Speciale
Jusuf Buxhovi: 'Çlirimi' i Kosovës nga partizanët - Ripushtim sllavo-komunist (6)
E diele, 13.11.2022, 09:00 PM
Rishqyrtime historiografike (6)
LUFTA E
NACIONALDEMOKRATES SHQIPTARE (NDSH)
KUNDËR RIPUSHTIMIT JUGOSLLAV DHE PËR BASHKIM SHQIPTAR
(Forcat
nacionaliste shqiptare nga radhët e Lidhjes së Dytë të Prizrenit si dhe ato të
Ballit Kombëtar iu kundërvunë ripushtimit të Kosovës dhe të Maqedonisë nga
partizanët jugosllavë dhe ata shqiptarë .- Formimi i “Shtabit Suprem Ushtarak”
në Anamoravë, mbajtja e Kongresit themelues të Nacionaldemokrates Shqiptare
NDSH në Tanushë të Kopilaçës dhe bartja
e qendrës së lëvizjes në Shkup. - Vendimi i “Shtabit Suprem Ushtarak” për t’u
tërhequr në Greqi, dobësoi krahun ushtarak të Lëvizjes, por jo edhe rezistencën
e mëtutjeshme në formë të luftës guerile si dhe veprimtarinë politike të
NDSH-së nën platformën për luftën për
krijimin e Shqipërisë së bashkuar, demokratike dhe perëndimore).
Nga
Jusuf BUXHOVI
Lëvizja
Nacional Demokratike Shqiptare (NDSH) 1945-1947 lindi në rrethanat dramatike
nëpër të cilat po kalonte bota shqiptare në prak të përfundimit të luftës
antifashiste, me ç’rast ajo u ballafaqua me sfidat ekzistenciale, të cilat i vinin në njërën anë
nga raporti i forcave të luftës, ku e majta dilte fituese dhe me këtë
përcaktonte edhe sistemin shoqëror mbi baza ideologjike, dhe në tjetrën nga
sferat e interesit të fuqive të mëdha me të cilat Jugosllavia si shtet ruante
integritetin territorial të para shkatërrimit, gjë që edhe realitetin shoqëror
dhe politik shqiptar të viteve të përbashkëta (1941-1945) e kthente në gjendjen
e ndarjes që ia kishte përcaktuar Konferenca e Londrës dhe konfirmuar ajo e
Paqes në Paris.
Në
këto rrethana bota shqiptare ndodhej e
ndarë në dy shtete, ndërsa e bashkuar ideologjikisht në sferën lindore. Kjo e
dyta e kthente në kthetrat sllavokomuniste me pasoja të rënda dhe të
paparashikuara. Sepse, ripushtimi i Kosovës
dhe viset e tjera shqiptare, që për disa vite kishin jetuar në rrethanat
e një bashkimi, u lidh me terrorin shtetëror. Filloi qërimi i hesapeve me
inteligjencën shqiptare, patriotët si dhe forcat tjera, që luftonin për një
ardhmëri të përbashkët, demokratike dhe perëndimore. Ishte kjo një luftë me të
cilën synohej rrënimi i gjithëmbarshëm i vetëdijes historike të Shqiptarëve si
popull i lashtë, që i kishte takuar qytetërimit perëndimor dhe hapësirës së
tij.
Duke
mos u pajtuar me këtë gjendje me të cilën atyre u rrënohej qenia si popull dhe
qytetërim, forcat nacionaliste shqiptare, të cilat kishin qenë të lidhura me
shtetin e bashkuar shqiptar, pa marrë parasysh se në çfarë rrethanash ishte
krijuar ai, duke e konsideruar atë si të drejtë që u takonte kurdoherë për të
cilën duhej luftuar pareshtur, iu kishin kundërvënë ripushtimit partizan të
Kosovës dhe të viseve shqiptare në Maqedoni, e me këtë edhe vendosjes së
komunizmit qysh në çastet e para të largimit të ushtrisë gjermane dhe
paralajmërimit të futjes së forcave partizane shqiptare dhe jugosllave ngaqë e
dinin fare mirë se çfarë po i përgatitej atyre dhe Shqipërisë.
Kështu,
Ushtria Shqiptare dhe forcat e tjera patriotike
në kuadër të Forcave të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, të cilat edhe deri
më atëherë vëmendjen kryesore e kishin përqendruar në mbrojtjen e vendit nga
pushtimet sllavo-komuniste, ndonëse të shkapërderdhura, kishin bërë luftimet e
para me partizanët jugosllavë që
depërtonin nga verilindja (Presheva dhe Karadaku) dhe juglindja (Maqedonia).
Ngjashëm ishte vepruar edhe në Pollogun e Maqedonisë (nga Shkupi, Kërçova e
deri në Dibër), kur forcat nacionalliste kishin rikthyer hapësirën që deri më
atëherë e mbanin të pushtuar forcat bullgare, të cilat, kishin vazhduar me
terrorin kundër popullatës shqiptare.
Luftimet
e para zhvillohen në Anamoravë dhe Luginën e Preshevës në tetor të vitit 1944
për të vazhduar edhe gjatë nëntorit dhe dhjetorit, kur një pjesë e rëndësishme
e forcave të shkëputura patriotike, bashkohen rreth frontit të përbashkët të
rezistencës kombëtare. Në Anamoravë “Shtabi Suprem” nën drejtimin e Adem
Gllavicës, mori përsipër drejtimin e luftimeve
në Gjilan, Ferizaj dhe pjesët e tjera të Anamoravës. Ky zhvillim, nga prilli i
vitit 1945, krijoi fizionominë e në një lëvizje të rezistencës kombëtare nën
platformën politike të “Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare”, e cila tashmë
e kishte shpallur hapur luftën për një
Shqipëri të bashkuar, të lirë dhe demokratike.
Andaj,
nuk ishte e rastit që ideja për një organizim të përbashkët politiko-ushtarak,
që do të udhëhiqte lëvizjen e rezistencës shqiptare, të vinte njëherësh nga
Shkupi dhe Anamorava, ngaqë pikërisht këtyre pjesëve, krahas ndarjes
Kosovë-Shqipëri në përputhje me atë që kishte sjellë Konferenca e Londrës, e
Parisit e që e kishte konfirmuar ato ditë edhe Jalta, Shqiptarëve në përbërje
të Jugosllavisë “së re e demokratike”, u vinte edhe një ndarje tjetër: nën
Maqedoninë dhe nën Serbinë. Ndarja në republikat simotra shfaqej edhe më e
rëndë, ngaqë ajo prekte themelet e etnisë shqiptare të Kosovës dhe të
Maqedonisë Perëndimore, e cila nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit e këndej kishte
qenë qendër shpir-tërore dhe politike e Shqiptarëve në luftë për pavarësi
kombëtare, ku Prizreni dhe Shkupi njësoj kishin ushqyer idetë e bashkimit shqiptar dhe të shtetësisë
së tij. Në rrethanat e reja, Prizreni kthehej në qendër të një province
(obllasti) nën Serbi, ndërsa Shkupi, qyteti më i madh shqiptar nga antikiteti,
mesjeta dhe gjatë kohës së Perandorisë Osmane qendër e Vilajetit të Kosovës ku
edhe kishte qenë epiqendra e zhvillimeve historike (1878-1912) që kishin
sjellur pavarësinë e Shqipërisë, kthehej
në qendër të shtetësisë të një kombi politikisht të formuar (Maqedonas), me
detyrë që ta shuante identitetin shqiptar nga aty me anën e metodave të dhunës
politike dhe shtetërore (privimi nga arsimi kombëtar, heqja gjuhës shqipe në administratë, stimulimi i
emigrimit për në Turqi, sforcimi i turqishtes e të tjera) deri në shuarje të
tyre fizike në të.
Si
reagim ndaj kësaj gjendjeje, kur në Kosovë, Karadak dhe pjesët e tjera të
Maqedonisë Perëndimore forcat patriotike nga radhët e Divizionit IV shqiptar
dhe ato të Ballit Kombëtar po luftonin kundër njësive partizane dhe terrorit të tyre, në Shkup, i cili pas
kapitullimit të forcave bullgare dhe larimit të atyre gjermane, për disa kohë kishte qenë në duart
e ballistëve shqiptarë, gjatë muajit
mars të vitit 1945, u shfaq “Organizata Nacional Demokratike Shqiptare”, e
cila, luftës së filluar kundër ripushtimit jugosllav dhe për bashkimit shqiptar
duhej t’i jepte një platformë të qartë politike. NDSH u themelua në shtëpinë e
Hysniqemal Ejupit, në të cilën morën pjesë: Azem, Marana, Mahmut Dumani, Hasan
Bilalli, Hysniqemal Ejupi, Nebi Jonuzi dhe Nuredin Ibrahimi. Sipas
organizatorëve, NDSH, në rrethanat e ripushtimit sllavo-komunist të Kosovës dhe
të Maqedonisë dhe ndarjes së saj midis Maqedonisë dhe Serbisë, si synim kryesor
kishte bashkimin e Kosovës dhe viseve të tjera me shumicë shqiptare me
Shqipërinë.
Që
kjo të sendërtohet, NDSH dhe drejtuesit e saj u zotuan sa më shpejtë të
vendosin lidhje me nacionalistët shqiptarë në Kosovë dhe Shqipëri, të cilët ishin
të shumtë por pa një qendër drejtuese.
Në
kuvendin themelues, po ashtu, u tha se vëmendje e veçantë do t’i kushtohet
ngritjes nacionale te Shqiptarët, me çka do të zgjerohet dëshira dhe vullneti i
tyre për bashkim kombëtar.
Themelimi
i NDSH-së dhe programi i saj kombëtar nuk mbeti i pavërejtur. Nacionalistët
shqiptarë, të cilët e kishin gjithnjë e më të qartë se pushteti popullor
komunist po zhvillonte një veprimtari të hapur kundër Shqiptarëve dhe qenies së
tyre, filluan t’i bashkohen asaj, veçmas pas copëtimit të hapësirës së tyre në
shumë pjesë (Kosovë, Maqedoni, Luginë të Preshevës). Bie në sy se krahas
nacionalistëve të devotshëm që nuk pajtoheshin me ripushtimin sllavo-komunist
dhe ndarjen që sillte ai, do të jenë ish
partizanë, pastaj prefektë komunash dhe të tjerë të përfshirë në radhët e
nacionalçlirimtares, por të zhgënjyer nga mashtrime e saj, që do t’i bashkohen
organizatës. I tillë ishte Rexhep Dauti nga Tanusha, i cili ishte komandant
policie në Tanushë, Mulla Hajdar Kurteshi nga Kumanova – ish komisar politik i
aradheve ushtarake të Sylë Hotlës, Mehmet Bushi, oficer – ushtarak dhe oficer
në Tetovë e Gostivar, Jetish Vishi nga Vitia e Gjilanit e shumë të tjerë nga
Maqedonia Perëndimore, Anamorava dhe
Karadaku i Shkupit.
Masivizimi
i shpejtë i ONDSH-së në Maqedoni si dhe ndërlidhja me Kosovën bëri që pjesët
e ndryshme të rezistencës kombëtare në
Kosovë dhe Maqedoni të ndërlidheshin ushtarakisht dhe politikisht, në mënyrë që
lufta e tyre të jetë sa më e suksesshme. Kështu, në gusht të vitit 1945,
“Shtabi Suprem i Kosovës” i drejtuar nga Adem Gllavica ftoi një takim të
përfaqësuesve të njësive të kryengritësve shqiptarë dhe të organizatave të
NDSH-së. Takimi u mbajt në Tanushë të Kopilaçës, më 15-16 gusht, midis Moravës
së Epërme e Karadakut të Shkupit.
Komiteti
i NDSH-së Shkupit, i cili ditë më parë
edhe nga Hysen Tërpeza kisht
marrë një ftesë për kongresin e përbashkët, për në Tanushë të Kopilaçës nisi
Qemal Skënderin, Mexhid Zymberin, Rexhep Dautin dhe Xhemal Fazli Ferën.
Krahas
përfaqësuesve të Shkupit në këtë tubim ishin edhe: Hysen Tërpeza, Adem
Gllavica, prof. Ibrashim Kelmendi, Luan Gashi, Tefik Tanisheci, Hasan Kabashi –
Vitia, Din Hoxha nga Kaçaniku, Qazim Sefa nga Llugaxhia, Qazim Soba, Hajriz
Kajolli e të tjerë. Mbledhja mbajt në shtëpinë e Zylbehar Beqiri Ajvazi.
Hysen
Tërpeza, bëri të ditur për lidhjet e vendosura me Komitetet e NDSH-së në
Gjilan, Prishtinë, Prizren dhe së fundit edhe me atë të Shkupit. Në Kongres
folën edhe Adem Gllavica, Luan Gashi dhe prof. Ibrahim Kelmendi, të cilët
shpalosën platformën mbi të cilën duhej të zhvillohej veprimtaria kombëtare,
qëllimi i së cilës është kundërshtimi i vendosjes së diktaturës
sllavo-komuniste, mospranimi i copëtimit të trojeve shqiptare si dhe lufta për
bashki-min shqiptar në një shtet demokratik dhe të lirë.
Kongresi
emëroi Shtabin e Përgjithshëm të luftës me në krye Hysen Tërpezën në përbërje
të të cilit ishin edhe Luan Gashi, Bajrush Xhakli (komandant i batalionit të
dytë në malet e Presedelit), Rexhep Okllapi (komandant i batalonit të tretë në
malet e Keçekollës), Shaban Haliti (komandant i batalonit të katërt), Syl Hasip
Hotla (komandant i batalonit të pestë për Kumanovë e rrethinë) dhe Din Hoxha
(komandant i batalionit të gjashtë). Në Shtabin e luftës ishte edhe Adem Gllavica
i ngarkuar për propagandë. U vendos që prof. Ibrahim Klemendi të delegohet për
propagandë në Shkup, ku NDSH do ta kishte
selinë, kurse Luan Gashi do të kryente të njëjtat detyra në pjesët
midis Suharekës dhe Prizrenit. Kongresi caktoi edhe komandantët e katër zonave
operative.
Në
fund, Kongresi doli me udhëheqjen e re të NDSH-së në krye me patriotin Halim
Orana nga Gjilani. Qemal Skënderi u zgjodh zëvendëskryetar dhe Azem Marana
sekretar i organizatës. Anëtarë të KQ të NDSH-së u zgjodhën: Hamdi Berisha,
Mehmet Bushi, Hysen Rudi, Januz Balla, Mahmut Dumani, Hasan Bilalli, Haki
Efendi Sermaxhaj, Osman Cani dhe Mitat Tërshana.
Kongresi
miratoi disa dokumente si “Skemën e organizimit” dhe “Programin e Lëvizjes për
Lirimin e Tokave Shqiptare” me pesë pika:
1.
Liri dhe pavarësi të plotë me të drejta vetëqeverimi në bazë të vullnetit të
shfaqur lirisht;
2.
Nën tokat shqiptare kuptohet krejt vendet, ku banojnë Shqip-tarët, në 60% pa
dallim se si quhet krahina e vendit dhe nga kush është pushtuar;
3.
Lëvizja nuk ka qëndrim armiqësor kundër asnjë populli fqinjë, as kundër partive
politike, vetëm insiston në mënyrë kulturore dhe me armë do të përpiqet t’i
arrijë idealet shekullore të kombit shqiptar që të jetë i lirë dhe vetë sundues
në shtet të vet me kufij etnik;
4.
Mbasi të vendosën kufijtë etnik, pa marrë parasysh kushtet tjera të kufijve siç
janë ato: strategjik, ekonomik, politik, etj... në mënyrë miqësore do të
shkëmbehet popullata e pakicave nacionale, duke i tërhequr Shqiptarët që do të
mbesin jashtë kufijve në vend të atyre që do të shpërngulen dhe do të përcillen
jashtë;
5.
Në kohë paqeje, Lëvizja nuk do të pushojë, por do të vazhdojë si shërbim roje
të drejtave të popullit shqiptar, si të atyre të brendshme, ashtu edhe të atyre
të jashtme, ndërkombëtar t’ua organizua për regjim me të vërtet demokratik dhe
për relacione miqësore me popujt fqinjë ballkanik.
Pas
përfundimit të punimeve të Kongresit, të
gjithë të deleguarit në qendrat e veta iu rrekën punëve për themelimin e
komiteteve vendore të NDSH-së, të cilat duhej
të marrin përsipër realizimin e vendimeve të marra në Kongres. Komitetet
vendore të NDSH-së u themeluan në të gjitha rrethet e vendit, të cilat ishin të
lidhura me Komitetin Qendror të NDSH-së në Shkup.
Shema
organizative që e lidhur me qendrën në Shkup kishte arsye praktike, por edhe
strategjike, me anën e të cilave synohej që të ndërlidhej puna e lëvizjes me
karakterin e saj kombëtar, ku Shkupi si qendër kundërshtonte jo vetëm ndarjen
që u ishte bërë Shqiptarëve në dy pjesë (Serbi – Kosova dhe Maqedonia
Perëndimore në Maqedoni), por edhe demonstronte unitetin politik dhe shpirtëror
në përputhje me të drejtën historike dhe etnike të tyre.
Kongresi
i bashkimit në Tanushë të Kopilaçës si dhe platforma politike që u aprovua aty
për veprim ushtarak dhe politik në të gjitha pjesët drejt sendërtimit të
synimeve të përcaktuara: bashkimi kombëtar si dhe lufta kundër komunizmit
krijoi një atmosferë mobilizimi te grupet e shkapërderdhura, por njëherësh
ngriti gatishmërinë e pushtetit komunist jugosllav dhe atij shqiptar “në luftë
të pakompromis kundër reaksionit” dhe “shërbëtorëve të tyre”, që rëndom
identifikoheshin si “kuislingë”, meqë kështu fshiheshin aspiratat dhe qëllimet
e njëmendta siç ishte bashkimi kombëtar dhe lufta kundër komunizmit. Kështu, në
Maqedoni dhe Kosovë, pushteti ushtarak, i cili nga fillimi kishte goditur
pamëshirshëm gjithçka shqiptare, kishte filluar operacionet e gjera në ndjekje
të pjesëtarëve të NDSH-së dhe të strukturave të tyre politike dhe ushtarake, që
përhapeshin në të gjitha anët. Kreu i NDSH-së në Shkup, konkretisht prof.
Ibrahim Kelmendi do t’i kundërpërgjigjet me hapjen e degëve të organizatës në
të gjitha qytetet e vendit si dhe të
shtrirjes së nëndegëve të tyre në thellësi si dhe me venien e lidhjeve me
përfaqësuesit e huaj në Maqedoni, ku me interes shfaqeshin ata anglezë dhe të Turqisë.
Lidhjet
e para me përfaqësuesin e konsullatës britanike në Shkup si dhe me atë turk u
vunë me anën e një letre që u ishte drejtuar diplomatëve anglezë dhe atyre
turq, ku njoftoheshin me qëndrimin e Shqiptarëve të Maqedonisë dhe të Kosovës
rreth bashkimit me Shqipërinë dhe se për këtë arsye “mijëra shqiptarë janë duke
luftuar me shpresë të madhe se do të kenë përkrahjen e Perëndimit, posaçërisht
nga faktori anglo-amerikan”.
Krahas
këtij njoftimi të përgjithshëm, konsullit turk i ishte bashkangjitur edhe një
njoftim tjetër në të cilin i bëhej me dije për veprimet përçarëse të pushtetit
jugosllav, me anën e të cilave popullsia turke, jo vetëm që po mbështet
politikën jugosllave ndaj Shqiptarëve, por disa aktivistë të saj janë vënë në
shërbim të verbët të saj duke bërë çmos që ata të deklarohen turq.
Profesor
Ibrahim Kelmendi kërkon nga konsulli turk që të shqyrtojë seriozisht këtë
çështje dhe të ndikojë te eksponentët e pushtetit jugosllavë të heqin dorë nga
kjo politikë, e cila mund të jetë e dëmshme për të dy popujt.
Por,
në vlugun e këtyre aktiviteteve politike, që po ndërmerrte prof. Ibrahim
Kelmendi nga Shkupi për masivizimin e NDSH-së, gjë që kjo edhe do të shfaqet me
suksese të konsiderueshme, hetohet rënia e aktivitetit ushtarak si dhe tërheqja nga veprimtaria e kundërvënies së armatosur
regjimit komunist jugosllav në përputhje me vendimet e Kongresit të Tanushës,
kur edhe ishte themeluar Shtabi Suprem Ushtarak bashkë me zonat operative. Kjo
kishte ndodhur pasi që Hysen Tërpeza komandant i Shtabit të Përgjithshëm në
përputhje me një vendim që kishte marrë Shtabi i Përgjithshëm në fillim të
tetorit në Tanushë, me anën e një letre, njoftonte qendrën e Shkupit për
tërheqjen e Shtabit Ushtarak drejt Greqisë. Në këtë letër kërkohej nga prof.
Kelmendi që të jepej pëlqimi i qendrës së NDSH-së për këtë veprim, i cili
arsyetohej me qëndrimin që ishte marrë nga kërkesa që ushtarakëve (Adem
Gllavicës dhe bashkëpunëtorëve të tij) u ishte drejtuar nga Mit’had Frashëri
dhe Muharrem Bajraktari që ata të kalonin në Greqi për të hyrë në shërbim të
planeve globale anglo-amerikane për destabilizimin dhe rrënimin e pushtetit
komunist në Shqipëri dhe në Jugosllavi, kurse “çështja e çlirimit dhe e bashkimit të tokave
shqiptare të aneksuara nga Jugosllavia do të vijë si pasojë e ndryshimeve të
sistemit në dy vendet fqinje, Shqipërisë
dhe Jugosllavisë”.
Qendra
e NDSH-së në Shkup nuk do të pajtohet me këtë vendim. Komiteti Qendror i saj do
të reagojë me qëndrimin se do të luftohet deri në përmbushjen e idealeve
kombëtare. Ngjashëm reagoi edhe Mulla Idrizi nga Gjilani, i cili me disa njësi
ndodhej në pjesët e thella të malësisë së Karadakut. Ai kërkonte që të hiqej
dorë nga arratia, sepse “nuk ka me shkue gjatë”.
Edhe
përkundër thirrjes së KQ të NDSH-së si dhe të Mulla Idrizit dhe disa patriotëve
të tjerë që gjendeshin nëpër njësitë guerile dhe luftonin për aq sa mundeshin,
forcat kryesore ushtarake të drejtuara nga Shtabi i Përgjithshëm, nga tetorit i
vitit 1945 e deri në dhjetor, mori rrugën e vështirë dhe të rrezikshme të
tërheqjes për në Greqi, rrugë kjo të cilën shumë prej tyre nuk do ta arrijnë,
ngaqë do të jenë forcat jugosllave që do t’u vihen pas dhe hap pas hapi do t’i
ndjekin duke u sjellë humbje të rënda, me ç’rast disa njësi do të shuhen fare.
Nëpër
të tilla pusi do të vritet edhe Mefail Shehu – Zajazi, i cili mori rrugën për
në Greqi me mbi 100 luftëtarë, por ra në një pritë partizane bashkë me shumë
luftëtarë, të cilët ishin duke pritur që të bashkoheshin me njësitë tjera që
kishin marrë këtë rrugë.
I
fundit që do të niset për në Greqi ishte grupi i Hysen Tërpezës dhe Hasan
Kabashit. Këtë rrugë ata e morën nga gjysma e nëntorit. Atyre iu bashkuan edhe
grupe të tjera që vepronin në Zhegoc,
Kopilaçë të Ferizajt dhe Kaçanik.
Me
largimin e njësive kryesore ushtarake të Shtabit të Përgjithshëm për në Greqi
bashkë me ushtarakët e rëndësishëm që i drejtonin ato (fjala është për oficerë
të shkolluar), filloi të bjerë edhe intensiteti i rezistencës së armatosur ndaj
regjimit sllavo-komunist, i cili kishte filluar të vendosej në Kosovë dhe në
Maqedoni në përputhje me realitetet e Jugosllavisë komuniste, realitet ky që
etninë e deriatëhershme shqiptare të shkëputur nga trungu i saj në vitin 1912,
tash e ndante në dy pjesë: në atë brenda republikës së Maqedonisë si pjesë e
federatës jugosllave dhe në krahinën
“provincën” e Kosovës nën Serbi. Kjo ndarje, bëhej edhe më e rëndë për
Shqiptarët ngaqë Shkupi, qytet antik dhe kryeqendër e Vilajetit të Kosovës
bashkë me Tetovën, Gostivarin dhe pjesët e tjera të Pollogut, shkëpute-shin nga
Kosova, qendër kjo graviteti e botës shqip-tare nga Kriza Lindore e këndej, me
çka në rrethanat e reja që të dy pjesët margjinalizoheshin së tepërmi, që si do
të shihet, për Beogradin dhe Shkupin diktatura
komuniste do t’iu ofrojë mundësi të shumta që të vazhdohet politika e tyre të
njohur antishqiptare e pasqyruar nëpërmes asimilimit dhe e shpërnguljes së tyre
për në Turqi.
Por,
si do të shihet, edhe përkundër largimit
të krahut ushtarak në Greqi dhe Gjermani, NDSH-ja nuk do të pushojë veprimtarinë
e filluar. Degët e saj të shkapërderdhura në Kosovë dhe Maqedoni do të
vazhdojnë të ruajnë frymën e rezistencës kombëtare qoftë me veprimtari
politike, qoftë edhe me përdorimin e luftës guerile në disa pjesë të vendit, e
cila do të jetë e pranishme edhe gjatë dy viteve të ardhshme përkundër
përgjigjes së ashpër që do ta marrë nga regjimi komunist, i cili krahas
pushkatimit të militantëve, mbushi burgjet me gjithë ata intelektualë shqiptarë
që nuk ishin të gatshëm të bëheshin pjesë e mashtrimit të ri ideologjik nën
parullat e vëllazërim-bashkimit.
(Shkëputje nga "Kosova 1912-1945", faqe 399-406)