjen e 15-vjetorit
të Pavarësisë së Kosovës le të dalë mesazhi i zemrave
tona dhe le ta dëgjojë jo vetëm Italia, Shqipëria, Kosova, Brukseli, por mbarë
bota! Se liria ka emër, atë të luftëtarēve tē lirisë, UÇK-së dhe atyre që ranë
për liri!
Punimet e simpoziumit vazhduan mes atmosferës
së nxehtë të emocioneve. Për
të risjellë në kujtesë sakrificat e mëdha, rrugën e mundimshme, odisenë e
popullit hero të Kosovës deri në shpalljen e pavarësisë më 17 Shkurt 2008, foli
z. Myftar Gjonbalaj, zv. kryetar i BShASh “Zëri i Mërgimtarit”, një
ndër emrat e mirënjohur që dha kontribut në pritjen e të dëbuarve shqiptarë të
Kosovës nga trojet e tyre.
-Për vite me
radhë, -tha Gjonbalaj, -qytetarët e Kosovës vuajtën pasojat e pastrimit etnik
nga regjimi mizor e gjakatar i Millosheviçit, të këtij kasapi të Ballkanit, të
cilat rezultuan me luftën çlirimtare gjatë viteve 1997-1999. Lufta mori fund
pas operacionit 78-ditor të forcave të NATO-së duke shkatërruar forcat serbe në
fund të vitit 1999.
Pas Ditës së
Lirisë, më 12 Qershor 1999, kur në Kosovë nisën të hyjnë forcat paqeruajtëse
shpëtimtare të NATO-s, prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shpallja
e Pavarësisë u arrit më 17 shkurt të vitit 2008,
në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Në atë mbledhje të jashtëzakonshme,
përmes deklaratës së nënshkruar nga deputetët, me përjashtim të serbëve,
Kuvendi i Kosovës njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe
demokratik, duke realizuar dëshirën shekullore të shqiptarëve për pavarësi.
Nga ajo ditë
Ballkanit iu shtua dhe një shtet i ri, Kosova, e cila u njoh menjëherë nga
shtetet mike në botë. Shpallja e Pavarësisë më 17 shkurt 2008, duke u bërë
Kosova shtet sovran, me institucione të pavarura dhe me simbole unike
shtetërore brenda Ballkanit Perëndimor, ishte kurorëzim i rrugëtimit të gjatë e
të vështirë për qytetarët e Kosovës. Por bilanci i fitores së luftës ishte
tragjik. Kosovës martire i vinte era tokë e djegur, se forcat serbe ua kishin
vënë flakën mëse 400 fshatrave e qyteteve, 120 mijë shtëpive të shqiptarëve.
Mëse 12 mijë njerëz rezultuan të vrarë, rreth 6 mijë të zhdukur, shumë prej
tyre të groposur në varreza masive, edhe të fshehura në Serbi, afër 1 milion të
dëbuar, shumica drejt Shqipërisë…
Pavarësia e
Kosovës është e pakthyeshme, gur themeli i paqes dhe stabilitetit në rajonin e
Ballkanit. Tashmë Kosova këndon këngën e paqës, edhe pse mjegullnajat rreth saj
nuk janë larguar. Akoma Beogradi nuk rresht së ngrituri barrikada, në Ibër, mbi
udhët e Veriut të Mitrovicës etj. Por, siç është shprehur heroi i mendimit,
Ukshin Hoti, “Një Serbi që mban të pushtuar Kosovën, nuk është e lirë as vetë”.
Siç shkruan Zymer
Mehani, poet, publicist e kritik letrar, Kosova është çerdhe e trimërisë, djep
i Dardanisë, vatër e barotit, gjaku i Kastriotit, Kulla e Jasharëve, zemra
e shqiptarëve, fjala e besës, shqipe e flamurit, tel i çiftelisë, zjarr i
dashurisë, kënga lahutare, shqipja dykrenare, gjaku i martirëve, lule e
ilirëve, fushë me lulëkuqe, kopsht me burbuqe, kënga jonë kreshnike, zemër
heroike, gërshet i Dadës Shotë, besa jonë arbërore, e jona tokë stërgjyshore.
Në vitin e
largët, 28 nëntor 1941, në 29-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë,
poeti i madh atdhetar, Aleksandër Stávre Drenova (Asdren), shkroi në variantin
gegnisht një poezi të fuqishme patriotike, kushtuar Kosovës, me mesazh
aktual: "Një trup bànie anembanë Shqypninë". Kosova e
asaj poezie është vendi që ka sy lirie, që rrit trima shqiptarìe, që shtrihet
në pjesën hapësinore të bukur të Ballkanit dhe që ka pasuri të pamasë:
Kosovë, o vend’
i famshëm i trimnisë,
Kosovë, o lule e
bukur e Shqipnisë
ti bjeshkat plot
vjollca rreth i ke,
si vashë e
virgjër, nuse sikur je
dhe malet me
borë, mbi krye i ke kunorë!
Kosovë, o atdhe i lavduem i burrnisë
ti ke pas kjen'
mbretnesha e Rumelisë,
nalt mbaje kryet
tand si gjithmonë,
diftou e zonja,
koha sot e don
ti t’çohesh
përsëri n’luftë t’mbarë për liri!
Edhe vargjet “Vendit
tem”, e poetit Martin Camaj, sikur lexojnë mendimet e shqiptarëve dhe
shpalosin amanetin e një populli të tërë:
Kur të vdes le të
bahem bar,
në malet e mija,
në pranverë, në vjeshtë do të bahem farë.
Kur të vdes, le të
bahem ujë
e fryma e eme
avull, në fusha do të bij si shi.
Kur të vdes, le të
bahem gur
në skajin e vendit tem, të qëndroj gjithmonë kufi...
Pas 28 Nëntorit
1912, ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, 17 Shkurti i vitit
2008 i Pavarësisë së Kosovës, është dita më e madhe shqiptare. Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës, z.
Diamant Kastrati, u shpreh:
-Veprimtaria ishte
e rëndësishme, sepse mban gjallë ndjenjën tonë kombëtare dhe bën lidhjen mes
institucioneve të Republikës së Kosovës e Republikës së Shqipërisë me
institucionet italiane përmes asociacionit, në këtë mes Bashkimit të Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë "Zëri i
Mërgimtarit" këtu në Novara. Gjeneratat e reja t’i mësojnë se
njohuritë tona, përpjekjet tona, gjërat që i kemi kaluar në jetë, t’i
përcjellim dhe te gjenerata të tjera, që dhe ata të dinë se ndryshe është kur e
dëgjon në një simpozium, në një konferencë apo takim dhe ndryshe kur e lexon në
libra. Pra, kur i kombinon të dyja, leximin me pjesëmarrjen në një konferencë,
takim, apo simpozium, gjërat janë më të besueshme.
Kryetari i Lobit
Euro-Atlantik Shqiptar, me qëndrim në Lorak të Gjermanisë, z. Shukri Ymeri,
ngriti zërin për çështjen kombëtare dhe shfaqi pikëpamjen e tij rreth kësaj
çështjeje që prek popullin shqiptar në çdo skaj të globit.
Nga Shqipëria
nderuan me pjesëmarrje në simpozium dhe referuan kryetari i Klubit të
Shkrimtarëve dhe Artistëve “Naim Frashëri” Përmet, z. Ligor
Shyti dhe kryetari i Klubit Letrar “Pjetër Budi” Mat, z.
Hamdi Hysuka.
-Shtetësia e Kosovës vazhdimisht sfidohet,
-theksoi z. Shyti, -madje sfidohet edhe në këto momente. Pra, ka qënë një nga
sfidat që ne kemi patur. Fakti që ish-udhëheqësit e UÇK-së, momentalisht
gjenden në dhomat e specializuara në Hagë, është një nga sfidat e radhës, të
cilën shpresojmë se do ta kalojmë me sukses.
Çeshtja kombëtare,
patriotike, ishte muzë frymëzuese për penën e poetëve. Fjala poetike shtoi
dozat e guximit në zemrat që ndjejnë etje për liri. Vargjet e shkruara nga Ali
Podrimja kumbuan si më i forti kushtrim për popullin liridashës kosovar:
Me shekuj kam
shitur gjakun,
e rritur jam me
gjakun e shitur...
Kosova është gjaku
im që nuk falet!
Liriku shkodran,
Artan Lika, një nga artistët nismëtarë të krijimit të BShASh “Zëri i
Mërgimtarit”, me interpretimin e këngës “Për ty atdhe” përmalloi
pjesëmarrësit aq shumë, sa ua lehtësoi peshën që mbartnin në zemër.
Hijeshia e valleve
popullore, bukuria e folklorit tonë, u pasqyrua në interpretimin me elegancën e
shtojzovalleve në mrizet e bjeshkëve nga valltarja e mirënjohur e skenave, znj.
Drita Gega me vajzën e saj, Stella.
Pjesë e
BShASh “Zëri i Mërgimtarit” janë emrat më të rinj të
krijimtarisë shqipe, nismëtarët e krijimit të kësaj shoqate, e cila qëllim
kryesor ka ruajtjen e gjuhës shqipe dhe të traditave të popullit të lashtë, siç
është populli ynë. Znj. Mimoza Selmani (Doku) dhe z. Tomorr Dyrmishi, sekretar
i Shoqatës, me pasion e dashuri për fjalën e bukur, i kushtuan vargje prekëse atdheut,
tokës mëmë.
* * *
Dy festa Pavarësie
kanë shqiptarët, të Shqipërisë më 28 Nëntor 1912 në Vlorë
dhe të Kosovës më 17 Shkurt 2008. Por, siç thotë kënga:
Nga do që të
shkoj, t'eci ditë e natë
m'pyesin zogjët
e malit, nuk më lën’ rehat
m'pyesin ato
m'pyesin, sikur nuk e dinë
ku shkojnë
kosovarët, pse n'Kosovë nuk rrinë.
Detit po të shkoj, dita bëhet natë
m'pyesin valët e
detit, nuk më lën’ rehat
m'pyesin ato
m'pyesin, sikur nuk e dinë
ku shkojnë
ulqinakët, pse n'Ulqin nuk rrinë.
Sharrit po të ngjitem, t'eci ditë e natë
m'pyesin zogjët
e malit, nuk më lën’ rehat
m'pyesin ato
m'pyesin, sikur nuk e dinë
ku shkojnë
tetovarët, pse n'Tetovë nuk rrinë
m'pyesin ato
m'pyesin, sikur nuk e dinë
ku shkojnë
preshevarët, pse n'Preshevë nuk rrinë.
Nga do që të
shkoj, njeri i pa fat
ëndrrat për
atdhe nuk më lën’ rehat.
m'zgjojnë ato
m'zgjojnë dhe sikur e dinë
zemra ime
m'thotë të kthehem në Prishtinë!
“Çdo gjë që të
themi ne, është e zbehtë. Gjuha nganjëherë nuk është e përgatitur për ngjarje
kaq të rralla”. Kështu është
shprehur për këtë ngjarje madhështore që lartëson kombin tonë, shkrimtari
Ismail Kadare. Por, siç theksoi moderatoja Eglantina Likaj, nëpërmjet gjuhës
sonë të bukur, nëpërmjet artit, përjetësuam madhështinë e kësaj ngjarjeje.
Në veshët e
shqiptarëve kudo që ndodhen, duhet të kumbojë porosia e Heroit Kombëtar,
Skënderbeu: “Shkopinjtë e brishtë, një e nga një, janë lehtësisht të
thyeshëm edhe nga një fëmijë i vogël, por të bashkuar, as forca e burrave më të
fuqishëm nuk i thyen dot!”