E marte, 08.10.2024, 10:07 AM (GMT+1)

Mendime

Presidenti Topi propozon zyrtarisht shkrimtarin shqiptar Ismail Kadare, për çmimin Nobel në letërsi për vitin 2009

E diele, 21.12.2008, 05:53 PM


KadarePresidenti i Republikës së Shqipërisë, Prof. Dr. Bamir Topi, pas një sërë konsultimesh me Akademinë e Shkencave shqiptare, me rrethe të ndryshme intelektualësh, botuesish, kritikësh letrarë dhe personalitete të spikatur të artit e të kulturës shqiptarë dhe të huaj, i ka dërguar një letër Akademisë së Çmimit Nobel, në përkrahje të kandidaturës së shkrimtarit të madh, Ismail Kadare për marrjen e Çmimit Nobel në Letërsi për vitin 2009.

Kjo ndërmarrje nga ana e Kreut të shtetit bëhet në të mirë të njohjes së mëtejshme dhe rritjes anembanë botës së imazhit të Shqipërisë, kombit shqiptar dhe vlerave të tij të rralla artistike, kulturore dhe letrare, të cilat frymëzuan shkrimtarin Ismail Kadare.

Në letrën dërguar Akademisë së Çmimit Nobel, Presidenti i Republikës shkruan:

“Kam privilegjin dhe kënaqësinë e veçantë që, në emër të Shqipërisë dhe popullit shqiptar, t’i drejtohem Akademisë suaj të nderuar duke ju propozuar shkrimtarin shqiptar Ismail Kadare, për çmimin Nobel në letërsi për vitin 2009. Këtë akt po e ndërmarr, sepse vepra e Ismail Kadaresë është monumentale për nga vlera artistike, si dhe mbart e përcjell mesazhe humaniste e universale ndaj gjithë njerëzimit.

Shqiptarët vuajtën njërën prej diktaturave më të egra që njerëzimi ka njohur në shekullin e 20-të, ku izolimi total ishte një nga tiparet dalluese të saj. Në këtë sistem të mbyllur, shkrimtari i madh Ismail Kadare shkroi një letërsi me frymë evropiane, të lirë dhe emancipuese për artin e kulturën shqiptare, kur kjo ishte gjëja më e vështirë në një shtet komunist të bunkerizuar.

Si për shumë shkrimtarë të mëdhenj, nuk kanë munguar insinuatat e pabazuara. Shteti ynë demokratik e njeh mirë këtë shkrimtar, i cili ka një integritet të lartë moral. Është ky shtet demokratik, i cili menjëherë pas rrëzimit të komunizmit, i dha Kadaresë titullin më të lartë moral "Nderi i Kombit". Ndryshimet demokratike në vendin tonë, ndërtimi i demokracisë dhe integrimi në Evropë, zenë fill edhe tek vepra e Ismail Kadaresë, i cili mbështeti me kurajo lirinë kundër tiranisë, humanizmin kundër dhunës. Vepra dhe zëri i Kadaresë janë padyshim, pasuria më e madhe intelektuale, artistike e morale në botën shqiptare, dhe përbëjnë gjithashtu vlera të çmuara të trashëgimisë shpirtërore e kulturore botërore.

Për gjithçka që përfaqëson Ismail Kadare dhe vepra e tij, jam i mendimit se meriton të nderohet me çmimin e lartë Nobel prej Akademisë suaj”.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora