E marte, 15.10.2024, 09:55 AM (GMT+1)

Mendime

Engjëll Koliqi: Kërshëndellat 2007

E merkure, 24.12.2008, 01:20 PM


KËRSHËNDELLAT 2007

Larg konsumizmit dhe drogës, për një rilindje e mirëfilltë në paqe dhe dashuri

Kjo është formula e zgjedhur nga Ati Shenjt Benedikti XVI, për kremtimin e denjtë të Kërshëndellave të sivjeme. Jo konsumizmit të tepruar, po lutjeve dhe falënderimeve drejtuar Zotit, me rastin e festave të fundvitit, ka kërkuar Papa nga të gjithë besimtarët. Të rinjt i ka ftuar që – kategorikisht - t’i thonë JO drogës.

Shkruan: Engjëll KOLIQI

Engjëll Koliqi

Romë (Qytet i Vatikanit), dhjetor 2007 - Jemi në prag  të kremtes më të madhe të krishterimit – Kërshëndellave. Kremtes, me të cilën bota e krishterë e përkujton lindjen e Jezu Krishtit, i paraprin koha e ardhjes, që është periudha përgatitore, për të mundësuar një kremtim me shpirt të pastër, gjithnjë të mbushur me dashuri dhe me paqe të vërtetë. Në këtë drejtim, këto ditë, shkojnë edhe të gjitha paraqitjet publike të Papës Benedikti XVI, në këtë periudhë para Kërshëndellave, ku fuqishëm po kërkon paqësimin e tolerancën e zemrave njerëzore dhe mbushjen me dashuri të mirëfilltë. Papa gjithnjë e më fuqishëm apelon te drejtuesit e vendeve të zhvilluara dhe të qendrave vendosëse ndërkombëtare, që të kujdesen më tepër për popujt e vegjël e të vuajtur, që t’u japin shans jete të gjithëve barabar dhe që të përmbushen intereset dhe aspiratat e të gjithë popujve, përmes rrugëve paqësore e demokratike, duke respektuar të drejtat dhe liritë e të gjithëve, pa dallime rancore, kombëtare, fetare apo rajonale.
Vetë Ati Shenjt, të dielën, para dhjetëramijëra besimtarësh, të ardhur nga shumë vende të botës, ka zbuluar formulën e përkushtimit të ceremonive festive të fundvitit 2007, duke thënë: “Është detyrë e të gjithë ne të krishterëve, që me dëshmi nga jeta jonë ta përhapim të vërtetën e Kërshëndellave, duke i hapur kështu udhë Krishtit, që të vij dhe të hyj në të gjitha zemrat e njerëzve vullnetmirë. Duke lindur në varfëri të grazhdit, Jezusi vjen të na ofrojë të gjithëve gëzimin dhe paqen, t’i mbush shpirtërat e njerëzve, me bekim, me paqe, me dashuri, me gëzim dhe me lumturi!” Me këtë rast, Ati Shenjt nga ngritë zërin, duke kërkuar fuqishëm nga besimtarët: “Jo konsumizmit të tepruar për ahengje dhe dëfrime të shfrenuara, po – lutjeve dhe falënderimeve drejtuar Zotit, mbas veprave të mira që kemi bërë për njerëzit nevojtarë, në forma ndihmash e përkrahjesh. Lumturia dhe gëzimi i vërtetë njerëzve u vijnë nga Shpëtimtari që po lind, nga fëmija që duke ardhur thjesht në grazhd na sjell paqen shpirtërore dhe kurrsesi nga parajsat false të drogës dhe të ahengjeve, që sipërfaqësisht duken joshëse dhe dëfryese, por në fakt shpirtit të njeriut në brendi i sjellin dhembje të padurueshme”.
Edhe sivjet, në vigilie të Krishtlindjes Papa do t’i prij kremtimit të Meshës Solemne të Mesnatës, në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, me ç’rast do të kërkojë nga besimtarët që me rastin e kremtes kryesore të krishterimit t’i hapin zemrat dhe me dashuri të mirëfilltë të kontribuojnë për të fituar kjo botë paqen e vërtetë dhe për ta ruajtur atë. Ai do të kërkojë një bashkëpunim të ngushtë dhe koknstruktiv, në shërbim të paqes dhe të dashurisë në mes popujve, duke harruar urrejtjet dhe duke shikuar vetëm dukuritë positive e interesat e përbashkëta drejt të mirave të përbashkëta.
Edhe Meshën Solemne të mesditës së Kërshëndellave do ta udhëheq Benedikti XVI, i cili në mesditë, nga balkoni qendror i Bazilikës së Shën Pjetrit, do t’u drejtohet të pranishmëve në Shesh dhe mbarë botës së krishterë me Mesazhin e Kërshëndellave “Urbi et Orbi” dhe do të japë për të gjithë Bekimin Apostullik. Me kërkesë për zbutje zemrash në dashuri, për tolerancë, për bashkëpunim dhe për bashkëjetesë në paqe e harmoni, Papa do t’i drejtohet njerëzimit mbarë. Siç bëjnë të ditur nga Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë, Ai do të ngris zërin e arsyes sidomos për një zgjidhje paqësore të qëndrueshme në Lindjen e Mesme dhe në Ballkan, duke theksuar Kosovën, si dhe për fshirjen e borxheve vendeve në zhvillim, ku popullata po vuan nga pasojat e borxheve astronomike.
Pjesëmarrjen në Meshët solemne të Kërshëndellave e kanë paralajmëruar qindëra shqiptarë që nuk  kanë mundësi të kremtojnë në Atdhe. Edhe në Ditën e Kërshëndellave 2007, në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan do të valojnë flamujt shqiptarë! Kësaj radhe qindëra, mbase mijëra shqiptarë do t’i kërkojnë Benediktit XVI që të shndris historinë e shqiptarëve, duke e përkrahur fuqishëm aspiratën e ligjshme të popullit të Kosovës për pavarësi, sikurse Benedikti XV, që e kishte ndihmuar jashtëzakonisht kombin tone, në themelimin e shtetit modern shqiptar. Bëhet e ditur se kryesia e Bashkimit të Shoqatave Shqiptare dhe Arbëreshe në Itali, ia ka adresuar Papës një memorandum me kërkesë për përkrahjen e fuqishme të bërjes së shtetit të pavarur dhe Sovran të Kosovës, nga ana e Selinë e Shenjtë.
Porosinë e Papës për mbushjen e zemrave njerëzore me dashuri të mirëfilltë dhe për fitimin e ruajtjen e paqes me dashuri le ta marrim me shumë seriozitet dhe le të mundohemi ta realizojmë të gjithë shqiptarët – të krishterë e jo të ktishterë, sepse është një porosi drejtuar njerëzimit mbarë dhe pa ngjyrime as aspirata fetare, por thjesht me motive humanitare e solidare për botën mbarë!

Gëzuar festat tona të këtij fundviti – Kurban Bajrami, Kërshëndellat dhe Viti i Ri!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora