E diele, 06.10.2024, 06:20 AM (GMT+1)

Mendime

Feti Zeneli: Krimet e diktaturës dhe “ligji i dosjeve”

E hene, 22.12.2008, 08:42 PM


Krimet e diktaturës dhe “ligji i dosjeve”

Nga Feti Zeneli

“Libri i zi i komunizmit”, në faqet 610-611 bën bilancin e krimeve përgjatë 45 viteve të diktaturës komuniste në vendin tonë, ku “sipas një studimi të bërë nga Shoqata e ish të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë në vitet 1992-1994 rezulton: 5557 burra dhe 450 gra të ekzekutuar; 988 burra dhe 7 gra të vdekur në burgje; 48 217 burra dhe 10 792 gra  të internuar, prej të cilëve 7022 vetë kanë vdekur në internime”. Po sipas të njëjtave burime, numëri i të dënuarëve politikë në periudhën e “socializmit të parë shqiptarë” ka qënë 26 768 burra dhe 7 367 gra.
Për një vend të vogël si Shqipëria, me një popullsi që në vitet e fundit të diktaturës mezi arriti në 3 milionë banorë, këto shifra janë tronditëse për këdo që i lexon. Llogaritë bëhen gjithnjë e shokuese po qe se ato i shtrijmë përtej individëve të dënuar e maskaruar, duke marrë në konsideratë, se kushdo prej tyre ka rrethin e vetë familjar e farefisnor. Kësisoj, rezultati shkon në qindëramijë fatkeq; një pjesë të privuar nga jeta, kurse të tjerët të privuar nga gëzimi i të drejtave minimale njerëzore. Në mënyrë të veçantë, kjo kategori njerëzish në atë regjim barbar u trajtu më keq se kafshë. Dhe për ç’arsye? Për të vetmen arsye se mendonin apo kishin menduar ndryshe nga ç’këshillonin mësimet e “marksizëm-leninizmit ngadhnjimtar” për ndërtimin e shtetit dhe shoqërisë. Sipas “udhëheqësve tanë legjendarë” të monizmit ata përfaqësonin klasat e përmbysuara ose interesat e këtyre klasave.
Në librin “Tërrori i kuq në Rusi”, publikuar në ’24-n në Berlin, historiani Sergeri Melgunov citon direktivën që një nga shefat kryesor të Çeka-s leniniste u jep punonjësve të tij: “Ne nuk bëjmë luftë kundër një njeriu në veçanti. Ne do të zhdukim borgjezinë si klasë. Mos kërkoni gjatë hetimeve, dokumente dhe prova mbi atë që i akuzuari ka bërë, me vepra ose me fjalë, kundër shtetit sovjetik. Pyetja e parë që ju duhet t’i drejtoni është se cilës klasë i përket, cila është origjina e tij, edukata e tij, shkolla e tij, profesioni i tij. Vazhduesi i veprës kriminale të Leninit, Stalini e pasuroi edhe më shumë doktrinën kriminale në vitet e pas Luftës së Dytë Botërore, duke u bërë “shembull frymëzues” për të gjithë diktatorët e tjerë të vendve të Traktatit të Varshavës, ku natyrisht nxënësi më besnik i tij për monstuozitetin e dënimit pa faj të njerëzve u bë sadisti Enver Hoxha.
Nën udhëheqjen 45-vjeçare të Hoxhës dhe Alisë, Shqipëria u shndërrua në një gijotinë gjigande për qindëramijë njerëz të pafjashëm. U shpik togfjalëshi “armik i klasës” dhe mjaftonte që një komunist, qoftë ky edhe më i thjeshti, apo dikush nga radhët e “besnikëve të partisë” në gjirin e fshatarësisë dhe klasës punëtore të  etiketonte në këtë mënyrë, çdo gjë më tej ishte një formalitet klasik, për të të shtyrë me shpejtësi drejt derës së burgut ose përballë skuadrës së pushkatimit. Produkt i vullnetarizmit enverist, ishte veç të tjerash edhe kategoria e “njëmijëlekshave”, të cilët u bënë “ndihmës të Partisë” në punën e Sigurimit të Shtetit. E pësoje për një fjalë të pakujdesshme, të thënë qoftë edhe me atë që e konsideroje si mikun tënd të ngushtë. Dikush në një fshat të Tepelenës u dënua sepse tha në një mjedis njerëzish të njohur që, “nuk punohet duke ngrënë bukë e dhallë”, dhe sot e kësaj dite nuk dihet sa ku e ka varr. Koha ishte e tillë që mund ta pësoje edhe nga njerëzit e tu më të afërt. Kaganoviç, një prej njerëzve më besnik të Stalinit, “...ishte një njeri aq i zellshëm sa ai do t’i kishte prerë fytin babait të tij, në rast se Stalini do të pretendonte se është në interes së Çështjes (Çështjes së Stalinit, nënkuptohet).”  Dënimi në mjaft raste shoqërohej me konfiskim pasurie, sidomos në vitet e para të rregjimit monist në Shqipëri; vlera të cilat shpërndaheshin fshehtas për pasurimin e krerëve të lartë të regjimit komunist. Pastaj, po ashtu si njerëzit “dënoheshin” edhe objektet kulturore, librat, objektet fetare, “zakonet prapanike” e kështu me radhë. Një çmënduri e vërtetë!...
Duhen faqe të tëra për të përshkruar krimet e njerëzimit që diktatura 45-vjeçare e komunizmit shkaktoi në Shqipëri. Nga ana tjetër duhet kuptuar mirë që, krime të tilla nuk janë çështje të epidemisë natyrore por pasojë e veprimeve çnjerëzore të individëve me pushtet në atë kohë. Ndryshimi i sistemit politik në vendin tonë, në fillim të viteve ’90, u dha fund këtyre krimeve dhe liri të dënuarëve politikë. Gjithashtu u morën një sërë masash për të rehabilituar dhe rikuperuar sa të ishte e mundur shtresën e ish të përndjekurve politikë dhe familjeve të tyre. Por ajo ç’ka ka mbetur edhe sot e kësaj dite pa u trajtuar në mënyrë demokratike është çështja e persekutorëve të regjimit komunist, siç ka ndodhur në të gjithë vendet e tjera ish-komuniste të Europës Lindore. Madje në Shqipëri, për shkak të gjerësisë dhe thellësisë së këtij implikimi, ky problem duhej të ishte zgjidhur me kohë. Por “faktorin kohë” tek ne e dogji “revolucioni demokratik i vonuar” i ’97-ës, që ktheu në pushtet ish-komunistët e grumbulluar në Partinë Socialiste në qershor të ’91-shit. Kësisoj “ligji i dosjeve” që miratoi qeveria qemokratike në vitet ’92-’96 mbeti i pazbatueshëm për 8 vitet e qeverisjes majtiste. Dhe ç’ishte më e keqja, pesonat që ishin objekt i këtij ligji si; ish-sigurimsa, ish-prokurorë, ish-hetues, ish-gjyqtarë të kohës së monizmit, etj., u vendosën deri në krye të institucioneve të drejtësisë, jo vetëm për t’i shpërblyer për kontributin në ngjarjet e ’97-ës por edhe për të shërbyer ende si “leva të pavarur të Partisë” në të ardhmen. Pa u ndalur rast pas rasti në këtë çeshtje, mjafton të kujtojmë vendosjen në krye të Gjyktaës së Lartë të Fehmi Abdiut, gjytarit që në vitin ’88 çoi në litar poetin Havzi Nela.
Këto ditë që Parlamenti ka diskutuar dhe është në pritje të miratimit të projektligjit për “pastërtinë e figurave zyrtare”, përgatitur nga mazhoranca e djathtë, të majtët po bëjnë të pamundurën që kjo iniciativë ligjore të dështojë. Një nga argumentat kundërshtues që ata paraqesin është edhe “vonesa në kohë”, e cila sipas tyre e shndërron në “farsë”ligjin në fjalë, duke harruar që kjo është përsëri përgjegjësi e tyre, pasi demokratë e vunë në agjendë këtë detyrë menjëherë pas rikthimit në pushtet, pas zgjedhjeve parlamentare të 3 korrikut ’05. Sipas politikanëve të majtë, të tipit Rama e Gjinushi, një vonesë e tillë ka lejuar zgjidhjen e natyrshme të problemit, sikundër ka krijuar imunitet kushtetues për kategoriën e “ishëve” të sistemit të drejtësisë. Pretendime të tilla s’janë gjë tjetër veçse jutifikime dhe flirtime të pastëra. Gjykata Kushtetuese e ka dhënë me kohë aprovimin për një ligj të tillë, dhe natyrisht kjo nuk pritet nga gjyqtarët e sotëm të ëktij iunstitucioni, një pjesë e të cilëve mund të kenë “konflikt interesash me këtë ligj”. Megjithatë të majtët kanë arritur t’ia mbushin mendjen edhe ndonjë diplomati të huaj, që këshillon “kujdes” dhe pritmëri më “ligjin e dosjeve”. Mbase kjo mund të jetë një këshillë e pastër e natyrës diplomatike, por realiteti shqiptar nuk mund të vazhdojë të jetë ende “as Lindje as Perëndim”, dhe t’i lërë, të paktën pa shpagim shkaktarët e kësaj tragjedie njerëzore, që s’mund të ketë të krahasuar me vendet e tjera që kanë përjetuar një regjim të tillë. Procedurat e zbatimit të këtij ligji duhet të fillojnë me hapjen e dosjeve dhe verifikimin e përgjegjësisë për kategorinë e ish-sigurimsave, ish-prokurorëve, ish-hetuesve dhe ish-gjyqtarëve; të cilët kanë qënë ekzekutorët konkretë të dënimeve komuniste.
Po kush është eksperienca më e fundit në këtës drejtim? Natyrisht ajo e vendeve ish-komuniste të Europës Lindore. Me përjashtim të Bosnjë-Hercegovinës dhe Malit të Zi, të gjitha vendet ish-komuniste të Europës Juglindore kanë miratuar dhe kanë zbatuar legjislacionin për dënimin e krimeve të komunizmit dhe hapjen e arkivave të ish-shërbimeve sekrete. Gjermania ka miratuar ligjin për hapjen e arkivave të STASS-it që në vitin ‘91. Në bazë të këtij ligji të dhënat e STAS-it janë në internet dhe çdo qytetar mund të aksesohet për të parë të dhënat personale. Deri tani mbi 2 milion gjermanë kanë kontrolluar të dhënat e tyre personale. Republika Çeke në vitin ‘03, bëri publike listat e plota të bashkëpunëtorëve të ish-policisë sekrete (StB), ndërkohë që 10 vjet më parë ishte bërë publike lista me emrat e rreth 160 mijë bashkëpunëtorëve. Një veprim të tillë Sllovakia  e bëri një vit më vonë duke publikuar dosjet e ish-policisë sekrete (StB), të krijuara që nga viti ’45, ku përfshihen rreth 21 mijë emra. Presidenti polak Lech Kaczynski dekretoi në nëntor ‘06, ligjin e ri për hapjen e dosjeve të ish-shërbimeve sekrete. Në bazë të këtij ligji, hapen dosjet për deputetët, anëtarët e qeverisë, nivelin e lartë të administratës publike, diplomatët, juristët, drejtorët e shkollave, arsimtarët, gazetarët, botuesit, zyrtarët e pushtetit lokal si dhe drejtuesit e kompanive shtetërore. Të gjithë këta zyrtara janë të detyruar që të aplikojnë pranë (National Remembrance Institute), për të verifikuar pastërtinë e figurës së tyre. Nëse rezultojnë bashkëpunëtorë, ata humbasin pozicionet e tyre. Më parë, verifikimi i figurës bëhej vetëm për zyrtarët e lartë të administratës publike. Me ligjin e ri pritet që 400 mijë polakë të jenë të detyruar për të bërë verifikimin e figurës së tyre. Në bazë të ligjit të ri, të dhënat janë të hapura për publikun. Në Hungari në vitin ‘03 u miratua ligji për hapjen e dosjeve, në bazë të të cilit, çdo qytetar mund të kontrollojë dosjen e vet. Natyrisht, nuk hapen dosjet që kanë të bëjnë me çështjet e sigurisë kombëtare. Bullgaria ka miratuar ligjin për hapjen e dosjeve me 6 dhjetor ‘06 dhe çdo qytetar mund të shohë të dhënat e veta. Në bazë të ligjit, kontrollohen dosjet për politikanët, zyrtarët e administratës publike, shkencëtarët, juristët, përfaqësuesit fetarë si dhe gazetarët, dhe nëse këta rezultojnë fajtorë, të dhënat pë ta publikohen në internet. Këta persona njoftohen më parë, me qëllim që të kenë mundësinë e ankimimit në Gjykatën e Lartë Administrative. Kalojmë tani tek republikat Balltike, të cilat janë anëtarësuar në BE qysh në maj të vitit ’04. Letonia një ligj të tillë e ka miratuar në mars ’07; për hapjen dhe publikimin e të gjithë arkivave të KGB-së për këtë vend; Lituania në tetor ‘06 ka miratuar ligjin për hapjen dhe publikimin e të gjithë arkivave të KGB-së për Lituaninë dhe Estonia po kështu, duke i kirjuar mundësinë çdo qytetari që të lexojë dosjet e KGB-së në Arkivat Kombëtare. Nga vendet e Rajonit; Sllovenia, ka hapur pjesërisht arkivat që në prill ’03; Kroacia i ka hapur arkivat e policisë sekrete (UDBA) në nëntor ’01, Maqedonia ka miratuar ligjin për hapjen e dosjeve me 22 janar ’08 dhe Serbia në vitin ‘03.
U zgjatëm pak në këtë përshkrim për të treguar se sa hipokrit dhe i pabazuar  është pretendimi Ramisto-Gjinushist i “djegjes së kohës” për hapjen e dosjeve. Asnjëherë nuk është vonë për të dënuar krimet e komunizmit. Shumica e vendeve ish-koministe të Europës Lindore e kanë kryer një procedurë të tillë jo më larg se para dy vitesh. Nga ana tjetër, këtu gjen shembuj se ligji për hapjen e dosjeve mund të ndryshohet e të përmirësohet disa herë. Ajo që s’mund të ndryshohet e përmirësohet është vetëm “gunga mëkatare” e të gjithë atyre që sot ngrihen me lloj-lloj pretendimesh absurde kundër një ligji të tillë. Cetven Todorov në “Abuzimet e Memorjes” thotë: “ Jeta ka humbur ndaj vdekjes, por memorja fiton në luftën e saj kunër mohimit”.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora