E diele, 06.10.2024, 05:26 AM (GMT+1)

Mendime

Shkëlzen Maliqi: Saviano duhet të paditet në gjyq

E hene, 22.12.2008, 07:23 PM


Rrena e "Kolumbisë Evropiane"

Në luftërat propagandistike ka gjëra që mund dhe duhet të heshtën, që të mos krijohet më shumë dëm se dobi. Por, rasti i shkrimtarit Saviano, i një zëri me influencë, do të duhej të shfrytëzohej për kundërpërgjigje dhe kundërpropagandë efektive. Qeveria e Kosovës do të mund të ngriste padi kundër shkrimtarit për pohimet e tij të pavërteta. Kjo padi do të kishte mbase më shumë jehonë se intervista në Shqip, që stereotipin e "Kolumbisë Evropiane" e plasojë për përdorim të brendshëm në botën shqiptare.
 
Nga Shkëlzen Maliqi
 
Saviano duhet të paditet në gjyq
 
Shkrimtari italian Roberto Saviano, i cili ka botuar librin "Gomora" (tashmë i ekranizuar) që demaskon mafian italiane, prej kohësh jeton i mbrojtur nga policia sepse jeta e tij është e kërcënuar nga bosat e mafiasë. Rudina Xhunga ka intervistuar Savianon për emisionin e saj në Top Channel, dhe para disa ditësh është botuar edhe një intervistë me te në gazetën Shqip. Në atë intervistë janë disa pohime sensacinale dhe alarmante të Savianos, kushtuar Kosovës, që patjetër duhet të komentohen dhe të reagohet në to. Po e citoj në tërësi pasusin ku Saviano flet për Kosovën: "Shqip: A keni dokumente për të shkruar një libër të ri për mafien shqiptare?

Roberto Saviano: E shoh me kureshtje të madhe mafien shqiptare, sepse ka një ëndërr të madhe te mafiozët e mëdhenj shqiptarë. Ta bëjnë Kosovën Kolumbinë e re të Evropës. Të mbjellin kokainë transgjenike, që të rritet në temperatura të ndryshme nga ato të Amerikës së Jugut. Të mbjellin kokainën transgjenike në Kosovë dhe të lejojnë mafien shqiptare të ketë monopolin e kokainës. Sot nuk mund të bëhet, sepse kokaina transgjenike, që tashmë ekziston në Kosovë, është shumë e kushtueshme. Prandaj nuk ka leverdi. Është më e leverdishme ta importosh nga Amerika e Jugut se ta prodhosh. Por pas njëzet vjetësh, Kosova do të jetë padyshim Kolumbia e re. / Shqip: Do të jetë vërtet? / Roberto Saviano Të gjithë vëzhguesit ndërkombëtarë mendojnë se do të ndodhë kështu."

Konstatime dhe pohime vërtet tejet shqetësuese! "Ëndërr e madhe" e mafias shqiptare! "Kokaina transgjenike" që "tashmë po ekzistuaka në Kosovë"! Ekspertët që thonë se Kosova është në rrugën që të bëhet "Kolumbi e Evropës!"

Saviano nuk është i vetmi që i thotë këto pohime. Gati në të njëjtën ditë "Koha ditore" ka botuar një shkrim të një autoreje të huaj, - për fat nuk është e famshme sa Saviano - ku thuhet se nga Kosova po u distribuoka 80 përqindshi i heroinës që depërton ilegalisht në tregjet e narokotikëve në Evropë! Nëse kjo do të ishte e saktë, atëherë Kosovën do të duhej të konsideronim për "Kolumbi të Evropës" që sot, dhe jo pas 20 vjetësh, siç pohon Saviano. Një hulumtim që e ka botuar në muajin nëntor Forumi 2015 dhe që ishte realizuar nga Iniciativa Kosovare e Stabilitetit, tregon qartë se në të vërtetë ekziston një traditë e gjatë e krijimit të imazhit të këtillë negativ për Kosovën, si vend ku lulëzon pa penguar krimi i organizuar, trafikimi i njerëzve dhe drogës. Në këtë studim që titullohet "Çështja e imazhit: dekonstruktimi i problemit të imazhit të Kosovës" mund të gjendet burimi i pohimeve se nga Kosova eksportohet 80 % të heroinës që depërton në Evropë, si edhe sintagma se "Kosova është Kolumbi e Evropës", të botuara në vitin 2000 në The Guardian, në një intervistë me Marko Nicovicin, i cili ka qenë shef i forcave ati drogë të Jugosllavisë. Në analizën që përmban të dhëna nga në vendet e ndryshme, broshura e Forumit 2015 tregon qartë se statistikat zyrtare evropiane demantojnë fuqinë kaq të madhe të mafias shqiptare dhe kosovare dhe se imazhi tepër i keq i Kosovës dhe shqiptarëve si mafi aktualisht më e rrezikshme në Evropë, është mit dhe çështje e propagandës negative që dirigjohet nga Beogradi përmes kanaleve të ndryshme, diplomatike, mediale e të tjera. Pra, pohimet e Savianos dhe të autorëve të tjerë që ushqehen nga propaganda serbe dhe të dhënat që tashmë kanë krijuar një stereotip paragjykues për Kosovën si vend që është jashtë ligjit dhe sundohet nga mafia, në aspektin e faktografisë nuk duhet t'i marrim si të vërteta dhe serioze. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se ato nuk janë të rrezikshme dhe dëmtuese. Kur një rrenë e tillë stereotipe përsëritet vazhdimisht, dhe pastaj bëhet pjesë e diskursit edhe të autorëve me shumë autoritet dhe influencë siç është Saviano, i cili konsiderohet hero i luftës kundër mafias italiane, dhe për këtë edhe burim i besueshëm, kjo nuk mund të mos jetë shqetësuese për qeverinë dhe opinionin në Kosovë.

Ajo që duhet të na brengos është se te ne nuk ka instanca zyrtare e as jo-zyrtare që reagojnë në këso pohime drastike. Madje, ka disa qarqe të brendshme opozitare që këtë luftë të pistë dhe me prapavijë për bllokimin e avancimit të pavarësisë dhe njohjes ndërkombëtare të Kosovës ("Kolumbinë e Evropës" duhet zhbërë si shtet, dhe jo të bëhet shtet i barabartë me të tjerët! - thotë propaganda serbe dhe proserbe) edhe e përkrahin duke pohuar edhe vetë, pa argumente dhe kuturu si Saviano e të tjerët, që qeveria ka lidhje me krimin e organizuar!

Me këtë nuk dua të them se në Kosovë nuk ka krim të organizuar, apo se Kosova nuk shfrytëzohet si njëri prej drejtimeve të transportit të drogës nga Azia në Evropë që organizohen nga kartelet e ndryshme mafioze. Po kështu, nuk ka dyshim se në tregun e madh dhe profitabil të drogës, në nivelet e ndryshme të prodhimit, përpunimit dhe të distribuimit të drogave, participojnë edhe grupet dhe individët shqiptarë, në përqindjet që edhe nëse sillen rreth 4 deri 10 përqind, paraqesin rrezik serioz jo vetëm për Evropën por edhe shtetin dhe shoqërinë tonë.

Si të ndreqet imazhi i Kosovës?

Do të ishte vërtet tepër brengosëse edhe nëse Kosova do të kontrollonte jo 80 por 10 përqindshin e heroinës që kontrabandohet në Evropë, sepse kjo është një sasi shumë e madhe për një territor kaq të vogël që ka më pak se 1 % të numrit të përgjithshëm të banorëve të Kontinentin të Vjetër.

Broshura e Forumit 2015 rekomandon që Kosova duhet të marrë shume seriozisht çështjen e imazhit të keq. Aty thuhet: "Ratorika dhe PR (public relations) thjesht nuk mjaftojnë; institucionet përgjegjëse së pari duhet të kuptojnë vetë problemin, ta analizojnë me kujdes dhe në bashkëpunim me shoqërinë civile të zhvillojnë një strategji të zëshme për riparimin e imazhit të Kosovës jashtë vendit duke i reformuar institucionet e Kosovës përbrenda."

Në luftërat propagandistike ka gjëra që mund dhe duhet të heshtën, që të mos krijohet më shumë dëm se dobi. Por, rasti i shkrimtarit Saviano, i një zëri me influencë, do të duhej të shfrytëzohej për kundërpërgjigje dhe kundërpropagandë efektive. Qeveria e Kosovës do të mund të ngriste padi kundër shkrimtarit për pohimet e tij të pavërteta. Kjo padi do të kishte mbase më shumë jehonë se intervista në Shqip, që stereotipin e "Kolumbisë Evropiane" e plasojë për përdorim të brendshëm në botën shqiptare.

Po kështu, Qeveria duhet të mendojë dhe veprojë sa më parë për një agjenci që do ta përmirësojë imazhin e keq të Kosovës.

Komente ne Express:
 
Savino vertete e ka bere kete deklarate qe nuk na shkon per shtati dhe mbase mund te kete, te pakten, ndikim negativ per imazhin. Po ne, shoqeria civile, institucionet, familja e tere shoqeria ka shume vite o zoteri qe jemi kapur peng nga e keqja dhe me te po fleme ne shtrat, z. Maliqi. Mjafton t'i hedhesh nje sy diskursit qe e pranon shoqeria shqiptare dhe e ke te qarte. Ne dime te nxjerrim edhe nga 500 diploma falso dhe te mos tmerrohemi nga vetvetja. NE dime ta shnderrojme Universitetin ne shkolle fillore te dobet dhe te mos na ngjethet mishi, ne dime te pranojme hajdutet me ordinere te llojeve nga kapobandot e deri te politikanet e te mos na beje syri vert, mjafton qe ai te jete "i krahut tone", ne dime te bejme ne kryeqytetin tone me shume "Universitete" sesa shkolla fillore e madje edhe te krenohemi, hahahahah. Biles ka mjaft shume, fatkeqesisht teper shume njerez me titull shkencor masje si, Dr. e Mr. qe po ua tha ndonje fjale kunder te shpallin te paditur, ne dime te bejme njemije e nje te zeza, perse nuk do ta benim edhe ate qe parashikon Savino. Lereni Savinon e shoket e tij se armen per te gjitha sulmet ndaj nesh po i kultivojme vete ne, kush ne menyre aktive e kush pasive. Ajo qe duhet te bejme eshte kendellja. Duhet t'i hedhim nje shikim vetes tone, duhet, shume, shume mund, e mbi te gjitha ndryshim i vetevetes duhet pak nder, vetem pak dhe po kaq pak disipline qe Savino te dali bosh, s'ka nevoje per padi nga askush.
- I trazuari prej kohesh |

z.Maliqi vendet tjera nuk e kane penalizu shpifjen sikurse qe ka bere Kosova, andaj shpifja nuk eshte e denushme ne Itali. Saviano edhe ashtu eshte i burgosur. Nuk do te deshiroja qe ai te kercnohej tani edhe prej qeverise se Kosoves, pasi me rrezik jeton gjithe diten dhe naten prej mafise italiane. Nuk eshte i pari qe thote keto fjale. Per shume vite radhazi BND ben keso deklarime, po ashtu edhe Der Spiegel, edhe shkrime te tjera potencojne kete fakt. Qka po ta mer mendja Xen, nuk eshte e vertete a?
- Agroni |

Mbase është i saktë vlerësimi se Kosova esht Kolumbi
- Luli |

E falenderojm per shkrimin e mir te z.Shkëlzen Maliqi por duhet ta din se dhe me hert esht permend me nje shkrim ne shtypin vendor dhe nderkombtar se Kosova esht Kolumbi me fakte dhe argumente nga nje Kosovar qe vazhdimisht ka kerku nga instucionet Kosovare per te leftuar ket dukuri dhe nuk mund ta akuzosh nje shkrimtar kur shkruan te verteten.
- Kreshkin Hasani |

Kolumbi e Evropës Kontrabandimi i drogës dhe i mallrave me akcizëa të forta merr një kahje alarmante. Kosova në këtë periudhë shëndërrohet në qendër të tranzitit për kalimin e drogës, 125 tonë heroinë në vit. Këto të dhëna u dëshmuan edhe nga Institutit Ballkanik për siguri, në dhjetor të vitit 2006, të cilët thonë se 80 për qind nga 125 tonë të heroinës, sa shpenzohet në Evropë kalon në rrugën ballkanike të narkotikëve, nëpërmjet Kosovës. Tregtia me narkotikë nga viti në vit po rritet dhe prej 2-3 tonë heroinë në muaj sa ka qenë në vitin 2000, tani nëpër Kosovë kalojnë 8-10 tonë në muaj.
- Ali |

Krimi i organizumë osht nime problem. E na sa duhet me punu për imazh të Kosovës duhet me punu edhe me e zvoglu krimin e organizumë, por kjo osht shumë e vështirë se prej tij financohen krejt partitë politike momentalisht. Nuk osht edhe larg mendsh që kjo që po e thotë Saviano me ndodhë në Kosovë. Krejt parakushtet i kemi të gatshme. Edhe pse në Serbi edhe në Mal të Zi krimi i organizumë osht dy herë ma i fortë se në Kosovë.
- Selimi |

Shkelzen, mendoj se nuk ja vlen mu marr me Savionon, njeriu ka fiksim ne koke se na qenkemi "kolumbianet" e ardhshem. Mendoj se shume ma shume ia vlen mu marr me forcimin e brendshem te shtetit tone se me demantimin e secilit shkrim ne gazeta. Pa mohuar forcen e perceptimit publik dhe mediave, ne duhet te punojme bashke me strukturat nderkombtare te luftimit te krimit si Interpoli dhe policite tjera te vendeve qe na kane njohur. Kjo flet ma shume per luftimin e krimit se demantetet ne gazeta.
- dosti |

Eu po mire e paske dijte se shqiptaret per vatan tyben kofshin .
- Lushi |

Eshte shume per te ardhe keqe,se si edhe intelektualeet apo shkrimtarit qe kane nje kapacitet si ky qe e pershkruan z.Maliqi kane aqe zemer te ngusht dhe aqe jane pa tolerante ndaj neve dhe shume te dashuruar ne serbine. Mendoj,se jo vetem droga apo krimi i organizuar qe ky stereotip intelektual merr per shembull kunder kosoves po edhe sikur mos te ishin keto ky me siguri kishte me shpreh mllefin dhe urrejtjen e tij ndaj neve edhe per gjera tjera qe ky kishte me mund me i gjete dhe ekzagjerue. Edhe nje send per fund,ata bandita qe merren me kete pune te ndyt te droges dhe gjerave tjera duhet ta dine mire se e bejne punen e propagandes serbe kunder Kosoves.S'me mbetet t'ju theme gje tjeter vetem se Zoti ju marroft!!!!
- DERTLIU |

Ishte tronditese ajo deklarate e Savianos. Por vertet shteti jone me organet perkatese nuk po merr masa me e ndalu gjithe ate qe po ndodhe e ndoshta edhe po i mbron individe qe po mirrem me narkotike.
- Hamburgu |

Sipas mendimit tim nuk eshte mi neglizhu deklaraten e savianos kur thot per kosoven se ne planet e mafias eshte qe kosova te behet kollumbi e Evropes.Eshte nje terren shum i pershtatshem per mafien me nje papunsi te till ne kosov gjethkush esht i gatshem te punoj tash qfardo pune vetem per me ardh deri te nje jet ma e mir sidomos te rinjet qe jan pa pun,pas disa vite edhe nato nuk do jet ketu forcat e siguris se kosoves me 2000 vet nuk do jen ne gjendje ta luftojne mafien.Une jam nga gjakova dhe vetem dua ti them zotrit maliqi se heronia gjindet shum kollaj shitet kudo dhe rralher shpk intervenon ose dilerat dalin shum shpejt nga burgu dhe vazhdojn te shesin drog.Temelet e mafies ne kosov vetem jan terreni shum i pershtatshem per me vazhdu me punu dhe ne fund me keqardhje po pajtona me savianon
- tringa |

Asht edhe ma zi ndac me dijte ore zotni Shkelzeni Saviani pak dine per mafien shqiptare ajo asht e shtrime ne tane boten. Ja kemi tejkalue serbeve, Qeverija serbe mori masa te duhuna me kohe dhe i ka shkatrrue ne bashkpunim me Interpolin. Sot burgjet e Evropes jane te mbushuna me shqiptare nga gjitha trojet shqiptare. Nese nuk merret asgje ne ketre drejtim kemi me ja tejkalue Colombise. Shkollimi i te rinjeve ,punesimi i tyre asht shpetim i jone. Tash asht ma keqe se mafia shqiptare ka ne gjiun e vet edhe kombe tjera,disa rrjeta mafioze shqiptare po zbulohen lehte ne saje te infiltrimit te policise sekrete serbe dhe Interpolit. Zenun Pajaziti besoj se do te jete i informuem per kete te ZEZE shqiptare bashke me qeverine e Sales!
- Barush hata |

Mendoj se cilado menyre e mundshme per afirmimin e vlerave shteterore te Kosoves do te ishte mese e nevojshme qe te perdoret, me kete rast, pajtohem se kunderpergjigjia eshte mjaft e nevojshme!
- Blerim Dervishi |

une e kam lexuar para shume muajsh librin "Gomora" te Savioanos dhe kam qene i trishtuar me brutalitetin e Ndranghetes. Libri eshte per respekt, edhe pse shume shpesh ekzagjeron, dramatizon ngjarjet qe paraqiten si te verteta por ne fakt jane fiktive. E sa i perket deklarates se tij, ketu e kemi fajin edhe vet. Sepse ne nuk dergojme artista, shkencetar apo intelektual ne bote, por hajna e mafiashe. Dhe kjo eshte arsye pse keto stereotipe per neve jane aq te shpeshta. Qeveria mund dhe ndoshta duhet te reagoj, por burimi i problemit eshte se krimi i organizimit ne Kosove eshte real dhe bota gazetareske zakonisht niset prej sensacioneve. Ne duhet te luftojme shkakun me shume se pasojat..
- Corleone |


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora