E shtune, 20.04.2024, 10:28 AM (GMT+1)

Mendime » Radovani

Fritz Radovani: Pse vetem Shkodra?!

E marte, 27.06.2023, 08:39 PM


Pergatiti Fritz RADOVANI: Pjesa e V.

PSE  VETEM  SHKODRA?!

1879

HISTORIA E TEATRIT FILLOI

N’ SHKODER 144 VJET PERPARA

TEK SHOQNIA E JEZUTVE (S.J.)

E U VAZHDUE edhe NGA FRETNIT.

?1945 CILA ISHTE DETYRA E

SEKSIONIT KATOLIK T’ SIGURIMIT SHTETIT SHKODER?

KUSH I SHKATRROI ME THEMEL ATA?

SHKODREN PO E MBYT HESHTJA!

Historia e Teatrit në Shqipni fillon me Teatrin e qytetit të Shkodres në 1879.

Jemi në pragun e 145 vjetorit të TEATRIT SHKODRES !

Shkodra ishte djepi i kulturës dhe i artit në të gjitha gjinit në Shqipni edhe, pse punohet tash 100 e sa vjet me mujtë me e shue, me e zhdukë nga harta.

Shkrimtarët Shqiptar Shkodranë per fat i kanë lanë të shkrueme të gjitha ata fakte historike, ndonse, jo vetem nuk botohen po, edhe po fallsifikohen. Kjo e vertetë fillon nga botimet e para e deri sot prej kokës së “Akademisë Antishkencore të Antishqiptarve në Tiranën komuniste të Rilindjes Rama”.

Po të kishte shkrue Andrea Skanjeti, Tonin Zadeja etj., me referenca per Teatrin dhe vlerat artistike të rujtuna deri sot në themelet e Rozafës, sigurisht që vlersimi i Tyne do t’ ishte tjeter nga ai vlersim formal i sotem.

Unë i jam referue pergjithësisht dokumentave historike të tyne.

Grupet orkestrale dhe të humorit rrajen e vet e kanë në Shkodren plakë.

Andrea Skanjeti mbet i paharrueshem në historinë e shkrueme të teatrit të Parë: Shkodra asht e dallueme në lëvizjen teatrore që në kohët e hershme, një qytet që ka një traditë të pasun, të lakmueshme, djepi i lindjes së Teatrit në Shqipni, rraja themelore e lindjes së Teatrit Popullor ma vonë në vitin 1945 (Sot Teatri Kombetar)(kjoftë per atëherë, se edhe ai u rrenue). Deri në themelimin e Teatrit profesionist në Shkoder ekzistonin shumë shoqni që lindën dhe e shfaqen portretin e tyne artistik amator: “Shkolla Fretnore” (1861), Kolegji Saverian (1905) me grupet deputuese: “Seminari Papnuer”, “Kongregacioni i Zonjës Nunciatë”, “Oratoria e Zemrës së Krishtit”, “Rrethi bamirës i Sh’Jozefit”, “Orfanotrofi i Zemrës së Krishtit”; e ma vonë shoqnitë: “Leka”, “Iliria” (1931), Shkolla e Motrave Stigmatine (1878), Shoqëria”Rozafat” (18.02.1918), “Shoqnitë: “Mustafa Pasha” me kryetar Ibrahim Gjyrezin e “Vaso Pasha” me kryetar Hilë Mosin, të cilat u shkrinë dhe morën emnin “Vllaznia” (1919-1935);”Gëzimorja” (Shirokë, 1922), “Populli” ma vonë u quejt “Shkodra” (1923), “Grupi i Gjon Krajnit” (1923), “Atmja e lirë” (1932), “Djelmnia Antoniane” (1933) në përbamje të së cilës ma vonë ishte: “Rrethi i Don Boskos” e “Scuola Cantorum” (1935); “Malet tona” (1934), “Grupi shkodranë” (1936), “Besa” (1937), si dhe “Komuniteti bamirës Musliman” (1938) dhe, “Karnavalet” (1861, me siguri edhe ma parë), si dhe shoqnitë ndihmëtare e puntore etj., ku mungojnë referencat.

Koha ma e rëndësishme në këtë histori asht kenja në qytetin e Shkodrës e shtatë teatrove, bashkangjitun shkollave dhe shoqnive t’asaj kohë:

Saloni i Kolegjit Saverian ndërtue më 1890 me 450 vënde.

Saloni i Shkollës Françeskane me 300 vënde;

Saloni i Shkollës Stigmatike me 250 vënde;

Saloni i Shkollës së Parrucës me 400 vende, (ndërtue për kinema-teatër nga ushtritë Austro- Hungareze gjatë Luftës së I-rë Botnore).

Kinoteatri “Rozafat” me 400 vende;

Saloni i shoqnisë “Bogdani” me 350 vënde;

Saloni i shoqnisë “Vllaznia” me 400 vënde;

Në këto salone e kinoteatro për 66 vjet pa pushim u lavrue Teatri Kombëtar Shqiptar tue u imponue banorëve të qytetit ndërgjegjen kombëtare, krahas luftës për gjuhën dhe shkollën shqip. Pikërisht: Me 20 shkurt 1879 nga nxanësit e Shkollës Saveriane, mbas një Akademie poetiko-muzikore, u dha farsa “Mako” e Jul Qezarit, përkthye shqip dhe ju përshtat zakoneve tona shqiptare, tue u konsiderue Shfaqja e Parë në historinë e Populli Shqiptar. Në zhvillimin e tij, kjo shfaqje qëndron në themelin e Teatrit tonë Kombëtar dhe theksoj se, luejtën një rol të rëndësishem kulturor e Atdhetar, dhe meritë per këte kishin Etnit Jezuit edhe Etnit Françeskanë të Shkodres.

Ishte viti 1879. Në këtë vit kemi fillimin e saktë të një Teatri Kombëtar po në Shkoder (përpara Lidhjes së Prizrenit).

24 tetor 1880, jepet shfaqja e dytë nga nxanësit e Shkollës Françeskane me dramën “Nata e Kshndellave”, e shkrueme nga poeti arbëresh, françeskani i njoftun Leonardo De Martino.

Po këtë vit kjo dramë u shfaq edhe nga nxanësit e Shkollës Stigmatine.
Në shkurt të vitit 1882, në salonin e ri të Kolegjit Saverian jepet drama

“I biri i çifutit” përkthye nga italishtja nga At Pashko Babi, e cila asht shfaqja e tretë në historinë e teatrit kombëtar shqiptar.

Ndersa nga nxanësit e Shkollës Françeskane u shfaq në 1905, përherë të parë, komedia “I ligu përmend”, e përshtatun nga poeti ynë kombëtar At Gjergj Fishta; Skena asht punue nga piktori i njoftun Prof. Simon Rrota.

Po këtë vit u shfaq tragjikomedia “Kushtrimi” ose “Marka Kulikryeqitas” e shkrueme nga Frati At Shtjefën Gjeçovi.

Thalbin e trupave teatrore në qytetin e Shkodrës e përbanin tre grupe, e ata ma kryesoret ishin të drejtueme nga Etnit Jezuitë:

1.Grupi i nxanësve të Kolegjit Saverian

2.Grupi i rrethit Shen Jozefit.

3.Grupi i Oratores së Zemrës së Krishtit.

Ma vonë u krijuen grupe të tjera, si ai i Kongregacionit të Zojës Nunciatë, i shoqnisë ”Don Bosko”, Seminari Papnuer dhe Shoqnia “L.E.K.A.”.

– Veprimtaria teatrore e nxanësve të “Kolegjit Saverian” paraqitet si ma poshtë, gjithnjë tue pasë parasysh që aktivitetin e tij Kolegji, e ka nisë që në krijimin e tij, në vitin shkollor 1877-1878.

Më 10 shkurt 1909 u shfaq pjesa gaztore “Mësuesi i katundit” ose “Shkolla e Katundit” shkrue nga jezuiti At Anton Xanoni.

Po në vitin 1909 shfaqet drama e At Silvio Pelikos “Bardhi i Ferdinandit” me përkthim të Shuk Gurakuqit.

U shfaq “Sh’ Eustaku” me autor Kolë Thaçin dhe “Tre Martirët e Casaresë”, e përkthyeme prej Kolë Thaçit. të shfaquna më 1911 .

Me 2 shkurt 1914 shfaqet drama e Lemoyene-it “Llogoret e mullinjve” të përkthyeme nga At Anton Xanoni S.J.

Me 24 shkurt 1914 shfaqet e para dramë per Heroin tonë Kombëtar Gjergj Kastriotin në Shqipni “Skëndërbeu”, 5 akte, punue nga At Anton Xanoni.
Po kjo dramë, u përkthye nga frëngjishtja nga Gjon Bazhdari, dhe u vue në skenë më 27.11.1914, mbas së cilës u luejt komedia e shkrueme nga At Anton Xanoni “Profesor Llapa”.

Më 10.2.1015 u shfaqë komedia “Lejleku në Shkodër” e shkrueme nga At Anton Xanoni.

Më 1916 shfaqet drama me 4 akte “Juli” e përkthyeme nga Kolë Mirdita.

Po këtë vit shfaqet drama me 5 akte “Vdekja e Skëndërbeut” me autor Helenau (Kolë Mirdita). Drama e fundit u rishfaq më 17 Janar 1917, me rastin e 450 vjetorit të vdekjes së Skëndërbeut me regjizor nga vetë autori.

Më 1917 u dha premierë komedia me 3 akte “Dy nipat e Kontit Kavur” ose “Dy savojardët” me përkthimin e Frano Lufit.

Po këtë vit shfaqet drama “Moisi Golemi” në pesë akte, shkrue nga At Anton Xanoni me rregji të Fra Gjon Pantalia.

Më 1919 u çfaq premiera “Fernando Kortez”, dramë historike me 4 akte shkrue simbas romanit me të njëjtin titull nga Ndoc Vasia.

Më 1920 shfaqet nga nxanësit e Kolegjit Saverian, bashkë me disa aktorë të Shoqnisë “Bogdani” boceti dramatik, “Ora e Shqypnis” e drejtueme nga Fra Gjon Pantalia. Po kjo dramë u shfaq në Gjinokastër, Delvinë dhe Sarandë, nga studentë të Gjinokastrës.

Në vitin 1921 nxanësit e kolegjit shfaqën tri komedi të përkthyeme nga italishtja dhe të adaptueme shqip: “Fluturoi dysheku” dhe “Batakçiu i rrejtun” punue nga Ndoc Vasia, si dhe “Kudo rafsha mos u vrafsha”, të shkrueme nga Zef M. Harapi.

Po këtë vit, më 2 dhjetor u shfaq komedia në 4 akte “Shkolla e magjarëve”, të përkthyeme nga Kolë Plani.

Gjatë vitit 1922-1924 nga Kolegji Saverian u shfaqën këto pjesë teatrale:
“Bylbyli” komedi në dy akte, adaptue nga italishjta me autor Ndoc Vasinë.

“Konte Kavalo”, drama mesjetare përkthye nga italishtja prej Cuk Simonit.
“Dy gungaçat” komedi me tre akte e Molierit e adoptueme nga Ndoc Vasia.
“Gjoni prej Kale” dramë e përkthyeme nga italishtja në 3 akte.

“Isaku” dramë e përkthyeme nga italishtja në 3 akte.

“Shjor Puci” melodramë nga Zef Gianini, përkthye nga Dom L. Shantoja.
“Ciko Pistolja”, komedi me 3 akte e adaptueme nga italishtja.

Gjatë vitit 1925-1928 nxanësit e Kolegjit Saverian dhanë këto shfaqje:

“Luigj Gonzaga”, melodramë në 3 akte, të shkrueme nga poeti ynë kombëtar At Gjergj Fishta.

“Shën Françesku”, dramë në 3 akte nga poeti ynë kombëtar At Gjergj Fishta, botue me 1912 nga shtypshkronja Nikaj. “Një familje fatosash” dramë e perkthyeme nga italishtja prej autorit Ndoc Vasia.

“Triumfi i Kristianizmit”, dramë në tre akte e perkthyeme nga italishtja.

“Kostandini i Madh” dramë historike e perkthyeme nga italishtja.

“Eustaku” dramë nga P. Metastazi, perkthye në vargje nga Kole Thaçi.
“Shpata e Skenderbeut” ose “Ballaban Pasha” dramë në tre akte shkrue nga At Anton Xanoni. Drama pati sukses të jashtëzakonshem dhe u vu në skenë disa herë me aktor të ndryshem jo vetem, me rastin e 15 vjetorit të Pamvarësisë me 28 Nandor 1927, por edhe me 1928, 1937, me 1938 dhe me 8.11.1942.
Nxanësit e Kolegjit Saverian per 50 vjet, nga viti 1878 dhe deri në vitin 1928 kanë shfaqë ma shumë se 100 pjese teatrale shqiptare dhe të hueja.

Prej vitit 1929 deri me 1933, kur teatri u mbyll me urdhnesë të qeverisë mbretnore, u shfaqen këto pjesë:

“Leoni i madh”, dramë në tre akte e perkthyeme.

“Konti Retimos” dramë mesjetare fiorentine në tre akte, e perkthyeme nga Henrik Lacaj (1929).

“Skenderbeu dhe mbarimi i tradhëtarëve” dramë historike me 5 akte (1930),  e persëritun edhe 3 herë të tjera po atë vit.

“Konti i Drishtit” dramë në tre akte nga Kolë Dema (15.2.1931).

“Ciko Pistolja” komedi e përpunueme nga Ndoc Vasija në tre akte.

“Fluturon dysheku” farsë me një akt e perkthyeme, adaptue shqip (1933).

Gjatë kësaj periudhë janë shfaqë edhe komeditë:

“Shkarpa e fëllanxa”, “Telegrafi 1 prill”, “Veshët në piru”, “Dy sherbëtoret”, “Xhuxhmaxhuxhët”, “I shpejti dhe i ngadalshmi”.

Me pjesen humoristike “Kontekaciku” mbyllet edhe veprimtaria e Kolegjit Saverian, i cili gjatë 55 vjetëve të jetës së tij vuni në skenë 117 pjesë teatrale (Liber prej A.Skanjetit “100 vjetori i Teatrit Shkoder” 1879 - 1979) .

Teatri i Jezuitve u shtetizue në Nandorin e vitit 1945, kur u mbyll Kuvendi.

***

Ndersa per Teatrin e Fretenve në Shkoder, kam marrë një fragment nga një shkrim i z. Frano Kulli ku flet per një temë inteesante mes At Gjergj Fishtës dhe piktorit Profesor Simon Rrota, nga Shkodra në kujtimet e Tija:

Por aksioni më i rëndësishëm i Poetit tonë është futja e gjuhës shqipe si gjuhë mësimi në të gjitha shkollat françeskane (1902). Edhe si gjuhë në veprimtaritë edukative-argëtuese.

Kam parasysh këtu teatrin fishtjan, teatër i cili ka lidhun Simon Rrotën, si skenograf me At Gjergj Fishtën si dramaturg e regjisor. Ne sot nuk e njohim mjaftueshëm punën e skenografit Simon Rrota, por kemi pohimin e tij se ishte skenograf i Kolegjit të Françekanëve dhe i Kolegjit Stigmatine të Vajzave (shkruen S.Rr.: “...Unë ishe skenografi i Teatrit Françeskan dhe i atij të Motrave  (murgeshave) Stigmatine”).

Komedia e Molierit “Mjek përdhuni” është shfaqja e parë teatrore në qytetin Shkodër (por edhe në Shqipni), sepse “ma  përpara nuk ishin shfaq shfaqje në gjuhën shqipe”, shkruen piktori Simon Rrota. Dhe “drama pati sukses të madh, – vazhdon Simon Rrota në kujtimet e tij, – veçanërisht pse ishte në gjuhën shqipe, prandaj bani një përshtypje të madhe në popull, (i cili) e priti me duartrokitje të vazhdueshme, në drejtim të poetit tonë”

4. At Gjergj Fishta e trajtoi si koleg piktorin e ardhshëm me gjithë diferencën në moshë (Fishta i kishte 16 vjet para Simonit). E ndihmon me materiale për vizatim, i siguron vend pune në bibliotekën e kuvendit, ku gjente qetësi dhe shfrytëzonte librat e artit që Fishta i blente për të pasunue Bibliotekën  Kuvendit sa herë udhëtonte nëpër Europë:

“Ngushllimi ma i madhi qi muejshe me pasë unë, ishte vetëm Kuvendi i Françeskanëve,- shkruan Simon Rrota,- pse aty, në biblioteken e tyne, gjejshe atë çka unë dishrojshe, tue pa prodhime veprash hartistike qi më inspirojshin shumë e me nepshin zemer me punue e me harrue njiherit edhe disprimin tem. Veçanërisht njatë herë kur  Patër Gjergji ishte kthye prej Italijet e më fali do materiale për pikturë: bojna, penela etj., e më tregonte shumë vepra artistike qi kishte pa atje. Për mue kjenë momentet ma të gëzueshme…” (f.35)

Prof. Simon Rrota, krahas Patër Gjergj Fishtës rreshton edhe Patër Vinçenc Prennushin e Patër Ambroz Marlaskajn, të cilët e kishin  ndihmue artistikisht (“për nevoja artistike”), për kompozicionin e veprave fetare që realizonte për kisha etj., tue e krahasue veten, në një farë mënyre, me “Rafaelin (Raffaello Sanzio), (i cili) kur donte me paraqitë vepra fetare klasike, shkonte gjithëherë te Kardinal Bibiena, për me marrë udhëzime të sigurta për figurat qi do të bante ndër veprat e veta”. (f.34)

Për me përfundue do të ndalem në dy korrigjime që na duhet të bajmë tashti që kemi në dorë kujtimet e piktorit Simon Rrota. Të dy janë të lidhura me teatrin. Korrigjimi i parë ka të bajë me shfaqjen e parë të shkrueme dhe të vume në skemë nga At Fishta, më 1905 (ose me titullin e saj): deri tashti dihej se kjo shfaqje ka qenë një komedi e Molierit, e përshtatun nga At Fishta (ose, siç shprehej Fishta, “simbas Molierit”), por titulli i saj nuk asht “I ligu për mend” (Andrea Skanjeti, f.18), por “Mjek përdhuni” (Simon Rrota e shkruan “Mjek i përdhunë”).

Korrigjimi i dytë lidhet me Teatrin e Françeskanëve (Teatri i Françeskanëve, ndodhej djathas në oborrin e Shkollës Vasil Shanto), i cili, simbas Rrotës, “kje ndërtue pak vjet ma parë se ndërtesa e shkollës (1899). Ndërsa simbas At Donat Kurtit “salloni i theatrit kje ndreqë më 1899”. Të dy korrigjimet kanë rëndësi të dorës së parë, sepse lidhen jo vetëm me një titull komedie, por me veprën e parë teatrore në gjuhën shqipe, që asht një përkthim/ përshtatje e komedisë së Molierit (Mjek përdhuni) dhe asht jo vetëm pjesa e parë teatrore e shkrueme dhe e vume në skenë në qytetin e Shkodrës, por edhe në gjithë Shqipninë (ose në trojet shqiptare, se aso kohe nuk kishte Shqipni me kufij  të shkruem në harta a defterë të çfarëdoshëm).

Asht, gjithashtu, shfaqja e parë në gjuhën shqipe luejtë në një teatër (salon teatri), për ndërtimin e të cilit, siç na dëshmon Simon Rrota, fretnit e Shkodrës së bashku me punëtorët rrezikuen shumë, për shkak të atyne       “qi nuk dojshin ndërtesa e, teatër pa lejen e Stamollës (kryeqyteti i Perandorisë Otomane) që nuk mund t´u ndërtonte. Prandej puntorët u veshnin me zhguna (veshja e fretënve) si fretnit, për mos me ra në sy të qeverisë turke.”Ndërsa një korrigjim tjetër duhet të bajmë tue vlerësue teatrin e traditës, ashtusi na vjen nga piktori shkodranë Simon Rrota:

“Çfaqjet teatrale qi u bajshin për të paren herë, në gjuhen shqip, për meritë të letrarit të famshëm Atë Gjergj Fishta, nisën të baheshin shumë tërheqesë për vendin tonë e sidomos për gratë pse ato, nuk kuptojshin italishten, ndersa djelmët e burrat e zotnojshin mirë atë gjuhë e të thuesh, as nder mend nuk i shkonte gjuha amtare…”(f.34)

Teatri i Fretenve u shtetizue në Nandorin 1946, kur Kuvendi u kthye n’burg.

Ndersa, jo larg nga kjo kohë Teatri i Parë i Shqipnisë, në Shkoder, shembet me kulm e themel, tue mos lanë asnjë gjurmë të Tij si mos t’ ishte kenë kurr!

Sulmoni, sulmoni Shkodren, tash po i gjeni komshijtë në dhomat e gjumit!

***

Në vitin 1958 bashkë me Prof. Simon Rroten kemi shkue në inaugurimin e Teatrit të rij të Shkodres. Profesori kishte dy vrejtje: ”1. Pullazi i teatrit para i prishë pamjen dhe 2. Me që dy ditë para inaugurimit vdiq artisti i Madh Shkodranë Zef Jubani, Teatrit të Ri duhej ti vehej Emni i Zef Jubanit.”

Shkodra atëherë e sot ka pasë artista që mund të krenohej nder shekuj.

Sigurisht, njëditë Emnat e Tyne do të daltohen ashtusi e meritojnë Ata!

Edhe pse Teatri i Parë i Shqipnisë asht shembë, si shumë vepra tjera me vlerë, asht e domosdoshme të plotsohet historia e tij me referencat e kohës!

Melbourne, 27 Qershor 2023.



(Vota: 2 . Mesatare: 1.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora