Speciale
Syrja Etemi: Arsimi në trevën e Tetovës në kohën e sundimit të Mbretërisë SKS (2)
E diele, 13.11.2022, 08:55 PM
ARSIMI NË TREVËN E TETOVËS - NË KOHËN E SUNDIMIT TË MBRETËRISË SKS (2)
(VIJON NGA PUBLIKIMI I KALUAR...)
Shkruan Syrja ETEMI
Si punëtor i arsimit i
profilizuar: pedagog shkollor, që në moshë të re më ka gëluar interesimi për të
njohur dhe kuptuar mënyrat dhe format e arsimimit të prindërve tanë apo
gjeneratave më të hershme që kanë kaluar nën dërstilat e shkollës dhe arsimit
të hegjemonizmit serb.Me të dhënat që do
t’i shtroj në këtë shkrim, mos t’i bie kjo që jam lokalist, por, në një farë
dore, do të mundohem t’u jap një pasqyrim apo fotografi sa më konkrete me
pretendimin për të kuptuar këtë gjendje -
gjithësesi të vakët. Pikërisht për këtë qëllim do të më shërbejnë disa
shënime komplementare që kam mundur t’i vjeli nga ish nxënësit e vendbanimit që
i përkas, duke filluar që nga vitet tetëdhjeta.
NXËNËSIT
SHQIPTARË – TË PËRFSHIRË SI MYSLIMANË
Në krahinat me popullatën
dërmuese analfabete, programet ambicioze të arsimit fillor, me pretendimin për
“korrigjimin e gjuhës joletrare” të nxënësve, nuk hasën në tokë pjellore. Edhe
pse Kushtetuta e Vidovdanit (1921) proklamonte shkollim fillor gjithëpërfshirës
- falas dhe të detyrueshëm, hartuesit e sajë kanë paraparë mundësi që ajo “të
pësojë ndryshime”, përderisa arsimimi në gjuhën amtare të pakicave kombëtare
mund të llogaritet vetëm në shkollat fillore katërklasëshe, të ashtuquajtura,
shkolla popullore. Por kjo kurrë nuk u dëshmua në praktikë me nxënësit
shqiptarë, sepse ata nuk llogariteshin si etni shqiptare, por si “myslimanë”.
MËSUESIT –
PROMOTORË DHE VIKTIMA TË METODËS “MAQEDONASE”
Kuadrin mësimor e formoi
Ministria e arsimit e cila, siç kemi përmendur - me ndëshkimin “transferim”,
solli në Jug mësues nga Sërbia, Mali i Zi, Bosnja, Hercegovina dhe Vojvodina.
Punëtorët e rinj arsimor të cilët nuk kishin proteksione, dërgoheshin në
“Sibirin jugosllav”, siç quhej shpesh edhe nga të deleguarit në parlament. Me
këtë, nuk është llogaritur koha e humbur kur bëhej transferimi, kështu që
nxënësit gjatë kohë ngelnin pa ndjekur mësimet deri sa të zëvendësohet vendi i
mësuesit. Përveç pagave të ulta të punëtorëve arsimor, ata kishin edhe probleme
banesore për shkak se shumica banonin nëpër vet shkollat.
Shumë nga mësuesit që ishin në
atë gjendje, shpresonin në ndonjë transferim në ndonjë rajon më të mirë, por kishte edhe raste të
tilla që, në shenjë të besnikërisë dhe lojalitetit ndaj politikës, fitonin edhe
kushte më të favorshme, të cilët zyrtarisht evidentoheshin si mësues fshati, por edhe punonin në kooperativa.
Në bazë të observimeve të pushtetit ushtarak në Jug ka pasur mungesë të mësuesve dhe klerikëve, ndërkaq në mesin e kuadrit ekzistues dominonin ekzarkistët gjysmëanalfabetë, madje, nepotizmi dhe korrupsioni në anën tjetër. “Rrugës sonë Bullgarët sigurisht nuk kanë sjellë por kanë marrë nga këtu atë që është më e mirë. Ne , madje, punojmë krejtë anasjelltas”, shënon koloneli D. Tasiç qysh në vitin 1921.
Gjatë vitit 1920 kuadri
mësimdhënës ka qenë jashtëzakonisht i larmishëm. Në kontekstin etnik shquhej
dominimi absolut i Sërbëve, madje të dhënat zyrtare flasin edhe për praninë e
204 mësuesve të nacionalitetit turk dhe
130 mësues shqiptarë. Të gjithë mësuesit më 1918 kanë punuar pa ndonjë provim
shtesë apo plotësues. Kolegët e tyre të kualifikuar në mënyrë vullnetare i kanë
mbështetur dhe ndihmuar, duke shpresuar se me “arsimin e devotshëm”do të
plotësojnë mungesën e profesionalizmit.
Megjithatë, koha tregoi me të drejtë që, “individë të devotshëm” u bënë masë më
e përshtatshme nga të cilët Ministria e arsimit regrutonte “partizanë lojalë”
për nevojat e veta; “spiunë”, dhe duke i vënë në pozicione mbikqyrëse, e, në
këtë rast - Inspektorë.
Rasti eklatant është ai i Shumadisë, kur tek inspektori i arsimit
denoncoi drejtorin e shkollës, i cili gati një vit, në mënyrë të paautorizuar
dispononte para të destinuara për ndërtimin e shkollës së re. Kësilloj
spiunimesh kishte sa të duash dhe në shumë raste, bile edhe në trevën e
Tetovës.
GJENDJA E ARSIMIT NË KOHËN E
MBRETËRISË JUGOSLLAVE NË POLLOG
Të fokusohemi pak në një gjeografi lokale, I vetëdijshëm
se ajo nuk bën përjashtim nga ato që funksiononin në mbarë Banovinën e
Vardarit. Pra, flasim pak për zhvillimin e procesit të punës arsimore-edukative
në shkollën e mjedisit rural të rrethit të Tetovës, përkatësisht – në Leshkë ku
kanë mësuar edhe nxënës “myslimanë” nga fshati Sllatinë.
S’do mend se arsimi është i lidhur ngushtë me sistemin
shoqëror të atij shteti. Meqë në vitet pas sundimit turk, Sllatina u pushtua
nga Serbia, sigurisht se edhe shkollat dhe arsimi ishte në gjuhën serbe.
Kështu, fëmijët shqiptar ishin të detyruar të ndiqnin mësimin në gjuhën e
pushtuesit. U hapën shumë shkolla në qytetin e Tetovës, madje në Leshkë, Në
Tearcë, në Dobrosht e k.m.r. Nxënësit e Sllatinës mësonin në Leshkë bashkë me
maqedonasët e vendit - në gjuhën serbe. Kështu, në vazhdim do të japim disa
detaje nga disa ish nxënësit që kanë mësuar në këtë shkollë.
Në kohën e Kralevinës (Mbretërisë SKS), për të gjithë
popujt që jetonin në të, arsimi zhvillohej vetëm në gjuhën serbokroate. Në
shkollën fillore të Leshkës mësonin edhe serbë edhe sllavomaqedonë (nga
Leshka,Sllatina dhe Varvara) edhe shqiptarë nga Sllatina. Shkolla ishte 4
klasëshe, kurse nxënësit shiptarë fillonin nga klasa parapërgatitore (për
mësimin e gjuhës, ku ndiqnin mësimin me nxënësit sllavë të kl.IV).Në klasë të
parë përfshiheshin, përveç fëmijëve të moshës adekuate (7 vj.), edhe nxënës që
nuk e kanë ndjekur nga fillimi shkollën, bile edhe nxënës të moshave 8, 9 e 10
vj. P.sh., Merxhan Etemi (Babai i autorit të shkrimit) tregon se është përfshi
në kl.të parë, faktikisht në parashkollor në moshën 10 vjeçare, sepse “në
pikëpamje fizike ka qenë i dobët”. Kështu, vazhdon protagonisti në fjalë (me
rrëfim të transkribuar në gjuhën letrare nga autori):
“Mësimi është zhvilluar për të gjithë nxënësit edhe para
dite edhe pas dite. Para dite mësonin nga ora 8-00 deri 11-00 e, mandej shkonin
në shtëpi për drekë për të vazhduar pas dite nga 13-00 deri 16-00. Viti
shkollor fillonte nga 1 shtatori dhe përfundonte me 31 maj. Mësohej nga e hëna
deri të shtunën,vetëm se të shtunën mësimi zhvillohej vetëm para dite.
Mësuesit, bashkë me gratë e tyre (që ishin edhe ato
mësuese), banonin në shkollë. Ata ishin: Aco dhe Zhiko, kurse mësueset: Lubica
dhe Jelica.
Për nxënësit e të dy feve organizohej, përveç mësimit
laik edhe mësim fetar ku, për nxënësit ortodoks vinte prifti, kurse për
nxënësit myslimanë - hoxha, në këtë rast, Molla Osmani. Nxënësit shqiptarë (nga
kl.I-IV) kur kishin religjion u mblidhshin në një klasë, ndërsa për të tjerët
organizohej veças. Zhvilloheshin këto lëndë mësimore: Çitanka (Lexim) apo
Maternji jezik (Gjuhë amtare - serbe), Matematikë, Zemljopis (Gjeografi),
Histori, Vizatim, Fiskultur...
Në lëndën e gjuhës “amtare” serbe, nxënësit, së pari
mësonin të shkruajnë dhe lexojnë në alfabetin cirilik, pastaj edhe në atë latin
apo “latinica”.
Në shkollë përfshiheshin edhe meshkujt edhe femrat.
Femrat myslimane (shqiptare) nuk e ndiqnin shkollën, pasi edhe nuk ishte e
obligueshme për to. Në këtë drejtim bëhej një rezistencë e paparë nga ana e
prindërve që me çfarëdo lloji çmimi (të paguajnë edhe dënime të larta) vetëm e
vetëm femrat të mos shkojnë në shkollë).Një obstruksion i theksuar manifestohej
edhe për meshkujt, sepse shkolla nuk është e nevojshme sa puna që mund të bënin
fëmijët duke ruajtur bagëti(dhen e
lopë),punë fushe e mali, etj.
Rrjedhën dhe përparimin e punës mësimore e përcillte inspektorati i arsimit apo “nadzorniku”, i cili hynte nëpër klasë dhe i pyeste edhe nxënësit se çka dhe sa dinë.
MASAT NDËSHKOMORE KUNDREJT
“ÇAPKANËVE”
Ndëshkimet që më së shumti i aplikonin mësuesit ishin të
karakterit psiqik por edhe fizik. Ja disa raste konkrete (sipas rrëfimit të
Merxhan Etemit): “Një nxënës i klasës (Avdi Avdii), në librin e leximit ku
ishte fotografia e Knjaz Llazarit, ia kishte shpuar sytë me laps, dhe kur e
kishte vërejtur këtë “uçiteli” (mësuesi), jo vetëm që e rrahu dhe e dërmoi në
klasë, por mandej e mori për veshi “mëkatarin” dhe e çon klasë më klasë që ta
pështyjnë krejt nxënësit e shkollës në fytyrë, bile edhe t’Ia ngjeshin nga një
shuplakë të mirë. Një rast tjetër, nxënësi pse nuk e kishte mësuar vjershën,
mësuesi e detyron që të përvesh këmbët deri në gjunj dhe të ulet po në gjunj
mbi guralecë të shtruar në dysheme. Për çdo ditë mësuesi vinte në klasë me
thupër vidhi, thane apo thupër kumbulle, me të cilën tmerronte fëmijët e
“prapë”. Përveç dënimit “kleçi” (gjunjazi), aplikohej edhe dënimi i
ashtuquajtur “bezru?ka” (pa drekë apo me uri). Nxënësi që nuk mësonte apo që
bënte ndonjë prapështi, nuk lehohej të shkonte në shtëpi të hante drekë, por do
të mbyllej në podrum deri sa të vinin nxënësit në turrnin tjetër.
AKTIVITETE TË LIRA
Mësuesit serbë, shpesh, me banorët lokalë organizonin
lojëra të ndryshme popullore, por edhe dilnin në natyrë, përkatësisht në
gjueti.I detyronin nxënësit që të thirrnin prindërit për kryerjen e punëve të
rënda fizike shtëpiake, sidomos bartjen dhe çarjen e druve.Organizoheshin edhe
ekskursione në natyrë, sidomos në Festën e shkollës, që ndryshe quhej: Sveti
Sava - škollska sllava” (Shën Sava - Festë e shkollës) ku, në vendin e quajtur
“Bare” në fushë të Sllatinës, mblidheshin jo vetëm nxënësit dhe mësuesit e
shkollës së Leshkës, por edhe ata të Ratajës, Zhillçes e Shemshovës.
Librat i blenin vet nxënësit (prindët), të cilët ia
jepnin paratë mësuesit dhe ky i binte ato nga Tetova. Në këto tekste mësonin
tregime, përralla të moçme serbe, vjersha etj.
Në vazhdim po paraqesim një vjershë të mësuar dhe të
recituar nga një ish nxënës i kësaj shkolle, Iljaz Emurllahi, në gjuhën serbe
(në vitin 2003, që e ka mësuar në vitin 1935):
ŠKOLA* SHKOLLA*
Škola naša lepa Shkolla
jonë e dashur
Majka naša mila, Nëna
jonë e shtrenjtë,
Dosta se nam škola Mjaft,
moj shkolla jonë
Osamljena bila!... Ti
ke ndejtur vetë!...
Evo tvoje djece Ja
fëmijët e tu
Evo nove snage, Me
zemra të zjarrta,
Da slušaju tvoje T’i
dëgjojn’ këshillat -
Opomene blage. Të
ëmbla si mjalta.
Da nam škola mila Drejt dritës së diellit
Ti pokažes puta, Të
na tregosh rrugën,
Da nam duša mlada Që
hovi ynë i mbarë
Nikad ne zaluta... Mos
ta humbë udhën.
NË VEND TË
PËRFUNDIMIT
Në përgjithësi mendoj se, ky shkrim duhet të paraqesë një rëndësi të veçantë jovetëm për
Sllatinën dhe trevën e Tetovës, por
edhe më gjërë në këtë zonë, sepse,
përveç ruajtjes së kujtesës për frymimin e shkollës dhe arsimit në këto treva - ndër
vite, këtu do të mund të pikaset edhe një pjesë e historisë
gjithëpërfshirëse, kur dihet se shumica e gjeneratave që jetojnë këtu, gati të
gjithë kanë kaluar nëpër dyert e këtyre objekteve arsimore të ndërtuara që në
këtë kohë të sundimit serb në trevën e Tetovës. Përveç njohjes me të
kaluarën arsimore të vendlindjes së tyre, ata do të përcjellin edhe porositë
tek fëmijët, nipërit e mbesat e tyre, se
si është përdhosur gjuha shqipe, në mënyrë që me çfarëdo sakrifice duhet të
punojnë e mësojnë SHQIP për ardhmërinë që e ëndërrojnë, për vendin e vet, familjen
e kombin përgjithësisht. Gjithashtu, do përcjellin amanetin e tyre se si
duhet ruajtur kujtesa historike, e se si
duhet përgjëruar e gjakuar për arsim e shkollë shqipe.
Jam i vetëdijshëm se vetëm me këto shkrime në këto dy
vazhdime, nuk është e përfshirë e tërë krajata e shkollës dhe arsimit në këtë
trevë (të Pollogut) me qendër - Tetova. Gjithësesi ka vend edhe për shumë e
shumë plotësime, ngase asnjëherë nuk mund të thuhen të gjitha të bëmat dhe
peripecitë e çfarëdo veprimtarie qofshin ato. Prandaj, kështu siç është e
paraqitur kjo trajtesë (nëse mund ta quaj kështu), e njëjta mund të shërbejë,
përveç tjerash edhe si një “password”
për koncipimin e ndonjë historiku më gjithëpërfshirës dhe më konceptual nga
pinjollët e ardhshëm apo brezat që do të
vijnë nesër.