E marte, 29.09.2020, 06:13 AM (GMT+1)

Komente

Dhurata Hamzai: Nëse Elsa Lila e do imazhin e saj, larg një festivali kaq banal!

E shtune, 27.12.2008, 01:58 PM


Nëse Elsa Lila e do imazhin e saj, larg një festivali kaq banal!

Nga Dhurata Hamzai

Oh, ç’shije të hidhur la pas skena e Festivalit të 47-të të Këngës së RTSH-së! Ishte një nga festivalet më të dobëta në historinë e tij. Zhgënjim absolut. Ndërsa përpiqeshim ta ndiqnim, kujtesa jonë shëtiste vend e pa vend nëpër muzikën ballkanike, dhe vrisnim mendjen nëse kjo muzikë ishte greke, serbe, turke, apo bullgare (varet ku e ka bërë plazhin këngëtari përkatës..!). Me zor vihej re ajo që mund të ishte sadopak shqiptare në muzikë. S’jam e sigurtë, Era Rusi, më duket se.., kishte këngën më të mirë në këtë festival, u ndie si një interpretim dinjitoz dhe zë i bukur, një stilizim origjinal i traditës më të mirë të të kënduarit tek ajo, që nga momenti i ngjitjes në skenë dhe deri tek duartrokitjet që i dha publiku. Le t’ia lëmë kohës vlerësimin për të...

Jo muzikë ritmike, por britm-ike

T’i kthehemi organizimit që nga A-ja. Jo muzikë ritmike, por britm-ike, tekste banale, që i këndonin dashurisë - si për ta vrarë dhe neveritur atë që është vërtetë dashuri. Kishte shumë tekste të tilla të mbushura me dramatikë mashtruese patetike, dhe historia qe e njëjtë: “unë do jetoj edhe pa ty”, “asnjë dite s’jetoj pa ty”, “t’i e theve zemrën time”, “s’më bëhet vonë, se ti shkon”. Shumica e këtyre këngëve të kujtojnë ato këngë të disqeve që mbajnë shoferët e taksive në pritje të klientit, me derën hapur dhe që e ngrenë zërin deri në kupë të qiellit, sa nuk ka burrë nëne t’u thotë mos e bëni këtë! Duket sikur Sinani, Çiljeta, Zajmina, Ingridi, Kasapi, etj, këndojnë ekskluzivisht për taksixhiun e radhës. I ngjit kjo shije tjetrit, e ai s’ka faj, sepse kjo është shije që kthehet “në vlerë” në festivalin më të madh kombëtar.

Oh, sa i mërzitshëm qe ky festival, sa patetik, sa hipokrit. Publikut do t’i kujtohet se si vërshuan në skenë familjet e këngëtarëve me nipër, mbesa, gjyshër e bij këngëtarë. “Çfarë gallate bëjnë këta more..., plasi fisi në skenë!”, do t’i binte shkurt kritikës një 17 vjeçar”. Ironia e tij mjafton. Pa koment!

Më tepër se festival ky i 47-ti ngante me një koncert që jepet zakonisht për ta parë publiku nëpër sheshe qytetesh, sa për të krijuar një atmosferë populiste dhe ordinere. Dhe për ironi, të dielën më mbrëmje një koncert i tillë, pikërisht në të njëjtën orë me festivalin dhe vetëm pesë minuta më larg ndërtesës së Pallatit të Kongreseve, para Teatrit të Operas Kombëtare, bëhej për qejf të vet, me rastin e Krishtilindjeve. Bëhej një gurgule e madhe me muzikë, sikur thamë “britm-ike”. Në Shqipëri, të gjithë guxojnë të këndojnë, dhe me sa duket “rregulli i organizimit” duhej të qe që: këndoni jashtë ju, që s’paskeni hyrë brenda në skenën e këtij festivali! Në ditën e një ngjarjeje me rëndësi kombëtare, siç është skena e një festivali që ka ruajtur sadopak traditën e muzikës shqiptare, rrugët e Tiranës ishin bllokuar, ishin zhulosur me qeska byrekësh e patatinash dhe zhurma ishte e paparë. Trafiku ishte i bllokuar, gjithashtu. Matanë, në Pallatin e Kongreseve ku zhvillohej festivali, policët në hyrje bënin sikur si vinin re adoleshentët pa ftesa dhe bileta, i lejonin në heshtje të hynin në sallë, dukej sikur ishte bërë një marrëveshje, ata duhet të mbushnin vendet e atyre që s’kishin denjuar ta shikonin. Ndryshe nata e tretë, pa publik të këtij niveli amatoresk në sallë, do të dështonte. Dhe kështu, të dielën në Tiranë, këndo andej, e bërtit këtej, festivalit i humbet vlera, e për herë të parë kaq shumë, në historinë e vet 47 vjeçare. Jemi të sigurtë, që këngëtarët e spektaklit të organizur për Krishtlindjet, jashtë në sheshin “Skënderbej” të Tiranës, këndonin njësoj si ata brenda në skenën e festivalit më të famshëm kombëtar...!

Prezantimi tip “Portokalli”

Është vështirë të rendisësh gjithë të metat që shënuan dështimin total të një festivali, që nga prezantimi tip “Portokalli”, domethëne tip estrade... dhe ne shqiptarët e dimë mirë se ç’është estrada dhe përse shërben ajo. Së paku, nuk e kemi ngatërruar me teatrin, me artin, me komendinë, me aktrimin, sado me zor i kemi bërë këto zeje arti në kondicionin e faktorëve historikë dhe politikë.

Qeshu palaço! Ishte fakt, që prezantuesit sillnin nervozizëm dhe siklet tek publiku. Prezantuesja Elsa Lila, të cilës nuk i mungon zgjuarësia, e ndjente këtë mungesë konforti në marrëdhëniet me publikun. Ç’të bënte, se kishte bërë ajo festivalin..., ajo kishte vetëm një detyrë, dhe sforcohej e gjora artiste për t’i bërë të gjitha: një lloj aktrimi komik që bënte si bënte dhe ia dilte, por harronte që tekstura ishte shumë banale. Ndjesë artistes së famshme Lila, sepse nuk ishte fare e lezeçme dhe e gjetur, kur ajo me dy djemtë e humorit provokonte injorancën e një shqiptari që ngatërronte festivalin, ku mori pjesë ajo, “San Remo” me një Bar Sanremo, apo barin e Rremës në Tiranë. Ajo duhet të jetë më modeste dhe vërtetë krenare për njerëzit e popullit të saj. Famën e saj e di edhe një fëmijë 5 vjeçar në fshatin më të thellë të Skraparit. Dhe publiku ende vijon të jetë i dashur me të, pavarësisht nga teprimet që ajo bën në dëm të imazhit të saj. Këngëtarja e njohur dhe prezantuesja Lila, është respektuar njësoj, edhe kur mori drejtimin e këtij edicioni masakër të festivalit, me të cilin e kishte ca të vështirë të vijonte, sepse duhej sa e sa herë t’i lutej publikut, ose më saktë t’i kërkohej mëshirë “për hatër të “Elsa Lilës me famë” për vëmendje. Sapo shikonte lëvizje shqetësuese dhe rebeluese në sallë, Elsa Lilën e zinte frika se mos largohej publiku dhe ajo u lutej, u lutej, por edhe e qortonte publikun, si një edukatore e mirë: “Të dashur shikues, edhe unë kur kam qenë si ju pjesë e publikut, shpesh nuk kam rënë dakort me vlerësimet e jurisë, por na duhet të durojmë, të presim që cilado të jetë kënga prezantuese, ne do ta duartrokasim atë se ajo do të na përfaqqsojë në Moskë. Pastaj i fuste një “asbolutisht, unë jam dakort”, “me ju”, “me ty”, “me atë”, me veten e vet, vend e pa vend. Nuk duhet folur më shumë për prezantuesen, sepse organizimi dhe prurjet e këtij festivali, siç e thamë nuk janë detyrë e saj, edhe roli që i dhanë, në të vërtetë është ndjerë si obligim i madh nga ajo. Ndërsa dy prezantuesit e tjerë Julian Deda dhe Gentian Zeneli, nuk të lëviznin nervin me ndonjë emocion, pasi jemi çmësuar me stilet improvizuese komike të spektaklit të “Portokallisë” (aty këta të dy u bënë të famshmëm), ku aktorët në çdo rol që luajnë “shqepen së qeshuri” edhe vetë, nuk e mbajnë dot të qeshurën edhe pse nuk është në skenar. Aq shumë e pëlqejnë njëri tjetrin ata që luajnë rolet e spektaklit të Portokallisë! Ndoshta edhe këtyre s’u duhet vënë faj më shumë se kaq, ua lanë këtë detyrë e bënë si mundën.

Ishin prurjet, prurjet e festivalit, që ia prishën absolutisht fizionominë Edicionit të 47-të të Këngës në RTSH. Kishte pushtuar skenën e këtij festivali, stafi i këngës magjike, stafi i Top Fest, stafi i Top Albania Radio, pa përzgjedhje fare, ishin toleruar të gjithë..! Kishin ardhur këngëtarë nga Kosova, më shumë se numuri ekzistues i tyre. Me sa duket për të larë “mëkatin” e një viti më parë me këngën e dy vajzave kosovare, Flaka Krelani dhe Doruntina Disha, të cilat meritonin të shkonin në Eurovizion, po një skandal korruptiv i kthen ato mbrapsht. Po a kishte diçka të mirë ky festival? Me përjshatim skenografisë, që ishte ishte e bukur, ishin të rralla këngët që patën cilësi artistike, të dobëta ishin performancat e tyre. Adoleshentet pjesëmarrëse të festivalit ishin të stiluara si gra në moshë. Shumë pak kishte këngë ku ndjehet kultura shqiptare. Shumë këngë të tjera ishin përpjekje për të imituar popin europian, dhe pikërisht ato ishin më të shumtat në pjesëmarrje dhe më të dobëtat. Përgjithësht i gjithë ky festival krijonte nervozizëm, mungesë përgatitjeje, dhe fatkeqësisht mbeti në dorën e improvizuesve të rastit. Ndër këta improvizues, dikush ia doli e dikush s’ia doli dot ta mbulonte dobësinë e organizimit. Shija e keqe mbeti dhe shumëkush me të drejtë do të thoshte: Nëse Elsa Lila e do imazhin e saj, larg një festivali kaq banal..!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora