E premte, 29.03.2024, 03:51 PM (GMT)

Mendime » Radovani

Fritz Radovani: Pse vetem Shkodra?! (VI)

E shtune, 01.07.2023, 06:58 PM


Nga Fritz RADOVANI: Pjesa a e VI/1.

PSE  VETEM  SHKODRA?!

ISHTE DREJTOR I SHKOLLES FRETENVE

SHKODER

PERBALLë

Seksionit Mbrendshëm ose Degës së Punëve të Mbrendshme SHKODER,

Aty ku ishte edhe

SEKSIONI KATOLIK I SIGURIMIT SHTETIT – I VETMI NË BOTË!

At Donat Kurti shenon në kujtimet e veta:

"Gjaja ma e bukur që më ka mbetë në mendje prej kohës së fëmijnisë, ishte festa e 28 Nandorit, kur dera e shtëpisë atnore dhe të tjerat përreth zbukuroheshin me shërmashek e lule shëmshiri, ndërsa banorët e lagjes, tue mbajtë në ballë Flamurin kombëtar, delshin me kandila të ndezun e brohoritshin për festën e Pavarësisë".

At Donati ishte klerik katolik shqiptar, doktor i shkencave, etnolog, folklorist, albanolog, poet, gjuhëtar, piktor, muzikant e nen drejtimin e Kolë Idromenos punoi dhe arkitekt.

Ka lé e asht rritë në Shkodër më 3 shtator 1903 e punoi dhe vdiq tue ecë i zbathun mbi gurt’ e Zallit Kirit pranë vllazenve besnikë të jetes së Tij!

Në vitin 1937 nga Universiteti “San’Antonio” i Romës, i jepët titulli “Doktor i Shkencave”. Asht i njohun ndër françeskanët ma të ditun dhe rreshtohët ndër shkenctarët që kanë dalë prej asaj vatre të pashterrëshme të kulturës sonë shqiptare. Thëmelet e vueme prej At Gjeçovit u ngritën nalt nga At Donat Kurti, At Bernardin Palaj, At Benedikt Dema etj., me veprat e mëdha që i lanë trashigim Atdheut, tue i përjetësue ato kryesisht në “Visaret e Kombit”.

Prof. Dr. Norbert Jokli e cilëson At Donat Kurtin: “Një ndër prozatorët ma të mëdhaj shqiptarë”.

Në vitin 1946, At Donat Kurti asht drejtor i Gjimnazit të Fretënve “Illyricum” të Shkodrës. Asht drejtor i atij Gjimnazi që asht cilësue vatra prej ku përhapeshin shkëndijat e atij atdhetarizmi dhe të asaj kulture shqiptare, mbi të cilat u ndërtue përjetësisht binomi “Fé e Atdhé”.

Prof. Simon Pepa, shkruen: “Dhe tani, në 55 vjetorin e botimit të “Iliadës” Shqiptare të gjithë ata që e mblodhën  dhe e botuan nuk janë më. Edhe Kuvendi Françeskan ku punuan, është këthyer në gërmadhë.” (Martirizimi i Kishës Katolike Shqiptare. 1944-1990. fq. 30, Shkoder).

Asht pragu i ngjarjëve të zeza që dukej se po vinin. At Donati, shkon në Tiranë aty nga gjysma e tetorit të vitit 1946 për me takue Nako Spiron, dhe me bisedue në lidhje me problemet financiare të shkollës. Ky jo vetëm që nuk takohet me té, por edhe mërrinë me kuptue se jo vetëm shkollës por edhe mësuesve po u vinte fundi. Me të ardhun në Shkodër, At Donati, kryen aktin burrnor tue thye vulën e ftohët të shkollës, për mos me u ra në dorë komunistëve kështu, që, i pret mundësinë me falsifikue dokumenta të atij Gjimnazi. Dhe nuk asht larg 11 nandori 1946, kur merr fund shkolla, kuvendi, muzeu, fretnit dhe Kisha, vendi ku Sigurimi komunist futë armët dhe akuzon Fretnit për këtë akt të ultë që u krye në Kishën Katolike Shqiptare, në të gdhimë të datës 17 nandor 1946, nga vetë Sigurimi. Me datën 12 nandor asht ndër të parët që arrestohet At Donat Kurti, me akuzën e formimit të Partisë Demokristjane, të futjes së armëve në Kishë, edukator i rinisë me frymën fashiste, një ndër bashkëpuntorët e “Hyllit të Dritës”, që ka lavdëruar fashizmin etj. Akuzat e rreshtojnë ndër ata klerikë që nuk pritej prej askujt shpëtimi i kokës së tij. Ai ishte i sëmurë me një ulçëra kronike nga e cila ka vuejt gjithë jetën. Ndoshta, gjendja shëndetësore e randë në birucat e Sigurimit, u ka krijue përshtypjen xhelatëve se “At Donati, nuk e ka të gjatë”, prandej po e lamë të vdesin ndër burgjet e mnershme që At Donati ka vuejt dënimin e përjetëshëm, mbas pretencës së prokurorit që kërkoi pushkatimin e tij.

Hetohët nga kriminelët Nesti Kopali, Zoi Shkurti, Qako Prokopi, Hysni Ndoja etj. Qëndron kokfortë, ashtusi kishte edhe natyrën e tij para armiqve, nuk thehët as nga frika, as nga torturat por asht ballhapët dhe trim para të gjithë presionëve.

Asht i vetëdijshëm se e pret plumbi.

At Donat Kurti deklaron para Trupit Gjykues, i përbamë nga: Kryetar, Misto Bllaci, antarë, P. Alizoti, A. Koroveshi dhe prokuror, Namik Qemali: “Nuk kam punue për fashizmin asnjëherë.., tek Hausdingu kemi shkue me At Mati Prennushin për me kërkue lirimin e kuvendit që na kishte zanë ushtria gjermane.., herët tjera At Matia ka shkue vetëm tek gjermanët, mbasi dinte vetë gjermanishten e merrësh vesht direkt...

Me zbritjen e partizanëve në Shkodër, kemi mbajtë qëndrim të ftoftë për 4-5 muej mbas vëndosjes së Pushtetit.

Unë për vehten teme e kam kuptue se ky Pushtet ishte komunist dhe, se, po bahej rrezik për Fenë... Monsinjor Gjini, me t’u emnuem Delegat vitin e kaluem i ka drejtue një memorandum delegatit françeskan, ku kërkohej të respektohën të drejtat e katolikëve nga qeveria, mbasi ato të drejta që i takojnë po shkeleshin çdo ditë... Për armët në Kishë nuk dij gja... Me rastin e 2 dhetorit 1945, unë kam dalë për votime, por votën e kam hjellë në arkën boshe. Natyrisht, këtë e kam ba si kundërshtar i rregjimit komunist... një mikroskop, një aparat fotografik, 20 filma, një makinë shkrimi, një gramafon dhe një arkë me libra e dorëshkrime i kam mëshef në një odë e cila asht nalt pa shkallë, dhe po të mos të të çojë kush, nuk e gjenë dot... Për né, e quej ma të rrezikëshëm qenjen e këtij Pushteti këtu, sesa okupacionin italian e gjerman... Letrën e Padër Gjon Shllakut me pseudonim “Forca Atomike” e kam ruejt për dokument, mbasi ajo tregon qëndrimin e Padër Gjon Shllakut, në burg.... Nuk e ndiej vedin fajtor...”(Dosja 1303, Arkivi M.M.Tiranë) Kështu edhe At Donati, me këtë grup ku bante pjesë Don Anton Muzaj, Don Mark Hasi, Viktor Kujxhija, etj., ku, spikatë qëndrimi i Anës Daja dhe Liza Palit para prokurorit katil Aranit Çela njëditë para gjyqit, e vazhdon skenarin e filmit jugosllav “Dosja 1302/2-A”, dhe kjo asht e kuptueshme  nga vazhdimi i numrit “Dosja 1303 At Donat Kurti...” (Arkivi i Ministrisë së Mbrendshme Tiranë, 1998).

Në ndihmë të Historisë së vertetë të zhvillimit arsimit dhe kultures Shqiptare, po Ju risjelli këte punim të Këtij Dijetari të Shkencës sonë, në këte pervjetor të 120 që ka lé:

VEPRA KULTURALE E ELEMENTIT KATOLIK NË SHQIPNI

?Vëprimi i katolikëve në Shqipni kje i vijueshëm ç’prej fillimit të kristjanizmit e deri ndër ditët tona; por, prej pushtimit otoman fati i vendit tonë kje në mënyrë të jashtzakonshme i kobëshëm, mbasi na ndau ndërmjet vedit, na dha rrugat e mërgimit, na dërmoi, na çfarosi gati krejt, kështu, edhe vëprimi i elementit katolik për kah kultura mund të ndahët dyshë:

?1) Veprimi i katolikëve sa kombi qindroi në besimin e krishtenë, e

?2) Veprimi i katolikëve gjatë pesë shekujsh robni, errësinet e ligështijet.

?Një qi shikon ndër ledhët e kaklopve të hershëm bloqet e shkamijve të rënduem njeni mbi tjetrin gjatë korrizit të kalave, mund të sajojë njëfarë ideje për fuqi krejtë të jashtzakonshme e për trup të lidhun, qi kanë pasë njerëzit motit. Prap edhe një që kalon nëpër Athinë a nëpër Romë, i vëren me kujdes tepricat e tempujve, të skulpturës e të artit e mund ta çojë mendën tek madhnia, te përparimi, te luksi, te kultura e atyne kryeqytetëve të fuqishme. Kështu na bije rasa edhe né me mendue për veprim të katoliçizmit gjatë 14 shekujve të parë.

Aty-këtu ndeshim ndër rrënime të kishave, të ledhëve, të qytetzave e t' urave të herëshme. Gojdhana na i shumon përgjithëvend e për çdo katund. Ato pak viza arkitekture na diftojnë madhninë e atyne mbeturinave të shenjta; do copa afreskësh me ngjyemje të gjalla na tregojnë dorën e mësueme të piktorëve, qi u rritën në vendin tonë.

Ndonjë kumbonë piramidale me mbishkrim të thjeshtë e me kumbim të tingllueshëm na kallxon përparimin e mjeshtrive edhe në Shqipni. Ndonjë mërmer i zgavrruem prej dalte do t’ na flasë për kohë të herëshme; por asht thërmue prej mizorisë s'anmikut e të motëve e, s' na ep kurrfarë drejtimit. Tjetër nuk gjejmë përveç lavdeve e nderimëve, me të cillat të tonët e të huejt përshëndesin ndër shkrime të veta kulturën e katolikëve Shqiptarë.

?Marin Barleti tue na kallxue jetën e Skanderbegut, ma të madhit fatos të kristjanizmit, ban aty-këtu përshkrime të gjalla e poetike qytetesh, ndërtesash e monumentesh, sidomos në Durrës, në Krujë e në Lezhë; përmendë njerëz të mëdhaj e  të përpjekuna diplomatike; kisha, prelatë, dhanti të çmueshme etj., sende të gjitha, që nënkuptojnë një përparim e një kulturë vertetë të lulëzueme.

?Prof. Giuseppe Gelcich, një ndër studjuesit ma të njoftunit e ma me autoritet të vjetërsive shqiptare, tue folë përmbi zhvillim tonë kultural, para të XV shekull, thotë: "Shqiptari i pajisun prej natyre me kuptim të fortë e me një shijim të bukur, kishte stolisë qytetet e veta me përmendore (monumenta) artistike fort të çmueshme e, deri qi këta qytete ranë rrafsh përtokë prej zjarmit e pezmit t' anmikut, s'pranë tue dërgue me shumicë materiale argjanti, fildishi, kureli, kriri (zadefi), si edhe shkallme, armë e enë remi të punueme me mjeshtri e hollim të madh, gjithkah nëpër Ballkan e ndër vise, këndej e andej detit. Petkat mandej të qëndisuna n' ar për bukuri, që u përdornin në Ballkan për stoli shtati e shtëpije, vinin edhe këto prej andej.

Arti rromanesk në Dalmaci pat shkasin ma të madhin e të parët apostuj prej Shqipnie.”

Këta ndodhën sa mbretnonte paqa në vendin tonë, pse, si nisën m' u dyndë shqiptarët katolikë, gjithë përparimin, kulturën e influksin e tyne kah Dalmacia, Gelcich e përmbledhë me këto fjalë:

"Sa familje, që sot thirrën dalmate, rrjedhin prej të ikunve t' atyne kohve! Sa sende, që sot shumica i mban për arte e vepra dalmate, nuk janë tjetër veç krijime e vepra të daluna prej mjeshtrisë e zhenisë shqiptare!".

Prap Prof.Gelcich, tue ra në bisedë me At Gjergj Fishtën, përmbi artët e herëshme në Shqipni, dëshmoi, se, veç mbrenda një shekullit të vetëm, tue nisë gjatë Bregut të Bunës e deri në qytet të Djoklesë, afër Podgoricës, njihëshin 82 piktorë në za, të cillëve u dihej edhe emni.

?Këto e sa të mbetuna të shkëlqyeshme të historisë sonë na paraqesin, veç sa me thanë, veprimin e katolikve për përparim të vendit; veprim, i cilli vijoi edhe mbasi humbi lirija, kur përendoi Hylli i Shqipnisë, d.m.th edhe mbas të XV shekull.

Jeta në robni, që po marrim me përshkrue, do të thirret për katolikë kohë heroizmi, pse, jo veç, u lyp heroizmën me shpetue ndiesitë kombëtare në mes të një trathëtisë e të një robnisë kombëtare, por, në mes të një trathëtisë e të një robnisë së poshtër.

?Kundra rrymës së kohve e të rrëthanave, katoliku shqiptar me urti e me dashtni zhvilloi nji program përparimtar, që kje thëmeli i kulturës së sotme në vendin tonë.

?Me ato pak mjete që pat përdorësh, u mundue me shpirt me mbajtë:

?Shkollat:

Të parat shkolla, mbas humbjes s' autonomisë në Shqipni, kjenë përsa dimë na, tri:

Shkolla e Pëllanës, e Blinishtit dhe e Shkodrës. Në vj. 1638 P. Hiacinti a Sospitello O.F.M., italjan me fis, por shqiptar me zemër, pat guxim me iu përveshë për të mirë të vendit një punës në vështrim të plotë kulturor, tue çilë shkollën fillore në Pëllanë, asokohe vend mjaft i banuem. Kje ndjekë me zell prej vendasve e i mërrijti zani deri ndër katunde të largëta të Zadrimës, qi memzi pritshin me i çue fëmijët e vet.

Numuri i nxanësve të jashtëm pat mërrijtë deri në 25 e, këta na japin shkas me nënkuptue,  se do të kenë pasë edhe ndonjë konvikt. Dijmë prej dokumentave, se përveç uratëve  mësonin edhe mësime letrare d.m.th. mbahët deri diku një shkollë e mesme  pa përjashtue gjuhën e vendit. Përparimi kje aq i madh, sa i terboi Turqit, të cillët mbas 9 vjetësh e rrënuen fare.

Në vj. 1697 kje çilë rishtas. Se deri kur vijoi, nuk dihët; dokumenti mbaron, tue thanë për te, se: "Ka gjasë se gjindët edhe sot" (1702?).

?Një vjetë mbas thëmelimit të shkollës së Pëllanës, d.m.th. në 1639, kje çilë prej fretënve të kuvendit të Troshanit një shkollë në Blinisht, drejtori i së cillës kje P. Karl Mirandulanus O.F.M. Me shka dukët, kje një shkollë mjaft e plotësueme.

Ndiqej prej ma se 50 nxanësash e posë këndimit e shkrimit mësonin edhe landë të tjera; edhe gjuha latine prej atyne që donin m' u ba priftën mësohej n' at shkollë; por anmiqtë ishin të panumur e në vjetin 1640, drejtorin e kësaje shkollë e gjejmë në burg tue pësue mundime të mëdha.

?Në vjetin 1698 a aty pranë, gjejmë se P. Filipi O.F.M. prej Shkodrët, çilë pikërisht në Shkodër një shkollë private e mëson fëmijët e tregëtarëve e të pasanikve.

Një që i ka përparasyshë pështjellimet e atyne kohve, mëninë posaçe kundra katolikve e kundra çdo shejit kulturor, mund të marrin me mend, se ç' vlerë patën keto shkolla për shpirt të shqiptarit, kjoftë edhe vetëm porsi hap kah qytetnimi.

Por kush mundët mandej me dyshue, se në këto shkolla nuk flitej shqip?

Në ç’mënyre katundari i padishëm i ndiqte me zell, në kje se s'merrte gja vesh?

Veprat, që na kanë mbetë prej atyne puntorve të palodhun, prej atyne mësuesve të kujdesëshëm, na dëshmojnë kjartë, se ato shkolla nuk kjenë mjete të hueja për me influencue në shpirt të popullit shqiptar simpati e parti; por patën edhe për qellim drejtpërdrejtë të naltuemit e moralit e shkasin e ka kultura, e këta gadi tash 300 vjet.

?Këta mësues kjenë, qi me 20 Prill 1711, të ndimuem e të nxitun prej Papës Shqiptar, Klementit Xl, ngritën në Romë, në kuvend të S. Pietro Montorio, një katedër për gjuhë shqipe,  për me i ba gati misjonarët e huej me mujtë ma lehtas me i vijtë vendit t' onë; e atëherë, kur s’ mendonte kush për gjuhë shqipe e për zhvillimin e sajë, këta janë ata, qi përpilojnë ma të parat gramatika, fjalorë e përkëthime.

?Në vj. 1716 P. Françesk M. da Lecce O. F. M. shkruen e shtypë ma të parën gramatikë shqipe, qi ka randësi edhe sot: "Osservazioni grammaticali nella lingua albanese" Roma.

?Në vj. 1848 P. Luka da Monte Giove O. F. M., na ka lanë një fjalor shqyp-italisht.

?Në vj. 1858 P. Dario Bucciarelli O. F. M., la një dorëshkrim "Grammatica della lingua albanese", që ruhët në Bibliotekën Françeskane të Gjuhadolit në Shkodër.

?Në vj. 1881 P. Leonard de Martino O. F. M., që kje një ndër ma të parët, që punoi vjerrsha në gjuhë shqipe mbas metrikës moderne, nxori librin "L'Arpa" di un Italo-Albanese" Venezia 1881.

S' do harrue, se ndër Misionarë, ky kje ma i pari që ua lëshoi kushtrimin njerëzve  të mëdhaj, e nëpërmjet tyne Evropës, për indipendencë të Shqipnisë. Mbas gjithë këtij vëprimi kultura katolike nisë me marrë zhvillim të haptë në vendin tonë.

Balli i përulun i shqiptarit në robni xen me njoftë e me kujtue kunorën që dikur e rrëthonte, nxitët, kërkon me punue, me përparue e me u mëkambë.

Civila e kler dora -doras duen me e përtri popullin e me të përtrimë të popullit, përtrijnë kombin. Ky entuzjazëm vërehët posaçe në shekullin e 19-të.

?Prej vj. 1800 e deri në vj. 1861 çilën aty-ktu shkolla private me klasë fillore.

Veç në Shkodër mbahën mend 12 shkolla fillestare: 8 për djelmë e 4 për vajza.

Mjetët ishin të vogla e primitive, prandaj nuk asht për t' u shikue gjithaq përparimi  a dobija që nxirej prej tyne, sa inicjativa, hapi heroik, zelli për të hapun kulturën.

Një mësues përfaqësonte një shkollë në vedi. Endè sot, si në shenj evarije, kujtohën me andje emnat e tyne prej popullit katolik shqiptar.

?Mësuesit e Gjuhës Shqipe: E përkohëshmja "Përparimi" i rreshton emnat e mësuesve ma të njohtun, me këte renditje:

Gegë Kodheli, Gjergj Benussi (1836), Gjon Shkrumi, Zef Kamsi, Jaku i Tushit të Mark Krajës (Speci), Shor Markja, Don Pepini, Don Engjëll Radoja, Don P. Babi.

Prindët me andje pritnin me i çue fëmijët e vet në shkollë, madje, u zotnonin me pague edhe mësuesin. Edhe jashta Shkodre çilën shkolla tjera katolike në gjuhë shqipe.

?Në Prizren, në Pejë e në Gjakovë i gjejmë shkollat e çiluna për djelmë shumë para 1840; por prej mungesës së datave e të njoftimeve ma të sakta, jemi të detyruem vetëm me i xanë në gojë.

?Koha kishte mërrijtë me ia hi një veprës ma të madhe.

?vjetin 1861 françeskanët çilin ma të parën shkollë fillestare publike në Shkodër.

Kje ndihmue e kje mbrojtë prej Episkopatit Shqiptar. U përshëndet me gëzim prej mbarë popullit katolik, porsi ogur i mirë, porsi vatër kulturët, porsi shkëndi lirijet.

?E përnjëmend kje vatër kulturët për 72 vjet, pse aty mësuen me mija fëmijësh.

Mësimet erdhën tue u përmirësue përherë e ma shumë. Që ndër vjetët e para kje ngritë  edhe një salon argëtimi e konferencash, ku, ndaheshin çmime, që ishte një rasë gëzimi e hareje, jo veç për fëmijë, por për mbarë katoliçizmin, pse aty ndiheshin vjerrsha të  bukura, kangë të tingëllueshme e fjalë e mësime t' urta.

?Në vj. 1880 me 24 Dhetuer P. Leonard de Martino, O. F.M. kje ma i pari që çfaqi mbrendë në Kishë në gjuhë shqipe, një dramë baritore.

Kohë mbas kohe nxanësat e dikurshëm zunë vendin e mësuesave të vet: Shqiptari mërrinë me pasë aq kulturë, sa me drejtue e me organizue ai vetë vepra për të mirë e përparim të kombit.

?Në vj. 1902 zgjidhët Drejtor i kësajë shkolle At Gjergj Fishta O. F. M., i cilli patjetër vuni porsi gjuhë mësimi ndër të gjitha landët gjuhën shqipe dhe, çon zanin e u thotë të gjithë shqiptarvet:

Porsi kanga e zogut t' verës,

Qi vallzon n' blerim të Prillit,

Porsi i ambli fllad i erës,

Qi lmon gjit e drandofillit,

Porsi vala e bregut t' detit,

Porsi gjama e rrfes’ zhgjetare

Porsi ushtima e nji termetit

Njashtu asht gjuha e jonë shqiptare

Pra, mallkue njaj bir Shqiptari

Qi ket giuhë të Perendis’

Trashigim, qi na la i Pari,

Trashigim s' ia len ai fmis’;

Edhe atij iu thaftë, po, goja,

Qi e perbuzë ket gjuhë hyjnore;

Qi n' gjuhë t' huej kur s' asht nevoja,

Flet’ e t' vetën len mbas dore.

***

?Në vj. 1909 tri klasave të para fillore, që patën mërrijtë deri në të gjashtën plotore, u kjenë shtue tri klasë qytetëse, me muze e kabinet fizike. Në salon, mandej vjetë për vjetë kjenë çfaqë drama me ngjyra edukative e atdhetare si: Shqyptari i Qytetnuem, Odisea, Juda Makabe etj.

?Me ndërrimin e kohve, për përparim të vendit, u ndërtue edhe sistemi shkollor,  kështu, në vj. 1921 kje ngritë në vend të klasave qytetëse, Gjimnazi 8 klasësh e, ma vonë 7 klasësh, tue iu adaptue programit të Ministrisë s' Arësimit.

?Duhët pasë përparasyshë edhe, se, që në vj. 1882, françeskanët kanë pasë çilë një kolegjë  për me rritë e me mësue ata që dëshronin m' u ba fretën.

Mësimet ishin të rregullueme mbas programit të gjimnazëve t'Austrisë e në vj. 1905, shkolla u ba krejt në gjuhë shqipe.

?Përpara se m' u çilë kjo kolegjë, Ipeshkvijtë e Shqipnisë, tue dashtë me i dhanë popullit Shqiptar prijsa të mirë e të pregatitun në lame të besimit e të kulturës, thëmeluen që në vj. 1859, seminarin në dorë Jezuitëve, të cillët, prej andej morën shkas me e diftue përherë e matepër aktivitetin e zotësinë e vet, në përhapje të kulturës katolike.

?Në vj. 1868 nisën me afrue  prej vedit ndonjë nxanës, e nandë vjet ma vonë, kur kjenë forcue me mësuesa të nëvojshëm, çilën në vj. 1877 shkollën publike fillestare, që shkoi tue u përmirsue kohë mbas kohe e tue u naltue me klasë reale e tregtare.

Që prej vjetës 1914, fillojnë me u ba  hapat për të çilun të një gjimnazi për civila.

?Në vj. 1890 Jezuitët ndreqën një salon të madh e të bukur, ku çfaqën drama të ndryshme, u ndanë çmime me ma të madhin lulëzim, mbajtën disa herë konferenca për dobi shoqnore.

?Librat.

Megjithse kombësi e huej, Jezuitët u munduen edhe për lavrim të gjuhës shqipe.

?Në vj. 1862 Pader Giulio Buffili S. J., la nji fjalor italisht-shqip.

?Në vj. 1880 P. Jak Jungg S. J., botoi në Shkodër librin "Regale grammaticali sulla  lingua albanese", e një vjet ma vonë "Elementi grammaticali della lingua albanese".

?Në vj. 1889 P. Dedë Pasi S. J., shkruen një "Libër për me 'u mësue shqyp".

?Në vj. 1895 P. J. Jungg S.J., botoi një fjalor shqip- italisht.

?Në vj. 1909 P. Anton M. Xanoni S.J., shtypi librin"Gramatika shqyp" e një rend librash tjerë edukativ.

?Prej vjetës 1920 e këtej Jezuitët, botojnë gjithfarë librash për shkolla.

Numri i librave shqip e në gjuhe të hueja kapet në 52.

?Në vj. 1929 çilën në Tiranë një shkollë fillore e tri vjet mbrapa fillojnë gjimnazin.

?Përveç këtyne shkollave shohim, se gjatë kësaj kohe livron nder dej e në zemër të katolikut shqiptar një të prirun kah përparimi e, anëkand Shqipnisë së Veriut çilën shkolla fillore.

?Para vjetës 1880 Shkupi e Zumbi e pak ma vonë Ferizoviqi e Stubla, e kanë shkollën  e vet në gjuhë shqipe për djelmë.

?Në 1874 xen fillë shkolla e Shirokës, prej D. Zef Ashtës, qi vijon deri në ditët e sotme.

?Në 1893 P. Joakin Serreqi O. F. M., ndreqë në Selcë një shkollë për 50 nxanësa.

?Po këte vjetë edhe P. Basil Chiaroni, O. F. M., çilë një shkollë shqipe në Hot Traboinë.

?Në vj. 1897 P. Pjeter Gjadri O. F. M., u ep mësim fëmijve në kuvend të Troshanit.

?Në vj. 1898 D. Ndoc Mjedja çilë një shkollë në Pëdhanë, në 1904 me P. T. Bicaj O.F.M.

?Në këte kohë edhe në kuvend të fretënve të Rrubigut hapët një shkollë katundi.

?Në vj. 1901 edhe Biza ka shkollën e vet, ku mëson P. Severin Lushaj O. F. M.

?Në vj. 1907 P. Shtjefën K. Gjeçov O. F. M., çilë shkollën në Gomsiqe.

?Në vj. 1907 P. Gentil Biella O. F. M., mban n' Iballe një shkollë në gjuhë shqipe.

?Në vj. 1909 P. Engjëll Vjeshta O. F. M., fëmijët e Bazit i mëson me këndue e me shkrue.

?Në vj. 1900 e ndonjë vjetë mbrapa, nëpër zellë e të nxitun të Shoqnisë "Bashkimi" e "Agimi”, çilën shkolla në shumë katunde. Kemi mërrijtë me ditë se ka pasë shkollën  e vet Rrësheni, Oroshi, Miloti, Dajçi, Kallmeti, Spaçi, Kashnjeti e Nënshati.

?Prej vj. 1916-1929 katolikët kanë pasë shkolla, të thuesh, ndër shumë katunde të Veriut. Mësojshin priftën, fretën e civila katolikë.

U ndihmonin pjesërisht prej mbretnisë Austro­ - Hungare e ma vonë edhe prej Shtetit Shqiptar.

?Në ketë përiudhë veç famullitarët françeskanë, kanë pasë 17 shkolla katundit.

?Sot ajo çmohët ma fort prej nderimit e lirisë, qi i epet seksit femnuer, në kontrast me robni e poshtnim të pagajve e të popujve të paqytetnuem.

Edhe në këte pikë katolikët e Veriut kanë parapri.

?Shenim nga F.R.:

?Materiali i plotë asht botue në 1935, në revisten “Hylli i Dritës” nga At Donat Kurti.

Vazhdon Pjesa e dytë e këtij materiali.

Melbourne, 30 Qershor 2023.



(Vota: 2 . Mesatare: 2/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora